Akademisë së Policisë i hiqet emri “Arben Zyluftari”, flet nëna e tij

    750
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Refije Zylyftari, nëna e Arben Zylyftarit, ish- kryepolicit të rënë në krye të detyrës

    Rrjedh nga një familje patriotike përmetare. Ajo ka disa ditë që mbushi 90 vjeç, por ende jeton më plagën e të birit, heroit Arben Zylyftari të rënë në krye të detyrës. Dhe pse më shumë mund dhe sakrifica rriti dhe edukoi mrekullisht tetë fëmijë, të gjithë me shkollë, për Arbenin ajo kishte dobësi që vinte vetiu. Në lotët e saj ndien dhimbjen e thellë të një nëne, që vetëm zemra e saj e ndjen se çfarë peshe të rëndë po ngre në këtë moshë. E mendoj (thotë) sikur e përqafoj dhe ai s’ka se si ai të mos ndjej shtrëngimin tim edhe aty në përjetësi. E imagjinoj sikur e kam pranë, s’ka se si të mos jetë këtu krah meje, pasi ai është ëndrra e bukur e jetës. E imagjinoj sikur e prek, s’ka se si të mos e ndjej prekjen e tim biri. E mendoj, e imagjinoj sikur… dhe lotët e saj lajnë fytyrën e rrudhur nga vitet dhe në brazdat e rrudhave të moshës ato lot duken si margaritarë. Sipas shtypit të atyre viteve, Kolonel Arben Zylyftari mbetet simboli i policisë shqiptare, për trimërinë, përgatitjen, thjeshtësinë, për pastërtinë e figurës se policit (i pakorruptueshëm),  në Shqipëri. Rasti i tij është unik. I tillë ishte dhe ai vetë.

     Ju këto ditë mbushët 90 vjeç, si ndiheni?

     Kam kaluar një jetë të vështirë, një jetë plot zhgënjime, por dhe një jetë të bukur pasi kam lindur 8 fëmijë, 7 djem dhe një vajzë. Vajza ishte e madhja. U mundova me të gjitha mundësitë, që fëmijët t’i shkolloj. Kjo ka qenë detyra ime kryesore, qëllimi më i madh i jetës që t’i shikoja të gjithë fëmijët me shkollë të lartë. Vajza e para Serma, mbaroi Pedagogjiken dhe tërë jetën ka punuar mësuese. Djali i madh u bë inxhinier kimie, Vullneti. Ai ka marrë shumë funksione deri Drejtor Ndërmarrje apo Kryetar Qarku. Djali i dytë Petriti,  mbaroi për inxhinier mekanik dhe sot ndodhet në Amerikë. Ka qenë Kryeinxhinier në Kuçovë. Djali i katërt Agimi ndërtues.  Pastaj vjen Vladimiri, i cili punon në Bashki. Pastaj vjen Edmondi që është mjek në Berat. Pastaj, eh pastaj, Arben Zylyftari, ish- Drejtor i Policisë së Shkodrës. Një polic, njeri, prind shembullor. Ai që ma ka bërë zemrën plagë. Dhe i fundit Roberti. Shtatë djem, shtatë diva, shtatë, intelektualë, që ishin të urtë të edukuar, të rritur me libra.

     Kur është vrarë Arben Zylyftari?

    Eh, mor bir. S’dua ta kujtoj atë ditë të zezë. Arbeni u vra në 2 gusht të vitit 2000. Ajo është dhe do të mbetet dita më e zezë e jetës time. Ishte një ngjarje makabër, pasi në familjen tonë gjithmonë kemi pasur harmoni dhe kurrë nuk kemi pasur zi. As e mendoja se do të vinte një ditë e tillë. Megjithëse, ju bënë të gjitha nderet mund të them se ajo plagë është kaq e thellë, kaq e madhe sa si zor se mund të mbyllet. Megjithëse, qeveria Meta ja bëri të gjitha nderet, sërishmi them që ai ka bërë më shumë.

     Cilat ishin nderet që iu bënë Arben Zylyftarit, pas vrasjes në krye të detyrës?

     Në atë kohë disa muaj pas ngjarjes, Akademisë së Policisë ju dha emri “Arben Zylyftari”. Dy akademi ushtarake ka vendi ynë, një Akademia Ushtarake “Skënderbej” dhe tjetra Akademia e Rendit “Arben Zylyftari”. Emri kësaj akademie ju vendos në vitin 2000. Në hyrje të shkollës u bë dhe një basoreliev, me shpenzimet tona familjare,  u bë dhe një muze, brenda në ambientet e Akademisë dhe vjen një ditë e zezë për ne, konkretisht në vitin 2011 dhe Akademisë i hiqet emri “Arben Zylyftari”.  Qeveria e asaj kohe, kur Arbeni u vra i dha urdhrin më të lartë të trimërisë dhe tashmë duket sikur ajo dekoratë është zhvleftësuar. S’e kam marr vesh këtë histori. Si mund t’i hiqet emri një heroi, një njeriu që për kohë të tëra ishte në qendër të vëmendjes së shtypit dhe të gjithë institucioneve ndërkombëtare?

