Alarmohen qytetarët: Klinikat private, ku na drejtojnë mjekët, po na rrjepin nga lekët

    481
    Sigal

    Poliklinika Qendrore e Tiranës, 4 vjet pa aparaturat e rëntgenit, Grafi-Skopi

    Që prej katër vjetësh mungon shërbimi i radiografisë apo radioskopisë në Poliklinikën Qendrore të Tiranës. Ndërsa qytetarët hidhen si “topa futbolli” nga mjeku i familjes te Poliklinika dhe nga aty te privati. Edhe pse shumë qytetarë janë pagues të rregullt të sigurimeve shëndetësore, atyre u duhet që për këto shërbime, që duhet t’i marrin falas, të paguajnë aq sa i ka tarifat klinika private. Më konkretisht, shumë qytetarë që duan të bëjnë radiografi/skopi në Poliklinikën Qendrore, shprehen të alarmuar se orientohen nga mjekët e kësaj poliklinike drejt një klinike private, pikërisht pas ndërtesës së Poliklinikës Qendrore. Ndërsa mjekët specialistë të Radiologjisë së Përgjithshme në këtë Poliklinikë e mohojnë këtë fakt dhe shprehen se i drejtojnë pacientët te Poliklinika nr.1 (iraniani) ose te Dispanseria. “Ne nuk japim radiografi, ne bëjmë radiografi, ne s’kemi interes t’i çojmë tjetërkund”, shprehet një mjek specialist i radiologjisë. Madje ata shkojnë më tej, duke thënë se ndoshta është pikërisht kjo klinikë private shkaku që nuk u është vënë aparatura që prej 4 vjetësh, me gjithë insistimin e vazhdueshëm të tyre. Ndërsa drejtoresha e Poliklinikës Qendrore, Blerta Gjoni e pyetur për këtë problem tregon se, që në momentin e parë që është vënë në këtë pozicion drejtues e ka shprehur në Ministrinë e Shëndetësisë këtë problem dhe i kanë thënë se janë në pritje të firmës fituese të tenderit për aparaturat. “Siç e shihni dhe vetë, më në fund sot na erdhën përfaqësues të firmës fituese, që do të sjellin aparaturat, për të parë ambientet. Janë 7 mjekë me tre specialitete që e kërkojnë me patjetër urgjentisht këtë ambient. Por, këto janë procedura që varen nga ministria, pra, kush e fitonte tenderin. Por shqetësimi im sot është se, ky ambient duhet të izolohet, se nëse nuk ndiqet kjo procedurë, unë nuk mund t’i vë në përdorim aparaturat, pasi më duhet të mbroj të gjithë të tjerët. Dhe këtë unë e pres qoftë nga ASHR-ja, qoftë nga Ministria e Shëndetësisë. Ne duam vetëm OK-in nga Ministria e Shëndetësisë se si do të bëhet izolimi; me të ardhurat dytësore; apo të na e bëjnë ata nga pjesa e rikonstruksionit. Është nxitëse që të ripërsëritet kërkesa jonë për ribërjen e izolimit të ambientit. Unë sonte do të bëj shkresën që na kanë ardhur nga firma fituese dhe po shikojnë kushtet sesi do të vendoset aparatura, si dhe vënien në dijeni që të bëhet tenderimi për izolimin nga Prokurimi Publik. Ne jemi të gatshëm të pranojmë çdo propozim, vetëm që aparatura sa të vijë, të funksionojë”, shprehet Gjoni. Ndërsa përfaqësuesi i firmës fituese shprehet se ky shërbim nuk do të vonojë më shumë se janari.

    Mamografia falas

    Në 1 tetor, në ditën e parë të muajit për ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave për kancerin e gjirit, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ka urdhëruar që tarifat për shërbimet mjekësore të ofruara për të sëmurët me sëmundje tumorale të bëhen zero. Me qëllim rritjen e mundësive për parandalimin e kancerit të gjirit, Ministri Beqaj fton vajzat dhe gratë e çdo moshe dhe profesioni të mos hezitojnë, por të bëjnë të gjitha ekzaminimet e mundshme të vetëkontrollit për diagnostikimin dhe kurimin e hershëm, të cilat mund të shpëtojnë jetë. Por ndërsa shkon në poliklinikat e Tiranës nuk të rezulton kështu. Nëse pyet te informacioni, të thonë që këtë shërbim e merr falas, vetëm nëse ke një rekomandim nga mjeku i lagjes. Drejtoresha e Poliklinikës Qendrore, Blerta Gjoni siguron se mamografia ofrohet falas për të gjithë, pasi “është parandaluese e sëmundjeve të kancerit me rrisk të lartë të jetës”. Gjoni shprehet se kushdo qytetar që nuk gjen këtë realitet është i lutur t’ia parashtrojë asaj dhe nëse konstatohet se ka shkelje, atëherë do i mëshohet procedurave të parashtruara nga ligji. “Ka hallka zgjidhëse në problematikat që dalin. Pasi, kur është thënë falas, duhet të bëhet falas”, shprehet Gjoni.

    QSUT-ja nuk ka pambuk

    Të flasësh për mungesë barnash në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tashmë nuk është një risi. Pothuajse çdo ditë vijnë lajme se në këtë spital mungojnë ilaçe të ndryshme apo informacione se është prishur një pajisje e caktuar, por asnjëherë nuk ishte diskutuar apo dëgjuar se në qendrën më të madhe terciare në vend mungon edhe pambuku. Në urgjencën dhe në pavijonet e QSUT-së mungon prej muajsh alkooli, pambuku dhe medikamentet më të thjeshta të ndihmës së parë. Për një pensionist, i cili ka bërë analizat në spital, është absurd fakti që pasi të shpohet në krah, i duhet të vrapojë në farmacinë afër për të blerë pambuk dhe leukoplast për të ndaluar gjakderdhjen. Pasi, nga pikëpamja financiare, kostoja nuk është shumë e lartë, por ajo që paguajnë më tepër pacientët është stresi dhe ankthi i mungesave nga më absurdet.

    Spitali Rajonal Vlorë nuk bën analiza

    Spitali Rajonal i Vlorës nuk bën analiza. Ky është shqetësimi i përditshëm i pacientëve të këtij spitali, të cilët duhet të vrapojnë në klinikat private të mjekëve për t’i bërë ato, ndryshe askush nuk u shërben. Pacientët në spitalet shtetërore shikohen si “viktima” të burimit financiar, të cilët mbushin xhepat dhe portofolët e njerëzve me bluza të bardha. Spitalet shtetërore janë kthyer si private, pasi ilaçet merren me lekë, shërbimi paguhet, analizat bëhen në klinikat private të mjekëve. Atëherë pse na u dashka të shkojmë në një spital shtetëror, kur çdo gjë paguhet?