Alfred Uçi/ J. De Rada – lëvrues i estetikës teorike

    1329
    Sigal

    (Mbi veprën “Parime të Estetikës”)*

     Ministria e Kulturës me rastin e 200-vjetorit të lindjes së Jeronim De Radës, në kujdes të gjallërimit të trashëgimisë letrare, shpalli vitin  2014 “Vit të J. De Radës”. Redaksia e gazetës sonë i përgjigjet kësaj nisme, duke botuar një referat të Prof. Alfred Uçit, Kryetar i Shoqatës “Lisi i Arbërit”, Tiranë, kushtuar veprës madhore  të poetit arbëresh “Parime të estetikës”.

    1-Duke qenë i angazhuar profesionalisht në fushën e filozofisë dhe të estetikës, qysh në fund të viteve ’50 të shekullit të kaluar, jam interesuar për njohjen e traditave kulturore kombëtare dhe, në këtë kuadër, më patën tërhequr vëmendjen njoftime të ndryshme mbi ekzistencën e veprës “Parime të Estetikës” të J. De Radës’, sidomos përshkrimi i shkurtër i kësaj vepre në librin “L’Albania e Popera di Girolamo De Rada” e studiuesit arbëresh M. Markiano . Kur iu drejtova fondit të J. De Radës në Arkivin Qendror të Shtetit, konstatova në shënimin e një skede se kishte qenë i regjistruar një ekzemplar i librit origjinal “Parime të estetikës”, botim i vitit 1861 në Napoli, por nuk shënohej cili person e pat tërhequr, prandaj ai quhej”i humbur’*

    Vetëm aty nga mesi i viti 1969-1970 një ish- student imi, që punonte në Bibliotekën e qytetit të Elbasanit, më ftoi të shikoja disa fonde të pasistemuara librash të kësaj biblioteke; midis tyre zbulova një ekzemplar të veprës së De Radës, që duhet të kishte qenë nga biblioteka e libriofilit Lef Nosi, e sekuestruar aty nga viti 1947 dhe e përfshirë në fondet e Bibliotekës së Elbasanit.

    Pas njohjes së përmbajtjes të librit “Parime të estetikës” kuptova se kishim të bënim me një vepër të rëndësishme, e cila do ta plotësonte njohjen e personalitetit poliedrik të rilindësit tonë të madh me një anë që kish mbetur e panjohur në studimet deradiane shqiptare. Unë e çmova shumë këtë vepër dhe besoja se botimi i kësaj vepre në shqip do të ishte një ngjarje e shënuar në jetën kulturore të vendit tonë; mirëpo, në rrethanat e atëhershme të mirënjohura të monizmit ideologjik ishte e pamundur që të botohej e plotë, prandaj përgatita disa artikuj’ që u botuan në fillim të viteve ’70 në Shqipëri dhe në Kosovë, në të cilat jam përpjekur të vlerësoj veprën e De Radës dhe, njëkohësisht, të paraqit pasazhe dhe ekstrakte të shumtë, që lexuesi të krijonte një përshtypje të saktë për përmbajtjen e saj.

    Këta artikuj shërbyen qysh atëherë e deri në ditët e sotme jo vetëm për njohjen e lexuesve me këtë vepër, por ndihmuan që të bëhen edhe artikuj e studime nga autorë të tjerë të ndryshëm. Veç, gjithsesi, ato nuk e mbushën zbrazësinë, që pat shkaktuar mungesa e botimit në shqip, prandaj kam vazhduar punën për ta përgatitur përkthimin. Kam pasur fatin të ndihmohem duke e konsultuar përkthimin me kolegët Andrea Varfi e Pashko Gjeçi, njohës të mirë të italishtes dhe të krijimtarisë letrare të J. De Radës. Në prag të përkujtimit të 100- vjetorit të vdekjes së De Radës, pata mundësinë ta verifikoja në mënyrë të plotë e përfundimtare përkthimin me tekstin origjinal me ndihmën bujare të prof. Françesko Altimarit. Jam i lumtur që arrita ta botoj “Parime të estetikës” të De Radës , që e kam pasur peng gati gjysmë shekulli.

