Albrahimi: Kemi 4 lloje antibiotikësh (!) në spital

    392
    Sigal

    Reagimi i Drejtorisë së Spitalit të Librazhdit

    I menjëhershëm ishte reagimi nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Spitalor Librazhd, pas botimit nga ana e “Telegraf” të artikullit me titull “l4O pacientët e spitalit të Librazhdit pa ngrohje e ilaçe” më datë 15.01.2015. Në reagimin e tij, drejtori i këtij spitali, Kujtim Albrahimi kërkon që të hedhë poshtë faktet e radhitura nga për mungesat e shumta që ka ky spital. Ai kërkon të hedhë poshtë faktin se në këtë spital nuk funksionon sistemi i ngrohjes (i domosdoshëm, sidomos në dimrin e acartë të ditëve të para të janarit 2015), ndërkohë që janë pacientët, që e vuajnë në kurriz, të cilët denoncojnë mungesën e ngrohjes në Spitalin e Librazhdit. Edhe problematika e mungesës së medikamenteve në spital është hedhur poshtë nga drejtori Albrahimi në reagimin e tij, duke nënvizuar fuqishëm faktin se në spitalin që ai drejton, ka 4 lloje antibiotikësh. Po, a janë të mjaftueshme 4 antibiotikë për të kuruar lloje të ndryshme infeksionesh si ato spitalore, të traktit urinar, pezmatim të mushkërive, infeksione të lëkurës, barkqitje, infeksione të sistemit të qarkullimit të gjakut, sëmundje seksualisht të transmetueshme etj.? A kryhet në spitalin e Librazhdit, krahas kulturave për përcaktimin dhe identifikimin e mikrobeve, edhe antibiograma, e cila ndryshe quhet “mbjellje e mikrobit”? Një analizë kjo, që identifikon mikrobin dhe llojin më të përshtatshëm të antibiotikut që duhet të përdoret për të vrarë këtë mikrob, duke siguruar në këtë mënyrë përdorimin e një medikamenti efikas. I gjithë reagimi nga ana e drejtorit Kujtim Albrahimi, është ndërtuar mbi bazën e citimeve të pamenduara për të nxjerrë në pah “punën e tij të mrekullueshme” si drejtues, ndërsa faktet, mjekët dhe pacientët e këtij spitali flasin përkundër realitetit që kërkon të shesë drejtori i spitalit Librazhd.