Ali Asllani/ Poezi

    429
    Sigal

    Pyeta valët vogëlushe

    Pyeta valët vogëlushe;
    mu si krahët e një gushe
    përmbi supe nga një shkumë,
    kush më pak e kush më shumë,
    venë e vinë e shkojnë e shkasën
    dhe përhera për ty flasën.

    Valëza, o valëza,
    farë e fis me vashëza,
    ku e keni shoqen tuaj?
    Ruaje zot nga erë e huaj!

    Pyeta zoga, pyeta zogj,
    pyeta zemrën që m’u dogj,
    pyeta lulet nëpër baça,
    nëpër baça, që un’ plaça,
    muaj e vitra po të pres,
    vidi-vidi pëllumbeshë!

    Vidi-vidi zogëza,
    farë e fis me zojëza,
    ku e keni shoqen tuaj?
    Një minutë e gjat’ një muaj!

    Vidi-vidi pëllumbeshë!
    për ty qaj e për ty qeshë,
    për ty qesha; gjithë jeta
    me gjith’ lule, me gjith’ fleta,
    u bë fli për ata sy;
    çdo gëzim ta fala ty!

    E çdo brengë e mbajta vetë.
    Tash afroi e thënë e shkretë,
    dhe un’ s’di ku jam, ku vete,
    rroj për ty e vdes për vete!

    Vetëm jeta s’mund të matet

    Dhe ajo qe m’u duk mua e përhershme shkoj e vate
    Vate jeta ime vate, me la vetëm një kujtim
    S’di, i ziu, ç’është kujtimi: Vetëm shkrep si vetëtimë
    e me ndrit e me tregon gjurmëzat e zotëris’ sate

    Thonë lindi me këmishë, për atë që paske fate’
    meqë unë të dua ty, paskam lindur me këmishë
    s’di, i mjeri ç’është këmisha, vetëm ish ashtu si ish
    midis mishit dhe këmishës futej dor’ e zotëris’ sate

    Thonë paska parajse, gjith’ lulishte e pallate
    tufa, tufa me hyjrira, vargje vargje me humrira
    s’di, i ziu, ç’është hyrija, por hyrirat më të mira
    s’mund të ken’, t’u bëfsha unë, atë zjarr të zemrës sate

    Paska vende gji-ergjënd e pallate me shtatë kate
    ku ka defe, ku ka qefe, ku ka çupa me kaçupa
    s’di, dhe s’di, se ç’është kaçupi, me pëlqen më tepër kupa
    kur ma mbush e kur ma jep, ajo dore pa mëkate

    Dy te tretat e një kohe, të një shekulli që vate
    vate jeta ime vate, me ‘te bashke van’ dhe fatet
    s’di, i ziu, se ku vane, vetëm jeta s’mund te matet
    veç me ditët qe kalova, ne prani te zotëris’ sate