    2.”Parime të estetikës” e kam quajtur dokumentin më të rëndësishëm e të parë të historisë së mendimit filozofik e estetik shqiptar. Por libri është shkruar italisht dhe është botuar në Napoli më 1861. Sigurisht, kjo vepër e De Radës nuk bën të ndahet nga kultura italiane e atyre kohëve jo vetëm thjesht se është shkruar italisht, por ngaqë brumi i saj intelektual, vlerat e saj ideore janë ngjizur në atë atmosferë të jetës shpirtërore, kulturore, madje politike, që po kurorëzohej me Risorgimenton italiane, brenda së cilës u formua dhe u rrit lëvizja rilindëse e komunitetit arbëresh, ndërgjegje më shprehëse e të cilës u bënë J. De Rada dhe një plejadë e tërë intelektualësh, politikanësh, shkrimtarësh arbëreshë, që dhanë një kontribut të çmuar në kulturën e në zhvillimin demokratik të Italisë. Edhe vepra “Parime të estetikës” as me idetë filozofike-estetike dhe as me gjuhën e botimit të parë nuk e zbehin aspak faqen tjetër të kësaj vepre, që është e mbushur me shqetësimet dhe preokupimet e arbëreshit; zemra dhe mendja e tij punonin për të mos e harruar Atdheun e humbur dhe sytë i kish drejtuar tej Adriatikut, drejt Shqipërisë, Dheut të të parëve.

    “Parime të estetikës” është kryesisht një traktat estetike, por në të duket qartë se autori është në kërkim të argumenteve filozofike e estetike, sociologjike e historike, etike e fetare, politike e kulturore në favor të platformës të Rilindjes Kombëtare të Shqipërisë. Kudo nëpër rreshtat e këtij libri spikat synimi për të trajtuar problemet themelore të jetës, të ekzistencës së bashkësisë arbëreshe dhe të historisë së kombit shqiptar, të gjendjes dhe të së ardhmes së tij. De Rada sjell në këtë libër fakte të shumta mbi rëndësinë e luftërave liridashëse të Skëndërbeut në mbrojtje të Atdheut e të qytetërimit evropian nga hordhitë osmane, konturon vlerat e shquara të trashëgimisë kulturore, sidomos të folklorit dhe rëndësinë e ruajtjes së vetëqenies etnike e të gjuhës shqipe. “Ne shqiptar ët, – shkruan ai në “Parime të estetikës”, – duhet ta ruajmë gjuhën tone me kujdesin më të madh, si një vravashkë (pishtar) të denjë që të mos ta shuajnë erërat armike që na shpërndanë në dhe’ të huaj  Në leximin e këtij libri secili dëgjon po atë zë që qysh më 1836, në kryeveprën e tij poetike “Milosao”, shpallte: “Erdhi dita e Arbërit”! Prandaj na duket e drejtë të pohojmë se libri “Parime të estetikës”, i shkruar italisht, u drejtohet në radhë të parë arbëreshëve, shqiptarëve. Me vlerat e tij të shquara ai e përballon përcaktimin si dokumenti më i rëndësishëm i historisë së mendimit filozofik e estetik shqiptar ashtu si “Milosao” e ka bërë J. De Radën themelues të letërsisë romantike e moderne shqipe.

    3.Ç’përfaqëson në vetvete “Parime të estetikës” si traktat estetik? Ky libër me 103 faqe dallohet për densitetin e thellësinë e mendimit estetik dhe për origjinalitetin e dukshëm. Estetika e De Radës është estetikë teorike, filozofike, që bart aromat e ngjyrimet e asaj atmosfere intelektuale, që mbizotëronte në Italinë e mesit të shek. XIX. Ndonëse De Rada përmend shprehimisht vetëm emrin e V. Giobertit, ndjehet edhe fryma e mendimtarëve të tjerë më të rëndësishëm të atij shekulli, të P. Gallupit, A. Rosminit dhe të filozofisë së Kantit.

    Nga ana tjetër, idetë estetike të De Radës në “Parime të estetikës” janë një sintezë e përvojës së historisë botërore të estetikës dhe të letërsisë; në të ndjehet ndikimi i estetikës klasike të antikitetit greko-romak, të tjetërsuar e të pasuruar me prirje spirituale përmes botës mesjetare dhe Renesansës, duke përthithur edhe përfytyrimet estetike, që lidheshin si me klasicizmin francez, edhe me romantizmin.

