Aksidentet rrugore, KShH: Rreziku që i kanoset qytetarëve, shqetësues

649
Duke marrë shkas nga aksidentet e shumta rrugore në këto muajt e fundit, me anë të këtij reagimi publik, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vëren se jeta dhe shëndeti i qytetarëve po rrezikohet dhe cenohet çdo ditë dhe më shumë. KShH vëren se kur ngrihet ky problem, kur bëhen kritika, kur shprehet shqetësimi i publikut, edhe pse faktet pranohen, kalohet më pas tek krahasimet statistikore midis viteve apo tre-mujoreve të kaluara, të cilat të lënë përshtypje së statistikat nuk janë shqetësuese. Drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor duhet të ndëshkohen në përputhje me ligjin. Gjithashtu, ndaj tyre duhen marrë masa të rrepta, kur pasojat e këtyre shkeljeve janë të rënda. 

Megjithatë, KSHH vlerëson se, përgjegjësia individuale e drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit duhet të shoqërohet me rritjen e përgjegjshmërisë së institucioneve përkatëse të shtetit, për marrjen e masave efektive parandaluese dhe gjithëpërfshirëse që do të minimizonin sa më shumë shkeljet e këtyre rregullave dhe pasojave të tyre. Në këtë drejtim nuk ka dyshim se njohja e ligjit, e respektimit të rregullave nga vetë qytetarët do të ndihmonin gjithashtu, në parandalimin e aksidenteve. KShH sugjeron që mbi këtë çështje që ka të bëjë me shëndetin dhe jetën e njerëzve, është e domosdoshme të merren të gjitha masat e nevojshme të karakterit teknik apo të infrastrukturës, që do ti shërbenin reduktimit të ndjeshëm të aksidenteve të tilla. Vendosja e sinjalistikës së duhur dhe kamerave të sigurisë në këto rrugë tashmë përbën një domosodshmëri për parandalimin e aksidenteve. KShH i bën thirrje organeve të rendit publik të jenë më të vëmendshme ndaj shkeljes së rregullave të qarkullimit brenda dhe jashtë qyteteve. KShH do të sugjeronte gjithashtu të luftohet korrupsioni në vetë rradhët e punonjësve të plicisë rrugore, të rritej kërkesa e llogarisë dhe profesionalizmi i çdo punonjësi të këtij sektori. Vetëm në këtë mënyrë ligji do të zbatohej me rigorozitet dhe të gjithë shtetasit do jenë të baranbartë para ligjit.
Sigal