Aleksandër Mihali:Diskriminimi dhe mohimi i të drejtave të ushtarakëve për 22 vjet

    418
    Sigal

    ANKESË/Drejtuar: Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Komitetit të Helsinkit Europian dhe gjithë institucioneve  evropiane që mbrojnë të drejtat e qytetareve europian                    

    Ju shprehim konsideratën tonë për punën tuaj në drejtim të mbrojtjes së Lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Me anë të kësaj ankese detyrohemi t’ju vëmë në dijeni  ju, pasi  për 22 vite të tëra, i kemi drejtuar ankesa gjithë institucioneve shtetërore shqiptare që janë përgjegjëse për  të drejtat e ushtarakëve. Ata,  akoma dhe sot nuk i kanë dhënë  të drejtat  ushtarakëve,  sidomos atyre, në pension të parakohshëm dhe të plotë. Të cilëve nga viti në vit në vend që t’ju përmirësohen kushtet e jetesës  social-ekonomik dhe financiar, siç u janë përmirësuar gjithë kategorive të tjera të qytetarëve që trajtohen nga Buxheti i Shtetit, u janë  përkeqësuar shumë rëndë këto kushte. Një qëndrim i tillë  përbën një krim ndaj  kësaj shtrese korrekte e patriote që ka sakrifikuar aq shumë për popullin dhe atdheun e tyre. Por në këmbim të respektit ndaj të gjithë këtyre sakrificave dhe besnikërisë ndaj popullit dhe atdheut, ata kanë 22 vite që po poshtërohen, po diskriminohen dhe po sorollaten duke i përkeqësuar nga viti në vit, keq e më keq kushtet social-ekonomike. Sot 12000 ushtarak  marrin pension nën pensionin minimal në shkallë vendi,  sikur kanë  kryer punët më të rëndomta në shtetin e shqiptarëve dhe jo sikur kanë shërbyer në Forcat e  Armatosura për 20-35 vjet. Si rezultat i kësaj politike diskriminuese ata, marrin sot, në vitin 2013, 11400 lekë pension  nga 18300 lekë që  kanë marrë deri në tetor të vitit 2011. Kjo situatë na detyron ne, t’ju vëmë edhe juve në dijeni rreth  këtyre qëndrimeve, tejet poshtëruese e diskriminuese të  qeverive shqiptare e në veçanti  të qeverisë  aktuale. Më poshtë po ju japim një pasqyrë të shkurtër të asaj morie të madhe të shkeljeve të të drejtave të bëra në këto 22 vite demokraci ndaj ushtarakëve. Shkeljet fillojnë që me ligjin 8087 dt.13/3/1996 me qeverinë  Meksi, e cila në kundërshtim me Ligjet në fuqi të asaj kohe dhe me Statusin e Ushtarakut ligji Nr.7496 dt.3/7/1991 miratuar me 100% të votave të Deputetëve, nxjerr vendime e ligje në kundërvënie me  Statusin. Ky ligj sanksiononte edhe më shumë diskriminimin pasi ai ju hiqte pensionin të gjithë atyre që punësoheshin ose trashëgonin prona të paluajtshme. Ky ligj ishte vazhdim i  vendimeve të qeverisë për t’u hakmarrë ndaj ushtarakëve siç ishte edhe vendimi Nr.7 i vitit 1995 i cili  ju ndërpreu  Pensionin e Parakohshëm  gjithë Ushtarakëve që kishin dalë nga F.A. prej reformave  që nga viti 1992 duke i lënë ata  në mes katër rrugëve për plot 5 vjet që nga viti 1995-1999 pa asnjë mbështetje Financiare . Shumat e Parave të këtyre 5 viteve  nuk i janë dhënë ushtarakëve nga asnjë qeveri  deri më sot. Ndërprerja me vendim Qeverie trajtimin financiar duke mos përfillur  vendimet dhe dekretet e Parlamentit është edhe një shkelje shumë e rëndë e të  Drejtës mbi gjithë të Drejtat e njeriut asaj  për të  Jetuar pra të Sigurisë Juridike  sanksionuar  në  Kushtetutën e Shqipërisë. Që nga viti 1999 kur u miratua ligji Nr.8521 dt.30/7/1999 dhe deri më sot u janë  mbajtur padrejtësisht dhe nuk ju janë dhënë  akoma çdo Ushtaraku për çdo muaj nga 7000-10000 lekë dhe çdo vit 80000-120000 lekë të reja. Ushtarakët të gjendur para fakteve të tilla kanë hapur procese gjyqësore ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore,  rreth 2500 nga të cilat  janë fituar deri tani 80% e tyre. Gjykata e Lartë edhe pse ushtarakët kanë fituar rreth 1600 gjyqe dhe shoqata më e madhe e ushtarakëve AKUSH ka 2 vjet e gjysmë që i është drejtuar kësaj gjykate, për  të marrë sipas ligjit  “Vendimin Unifikues” për gjithë Ushtarakët. Në vazhdën e shkeljes së të drejtave bëjnë pjesë edhe 3 ligjet që maxhoranca e sotme ka miratuar me shumicë të thjeshtë votash duke goditur rëndë  Statusin e Ushtarakut të 3 marsit 2004. Mjaft domethënës është edhe fakti i miratimit,  vetëm me votat e maxhorancës i Aktit Normativ Nr-5 dt. 11/10/2010, i cili  uli 50% Pensionet e ushtarakëve.  Shkelja e të drejtave të ushtarakëve të sanksionuara në Statusin e Ushtarakut janë  edhe në drejtim të:

    1 –Trajtimit shëndetësor falas për ushtarakët dhe familjet e tyre, që  asnjëherë në 8 vitet e kësaj maxhorance nuk ka gjetur zbatim, sot ai është hequr po me një ligj të miratuar me shumicë të thjeshtë. Një fakt të tillë e tregon edhe transformimi i Spitalit ushtarak të dikurshëm që sot vetëm emrin ka, pasi ai nuk ju shërben më ushtarakëve, por çdo lloj qytetari që nuk ka asnjë lidhje me F.A.

