Alfred Uçi: Historia e panjohur e tragjedisë “Timoni i Athinës”

    462
    Në librin tim “Shekspiri në botën shqiptare” (1996) nuk kam dashur të përmend fakte, ngjarje e personazhe nga historia e vendit tonë, as faktin që Shekspiri situatën e një komedie të tij e ka vendosur në Iliri, që njihej nga dramaturgët romakë, prej të cilëve shkrimtari e huazoi temën e kësaj komedie në një kohë kur askush nuk e përdorte emrin Shqipëri. Gjithë shqiptarët nuk mund të mos jenë mirënjohës ndaj dramaturgut të madh anglez, që e ka shfrytëzuar emrin e Ilirisë në komedinë “Endërra e një nate vere”; pastaj edhe në shumicën e veprave të tij dramaturgjike ka thënë shumë gjëra të rëndësishme që vlejnë për ta kuptuar drejt përmbajtjen tragjike të historisë njerëzore. Për shpjegimin dhe ilustrimin e thelbit të konceptit shekspirian të tragjikes, në studimin tim kam zgjedhur dramën historike (“Rikardi i III”) dhe tragjeditë e mirënjohura klasike, të përkthyera në shqip nga Fan Noli (Otelo, Hamleti, Makbethi dhe tragjedinë historike “Jul Cezari”); por, duke iu përmbajtur traditës fanoliane, zgjodha edhe dy tragjedi shekspiriane (“Rikardi i III” dhe “Mbreti Lir”), të përkthyera nga Skënder P. Luarasi. I quajta të mjaftueshme këto tragjedi për ilustrimin e konceptit shekspirian të tragjikes. Por, qysh pas botimit të librit tim të suksesshëm, e kuptova që kisha bërë gabim që nuk e pata përfshirë në të për analizë dramën “Timoni i Athinës”, që ishte shkruar nga Shekspiri në periudhën e fundit të krijimtarisë së tij letrare, më 1607 dhe që nuk ishte venë në skenat e teatrit tonë kombëtar. Kjo tragjedi ka qenë përkthyer nga Vedat Kokona, njohës shumë i mirë i dramaturgjisë shekspiriane. 

    Dukuritë tragjike në përgjithësi janë rezultat kontradiktash të ashpra, të papajtueshme e të pazgjidhshme në një kontekst të caktuar jetësor historik midis realitetit, personazheve dhe patjetër karaktereve dhe idealeve të tyre, prandaj, ato përfundojnë, si rregull, me dënime të rënda, me vuajtje të tmerrshme dhe me vdekje. Boshti i brendshëm i përgjithshëm estetik i tragjikes shekspiriane ka të bëjë me përplasje midis dashurisë dhe urrejtjes, jetës dhe vdekjes, midis paqes dhe luftës, harmonisë e konflikteve, mirësisë dhe ligësisë të skajshme, që janë të pranishme dhe zhvillohen në situata të ndryshme shoqërore e historike, por gjithnjë të kundërta, që mbeten të paharruara përjetësisht në historinë e arteve dhe të jetës së njerëzimit. Grindjet banale, vulgare, të rëndomta, të rastit nuk i shkojnë tragjikes dhe nuk pëlqehen nga teatri, krijuesit dhe spektatorët. Këtij kuptimi i jam përmbajtur në librin”Shekspiri në botën shqiptare”, por tani dua t’i shtoj këtij libri edhe analizën e një drame të veçantë shekspiriane: “Timoni i Athinës”, tema e së cilës u kushtohet shfaqjeve të rëndomta të jetës në epokën e qytetërimit antik të Greqisë së lashtë, që kanë të bëjnë me përdorimin e zakonshëm të parave, floririt, ndonëse Hegeli “rëndomësinë” e përjashtonte nga sfera e tragjikes. Po të mos kishte në një dramë diçka të jashtazakonshme (madhështi, dashuri të fortë, heroizëm, vetmohim, vrasje, vdekje) nuk mund të kishte tragjedi të mirëfilltë. Por Shekspiri kishte një koncept të gjërë për kategoritë themelore estetike, që trupëzohen në qenien e në artet, të cilat përfshinin edhe aspektet tragjike në dukuritë e rëndomta të jetës njerëzore. 

