Aleanca PS-LSI, të Majtët marrin Këshillin Bashkiak në Përrenjas

603
Sigal

PËRRENJAS/Rekord titullarësh, në 2 vjet, katër kryetarë. Të Majtët marrin dhe përfaqësuesin në Këshillin e Qarkut Elbasan

Që nga dita e djeshme, Bashkia e Përrenjasit do të ketë një kryetar të ri të Këshillit Bashkiak, që është i katërti që nga zgjedhjet e fundit vendore. Stafeta e katër krerëve të Këshillit Bashkiak të qytetit kufitar, që është rekord më vete, ka ardhur si pasojë e aleancave fluide, por dhe i aleancave partiake të vendosur nga krerët e partive politike në Tiranë. Burime nga mbledhja konfirmojnë se, Kryetar i ri i Këshillit Bashkiak të Përrenjasit u zgjodh Shefqet Novaku, përfaqësues i PS-së, i cili zëvendësoi Pranvera Allën, përfaqësuese e Bashkimit Liberal Demokrat, e cila po dje, u shkarkua me shumicën e votave PS-LSI. Ndryshimi i balancave politike në këshill, solli dhe ndërrimin e përfaqësuesve të kësaj bashkie në Këshillin e Qarkut të Elbasanit. Kështu, po dje, u caktua si përfaqësues në qark, këshilltari i së Majtës, Xhemal Bregu. Ky ndryshim pritet që t’i japë fund ngërçeve të shumta që kanë ndodhur në këtë forum bashkiak nga zgjedhjet e fundit vendore, ku shpesh nuk janë zhvilluar mbledhjet, janë bllokuar projekte, leje ndërtimi, asistenca e papunësisë, etj… “Këto ndryshime që reflektojnë aleanca të konsoliduara, do të kthejnë normalitetin në vendim marrjen e Këshillit Bashkiak, me ndikim të drejt për drejtë për banorët dhe qytetin e Përrenjasit”,- pohon për gazetën “Telegraf” këshilltari Xhemal Bregu. Në mbledhje e djeshme kanë qenë  të pranishëm të 15 këshilltarët e bashkisë Përrenjas, ku nëntë janë të koalicionit të majtë dhe gjashtë, përfaqësues të së djathtës. Rendi i ditës ka qenë shkarkimi dhe emërimi i gjithë strukturave drejtuese të këtij këshilli. Fillimisht është votuar me votë të fshehtë për shkarkimin e kryetares aktuale të këshilli dhe më pas është votuar për kryetarin e ri. Kështu në vend të kryetares Pranvera Alla nga BLD (përfaqësuese e së djathtës) është zgjedhur kryetari i PS Shefqet Novaku. Ai mori votat e këshilltarëve të Majtë (9 gjithsej) nga 15 këshilltarë. Nënkryetar i Këshillit Bashkiak u zgjodh Zaim Kukli, ndërsa anëtar i Këshillit të Qarkut është zgjedhur Xhemal Bregu, i cili mori 9 votat e përfaqësuesve të Majtë. Ndërkohë, në rendin e ditës është futur dhe ndryshimi i Bordit të Ujësjellësit të Përrenjasit ku  janë vendosur dy anëtarët e ri të këtij bordi , përkatësisht Artur Topi dhe Xhemal Facja, që të dy përfaqësues të PS-së.