Aksidenti i deputetit Rakipi, PD thirrje Ramës: Tërhiq mbrojtjen tënde

460
Partia Demokratike reagon sërish një javë pas aksidentit ku u përfshi deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, i cili përplasi për vdekje këmbësorin Seit Sorra në autostradë. Përmes një njoftimi për mediat, PD kërkon drejtësi dhe i bën thirrje deputetit të heqë dorë nga mandati dhe të dorëzohet para organeve të drejtësisë. Po ashtu, thirrje i bën edhe kryeministrit Rama, në mënyrë që të tërheqë mbrojtjen speciale ndaj Rakipit. “U bë një javë që deputeti mik i Edi Ramës, Aqif Rakipi, ka ikur nga vendi i ngjarjes ku aksidentoi për vdekje qytetarin Seit Sorra, dhe asnjë masë nuk është marrë ndaj tij. Sipas nenit 273 të Kodit Penal, Aqif Rakipi ka kryer vepër penale me largimin nga vendi i ngjarjes, që dënohet deri në 1 vit burg. Mirëpo prokuroria ende nuk ka hedhur asnjë hap drejt kësaj çështjeje, dhe deputeti Rakipi po shijon favoret dhe paprekshmërinë qe ia jep lidhja me Edi Ramën. Partia Demokratike i bën thirrje deputetit të heqë dorë nga mandati dhe të shkojë para drejtësisë si qytetar i thjeshtë e të mbajë përgjegjësi para ligjit. Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të tërheqë mbrojtjen speciale qe i jep mikut te tij, e të lejojë hetim të plotë e te pandikuar të ngjarjes. Këto janë rastet kur shihet nëse drejtësia funksionon për të gjithë njësoj, apo për miqtë e kryeministrit ka favorizime dhe paprekshmëri”, thuhet në reagimin e PD.
Sigal