    Jeta – festë. Drama “Timoni i Athinës” nis me një aspekt të jetës gazmore të kryeqytetit të Greqisë të Lashtë. Në të rrëfehet për një njeri, Timonin, që ka një pasion njerëzor, madje krejt të zakonshëm, qysh atyre kohëve të largëta, pasionin e një filantropi që adhuron floririn, paratë, të cilat i përdor për t’u bërë të mira gjithë njerëzve që u mungojnë. Shumica e athiniotëve e lavdëronin me fjalë retorike Timonin, si qytetar të nderuar për sjelljet e dëshmitë e altruizmit të tij. Këta i quanin të dobishme dhuratat që u bënte Timoni miqve të gjithë grupeve shoqërore të Athinës. Timoni e ndjente veten të lumtur, duke i ftuar me dëshirë të sinqertë miqtë njërin pas tjetrit në gostitë dëfryese e të bollshme që organizonte me shpenzimet e veta. Aktin e parë të dramës Shekspiri e mbush me gëzimet e argëtime, si fryma lirike e skajshme e gostive, e vodevileve dhe operetave vulgare, ku mbizotërojnë lëvdatat e pafundme, hipokrizia njerëzore për bamirësitë e shkëmbimin e dhuratave të vyera. Për disa studiues drama “Timoni i Athinës” nuk ishte aq e përsosur, prandaj dëshmonte se Shekspiri kish filluar të plakej dhe prandaj i nënçmonin vlerat e saj të ngjashme me ato të kryeveprave të tij tragjike. 

    Por kjo s’është e vërtetë, sepse Shekspiri e shtjellon dramën drejt një konflikti të thellë social. Kjo duket qysh në aktin e parë, në të cilin Shekspiri i kundërvë Timonit një filozof, Apemantin, që parandjente zhvillimin e një konflikti të ashpër në rrjedhat e dramës, sepse mendimtari i përkiste shkollës filozofike antike të cinizmit. Ndryshe nga gjithë miqtë e gëzueshëm, të ftuar në gostitë e Timonit, vetëm Apemanti e përqeshte ashpër kopenë e lajkatarëve, që e mburrnin dhe e ngrinin në qiell mirësinë bujare të Timonit, i cili, nga ana e tij, nuk e kuptonte krizën e tatëpjetën e shoqërisë skllavopronare,dekadencën e saj, ngaqë objektivisht ajo ishte ndërtuar shtrembër, mbi skllavërinë, pabarazinë, padrejtësinë dhe hipokrizinë. Ndryshe nga “Gostia” e Platonit, ku dialogohet rreth thelbit të qenies e ekzistencës njerëzore, Shekspiri e prezanton ahengun e Timonit, si shembull të jetës të lumtur të qytetërimit athiniot, që rrjedh e patronditur nga probleme e hallet njerëzore. Në këtë mjedis ahengu zhvillohet edhe një dialog i këndshëm miratues nga ana e Timonit: -“O miq, gostia është shpikur në fillim për të mbuluar/ me llustër sjelljet tona krejt të shtirura:/Nënqeshqjen hipokrite të mikpritjes, /që para se të shprehet, ësht’penduar. /Po atje ku miqësia është e çiltër, /S’ka vend ceremonia. Uluni, ju lutem;/për kamjen time jeni më të dashur/Se ç‘është ajo për mua”. Dhe kështu ahengu kthehej në festë. 
    Loja e tregut. Shekspiri, kryemjeshtri i tragjedive, që vret mendjen për rolin e gostisë në jetën e njeriut dhe nuk do ta mbyllte dramën me ngazëllimet e saj por, me siguri, prapa tyre nuk mund të mos e kish lëvizur atë kyç a sustë që i çel portat e dramës për të hyrë në këtë dramë edhe një filozof, Apemantin, që i përkiste shkollës së Senekës, e cila shquhej për frymën e skepticizmit filozofik. Ky përqesh ashpër gjithë lajkatarët hipokritë, që ngrinin në qiell me fjalë Timonin, i cili, nga ana e tij, nuk e kuptonte se prapa festave të gëzueshme fshihej kriza, tatëpjeta, dekadenca e shoqërisë skllavopronare, e cila kishte qenë ndërtuar shtrembër mbi skllavërinë, pabarazinë, padrejtësinë dhe hipokrizinë. Në sytë e Apemantit shfaqet Timoni me cilësitë e një filantropi, që ka një natyrë të dyzuar midis bamirësisë jofitimprurëse dhe zellit të një mizantropi, që u gëzohet pareve, florinjve, xhevairëve. 
