Alban BARDHI/ Reforma, nga koka apo nga bishti?!

595
Sigal

Portën e këtij opinioni po e hapim me një pyetje të drejtpërdrejtë publike që po merakos, jo vetëm autorin, por po mban në ankth të varur si në “Karamangjoll” gjithë shoqërinë shqiptare, për mëse 23 vjet, e vënë në siklet edhe bashkësia euro-amerikane, pjesë e së cilës synojmë të ngjajmë. Po kush duhet të ngjaj i pari në këtë model? Nga lartë poshtë apo nga poshtë lartë? Nga  Zyrtari i lartë e deri tek qytetari i thjeshtë, apo ndryshe, nga njeriu i thjeshtë e deri tek zyrtari, qytetari i lartë? Për rrjedhojë dhe pyetja e parë dhe e formuluar nga shumica përmblidhet më shkoqur: Nga do të nisë reforma, reformimi i vendit, reformimi i shoqërisë, reforma administrative? Nga Koka apo nga Bishti?! Nga do të nisë kurimi i plagës?! Sepse po mbetemi në merak gjatë. Deri më tani, po flitet e shkruhet, kuvendohet dhe debatohet për ngushtimin e komunave dhe të bashkive, por nuk po thuhet asgjë për reformimin e institucioneve, nga nis funksionimi i shtetit dhe shteti, nga institucionet më të larta. Janë nisur të ashtuquajtura reforma, apo të hedhur në tregun stok, shpesh dhe të bëra si refren ditë e natë, për të reformuar administratën, institucionet, shtetin, shoqërinë nga këmbët, më këmbë dhe për rrjedhojë kemi mbetur më këmbë e pa kokë, deri më tani, të mbetur si “kau i balë” jashtë dyerve të Europës dhe vështirë  të mos na hajë hunda t‘na e hapin derën edhe në Qershor! Do të nis reforma: Të reformohet Parlamenti- Tempulli (i përdhosur)  i qytetërimeve, a do të reformohet dhe zvogëlohet numri i parlamentarëve, në raport me numrin e popullsisë? A do të ndryshojë mënyra e zgjedhjes së parlamentarëve? Të zgjidhen nga zgjedhësit, apo do të zgjidhen deputetët nga kryetarët? A do të shkurtohen përfitimet, ofiqet dhe privilegjet, pagesa e tyre të majme, në raport me barkëboshët, etj.. A do të reformohet dhe të kufizohet administrata shtetërore, nisur nga qeveria e quajtur Skudër, në të vërtetë një Taborr, etj..

Italia fqinje, shpesh e marrë si pikë referimi, quajtur dhe partnerja kryesore me mbi 70 milionë qytetarë, prezantoi kohë më parë qeverinë me Skuadrën e përbërë me 16 ministra!  Shqipëria jonë, vendi as sa një lagje e Romës, vendi më i pasur në botë për ministra, me 3 milionë qytetarë, ka 19 ministra dhe 1 kryeministër, 20 copë. Qeveria: Skuadër”  apo Tabor ?!