Ali Asllani/ Poezi

    606
    Sigal

    Ali Asllani, poet, atdhetar dhe diplomat shqiptar,u lind më 28 nëntor të vitit 1884VajzëVlorës dhe vdiq më 20 dhjetor 1966. Në Vlorë kreu shkollën fillore, në Janinë shkollën e mesme, gjimnazin “Zosimea” në vitin 1888. Në fillim studioi mjekësi, por pastaj vazhdoi Institutin e Lartë të Shkencave Politiko-Shoqëroro-Administrative në Stamboll … Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë.

     Do t’i shtrydh të dy sytë

    Un’ jam un’, saksi e vjetër!
    Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër
    Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa
    dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa

    Nëpër vapëz i dhash’ hijem nëpër hije er’ e shije
    i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie
    gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije
    ar’ e diellit me tallaze, ar’ e hënës fije-fije
    dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…

    Po u bë ajo që s’bënej, si, pra, zemra do duroj’,
    syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj?
    Si, pra, zëmra do durojë un’saksia tash të vuaj
    edhe këngë e gjirit tim të këndoj’ në gji të huaj?

    Un’ e nisa i stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa,
    dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa
    buz’ e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër
    plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!

    Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë
    i dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’
    i dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr
    që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’
    këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj
    do t’i shtrydh të dy sytë nëpër gjurma të asaj!

    Vlora, Vlora!

    Jam vlonjat e jam vlonjat,
    e kam shkabën mëm’ e atë,
    shkaba trime dykrenore
    fron’ e saj e ka në Vlorë!

    Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
    rroki armët, bëja fora!

    Vlora trime shqiptare
    si rob jetën s’e do fare,
    a do mbetet Shqipëri,
    a do bëhet tym e hi!

    Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
    rroki armët, bëja fora!

    Jam vlonjat e jam burrë,
    s’duron burri zgjedhë kurrë,
    jam vlonjat e si vlonjat
    di bëj luftë me të shtat’!

    Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
    Bjeri, moj, t’u lumtë dora!

    Jam vlonjat dhe trim me besë,
    rreth flamurit di të vdesë,
    a me hir a me pahir
    doemos do rroj i lirë!

    Ç’do të thotë patriot?

    Ç’do të thotë patriot
    sot për sot në Shqipëri?
    Një tuf’ ah e një tuf lotë,
    një njeri i pa njeri!

    Jo, jo! Burri i bën ball’
    do buçit si val’ mbi zall,

    Sa më zi edhe më zi
    sido qoftë pun’ e tij,
    copë-cop’ i bënet buza
    po aspak s’i falet shpuza.

    Sikurse një gur strall,
    në gji zjarrin e ka ngjall,
    qoft’ në lum’ e qoft’ në det
    zjarr’ i tija nuk humbet!

    Një vështrim i arratisur

    Një vështrim i arratisur
    Nga qepallat e qëndisur
    Ku është shpirti im skalitur,
    Nga dy syt’ e zez’ të tu
    Vjen me thotë ashtu-kështu!

    Me thot’ jo edhe me ndez
    Me thot’ po edhe me vdes
    Nata zgjatet edhe zgjatet
    Ah kjo nat’ me or’ nuk matet!
    E un’ mbetem duke lutur
    Lutem yjeve te këputur.

    Dhe un’ lus e kërkoj ty,
    Atë vetull, atë sy!
    Se në syrin tënd të zi
    N’atë sy të zi, mazi
    Shenj’ e buzës sime duket
    Si një prush në re kur muget!

    7 PRILL 1939

    Shtatë prill…
    Kopilove o kopil
    E u lute u këpute
    Njëqind pash në dhe u fute!

    Natyrisht një tradhëtor
    Spor e fisit arbëror
    E pret hasmin me daulle
    Kur gjen ditën ta bën pulle!

    Na e gjeti dhe na ra
    Vret Shqiponjën që s’u vra
    Nuk u vra dhe nuk do vritet
    Poshtë përpjetë me vrull vërtitet!

    Ja dhe himni që na thuri
    Hymn’i zi i një qivuri:
    “Eja, eja alala
    Të na rrojë Duçeja
    Duçeja guguçeja
    Le të rroj’ edhe flamuri
    Sa për sy e për bela!”

    I pabesi ta dij’, pra
    Ndër kasolle me një tra
    Që nga Shkodra gjer në Dropull
    Rron ai që i thon’ popull!

    Ajo dor’ që rreh dybekun
    Di ta mbush edhe dyfekun
    Në se ditën çan ugar
    Edhe natën thur litar
    Thur litar e kalit grushtin
    Dhe e var nga këmbët pushtin!