    Në këtë ves Shekspiri zbulon atë burim që e transformon Timonin nga një njeri human, altruist, bamirës në një armik të njerëzimit. Gjenia dramaturgjike e Shekspirit arrin të shikojë në veprimtarinë e Timonit atë që nuk e vë re asnjë nga pjesëmarrësit e ahengut, shikon një skenë tregu, ku mallrat shkëmbehen, shiten e blihen me vlera monetare, me para, me flori. Në fillim dramaturgut i duket ai si një prirje e padëmshme personale e Timonit, por jo si një tipar themeli i karakterit, personaliteti të qendrueshëm, të pamposhtur, herë-herë si një engledisje e pavetëdijshme, madje e një tuafi, që e tejngopin, e mbytin lajkat e miqve të përkëdhelur prej tij me lojën e shkëmbimit të dhuratave fitimprurëse. Por Timoni nuk arrin ta kuptojë bamirësinë e vet si veprim të keq të një mizantropi, kurse Shekspiri prapa lojës argëtuese të gjithë shpurës së lajkatarëve zbulon lojën mashtruese të tregut që maskohet me hipokrizinë e falsitetin e lajkave. 
    Dramaturgu ia jep fjalën Apemantit, mendimtarit të urtë, që e njihte më thellë jetën dhe gjendjen reale të shoqërisë skllavopronare, të cilën e karakterizon me ligjërime kritike e ironie sarkastike të ashpra. Shekspiri e përdor filozofin në aheng për ta ndezur fort flakën e meditimeve përqeshëse të mendimtarit të mençur përmes të cilave shpërfaqeshin, sipas tij, probleme e plagë të rënda e të shëmtuara, morale e qytetare të shoqërisë. 

    Timoni nuk i njihte ligjet e tregut, ku shkëmbimi i mallrave kurorëzohej në çdo rast me fitim ose humbje, me varfërim ose pasurim. Me këtë konstatim Shekspiri i jep dramës një kthesë radikale, që do të thellohet drejt një konflikti tragjik përtej skenave të ngarkuara me lajka hipokrite, por edhe me fjalë të helmëta të Apemantit për shoqërinë e sëmurë nga individualizmi. Apemanti me skepticizmin e tij karakteristik, thumbonte jo vetëm mendjelehtësinë e Timonit, por dallonte edhe krizën tragjike të qytetërimit skllavopronar të Athinës. 
    Nën hijen e një tragjedie të pritshme. Festa vazhdon nën hijen e një tragjedie të pritshme. Ndërkohë rritet pakënaqësia e kritika ndaj mëndjelehtësisë së Timonit. Apemanti ndërhyn me fjalë për valltaret bukuroshe, që kërcejnë qelepir në aheng: “-Ç’furtunë kotësie vjen këtu. Kam frikë se këto lavira të ndyra që sot vallzojnë para nesh, ndonjë ditë do ta shkelin. Se sapo dielli të perëndojë për Timonin, njeri në derë më askush s’ka për t’i trokitur. Njeriu nuk i do këshillat as shajkat, më tepër i pëlqejnë lajkat!”. 
    Këtu ndërhyn përsëri Shekspiri, që me realizmin e tij, kërkon të vërtetën për jetën njerëzore, në të cilën shihte kontradikta, shihte të mirën, por edhe ligësinë, njihte mjerimin, krahas floririt e pasurisë, por edhe pangopësinë e skajshme të gostive dëfryese, ku Timoni, të cilit gaztorët i sillnin dhurata të vogla ngaqë prisnin prej tij dhurata të florinjta. Që këtej Shekspiri e bën floririn personazh kryesor të kësaj drame, që synonte me ndihmën e fuqisë të shkëmbimeve tregtare ta shndërronte në tragjedi: “Metal i ndyrë, që fut grindje/ Dhe popujt gjithë i bën armiq për vdekje. /Bisha m’e egër m’e dashur është se njeriu”. 