    Qysh në nëntitullin e ballinës së librit autori njofton se libri përbëhet nga ekstrakte, fragmente me mendime “rreth jetës dhe qëllimeve të saj””(Ekstraktet, me sa kuptohet, janë nxjerrë nga katër ose pesë libra a fletore shënimesh që nuk janë bërë të njohura; fragmentet ndahen në kapituj e paragrafe me numra romakë e arabë dhe nuk kanë vazhdimësi të rregullt. Mos vallë edhe në këtë libër De Rada i përmbahet parimit të mirënjohur dhe të stërdiskutuar të fragmentarizmit, që është vënë re në krijime të tij poetike dhe që është vlerësuar herë si mangësi, e herë si meritë artistike? S’ka dyshim, se fragmentarizmi e vështirëson kuptimin e njësisë, të suksesivitetit dhe të lidhjes së brendshme, të logjikës së ideve të parashtruara, por nuk e bën të pamundur kuptimin e unitetit tërësor të ideve të organizuara në sistem, si një teori e mirëfilltë estetike. Dhe ajo që spikat është argumentimi solid filozofik, që vendos autori në themel të ideve të tij estetike.

    Tiparin themelor të botëkuptimit filozofik të De Radës, sipas mendimit tonë, e përbën panteizmi, që njeh një harmoni e rregullsi universale, që i afron, i lidh e i bashkon në një të vetme gjithë ç’janë, që lidh trupin me shpirtin, objektin e subjektin, njeriun dhe natyrën, që i bën strukturat e tyre homogjene, që i shkrin në një të vetme procesin e të menduarit me qenien, krijimtarinë me jetën e natyrës dhe prej këtij brumi unik të botës gatuhet bukuria.

    Panteizmi i përqasej mirë poetit. Në “Estetikën” gjatë arsyetimeve filozofike De Rada filozof këmbehet me De Radën poet, gjykimet e ftohta racionale u lënë vendin kapërcimeve lirike. Ashtu siç ndodhi me Naim Frashërin, panteizmi e pushtoi natyrshëm De Radën, i cili, i magjepsur nga bukuritë e natyrës, e perceptonte dhe e përjetonte këtë si një qenie të gjallë, plot jetë, lëvizje, aksion. Për De Radën, ashtu si edhe për Naimin mund të thuhet: si filozofë ata ishin poetë dhe si poetë ata ishin filozofë.

    Aty ku De Rada nuk është në gjendje të japë përcaktime të qarta thjesht teorike, atij i vjen në ndihmë talenti poetik që ia konkretizon dhe qartëson mendimin: “Shoqëria njerëzore, -shkruan ai-, i ngjet atij zogut, për të cilin thuhet se çdo stinë përtërihet nga hiri i vet. Jeta e shoqërisë njerëzore duke ndryshuar, ec përpara, ashtu siç lëvizin anijet të shtyra përpara nga dallgët drejt limaneve të ndryshme” .

    4.Duke përvijuar rrugën e estetikës klasike të antikitetit De Rada teorinë e tij estetike e ka përpunuar si teori të së bukurës. Problemi se ç’vend i caktohej të bukurës në teorinë estetike dhe në idealin estetik në kohën e De Radës kishte marrë një rëndësi të veçantë, sepse ende vazhdonte jehona e diskutimit të mirënjohur midis Vinkelmanit dhe Lesingut; aq më tepër që po afirmohej platforma e re estetike e romantizmit. De Rada është shprehur në “Parime të estetikës” në favor të pikëpamjes së Vinkelmanit, që të bukurën e quante vatër të idealit estetik klasik të antikitetit, kurse të shëmtuarën e përjashtonte prej tij. Po kështu, De Rada shkruante: ” bukuria qëndron në paraqitjen me vërtetësi me anë të mermerit ose të ngjyrave të virtyteve fisnike të njerëzve të ndershëm. Si shembull i qartë i kësaj mund të na shërbejnë mendimet e Vinkelmanit mbi kryeveprat e artit të lashtësisë ” . Ai ka thënë se: “Imitimi i së shëmtuarës nuk mund të jetë në vetvete objekt i artit. Dhe kur arti e pranon aty-këtu të shëmtuarën, këtë e bën për të na treguar atë që s ‘na pëlqen në jetë ose për ta pasur si shkallën më të ulët në raport me lartësinë ku duhet të ngjitemi. Vetëm kështu jeta reale, në të cilën e shëmtuara dhe banalja ndeshen shpesh, mund të hyjë në art gati si nënshtresë e jetës ideale” .

    Kjo tregon se De Rada gjithsesi nuk i përjashtonte krejtësisht prirjet e reja të letërsisë dhe të arteve të asaj kohe, kur po fitonin terren realizmi e romantizmi.

