Albtelekom do i zhvasë shqiptarëve 7,2 miliard lekë më shumë

    432
    Sigal

    Albtelekom/ Të ardhurat nga rritja e tarifës drejt Turqisë, në ndihmë të kompanisë mëmë “Çalik Group”

    Rritja e tarifës së shërbimit nga ana e Albtelekom në 1 qershor nga 500 në 700 lekë është një shumë e konsiderueshme për çdo qytetar shqiptar, duke pasur parasysh edhe pagën minimale prej 19.000 lekësh, referuar legjislacionit shqiptar. Në fund të fundit të gjitha çmimet po shkojnë në tavan, pse të mos fitojë edhe ca më tepër Albtelekom? Kështu, në 1 qershor çdo njëri nga 300 mijë abonentët e Albtelekom, flet apo nuk flet, do të paguajë 700 lekë në fund të çdo muaji, pra 200 lekë më tepër. Një tarifë më tepër, në kurriz të këtij populli të varfëruar tejskajshmërisht shumë. Ndërsa fitimet e Albtelekom rriten mjaftueshëm për të ndihmuar kompaninë mëmë “Çalik Group”, që sipas specialistëve të ekonomisë, është në falimentim e sipër. Të tjera para nga taksapaguesit shqiptarë që shkojnë në ndihmë të “vëllezërve tanë turq”. Po sa para do të shkojnë shtesë nga shqiptarët në Turqi, duke filluar nga 1 qershori?

    Turqia, gropa e shqiptarëve

    Duke pasur parasysh që tarifa rritet me 40 % , pra me 200 lekë të reja dhe duke e shumëzuar këtë me 300 000 abonentë të Albtelekom, prodhimi do të dalë 60.000.000 milion lekë të reja në muaj më shumë do të paguajnë shqiptarë nga ngritja e tarifës së shërbimit. Por nëse këtë shumë e shumëzojmë me 12 muaj që ka viti, atëherë do të marrim si prodhim 720.000.000 milionë lekë të reja. Pra 7,2 miliard lekë (të vjetra) do t’u vjedhë kështu heshturazi dhe pa asnjë pengesë, Albtelekom shqiptarëve në vit. Dhe këto janë vetëm shtesat, se përveçse rrogave të punonjësve, Albtelekom nuk asnjë shpenzim tjetër. Asnjë investim nga kompania me pozita dominuese në tregun e telefonisë fikse për të përligjur këtë grabitje në ditën me diell. Mesa duket kompania mëmë “Çalik Group” nuk ishte e kënaqur me të ardhurat që merrte nga bizneset e veta në Shqipëri. Donte më shumë…

    Po shteti?

    Siç edhe e dimë kompania turke “Çalik Group” ka 76 % të aksioneve të Albtelekom, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve prej 24% zotërohet nga qeveria shqiptare dhe aksionerë të tjerë. Pra, çfarë bën shteti me aksionet e veta, po aksionet e vetë punonjësve? A marrin punonjësit fitimet sipas aksioneve që kanë? Po konsumatori shqiptar sa i mbrojtur është nga shteti i vet? Cili është roli i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP)? Po të shohësh në faqen zyrtare të AKEP s’ka asnjë njoftim, asnjë sqarim, asnjë reagim, edhe pse rritja e tarifës së shërbimit nga Albtelekom është bërë një shqetësim mediatik edhe nga specialistë të fushës. Është i vetmi ent rregullues në këtë treg, i cili mbahet në këmbë nga taksapaguesit shqiptar, që pretendohet të jetë në mbrojtje të konsumatorit shqiptarë dhe të denoncojë abuzimet që i bëhen qytetarit në Parlament. Mesa duket, vëllazëria turke apo interesat klienteliste janë më të fuqishme dhe më shumë të rëndësishme se qytetari shqiptar, përndryshe nuk ka si të justifikohet kjo heshtje.

    Specialistët: AKEP rregullator dhe jo gardian monopolesh

    Specialisti i ekonomisë z. Zef Preçi në një reagimet e tij në rrjetin social, facebook, për këtë problem tregon se me të vërtetë kemi të bëjmë me një treg në të cilin operojnë 73 kompani, por Albtelekom është në pozitë monopol, pasi zotëron 3/4 e tregut. Kështu, sipas raportit vjetor të AKEP për vitin 2012 (i fundit ne web site), sipas Preçit, rezulton se norma e penetrimit të telefonisë fikse në Shqipëri është 11%, (në vendet e BE-së është 40%), ndërsa Albtelekom, po sipas këtij raporti, zotëronte më 2012, 74% të tregut (ose mbi 230 mijë abonentë nga 311 mijë gjithsej). “Por meqë AKEP është rregullator shtetëror i tregut dhe jo një gardian i monopoleve, besoj se ai institucion mbahet me taksat tona, nuk mund të veprojë në mënyrë jotransparente dhe të rrisë në mënyrë arbitrare koston e jetesës së qytetareve pa dhënë sqarimet e rastit ndaj tyre. Kjo është alfa dhe omega e demokracisë dhe arsyeja pse qytetarët votojnë. Ajo që dua të them është se rregullimi i tregut të telefonisë tek ne është jokonkurrues dhe i rregulluar keq, se çmimet e telefonisë celulare dhe të asaj fikse janë nga më të lartat në botë, se qytetarët në të vërtetë nuk po penalizohen nga bizneset (ato janë këtu për të fituar sa më shumë që të jetë e mundur), por nga institucionet e krijuara prej vetë shtetit shqiptar dhe se maxhoranca aktuale u votua para një viti që të nxisë konkurrencën qe çonte në hapjen e tregjeve dhe për rrjedhojë në uljen dhe jo në ngritjen e çmimeve, siç po ndodh në çdo mall apo shërbim privat e publik, duke e bërë edhe më të vështire jetesën e qytetarëve të vendit. Pra ende qytetarët shqiptarë nuk po shohin përmirësimin e premtuar në tregje dhe se kostoja e jetesës së qytetarëve po rritet, bashkë me të edhe varfëria po shtohet, ndërsa argumentet e tjera për “mundësitë e zgjedhjes së konsumatorëve” vlejnë ndoshta më shumë në aspektin teorik apo për studentet…” përfundon komentin e tij në facebook z. Zef Preçi.