AKU, sot te Pazari i Ri. Të penalizohen tregtarët që zhvatin qytetarët!

    402
    Sigal

    TREGU/ Peshat, masat, një shqetësim psikologjik dhe dëm ekonomik për konsumatorët

    Të shumta janë mashtrimet që i bëhen konsumatorit në tregun e produkteve ushqimore. Para konsumatorit dhe buxhetit të tij familjar, janë disa barriera, që ndeshen me to përpara se konsumatori të marrë vendime në blerje, apo në marrjen e shërbimeve të domosdoshme. Edhe pse sasia e parave që harxhon nuk është e vogël, sasia e produkteve ushqimore sa vjen e pakësohet. Shumë shpejt konsumatorëve do u duhet të paraqiten prapë në treg. Po kush janë disa nga dilemat më të mëdha para se konsumatori të marrë një vendim, kur ai drejtohet në treg?

    Së pari, në tregun e hapur ai ndodhet para një sërë peshash dhe mjeteve që peshojnë; që nga kandarët e vjetër të kohës së Turqisë e deri te ato elektroniket. Vetë blerësi është i paqartë për saktësinë e këtyre peshave. Ndërsa tregtarët përveçse çmimeve të kripura që venë për të rritur fitimet e tyre, sërish janë të pangopur dhe vjedhin blerësin edhe në peshë.

    Së dyti, paketimi, i cili në të dhënat  ligjore bazohet në kilogramin e përcaktuar si produkt i shportës (kg) që duhet të jetë 1000 gram, sikurse deklarohet edhe ne etiketën e paketimit, të ambalazhit. Këtu nuk duhet të keqkuptohemi, se kjo masë mund të jetë në ambalazh dhe 200 apo 500 gram, por ne kërkojmë që pesha të jetë në përputhje me atë çka deklarohet në ambalazhin e produktit. Asnjëherë blerësi nuk e di sesa është gramatura e vërtetë e produkteve të ambalazhuara. Ushqimet si sheqeri, orizi, makaronat, mielli etj., nëse i peshon do të dalin me nga 100-200 gram mangët. Gjithashtu, edhe lëngjet si qumështi, kosi, dhalla, apo detergjentë të lëngët asnjëherë nuk e plotësojnë gramaturën e shënuar në ambalazh.

    Së treti, një problem tepër shqetësues për konsumatorët është pesha e bukës. Edhe kjo bazën e përllogaritjes dhe të deklarimit të gramaturës e ka të përcaktuar në masën e kg. Pra, buka masive bazohet në 1 kg çmimi, lëvizjet e ndryshme të madhësisë së bukës masive kanë gram/çmim të bazuara në kg. Edhe pse çmimi i bukës është goxha i shtrenjtë konsumatori ende nuk e di sesa është pesha e bukës që po blejnë dhe sesa kushton kilogrami i bukës. Gjithashtu për të dëshiruar lë dhe ambalazhimi i saj, pasi shumica e furrave të bukës e tregtojnë atë me qese plastike, të cilat dëmtojnë rëndë shëndetin e konsumatorëve.

    Kontrollet e AKU-së

     Sot, AKU do të kontrollojë tregun e Pazarit të Ri për praninë e organizmit ujor “Gurëshpuesi”, pasi përfundon këtu dhe afati i urdhrit për eliminimin e tij nga të gjitha subjektet tregtare. Në bazë të urdhrit të Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z.Edmond Panariti, për ndalimin e hedhjes në treg ose për konsum të organizmit ujor “Gurëshpuesi”, (Dateri), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, do nisë sot punën për kontrollin e tregjeve dhe restoranteve. Pas afatit të lënë për të gjitha subjektet deri më datën 10.02.2014, me urdhër të Ministrit të MBZHRAU, AKU do të nisë sot kontrollet pranë tregut “Avni Rustemi” (Pazari i Ri).

    AKU, të kontrollojë gjithë tregun

    AKU duhet ta nisë kontrollin që nga Pazari i Ri për të përfunduar në të gjithë Shqipërinë. Objekt i kontrollit të AKU-së nuk duhet të jetë vetëm një produkt i veçantë, por i gjithë tregu dhe problematikat që janë të parashtruara më lart. Ka kohë që populli vuan nga zhvatjet dhe mashtrimet e tregtarëve.