    Në estetikën e tij , ai zinte një pozicion mjaft të veçantë përsa i përket njohjes të së bukurës, duke i dhënë asaj karakter gnoseologjik, por në atë mënyrë specifike, që përpiqej të sintetizonte disa parime të estetikës empirike me ato të estetikës racionaliste. Ai mbronte pikëpamjen se dy shqisat, syri dhe veshi, janë të specializuara për përvetësimin estetik, por këto i quante ” dy kanale të ftohta”, që i përcjellin përjetimet e bukurisë drejt mendjes dhe që këtej lind kënaqësia e shpirtit.

    Përsa i përket thelbit të bukurisë, De Rada kundërshtonte si idetë e formalistëve, ashtu edhe ata të substancialistëve. Sipas tij, bukuria nuk bën të reduktohet në një rregullsi të jashtme formale, por përbën një harmoni midis formës së rregullt proporcionale dhe thelbit të brendshëm. Nga ana tjetër, arbëreshi ynë pranonte, në kundërshtim me substancialistët, se bukuria nuk është cilësi e materies (me këtë të kujton Platonin), por vlerë shpirtërore: “Substanca fizike, në vetvete- shkruan ai,- është e vdekur, pra, nuk ka kurrfarë bukurie. Bukuria që shkëlqen, nuk është veçori e substancës, por gjithmonë veçori e shpirtit dhe e jetës”, mendim që të kujton atë që tha në vonë B. Kroçe. De Rada ka meritën se përvetësimin estetik e konsideronte si përvetësim shpirtëror dhe prandaj të bukurën e ndante, e përveçonte nga sendet utilitare; e bukura është e dobishme, sipas tij, jo se me të plotësohen nevoja materiale, utilitare, por se plotëson kërkesat shpirtërore të njeriut. Rruga e përsosjes shpirtërore, morale të njeriut kalon nëpër të bukurën- thoshte ai.

    De Rada e ndërtoi teorinë e vet mbi të bukurën në bazë të koncepsionit të tij panteist mbi botën: ” Shpirti dhe trupi,- shkruante ai- sipas natyrës së tyre të veçantë dhe afmitetit që kanë, priren me forcë drejt njëri-tjetrit dhe plotësojnë njëri-tjetrin”. Sipas tij, homogjenitetit të natyrës dhe njeriut në planin estetik i përgjigjet homogjeniteti i bukurisë dhe i shpirtit njerëzor. Edhe sendet e fenomenet e bukura të natyrës nuk dallohen nga bukuria shpirtërore, sepse edhe ato asimilohen shpirtërisht, domethënë me ato anë të tyre, që i përqasen shpirtit dhe që plotësojnë kërkesat e tij. “Por çdo bukuri që vihet re në botën trupore,- shkruante ai-, është homogjene me bukurinë e shpirtit”.

    Duke trajtuar problemin e klasifikimit të trajtave të së bukurës, arbëreshi ynë kundërshtonte opinionin e disa estetëve bashkëkohës, që e ndanin atë në bukuri të përtejme (sovraintelligibile) ose intelektive, duke e dalluar prej bukurisë fizike ose morale. “Mendja e dikton shkruante ai,- e zbulon të bukurën dhe e vë në shërbim të shpirtit”.’3.

    De Rada ka meritën se shtroi edhe problemin e raportit midis së bukurës dhe së madhërishmes (sublimes), gjë që tregon se ai njihej me pikëpamjet e Kantit, i cili e përveçoi kategorinë e së madhërishmes si kategori më vete. Në këtë frymë poeti ynë dallonte dy trajta të së madhërishmes – atë dinamike, që ka të bëjë me forcën, veprimin dhe atë matematike, që ka të bëjë me vëllimin, madhësinë. Në frymën e humanizmit De Rada vinte mbi gjithçka madhështinë njerëzore, që shfaqet në forcën e vullnetit për të kryer vepra madhështore, të virtytshme ose për të përballuar me stoicizëm vuajtjet dhe mundimet më të rënda, për të plotësuar detyrën morale. Prandaj ai nuk pajtohej me opinionin e Xhiobertit, që madhështinë fizike e vendoste mbi atë morale. De Rada të madhërishmen sidoqoftë e lidhte ngushtësisht me të bukurën, që ushqen e krijon madhështi. Idetë e tij mbi të bukurën e të madhërishmen De Rada i ilustron me shembuj të përsosur nga letërsia antike (Homeri, Sofokliu) dhe të kohëve të reja (Dante, Shileri, Bajroni etj.).