    2-Rimbursimi i ilaçeve më masën 80% nuk është zbatuar asnjëherë gjatë këtyre 22 viteve. Sot edhe kjo e drejtë  nuk figuron fare pasi edhe kjo është hequr po me ligj të miratuar vetëm me votat e maxhorancës.

    3- Strehimi i ushtarakëve dhe familjeve të tyre si dhe dhënia e kredive për të blerë banesa nuk ka gjetur zbatim por edhe aty  ku pak është zbatuar.

    4-Shtëpitë e Kulturës për ushtarakët që kanë qenë në gjithë Shqipërinë sot nuk ekzistojnë më, përjashto vetëm Tiranën. Ato të gjitha ju janë shitur apo dhënë me qira qytetarëve që nuk kanë pasur dhe s’kanë asnjë lidhje me Forcat e Armatosura.

    5-Të gjitha pronat e Forcave të Armatosura që kanë dalë si të tepërta nga reformat në ushtri u janë shitur dhe po ju shiten qytetarëve edhe sot, të cilët nuk kanë qenë asnjëherë pjesëtarë të F.A.

    6-Ushtarakët e dalë në Pension të Parakohshëm dhe të plotë nuk gëzojnë asnjë të drejtë për të pushuar në kampet e pushimit që disponon Ministria e Mbrojtjes.

    7-Po kështu ata nuk gëzojnë as të drejtën për tu pajisur me uniformën ushtarake që ta përdorin në raste festash apo aktivitetesh të tjera kombëtare ashtu siç i gëzojnë edhe  kolegët e tjerë në NATO.

    8-Edhe të drejtën e mbajtjes së armës pas daljes në Pension ushtarakët nuk e kanë gëzuar asnjëherë duke shkelur edhe në këtë rast statusin e ushtarakëve.

    9-Shkelja më e rëndë që ju është  bërë e po ju bëhet ushtarakëve është shkelja e Formulës së trajtimit Financiar të tyre.

    Qeveritarët e sotëm gënjejnë dhe mashtrojnë paturpësisht kur duan të justifikojnë shkurtimin prej 50% të pensionit të ushtarakëve me pretekstin e pamundësisë financiare të buxhetit të shtetit ,gjë që nuk është aspak e vërtetë. Pasi jo më shumë se 6 muaj pas shkurtimit të pensioneve të ushtarakëve të parakohshme, qeveria mori vendimin për ngritjen e gjithë rrogave të buxhetorëve dhe pensionistëve në masën 5% përfshi  Ministrat dhe vetë Kryeministrin, që rrogat i kanë 20 -25 herë më të larta se ushtarakët në Pension të Parakohshëm. Kjo tregon se shkurtimi i Pensioneve të parakohshëm të ushtarakëve është një veprim i paramenduar prej kohësh, pra është një qëndrim i pastër në vazhdën e Hakmarrjes së  qeveritarëve të maxhorancës ndaj ushtarakëve. Pensionin në bazë të kontributeve dhe të drejtën shëndetësore falas. Pensioni është një e drejtë që i takon çdo të moshuari të moshës së tretë e sanksionuar kjo edhe në Konventat Ndërkombëtare për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Shteti ka detyrimin jo vetëm t’ju japë pensionin sipas kontributeve dhe viteve të punës, që ata kanë derdhur  gjithë jetën, pa ju mbajtur asnjë qindarka, por dhe të kujdeset maksimalisht sidomos për moshën e tretë edhe  pse nuk kanë derdhur apo kanë derdhur kontribute minimale.

    Që kjo është një hakmarrje ndaj ushtarakëve  përforcohet edhe nga fakti që qeveria mori vendim për të rritur rrogat ( fill pas 6 muajsh që ju uli ushtarakëve Pensionet) 345000 mijë nëpunësve të shtetit dhe 552000 mijë pensionistëve  pra 897000 mijë qytetarëve të deklaruar nga vetë Qeveria. Ndërsa në të njëjtën kohë ajo ju ul pensionet 12000 ushtarakëve. Në mbyllje të kësaj ankese mbesim me  plotë besim se ju do ta bëni prezent problemin tonë pranë Institucioneve Përgjegjëse të vendit por edhe atyre Evropiane  për të zgjidhur  njëherë e përgjithmonë  të  problemit  22- vjeçar të të Drejtave të Ushtarakëve Shqiptarë. Duke i kthyer atyre jo vetëm Personalitetin e nëpërkëmbur padrejtësisht por edhe të Drejtat që ju takojnë  si gjithë Ushtarakët e NATO-s të mohuara dhe të shkelura nga disa individë të papërgjegjshëm ndaj  të drejtave të ushtarakëve  në Demokraci.

                                                                       Me konsideratë për misionin tuaj

                                                                           kryesia e shoqatës Xhenios

                                                                                              kryetari

                                                                                     Aleksandër Mihali