    Qysh në aktin e dytë, për të mos qenë kthesa e befasishme, e papritur dhe e pabesueshme Shekspiri e ashpërson dialogun. Ai ve në provë Senatorët, këshilltarët që ishin shtyllat e shtetit të Athinës, të cilët nuk e njihnin miqësinë, por vetëm përfitimin nga çdo situatë. Kur Timoni i kërkon një senatori një hua të vogël, ky “i dërgon fjalë t’i kthejë borxhin e madh që i ka”. Dhe në vend të huas, senatori e urdhëron shërbëtorin e tij t’i thotë Timonit: -“I thuaj se e dua, e nderoj, /Por qafën s’mund ta thyej, që t’ia shëroj atij gishtin e vogël. /Frikë kam se Timoni, që sot shkëlqen si Feniks, do mbetet si çafkë e zhveshur, kur t’i bien puplat/ Dhe lakuriq ta lënë“. Kështu vjen duke u rritur mosmirënjohja ndaj Timonit. Dhe Timonit s’i mbetet veç t’i mallkojë: – “Si është e mundur bota të ndryshojë kështu?!E gjeçin nga perënditë!Këta pleq mosmirënjohjen kanë trashëgim; gjaku u është mpiksur, u ka ngrirë; ata s’e kanë ngrohtësinë e jetës, ndaj edhe të egër janë bërë. Njeriu sa më shumë i afrohet varrit, bëhet m’i vrazhdë, m’i zymtë!”. Por arkëtari i tij ngulmon ta bindë të zotin se “jo vetëm pleqtë e vjetër, por as miqtë e rinj nuk i japin asnjë kacidhe”. 
    Fillimi i tragjedisë. Shekspirit s’i mbetet gjë tjetër në këtë situatë veç të ngrejë një mal me urrejtje e mallkime kundrejt miqve e këshilltarëve të shtetit: -”Këta miq në skëterrë u djegshin e u përvëlofshin nga floriri i shkrirë, se s’janë miq, por zgjebe të ndyrë! Zeher e vrer iu bëfshin sa kanë ngrënë nga Timoni e u mbytshin si shpirtra të zinj”. 
    Në asnjë dramë tjetër të tij Shekspiri nuk e përdor këtë gjuhë të mbushur me urrejtje jo vetëm kundër miqve të hershëm, por edhe ndaj gjithë njerëzimit. Timoni zë të përmendet dhe kupton se me filantropinë e vet shket në drasë të kalbur: ”Ja ç‘qënka shpirti i botës; tërë lajkëtarë. ”Mik” kush mund ta quajë veten, kur gjellën ha nga pjata e huaj. Kredinë i dha Timoni nga qesja e tij, t’i paguante shpenzimet e çifligut e rrogat shërbëtorëve të tij. Dhe tani ç‘përbindësh duket njeriu, kur merr fytyrën e mosmirënjohjes. Por tani shoh se ka ikur koha e mirësisë. Ndërgjegja është mundur prej dredhive djallëzore. Por unë s’kam asnjë grosh! Ja ç‘bën bujaria! Kush s’di të mbajë si duhet pasurinë, në burg e kthen për vete dhe shtëpinë e vet”. 
    Një shërbëtor i varfër por i ndershëm pajtohet me të vërtetën e tashme të fjalëve të Timonit: -“Edhe ky senatori pasanik qenka një horr horri. Shtiret i virtytshëm, por bashkohet me të keqen. Këtë natyrë ka dhe dashuria e tij politike. Ishte shpresa e fundit e zotit tim. Tani s’ka mbetur veç perëndive; miqtë i kanë vdekur. Dyert, që s’kishin njohur kurrë roje dhe prisnin bujarisht ngaherë miqtë, tani do mbyllen për të burgosur bujarin e tyre”.
    Në sfondin e një vargu pafund urrejtjeje, klithmash pakënaqsie, mallkimesh e armiqsie, spikatin njohurit e plota që kish Shekspiri për një sistem të tërë financiar, të një tregu shitblerjeje, të një pazari me gjithë përbërësit e tyre që, sipas tij, është themel i shoqërisë, duke e vlerësuar si dramë, jo vetëm të bashkëkohësve të kapitalizmit anglez, por edhe për kohën tonë. Shkrimtari anglez shpalos ca dije, që jepen edhe sot në fakultetet e menaxhimit të afarizmit modern. Por nuk harron afaristët e lidhur edhe me oligarqinë politike, që sundonte qysh në Antikitet, të shprehur në traktatet filozofike të Aristotelit, që njeriun e quante “kafshë politike”. 