    5.Teoria estetike e De Radës, duke qenë teori mbi të bukurën në përgjithësi është, gjithashtu, teori e arti dhe e bukurisë së tij. Në përputhje me konceptimin panteist të botës, De Rada pranonte lidhjen e pandarë të vlerave estetike të artit dhe të realitetit; sipas tij, bukuria e arti është autentike si dhe ajo e realitetit. “Kultivimi i bukurisë, -shkruante ai,- paraqitet si kërkesa e domosdoshme, më e lartë e çdo vepre arti dhe ka një peshë shumë të madhe për të mirën e për të keqen në jetën e njeriut”.

    Duke iu përmbajtur estetikës klasike me triunitetin, homogjenitetin e bukurisë, të vërtetësisë dhe të mirësisë. Ai e vlerësonte lart funksionin njohës të artit, që e shkrinte me funksionin pastrues (katarsis); ai përdorte gjerësisht për të karakterizuar artin konceptet e “vellos, të “pasqyrës”, të “imitimit”, që mbizotëronin në epokën e Renesansës, por edhe të krijimit të bukurisë, në të cilën qëndron “një diell i brendshëm”, domethënë idetë estetike intuitive, që zgjohen në mendjen njerëzore të nxitur nga zërat e jashtëm përmes shqisave.

    Në estetikën e De Radës zë një vend të rëndësishëm edhe problemi i klasifikimit të arteve, që kishte fituar mprehtësi në diskutimet e polemikat mbi potencialin e veçantë estetik të llojeve të ndryshme artistike. Është interesante se poeti ynë sistemin e klasifikimit e shtrinte në tërë gjerësinë, domethënë duke mos e ngushtuar vetëm në raportin midis poezisë dhe pikturës, por pa përjashtim në gjithë llojet, gjinitë e zhanret artistike. Renditja e arteve në klasifikimin e tij është njëlineare (ndonëse flet edhe për dallimin midis grupit të arteve “representative” nga artet “plastike” ose “imituese”); këtë kriter ai e kombinon edhe me parimin hierarkik, domethënë duke pranuar epërsi estetike të një arti në raport me të tjerët. Në krye të shkallës hierarkike të arteve De Rada vinte poezinë, për të cilën thoshte se: “përfytyrimi simbolik e alegorik i së vërtetës tok me imazhin si pastrues të bukurisë ideale, do t’ia kthejnë sërish poezisë fronin e saj të lasht딑 Theksimi prej tij i rëndësisë së ekspresivitetit dhe i forcës sugjestionuese të fjalës në poezi lidhen edhe me ndikimin e estetikës së romantizmit evropian: Shlegelit, De Stalit, La Martinit, Shilerit, Bajronit, Mistralit, Hygoit etj.. Dhe nuk është e rastit që poeti ynë i madh i dha gjuhës shqipe frymën e re, magjepsëse, e ngriti arbërishten në nivelin e poetikës së gjuhëve të lashta e të stërlashta të Europës, me atë bukuri e origjinalitet ekspresiv, elegancë e muzikalitet që bart kryevepra e pavdekshme e tij “Milosao”. Klasifikimi dëshmon jo vetëm për thellësinë teorike, por edhe për erudicionin e gjerë të De Radës mbi krijimtarinë e shkrimtarëve më të shquar të antikitetit, të Italisë e të Europës.

    Ne jemi të bindur se njohja e veprës “Parime të estetikës” e De Radës do të ndihmojë jo vetëm për një rivlerësim edhe më të thellë të personalitetit dhe të poetit të shquar, por do ta pasurojë me ide të reja mendimin estetik e letrar shqiptar.

    12   Jeronim De Rada, po aty, f. 48

    13   Jeronim De Rada, po aty, f. 59

    14   Jeronim De Rada, po aty, f.97-98

    15

    15 Jeronim De Rada, po aty, f. 155

    n

    * Referat i mbajtur më 23 maj 2003 në Seminarin shkencor me rastin e 100- vjetorit të vdekjes së Jeronim De Radës, organizuar nga Universiteti Oriental i Napolit

    ‘ Girolamo De Rada, Principi d’Estetica. Estratti dalle sue Considerazioni sulla vita e i fini di essa, Napoli, Tipografia De Angelis, 1861,105 f.

    Alfred Uçi, “Parime të estetikës”- dokument i rëndësishëm estetik i Rilindjes tonë Kombëtare, në : Alfred Uçi, Probleme të estetikës, shtëpia botuese “Nairn Frashëri, Tiranë, 1976, f. 263-318

    6     Jeronim De Rada, po aty, f.l

    7 Jeronim De Rada, po aty, f. 128

    9     Jeronim De Rada, po aty, f. 56