“Akti Normativ zbatohet me dy standarde, do të kërkojmë barazi deri në fund!”

    396
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Mehdi Pogaçi, President i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë

    Akti Normativ për statusin e ushtarakut po zbatohet me dy standarde dhe kjo është e padrejtë, pasi bën diferencime në këtë kategori. Një problem të tillë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, Mehdi Pogaçi, President i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë. Sipas tij, zbatimi i aktit në këtë mënyrë sjell disa probleme.

    -Zoti Pogaçi, ditën e djeshme ka pasur një diskutim në komision parlamentar në lidhje me problemet e zbatimit të ligjeve për pensionet e ushtarakëve. Sa efikas u është dukur ky diskutim për zgjidhjen e problemeve qe kanë ushtarakët sot?

    -Realisht unë nuk e kam ndjekur diskutimin që është bërë dje në komisionin parlamentar dhe për arsyen se në atë komision nuk është diskutuar thjesht problemi i pensionit të ushtarakëve, por janë diskutuar edhe probleme që kanë të bëjnë me kategori të tjera dhe që nuk kanë të bëjnë fare me ligjet për pensionet e ushtarakëve. Më tërhoqi një gjë vëmendje, ku nga përfaqësuesi i qeverisë thuhet se ligji i 2005-ës u miratua për efekte elektorale. Dua të theksoj se: statusi i ushtarakut i viti 2004 u miratua me unanimitet të plotë nga të gjitha forcat politike të parlamentit të asaj kohe. Gjithashtu edhe ligji numër 9418 i viti 2005 u miratua pothuajse me unanimitet me përjashtim të dy-tre votave kundër të Partisë Socialiste. Në atë kohë Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë ka bërë lobing të fortë edhe me të djathtën, deputetët e së cilës bënë lobing e përkrahën dhe e votuan pa asnjë kundërshtim atë ligj. Dhe të dëgjojmë sot që ai ligj u miratua nga njëra palë më duket absurde.

    -Para disa kohësh keni kërkuar nga Avokati i Popullit mbështetje për zgjidhjen e problemeve të shkaktuara nga moszbatimi korrekt I ligjit. Nr 10142, i korrigjuar me Aktin Normativ, lidhur me pensionet e ushtarakeve. Çfarë elementët të Aktit Normativ penalizojnë zbatimin e ligjit të mësipërm?

    – Para ca kohësh, ne iu drejtuam Avokatit të Popullit, për të bërë një ankesë të përbashkët në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me moszbatimin e dy vendimeve të saj për pensionet e ushtarakëve, vendimi nr. 9, datë 26.2. 2007 dhe vendimi nr. 33, datë 24.6. 2010. Me Avokatin e Popullit ne ramë dakord të kërkonim një zbatim me korrekt të Aktit Normativ, megjithë mungesat dhe shtrembërimet që ai u bën ligjeve të mëparshme dhe dy vendimeve të mësipërme për problemin e pensioneve të ushtarakëve. Akti Normativ në nenin 2 të tij ndryshon tre elementë thelbësor të ligjit të mësipërm: së pari heq përfitimin e 50% të pagës referuese për pesëmbëdhjetë vjet për meshkujt dhe 12 vjet për femrat, së dyti masën 2% për çdo virtyt tjetër shërbimi gjithashtu e shfuqizon dhe të dy këta elementë i sjell në masën 1.5 % të pagës mesatare neto, për çdo vit vjetërsi shërbimi. Vetëm këto dy elementë e ndryshojnë masën e pensionit të parakohshëm në më pak se 50% të pagës referuese që parashikon ligji. Së treti ky nen i Aktit Normativ  e ndryshon pagën mesatare bruto në pagë mesatare neto, duke e ulur atë gjithashtu me një masë nga 27-40 apo më shumë për qind. Për rrjedhojë po në atë masë ulet edhe pensioni i parakohshëm i ushtarakëve.

    -Cili është problemi i pagës mesatare referuese mbi bazën e të cilës bëhet rillogaritja e pensionit të parakohshëm dhe atij suplementar për ushtaraket e dale në pension para 1991 dhe atyre të pas viteve  1991. Cilat përfitime penalizohen me pakësim të ardhurash nga zbatimi i aktit?

    -Sipas shoqatës tonë problemet e pagës mesatare referuese për rillogaritjen e pensionit janë këto: Së pari, zbatimi i vendimit nr, 9 të Gjykatës Kushtetuese, i cili nuk lejon ndarjen dhe trajtimin në mënyrë të pabarabartë të ushtarakeve në dy apo më shumë grupe, gjë e cila ndodh aktualisht; së dyti, zbatimi i vendimit nr. 33 të Gjykatës Kushtetuese, i cili nuk lejon në asnjë mënyrë rillogaritjen e pensioneve, kur nga kjo rillogaritje ulet masa e pensionit, gjë e cila, realisht, ndodh me një grup ushtarakësh në rezervë ose pension të parakohshëm; Së treti, Akti Normativ zbatohet me dy standarde, njëri ligjor dhe tjetri antiligjor. Them standard ligjor, pasi për një grup ushtarakësh, paga mesatare neto merret në momentin që ligji 10142 ka hyrë në fuqi, 1 korrik 2009 dhe kjo është e drejtë, them standard antiligjor, pasi për një grup tjetër paga mesatare neto merret ajo e 10 viteve më parë, 1 janar 1999, duke i dhënë këtij ligji si dhe Aktit Normativ që e korrekton atë, një fuqi të padrejtë prapavepruese prej 10 vjetësh. Në këtë rast, megjithëse ligji nuk mund të ketë fuqi prapavepruese, duhet që edhe shtesat e pensioneve të fillojnë nga viti 1999, gjë e cila nuk ndodh. Realisht, në zbatimin e këtij Akti penalizohen të gjithë ushtarakët, por më tepër ata ushtarakë në pension të parakohshëm, të liruar menjëherë mbas vitit 1992 dhe rroga mesatare neto e tyre është tepër e ulët, duke e ulur masën e tyre të pensionit në pension minimal dhe duke u shpallur, pa të drejtë, debitore nga data 1 korrik 2009.

    -Sipas vendimit nr.33 të  Gjykatës Kushtetuese, rillogaritja duhet të bëhet vetëm në ato raste kur rezultati është pozitiv, e jo ne rastet kur pensioni është me i ulët, a mund të na e shpjegoni konkretisht pse?

    -Po, le t’i drejtohemi konkretisht asaj që Gjykata Kushtetuese ka theksuar në vendimin e saj. Kështu në faqen 19, paragrafi i fundit, argumenton se: “…Gjykata vlerëson se qëllimi i dispozitave ligjore të nenit 29 të ligjit objekt gjykimi (ligji nr. 10142-shënimi im), duke u nisur nga konteksti i saj, si dhe konteksti i përgjithshëm i këtij ligji, është që kjo rillogaritje e këtyre të drejtave të fituara në zbatim të ligjeve të mëparshme ose dhe të vendimeve të gjykatave, do të bëhet vetëm në rast se ndryshon pozitivisht, pra përmirëson situatën e përfitueseve. Në asnjë rast nuk lejohet që të kryhet një rillogaritje që do të çonte në përkeqësimin e situatës pozitive ose në cenimin e të drejtave të fituara. Në rast të kundërt, pra nëse do të bëhej një interpretim dhe zbatim ndryshe i kësaj dispozite, atëherë do të ishim përpara cenimit të parimit të sigurisë juridike”. Çdo interpretim dhe sqarim tjetër i imi do të ishte i tepërt, pasi vendimi është tepër i qartë.