Albert Zholi/ Vajza që dashuroi një grek

    337
    Sigal

    Ajo rrinte te shkallët e spitalit të fëmijëve, me djalin e vogël, gjashtëvjeçar në prehër. Fëmija, me këmbën e djathtë në allçi, kish rënë në përhumbje.-Mama, më dhemb shumë këmba-u ankua ai, si i dalë nga një ëndërr. -E di mor bir, po do të kalojë. Pas disa ditësh do të bëhesh mirë, do ecësh e do të lozësh.

    Kisha shkuar në atë spital-fëmijësh për të vizituar fëmijën e një miku. I afrohem nënës me fëmijë dhe i them:

    -Mos kini nevojë për ndihmë?

    Nënë e bir ngritën kokat e më panë me vëmendje.

    -E, ç’ndihmë do të na japësh ti ne?-foli gruaja me një lloj mosbesimi.

    -Atë e dini ju, por unë e ndjej si detyrë morale që të ndihmoj njerëz fatkeq, aq më tepër patriotët e mi.

    -Ikë or vëlla dhe faleminderit. Ndihma që duam ne nuk mund të na e japë asnjë-dhe lotët i rrodhën si çezmë.

    -Nuk mund të iki pa ju ndihmuar-këmbëngula.

    Fshiu lotët e më pa me vëmendje.

    -Dukesh njeri i mirë, por ç’të të them. Nuk kam njeri për të lajmëruar e as shtëpi ku të shkoj.

    -Të lajmëroj burrin-thashë me nxitim.

    -Cilin burrë?

    -Të lutem mos u tall.

    -Nuk tallem o njeri i mirë, po vuaj zararet e rinisë. Erdha tetëmbëdhjetë vjeç në Athinë. Sot jam njëzetë e gjashtë. Erdha me tezen se ajo ishte familjarisht këtu. Prindërit më dërguan me mëdyshje, por ishim keq ekonomikisht. Nisa punë në një pastiçeri. Pronari ishte një 30-vjeçar i pamartuar. Pas gjashtë muajsh nisi të më ngacmojë. Nuk rezistova dot më. I pasur, me shtëpi, simpatik… të gjitha këto i mendoja çdo çast. Pas pesë muajsh lidhjesh me të mbeta shtatzënë. Kur ia thashë nuk donte ta besonte. Më tha që ta hiqja me ç’do kusht fëmijën. Nuk pranova. Atëherë ai më pushoi nga puna. Tezja më tha: vendi yt është te burri dhe ma mbylli derën. Nisa të punoj nëpër shtëpira… kur Linda nuk më erdhi askush përveç një shoqeje-shkolle, që ishte këtu me familjen. Edhe sot e kësaj dite greku nuk i bëhet për baba fëmijës. Para njëzetë ditësh djali ra nga biçikleta. Pagova qimet e kokës, por humba edhe punët. Shtëpinë s’kisha me se ta paguaja dhe e zonja më zboi. Tani jam vetëm pa asgjë. Prindërit më kanë bërë hasha. Të kisha mundësi që të më dëgjonin të gjitha vajzat do t’ju thosha: “Mos u gënjeni nga fjalët e bukura! Ato s’ju kanë hije burrave të vërtetë!”