Akuzat për blerje votash, Dickens: Analizë e kujdesshme në raportin e Strasburgut

443
Akuzat për blerje votash do të analizohen me kujdes në raportin e tetorit, në Strasburg. Kështu është shprehur Stewart Dickens, kreu i delegacionit të Kongreseve të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale në KE. Ai ka shprehur vlerësimi paraprak për zgjedhjet e 21 Qershorit në Shqipëri, ku vuri theksin tek akuzat e ndërsjellta mes partive.
“Çështja është ngritur nga të dy partitë kryesore, përpara ditës së zgjedhjeve. Këto akuza përfshijnë pagesa financiare, po ashtu dhënien e ushqimeve në zona të caktuara, dhe heqjen e kartave të identitetit të disave dhe pastaj kthimin e kartave në fund. Pra, të gjitha këto kanë ndodhur në formë akuzash. Megjithatë, kur të kemi analizuar çfarë kanë parë vëzhguesit tonë, ne do t’i marrim në konsideratë dhe do të shqyrtojmë edhe provat që kemi parë vetë në terren. Shumë prej tyre kanë të bëjnë me çështjen e numrit të madh të njerëzve që hyjnë e dalin dhe sillen rreth e përqark qendrave të votimit, që të japin përshtypjen që është fushatë e mirëorganizuar për t’u siguruar që mbështetësit të jenë aty. Nuk është se kjo në vetvete ka gjë të keqe, po këto akuza do t’i analizojmë me kujdes në raportin e muajit tetor, në Strasburg”, tha Dickens. 
Dickens vlerësoi kuadrin ligjor të zgjedhjeve, duke e konsideruar një shembull pozitiv. Por, theksoi se ka ende shumë punë për të bërë.
“Me përjashtim të disa incidenteve, fushata ka qenë e paqme dhe e civilizuar, një fushatë normale sa u përket stadardeve europiane. Megjithatë ka një sërë çështjes që ne, si Kongres, nuk i konsiderojmë të duhura. Së pari, mendojmë se është problematike që listat e zgjedhësve ende përfshijnë rreth 1 milion vetë që jetojnë ‘de facto’ jashtë Shqipërisë. Nëse ditën e zgjedhjeve, ashtu siç ata kanë të drejtën të hedhin votën, përveç rrezikut të mashtrimit zgjedhor ekziston dhe manipulimi”, theksoi Dickens.
Ai foli dhe për dominimin e fushatës nga drejtuesit e partive: “Përfshirja personale e figurave udhëheqëse, sidomos nga dy parti politikë në zgjedhje vendore…për rrjedhojë kandidatët e zonave nuk kanë dalë aq në pah. Temat e diskutuara ishin të dimensionit kombëtar dhe jo të një rëndësie vendore për bashkitë e caktuara. Duhet të ketë një shpërndarje të qartë të roleve. Fuqizimi i rolit të qeverisjes vendore është kyç për progres. Ne shpresojmë që reforma për qeverisjen vendore që ka filluar në Shqipëri të vazhdojë e të japë kontributin e saj për normalizimin e gjendjes. Në këtë aspekt, Kongresi është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë”.
Sigal