Albtelekom “varfëron” 1 qershorin e fëmijëve

    442
    Sigal

    Rritja e tarifës së telefonisë fikse me 40 %. Asnjë reagim nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare

    Rreth 300 mijë abonentë të Albtelekomit duke filluar nga 1 qershori do të paguajnë tarifat e reja në rritje të kompanisë me pozita dominuese në tregun shqiptar, gati monopoliste të Albtelekomit. Shumë prej abonentëve janë informuar për këtë rritje me anë të një sms-je në celularët e tyre. Por gjithashtu këtë informacion e gjen edhe në faqen zyrtare të Albtelekom, që sigurisht vetëm njofton, nuk pyet. Po sa e vlefshme është kjo? Kush e pyeti konsumatorin shqiptar për këtë rritje? Cilat janë investimet që kjo kompani ka bërë për të rritur tarifat? Sërish po të ngresh kokën do të shohësh rrjetat e merimangave (rrjeti shpërndarës) që janë hapur kudo… dhe duke pasur parasysh kushtet atmosferike (diell, erë, shi, ngricë) nën kushtet e tyre ndryshon dhe cilësia e sinjalit, shpeshherë me humbje të saj. Pse atëherë duhet të paguajë më shumë konsumatori shqiptar? Asnjë sqarim, vetëm një sms informuese. Siç edhe e dimë kompania turke “Çalik Group” bleu 76 % të aksioneve të Albtelecom, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve prej 24% zotërohet nga qeveria shqiptare dhe aksionerë të tjerë. Pra, çfarë bën shteti me aksionet e veta, po aksionet e vetë punonjësve? Sa i mbrojtur është konsumatori shqiptar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP)? Po të shohësh në faqen zyrtare të AKEP s’ka asnjë njoftim, asnjë sqarim, asnjë reagim. Është i vetmi ent rregullues në këtë treg, i cili mbahet në këmbë nga taksapaguesit shqiptar, që pretendohet të jetë në mbrojtje të konsumatorit shqiptarë dhe të denoncojë abuzimet që i bëhen qytetarit në Parlament. Mesa duket, vëllazëria turke apo interesat klienteliste janë më të fuqishme dhe më shumë të rëndësishme se qytetari shqiptar, përndryshe nuk ka si të justifikohet kjo heshtje, ndërsa vidhet qytetari në ditën me diell dhe askujt të mos i bëjë përshtypje.

    Rritja e tarifës së telefonisë fikse

    Në faqen zyrtare të Albtelekom në rubrikën “Plane e tarifa” tek “Telefonia fikse” ka shpallur njoftimin “Tarifat e shërbimit telefonik për Familjarë”, ku thuhet se: “Ju njoftojmë se duke nisur nga data 1 Qershor 2014, pajtimi mujor për paketën standarde të shërbimit të Telefonisë Fikse për abonentët familjarë do të jetë 700 Lekë (me TVSH)”. Vetëm kaq njofton Albtelekom, ndërsa AKEP asnjë njoftim rreth kësaj rritjeje. Duhet që 300 mijë abonentët e Albtelekom ose të pranojnë në heshtje këtë kontratë të ofruar pa shumë zë nga Albtelekom, ose t’ia bëjnë të ditur kompanisë turke se nuk janë dakord me këtë rritje të tarifës, përkundrazi në 1 qershor do të përballen me fatura më të kripura. Ndërkohë, është në dorë të AKEP dhe të ministrisë përkatëse që të mos lejojnë të ndodhë ky abuzim i pastër me qytetarët shqiptarë.