Aktivistët dhe naftëtarët protestojnë para kryeministrisë

574
Një protestë ka nisur sot para Kryeministrisë në Tiranë për të mos lejuar ndërtimin e digave në lumin Vjosa. Aktivistë të shoqërisë civile kanë bërë thirrje për t’iu bashkuar kësaj proteste për të mbrojtur vendin e natyrën tonë. Ndërkohë, një protestë paralele, që ka nisur që dje, është zhvilluar nga punonjësit e Rafinerisë së naftës në Ballsh, në pronësi të ARMO-s, që kanë 10 muaj pa u paguar. “Duam që shteti të marrë përgjegjësinë, të dalë në pozicionin që i takon dhe të marrë frenat e situatës në dorë për zgjidhjen e këtyre problemeve”, tha një naftëtar për mediat. “Nëse nuk paguhen pagat, të paktën dy paga emergjence, në Ballsh të Mallakastrës ku ndodhet uzina e përpunimit të naftës do të ketë katastrofë sociale”, tha një tjetër protestuese. Protesta vazhdoi më pas te Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe përpara Kryeministrisë. 

 Deri në gusht të vitit që shkoi, kjo uzinë ka qenë nën administrimin e një kompanie azere, e cila është aksionerja më e madhe e ARMO-s me 85 për qind, ndërsa 15 për qind e aksioneve janë në zotërim të shtetit shqiptar. Kompania azere “Heany Assets Corporation” pasoi biznesmenin shqiptar Rezart Taçi për pronësinë e ARMO-s, por në gusht të 2015-s mbylli dyert për shkak të një kolapsi financiar. ARMO është kreditori më i keq në Shqipëri me rreth 600 milionë dollarë borxhe, kryesisht bankave të huaja, por edhe atyre vendase. Po ashtu ka një detyrim mbi 50 milionë dollarë te Tatimet dhe 30 milionë dollare tek “Albpetroli”.
Sigal