Ali Asllani/ Poezi

    448
    Sigal

    Një vështrim i arratisur

    Një vështrim i arratisur
    Nga qepallat e qëndisur
    Ku është shpirti im skalisur,
    Nga dy syt’ e zez të tu
    Vjen më thotë ashtu-kështu!

    Me thot’ jo edhe më ndez
    Me thot’ po edhe më vdes
    Nata zgjatet edhe zgjatet
    Ah kjo nat’ me or’ nuk matet!
    E un’ mbetem duke lutur
    Lutem yjeve të këputur.

    Dhe un’ lus e kërkoj ty,
    Atë vetull, atë sy!
    Se në syrin tënd të zi
    N’atë sy te zi, mazi
    Shenj’ e buzës sime duket
    Si një prush në re kur muget

    Vetëm jeta s’mund të matet

    Dhe ajo që m’u duk mua e përhershme shkoj e vate
    Vate jeta ime vate, me la vetëm një kujtim
    S’di, i ziu, ç’është kujtimi: Vetëm shkrep si vetëtimë
    E me ndrit e më tregon gjurmëzat e zotëris’ sate

    Thonë lindi me këmishë, për atë që paske fate’
    meqë unë të dua ty, paskam lindur me këmishë
    s’di, i mjeri ç’është këmisha, vetëm ish ashtu si ish
    midis mishit dhe këmishës futej dor’ e zotëris’ sate

    Thonë paska parajsë, gjith’ lulishte e pallate
    Tufa, tufa me hyjrira, vargje vargje me humrira
    S’di, i ziu, ç’është hyrija, por hyrirat më të mira
    S’mund të ken’, t’u bëfsha unë, atë zjarr të zemrës sate

    Paska vende gji-ergjënd e pallate me shtatë kate
    Ku ka defe, ku ka qefe, ku ka çupa më kaçupa
    S’di, dhe s’di, se ç’është kaçupi, me pëlqen më tepër kupa
    Kur ma mbush e kur ma jep, ajo dorë pa mëkate

    Dy të tretat e një kohe, të një shekulli që vate
    Vate jeta ime vate, me ‘të bashke van’ dhe fatet
    S’di, i ziu, se ku vanë, vetëm jeta s’mund të matet
    Veç me ditët që kalova, në prani të zotëris’ sate.

    Do t’i shtrydh të dy sytë

    Un’ jam un’, saksi e vjetër!
    Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër
    Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa
    Dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa.

    Nëpër vapëz i dhash’ hijem nëpër hije er’ e shije
    I dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie
    Gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije
    Ar’ e diellit me tallaze, ar’ e hënës fije-fije
    Dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…

    Po u bë ajo që s’ bënej, si, pra, zemra do duroj’,
    Syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj?
    Si, pra, zëmra do durojë un’ saksia tash të vuaj
    Edhe këngë e gjirit tim të këndoj’ në gji të huaj?

    Un’ e nisa i stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa,
    Dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa
    Buz’ e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër
    Plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!

    Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë
    I dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’
    I dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr
    Që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’
    Këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj
    Do t’i shtrydh të dy sytë nëpër gjurma të asaj!