Aksioni kundër informalitetit, Altin Goxhaj: Skenar falimentimi sipas modelit grek

    435
    Aksioni kundër informalitetit, duket se ka reflektuar negativisht ndaj konsumatorëve në vend, kjo pasi vihet re që tregtarët menjëherë kanë rritur çmimet për mallrat dhe shërbimet. Vetëm pak ditë pasi qeveria nisi aksionin në terren kundër bizneseve që nuk lëshojnë fatura të tatimore dhe që nuk janë të regjistruar, pasojat e para kanë nisur të ndihen tek konsumatori, i cili detyrohet të kursehet sa i përket blerjeve edhe në produktet ushqimore. Në disa pika shitjesh me shumicë dhe supermarkete, vihet re rritja e çmimeve, gjë e cila pohohet edhe nga vetë tregtarët dhe pronaret e bizneseve të vogla, të cilët thonë se kjo vjen si rezultat i frikës se në fund të vitit, bizneset e tyre rrezikojnë të falimentojnë. Përveç pikave me shumicë me rritje çmimi janë shoqëruar edhe lokalet, butiqet, permanentet, berberhanet, si dhe një sërë shërbimesh të tjera në vend. Tregtarët e disa pikave të shitjes me pakicë shprehen për gazetën “Telegraf” se ka vetëm dy rrugë ose të mbyllin aktivitetin ose të rrisin çmimet, ku kjo e fundit ka shkaktuar edhe tërheqjen e konsumatorëve ndaj blerjeve të produkteve të mishit dhe fruta-perimeve dhe zëvendësimit të tyre me produkte të tjera, kryesisht brumëra. Ndërkohë avokati Altin Goxhaj i pyetur rreth aksionit anti-informalitet dhe si ka ndikuar në tregun e produkteve ushqimore dhe shërbimeve të tjera, Goxhaj e ka cilësuar si një skenar të përgatitur me qëllim falimentimin ekonomik të Shqipërisë sipas modelit grek brenda 2017. Sakaq, edhe më i rend sipas tij është fakti që tregtarët e dyqaneve ushqimore në të gjithë vendin janë kërcënuar se do të futen në burg dhe do tu konfiskohet biznesi përveç një gjobe prej 5 milionë lekësh në se do të shesin me lista veresie.

    A gjykoni se politikat qeveritare kanë përkeqësuar më tepër jetën e shqiptarëve?
    Politika shqiptare këtë qëllim ka: Përkeqësimin, deri në falimentim personal të jetës së shqiptarëve! Kjo është pjesë e një skenari të përgatitur që në tetor 2013 në kuadër të një programi që quhet “Economic Growth of Albania” të financuar nga George Soros në Kennedy School of Government që menaxhohet nga miliarderi grek Sokrates Kokkalis me qëllim falimentimin ekonomik të Shqipërisë sipas modelit grek brenda 2017. Pranë Qeverisë Shqiptare kanë qenë dhe janë të atashuar në 7 ministri 21 këshilltarë të Soros dhe Kokkalis, të cilët kanë pasur për detyrë të studiojnë dhe të parapërgatitin gjithë bazën e nevojshme ligjore dhe administrative për falimentimin ekonomik të Shqipërisë me qëllim nxjerrjen në ankand të të gjithë pasurive kombëtare, me qëllim që ti blejë për 5 lekë Oligarkia Sorosiane dhe kushti i domosdoshëm për realizimin e këtij skenari është shkatërrimi ekonomik personal i shqiptarëve që të mos kenë fuqi për të reaguar për Hallin e Madh të Shqipërisë por të luftojnë me mish e shpirt për gavetën e groshës për vete dhe fëmijët e tyre.
    2. Tregtarët ankohen se janë të detyruar të rrisin çmimet e produkteve ushqimore për shkak të aksionit anti-informalitet, sa do të ndikoj kjo tek konsumatori? 
    Ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në kuadër të të ashtuquajturës “luftë kundër informalitetit” është kërcënimi i të gjithë dyqanxhinjve të ushqimeve në të gjithë Shqipërinë se do të futen në burg dhe do tu konfiskohet biznesi përveç një gjobe prej 5 milionë lekësh në se do të shesin me lista veresie! Kjo është mjeti kryesor i prodhimit të urisë. Rënia e fuqisë blerëse dhe kërkesat e palogjikshme për pajisje me dokumente shpesh të pamundura për furnizimet e vjetra përfshi këtu edhe pagesat e gjobave të shtuara për të gjithë sjell automatikisht rritjen e kostos së produkteve ushqimore. Kësaj i shtohet edhe bllokimi i furnizimit nga fermerët e vegjël si pasojë e mungesës së kuponëve apo kasave nga vetë fermerët për produktet e tyre bujqësore dhe blegtorale. Ka një plan: rritjen e çmimeve të ushqimeve, bllokimi i shitjes së ushqimeve me lista veresie, bllokimi i furnizimit nga fermerët sjell automatikisht uri për 1 milionë shqiptarë, varfëri të menjëhershëm për 1 milionë të tjerë dhe terror për 1 milionë të tjerët. Askush nga këta s’mund të qajë hallet nesër se po e merr Sorosi apo Kokkalis, dreqi apo i biri Shqipërinë! Ata do të kenë vetëm një hall: të ushqejnë me gavetën e groshës fëmijët e tyre dhe të mos futen ne burg që ti lejnë fëmijët dhe gratë rrugëve!
    3. A po ndikon ky fenomen varfërimin e shportës së qytetarëve?
    Mjafton të shohësh statistikën më të tmerrshme që fsheh INSTAT! Rritjen e konsumit të bukës dhe rënien e konsumit të çdo produkti tjetër! Në Evropë kriza konsiderohet që ka filluar në momentin kur bien shitjet e mallrave të luksit! Në Shqipërinë e rilindur mesjetare matet me rritjen e konsumit të bukës dhe rënien e ushqimeve të tjera të shportës…Kjo e gjen shpjegimin te një anektodë që tregohet për Stalinin. Në 1948 i vjen për vizitë një udhëheqës i ri komunist i një vendi lindor të pushtuar nga Ushtria e Kuqe. Stalini e çon të vizitonte 2 stalla personale kuajsh arab. Në fillim e çoi te stalla e parë ku kishte 20 hamshorë të jashtëzakonshëm, të shëndetshëm, të bukur, të gjallë, krenarë dhe hiperaktivë. Kur udhëheqësi i ri komunist deshi t’i përkëdhelte kokën, kuajt refuzonin dhe ishin gati t’i kafshonin dorën në formë shumë agresive. Më pas Stalini e çoi te stalla tjetër. Aty kishte 20 kuajt të lodhur, kockë e lëkurë, të heshtur, të palarë, dukshëm të paushqyer. Kur i zgjati dorën t’i përkëdhelte të shkretët kuaj kockë e lëkurë zgjasnin kokën gjithë servilizëm që të përkëdheleshin me shpresë se do të shpërbleheshin me ndonjë dorë bar të thatë. “E sheh, i tha Stalini. Ata kuajt e harlisur në stallën e parë janë të ushqyer mirë dhe hedhin vickla! Këta të pangrënët janë të urtë dhe të binden verbërisht! Kështu duhet t’ua bësh edhe ti qytetarëve të tu nëse do t’i kesh si skllevër të bindur që të mos ngrenë kokë për asgjë! Lëri pa ngrënë!”. Prej këndej ka dalë dhe shprehja: “Skllavit hiqi bukën dhe shtoji drunë!”
    Sigal