     Po muzeu, a ekziston brenda ambienteve të Akademisë?

    Jo, as muzeu nuk ekziston më. Ambientet e saj janë bërë si klasa. Të gjitha rrobat, reliket dhe pajisjet e Arbenit i kanë mbledhur dhe i mbajnë si mall stok në një kënd të një zyre. Ne kishim dhënë shumë rroba dhe pajisje të tij dhe sot nuk dimë çfarë po bëhet me to. I bëmë letër dhe mesazhe disa herë ish- Kryeministrit Berisha dhe ish -ministrit Bujar Nishani dhe prej tyre kurrë nuk morëm asnjë përgjigje. Një heshtje e plotë. S’ka gjë më të rëndë për një nënë kur fyet për së vdekuri një hero. Ai ra në krye të detyrës, ra duke luftuar me keqbërësit. Unë dua që figura e djalit tim të dashur të vihet në  vend. Për mua kjo është një vrasje e dytë. Një vrasje më makabre se e para. Është një vrasje morale. Për ‘të janë shkruar disa libra, ose më mirë të themi 3 libra,  janë kënduar dhe këndohen dhjetëra këngë. Populli i thjeshtë e ka në kujtesë, populli i thjeshtë për veprën që bëri, për heroizmin në krye të detyrës  i thur vargje çdo ditë. Ndërsa politika bëri të kundërtën, e harroi, apo e vrau për së dyti, pasi ja hoqi të gjitha atributet. Është një veprim i pamenduar,

     Arbeni ka pasur një karrierë shumë interesante?

    Arbeni e donte rrobën e policit. Ai e kishte dëshirë fëminore të bëhej polic. Ashtu u bë. E mbante uniformën shik. I shkonte shumë ajo rrobë. E filloi karrierën në Korçë si polic i thjeshtë dhe për çdo vit, me punë dhe suksese i ngjiti shkallët e karrierës i sigurt. Ka qenë Drejtor Police në disa qytete. Dhe në këto detyra duhet të arrish me shumë punë. Atë më shumë e shihje rrugëve se sa në shtëpi. Ishte gjithmonë në krye të detyrës.

      Si i përjetove ato ditë të vajit për Arbenin?

    Eh, si e kam vajtuar? Se di.Nuk e di se si jam sot. Vargje më kanë dalë nga zemra. Vargje që s’i bëj dot më kurrë. S’kam bërë kurë vargje, por ditën e vajtimit zoti i solli tek unë ato vargje, të cilat nuk i harroj kurrë. Nëna do gjithmonë të mbrojë të birin. Ajo bëhet bishë kur vritet i biri. Nuk e mban asgjë. Një nënë vritet miliona herë për të ruajtur fëmijën. Vargjet e shpirtit të asaj dite ishin: Çe do nëna jetën/ Pa fjalët e tua/ Pse s’u kthye plumbi/ Të më merrte mua?!

    Dhimbja ishte aq e madhe sa këto vargje ishin si qetësues për mua.

     Mos vallë kishe një dashuri më të madhe për Arbenin?

     Unë fëmijët i kam edukuar dhe i kam dashur të gjithë njësoj. Por duke qenë se ishte polic, në një detyrë shumë të vështirë, sikur kisha pak më dobësi vitet e fundit. Ai kishte disa cilësi të tjera në raport me djemtë e tjerë. Ishte më i matur, më i pjekur, më bujar. Ai ishte një djalë 1 metër e 93, shumë i fortë fizikisht, por tek ai mbizotëronte logjika, gjakftohtësia, mprehtësia.

     A ke marrë guximin t’i shkruash Kryeministrit Edi Rama për këtë padrejtësi? A mendon se Rama do të marrë veprime më konkrete për të rehabilituar këtë figurë?

    Qeveria Rama duhet t’i kthejë sytë edhe tek Arbeni dhe tek shumë familje të ish- policëve të vrarë në krye të detyrës. Ka shumë familje policësh që vuajnë për bukën e gojës. Një hap pozitiv i kësaj qeverie është se i pranoi pa konkurs fëmijët e policëve të vrarë në krye të detyrës që kërkuan të mësojnë në Akademinë e Rendit.

     Çfarë konkretisht do kërkosh tek Rama?

    Do kërkoj që figura e tij të rehabilitohet. Ai të marrë ato ndere që ju dhanë me punën e tij, me veprën e tij. Me ato veprime të qeverisë “Berisha” më duket sikur Arbenin ma vranë për herë të dytë. Madje, edhe bustin që kishte tek Akademia e kanë zhvendosur, e kanë lënë si në hije dhe jo aty ku ishte vendosur në fillim. Edhe ky bust është ndërtuar me ndihmën e familjes. Në Berat Këshilli i Qarkut në mënyrë unanime e vendosi bustin në qendër të Beratit.