    Në aktin e tretë e të katërt të dramës nga ngjarjet e përditëshme e të rëndomta të jetës së Athinës, Shekspiri zbardh krizën e saj, fillin e tragjedisë të bujarisë së Timonit, të rrethuar nga ish miqtë e tij, që i kërkojnë tashmë jetën për të shlyer borxhe të harruara e të paqena, kreditë e quajtura ”të liga” në kohët e sotme moderne… Kështu Timoni ndryshon e bëhet tjetër qenie, i mbushur me inate, jo vetëm ndaj atyre që nuk i kthejnë borxhet, por edhe ndaj Athinës, shoqërisë, njerëzimit. Ai u lëshon nga goja e tij mallkime edhe më të rëndë sesa mallkimet e mirënjohura, që pat futur Shekspiri në tragjedinë “Mbretin Lir”; më therëse sesa mallkimet e Medesë antike dhe zbulon se nuk ekziston mirësia absolute, se prapa çdo veprimi e sjelljeje njerëzore fshihet ligësia, mosmirënjohja. Timoni kërkon t’i vrasë borxhllinjtë e tij, duke i thirur senatorët në gosti, kërkon të përdoret shpata, por mjaft vonë, kur floriri i ka firaksur ngre krye më në fund kundër Pushtetit të korruptuar.
    Thelbi i tragjedisë.
    Timoni beson se vetëm gjenerali trim Alqiviadhi mund t’ua ndreqë qejfin këtyre parazitëve, duke e drejtuar ushtërinë e tij kundër Athinës të ndotur qytetarisht e moralisht. Me një logjikë të ftohtë të palëkundur Timoni pranon se është gjymtuar harmonia e gjithësisë, është prishur rendi i shoqërisë njerëzore, e cila e ka humbur shëndetin, pastërtinë, inoçencën dhe meriton të urrehet. Qielli i qytetit, sipas tij, mbulohet i tëri nga korbat e zes të ligësisë dhe nga klithmat e fuqishme të Timonit 
    “Lermë të të sodis sërisht, o mur i Athinës, /Që ruan brenda ujqër dhe në tokën tënde/Ti cërmë e akullt, senatorët tanë, /Fundose thellë e mos e mbro Athinën!/Mbërtheji, t’u shtrembërohen këmbët!/Të marrë e skllevër, shkulini nga fronet/Ashtu të shtrembër, siç e kanë bërë/ Senatin hijerëndë e të drobitur, /Me epshet dhe kurvëritë e tyre, futini/Dhe në vend të tyre, qeverisni!/Në trutë e palcën e të rinjve tanë, Ju të falimentuar, në vend të borxheve, /Nxitini të mbyten krejt në shthurje!
    Në sallën e Senatit, senatorët debatojnë egërsisht. I pari syresh e nënkupton vdekjen si shpërblim ndaj Timonit, që e urren tashmë Pushtetin e Athinës. Senatorët votën e japin për ta dënuar me vdekje Timonin si fajtor, se “gjaku është i përgjakshëm; pra, duhet të vdesë; fajin asgjë s’e nxit më tepër se mëshira”. Kurse Alqiviadhi i kundërshton, sepse, sipas tij, “lavdinë e shëndetin Senatit ia sjell mëshira, që është virtut i ligjit. Dhe veç tiranët ndaj saj janë mizorë. Fati dhe koha iu sulën mikut tim që kish virtute të larta”. T’ia lemë mënjanë fajin, se ia lajnë virtutet kur i vërsulej armikut, ashtu si trimat, kur e pa se i kishin prekur nderin. Sa trim u tregua në betejën e fundit dhe armikun e dërrmoi”. Por senatori i përgjigjet Gjeneralit me ironi: -“Po edhe veten e shpërbleu. Dhe ajo që vlerat ia ka ulur është pija dhe jeta e tij e shthurur. Të vdesë!”. 
    Alqiviadhi: ”O ç‘fat i keq. Meritat për ju s’peshojnë aspak. Ja ku fitoret unë peng i lë të gjitha dhe nderin tim që të shpëtojë ai”. Kurse me egërsi e rreptësi Senatori replikon: “Kot ngul këmbë;/ as miku e as vëllaj/ nga faji s’del i larë. Kush derdh gjak, me gjak ka për të dalë. Dëbohesh nga Athina.”. Dëbimi nga vendlindja ishte dënimi më i rënd në Athinën e qytetëruar, por Alqiviadhi, strategu që e kish shpëtuar me vetmohimin e heroizmin e pashoq qytetin, nuk u nënshtrohet senatorëve: “Dëbomëni! Dëboni matufësinë tuaj dhe fitimet e padrejta, të fajdeve që turpërojnë Senatin. Unë kam luftuar, kur këta rrinin e numuronin paratë, që i jepnin me kamatë të lartë, ndërsa unë me plagë pasurohesha. E përse? Mos është ky balsami që fajdexhi-Senati po derdh në plagët e luftëtarit? Dëbim? Fort bukur. S’e urrej dëbimin. Një rast i mirë është ky vendim për të nxjerrë dufin, duke e goditur Athinën me ushtërinë e pakënaqur. Nder është me më të fortin kur lufton se, si perënditë, ushtari fyerjen s’e duron”. 

