AKKP: Çmimi i pronës për 26 mijë dosje

658
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave cakton formulën për kompensimin e 26 mijë pronarëve. “Çmimet që parashikon ligji i ri janë të hartës së vlerës së pronës në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Zëri kadastral, i cili llogaritet për të vlerësuar ekonomikisht 26 mijë vendime, asnjëherë të vlerësuara për likuidim është zëri kadastral i momentit të shpronësimit të këtyre pronave”, kjo është formula e drafit të ri për kompensimin e pronarëve, parashikuar nga qeveria, e cila tashmë është konsultuar edhe me pronarët.

Reforma 
Reforma për kompensimin e pronës është mbështetur në dy shtylla. E parë e kësaj reforme legjitimon kthimin përmes kompensimit fizik në pronën e njohur, aty ku ligji ka fushë zbatimi. Për të realizuar brenda një afati të arsyeshëm vendimmarrjen e zvarritur deri më sot për rreth 9300 kërkesa, draft-ligji ngarkon Agjencinë e Trajtimit të Pronës të shqyrtojë dhe të marrë vendime brenda një afati prekluziv 3-vjeçar. Draft-ligji parashikon gjithashtu një afat prekluziv prej 6 muajsh, për pranimin e kërkesave të reja për njohje pronësie. Ekspertiza e bërë ka rekomanduar mbylljen e këtij procesi menjëherë mbas shfuqizimit të ligjit në fuqi për kthimin dhe kompensimin e pronës. Kjo reformë rregullon edhe trajtimin e pronave në proces legalizimi, ku në zonat urbane vepron duke çliruar bllokimin e deritanishëm për njohje pronësie, ndërkohë që i nënshtrohet zbatimit të rregullave të këtij ligji, zonat e shpallura informale, të cilat trajtohen automatikisht me kompensim, duke i hapur rrugën planifikimit dhe zhvillimit urban të tyre. Shtylla e dytë ku mbështetet kjo reformë është realizimi i një mjeti të brendshëm efektiv për nisjen për herë të parë të ekzekutimit të të gjitha vendimeve për kompensim nga viti 1993.

Projektligji
Ky draft-ligj formalizon për herë të parë regjistrimin e të drejtës së parablerjes në regjistrat përkatës të ZVRPP, duke garantuar të gjithë pronarët për zbatimin e këtyre vendimeve gjatë privatizimit apo shitjes me ankand të aseteve shtetërore në pronën e njohur. Draft-ligji formalizon për herë të parë rezervimin e fondit të tokës për kompensim fizik pranë ZVRPP, duke siguruar paprekshmërinë e tij. Komisioni ndërinstitucional që do të ngrihet do të ketë detyra që burojnë nga ky ligj, për identifikimin, verifikimin dhe vënien në dispozicion të këtij procesi. Ky fond për herë të parë administrohet nga procedura e ankandit, përmes të cilës synohet shpërndarja e fondit të tokës apo shtimi i burimeve financiare, me transparencë të plotë ndaj publikut. Mbivendosjet nuk do të jenë me pengesë për përfitimin nga kompensimi financiar për pronën e lirë nga mbivendosja, ndërkohë që vlera e pronës në këtë lloj konflikti do të ngrijë në llogari bankare, deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me vendim gjykate apo marrëveshje deklarative mes palëve. Draft- ligji mënjanon procedurat e gjata të aplikimit dhe vetëvepron përmes çeljes dhe derdhjes së shumës së kompensimit automatikisht në numrat e llogarisë të hapura nga vetë agjencia. Projektligji ri është mbështetur në parimet: siguri juridike e pronës, barazi juridike në trajtimin e pronarëve, transparencë dhe përpjekje për të rritur besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, në kuadër të angazhimit të vendit tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Jurisprudenca e krijuar nga vendimmarrja e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, praktika e sjellë përmes shqyrtimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, së bashku me sugjerimet e shprehura nga grupet e interesit në këtë fushë kanë qenë piketat e para të kësaj reforme.

Shpronësimet
1.Pronari i shpronësuar i tokës bujqësore do të kompensohet për vlerën e tokës bujqësore me çmimin e hartës aktuale.
2.Pronari i shpronësuar i tokës truall do të kompensohet me vlerën e tokës truall, referuar çmimit të hartës së vlerës së pronës aktuale, duke realizuar të gjitha pritshmëritë e tij.

Afatet për pronat
10 vite për zgjidhjen e problematikës së pronësisë.
3-5 vite për mbylljen e procesit të vlerësimit financiar të dosjeve dhe për ekzekutimin e vendimeve të 23 viteve.
3 vite për shqyrtimin e kërkesave të patrajtuara me vendime.
6 muaj për publikimin e mangësive teknike dhe ligjore për 26 mijë vendimet për kompensim.

Fondi i kompensimit
Për qëllim të pagesës së pronarëve të shpronësuar do të krijohet fondi special. Ky fond është i trashëgueshëm, pra nuk përfundon viti buxhetor dhe siç bëhet me të gjitha paratë e buxhetit, nuk transferohen vitin e ardhshëm, këto fonde trashëgohen në vitin e ardhshëm, pra i ndërpritet rruga brenda vitit financiar, duke zvarritur një shpenzim dhe duke ulur deficitin. Sipas Ministrisë së Financave, 4 do të jenë burimet e financimit, të pasqyruara këto edhe në projektligj. Kështu, të ardhurat do të dalin nga buxheti i shtetit, shitja në ankand e pasurive shtetërore, pjesë e fondit të tokës; të ardhura shtesë që mund të vijnë, ose me ligje të veçanta, ose me akte nënligjore për llogari të këtij fondi dhe të ardhura të tjera nga donatorë të ndryshëm.
Sigal