Alfons Harizaj: Formulari A3 është gati, pritet të dali në fundjavë, ja kategoritë e përfshira

    409
    Sigal

    ZYRTARE/Personat që do të kenë më shumë përparësi për të fituar në fazën e tretë

    Formulari A3 është përfunduar dhe i është dërguar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe pritet që kjo e fundit të nxjerrë udhëzimin dhe më pas të publikohet” kështu është shprehur për gazetën “Telegraf”, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Sipas zotit Harizaj janë përcaktuar kategoritë që do të jenë të përfshira në plotësimin e këtij formulari, të cilat janë përkatësisht: maturantët që kanë studiuar jashtë shtetit, maturantët që kanë pasur provime për vjeshtë, maturantët që nuk arritën të shpallën fitues në fazën e Formularit A2. Më të privilegjuarit do të jenë personat që janë kthyer nga studimet jashtë ku numri i të cilëve i kalon 200 personat dhe personat që kishin provime për vjeshtë dhe që për këtë arsye nuk janë futur më parë në konkurrim. Po ashtu ka theksuar më tej zoti Harizaj, në këtë fazë ashtu si edhe në fazën e parë konkurrentët duhet të kenë parasysh llogaritjen e pikëve që kanë dhe pikët që duhen për x degë që ato dëshirojnë. Madje, tani sipas informacioneve bëhet pak më i vështirë fitimi i një dege. Kjo për shkak se janë më pak degë në formular dhe shanset janë më të vogla për të fituar, po ashtu edhe mundësitë e përzgjedhjes janë më të vogla në këtë fazë.

    MASH: Në fundjavë del formulari

    Edhe burimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës janë shprehur për “Telegraf” se, formulari është gati vetëm pritet dalja e udhëzimit të ministrit të arsimit. Është bërë e ditur se nuk është përcaktuar ende data e saktë e daljes së tij, por që në fund të javës do të jetë në duart e maturantëve ky formular. Sipas informacioneve, që janë marrë nga burime pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës tarifa e Formularit A3 prej 2 mijë lekësh nuk do të paguhet nga të gjithë kategoritë që do e plotësojnë këtë formular. Do jenë të përjashtuar nga pagesa e tarifës, personat që ishin në konkurrim në fazën e plotësimit A2 dhe që nuk arritën që të shpallen fitues për shkak të numrit të vogël të pikëve. Ndërkohë që këtë tarifë do ta paguajnë të gjithë ato persona që futen për herë të parë për të plotësuar formularin për të ndjekur studimet në universitetet publike në vend. Personat që marrin pjesë për herë të parë në këtë fazë janë: Maturantët që kanë mbaruar studimet e mesme jashtë shtetit dhe që do të kthehen, personat që kishin provime për sezonin e vjeshtës.

    KATEGORITË QË DO PLOTËSOJNË FORMULARIN A3

    Formulari A3 përfshin programet e studimit të ofruara nga institucionet publike të arsimit të lartë me kuotat respektive të shpërndara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët:

    a) kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2;

    b) kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2012;

    c) kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore;

    ç) kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë (të vjeshtës) dhe rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje.

    Kuotat, që mbeten të parealizuara edhe pas regjistrimit të fituesve të shpallur nga aplikimi në raundin e fundit, nuk rishpallen.