    Alqiviadhi vetëm tek Timoni gjen mbështetje kundër senatorëve vrasës, të cilëve u drejtohet me përbuzje: 
    O shërbëtorë, vidhni, se hajdutë, / Zgjebe, plagë të qelbëzuara, shumë më të mëdha jan’/ zotërinjtë, që vjedhin me ligj. /Fenë, besimin, paqën, drejtësinë e vërrtetë, /dashurinë familiare, fqinjësinë, arsimin, mjeshtëritë, tregëtinë, / Zakonet e doket, e gradat e ligjet/ së prapthi i kthyhen, edhe rrëmuja/ Mbretëroftë kudo!Murtaja dhe sëmundjet Mbulofshin gjokset e athinasve. / Qytet i nëmur. Merr mallkimet e mia!/ Veç helm të ketë!Kurse unë, Timoni do të vete në pyjet, /nga ti asgjë tjetër s’po marr, /Se bish më e egër, më e dashur qenka se Njeriu. /Dhe egërsojani më fort tërbimin/ Që ta urrejë gjithë njerëzimin”. (Akti IV). 
    Asnjëherë tjetër në veprat e tij Shekspiri nuk e ka arritur këtë shkallë retorike mallkimesh, që e sjell Timoni deri te klithma antinjerëzore… Timoni shkon drejt vetmisë absolute, ndahet përfundimisht nga shoqëria, i hidhëruar në kulmin e mundshëm dhe vendos të shkojë drejt vdekjes… Në këtë tragjedi spikat diçka që Shekspiri nuk e ka thënë në asnjë prej tragjedive të tjera tronditëse. Në këtë krijim ai bën një zbulim të madh filozofik, zbulon shkakun themelor të tragjedisë, që buron nga degradimi, dekadenca e sistemit shoqëror, që shkon drejt katastrofash jo nën veprimin e trimërisë, armëve, thikave e shpatave, por të pushtuar nga loja e parasë, e pangopësisë njerëzore për Flori. Kaq i rëndësishëm është mendimi i Shekspirit për rolin e floririt saqë Marksi nga drama mbi Timonin ka nxjerrë dy citate, që i ka përdorur në veprën e tij madhore “Kapitali”, ashtu si edhe Geteja: “Floriri nuk ka lënë midis njerëzve asnjë lidhje tjetër veç interesit të zhveshur, veç pagesës së pamëshirëshme me para në dorë. Ai i mbyti në ujin e akullt të llogarisë egoiste drithmat e shenjta të ekstazës fetare, të entuziazmit kavaleresk dhe të sentimentalizmit mikroborgjes. Ai e shndërroi dinjitetin personal të njeriut në një vlerë shkëmbimi, shit-blerje,afarizmi”. 
    Citati i dytë:
    “Ajo çka mund të blejë paraja, jam unë vet zotërues i parasë. Sa e madhe është fuqia ime… Prandaj ajo çka unë jam dhe ç’jam në gjendje unë të bëj, nuk caktohet aspak nga individualiteti im. Unë jam i shëmtuar, por mund të blej një grua shumë të bukur. Kjo do të thotë se unë nuk jam i shëmtuar sepse veprimi i shëmtimit, forca e tij për të ngjallur neveri, qëndron në mospasjen e parasë. Paraja mbahet si e mira më e madhe, pra kjo do të thotë se është i mirë edhe ai që i zotëron. Unë që me ndihmën e parasë jam i aftë të kem gjithçka që i do zemra njeriut, vallë a nuk i zotëroj të gjitha aftësitë njerëzore? Pra, nuk është paraja ime që e shndërron çdo dobësi timen drejtpërdrejti në të kundërtën e saj?” (Shekspiri, Vepra, vëllimi III, f. 383). Duke e kuptuar se Floriri e prish njeriun, Timoni i Athinës e kritikoi shoqërinë, por edhe jetën dhe vdes duke u mbytur në ujërat e Egjeut.
    Sigal