Akademiku Rexhep Qosja:Nga qeveria kuislinge e Rugovës tek dhespoti Berisha

595
Sigal

Ekskluzive/ Akademiku i mirënjohur Rexhep Qosja analizon situatën aktuale politike në Kosovë dhe Shqipëri. Marrëveshja Kosovë- Serbi dhe zgjedhjet kombëtare të qershorit në Shqipëri

Akademiku i njohur Rexhep Qosja analizon ekskluzivisht për gazetën “Epoka e Re” në Kosovë dhe gazetën “Telegraf” në Shqipëri çështjet dhe problemet aktuale politike që janë duke hasur dy kombet shqiptare, Kosovë dhe Shqipëri. Akademik Qosja ka dhënë mendimet e tij të vyera rreth marrëveshjes së shumë diskutuar, që po mbahet mes Kosovës dhe Serbisë, cilat janë përfitimet dhe humbjet prej kësaj marrëveshje, dhe pse po konsiderohet Hashim Thacci si tradhtar i kombit. Cilat janë arsyet që UÇK dhe luftëtarët kryesorë të saj po gjykohen si kriminelë lufte nga organet e EULEX-it? Pse figura e Ibrahim Rugovës është vlerësuar më shumë se meriton? Çfarë të reje do të sjellë bashkimi i të majtës në Shqipëri në zgjedhjet elektorale kombëtare të këtij qershori? Të gjitha këto dhe shumë detaje të tjera, që deri më dje nuk ishin shprehur, keni mundësinë t’i lexoni si më poshtë. Falënderojmë z. Rexhep Qose që, zgjodhi gazetën “Telegraf” si tejçuesen e mendimit të tij. 

– Akademik Qosja, pas disa muajsh bisedime Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve. Si e vlerësoni ju këtë marrëveshje?

-Duke e pasur parasysh të kaluarën e largët rreth 150-vjeçare, që është një e kaluar shumë e rëndë dhe të kaluarën e afërme 14-15 vjeçare në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, që është një e kaluar shumë e përgjakshme, pasojat e së cilës brezat e sotëm i kujtojnë apo edhe i ndiejnë ende, unë nuk mund të them se me marrëveshjen e Brukselit janë normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje mund të quhet vetëm hap i parë në përpjekjet e faktorëve ndërkombëtarë, para së gjithash, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy shteteve. Dy shtete kanë marrëdhënie të normalizuara kur ndërmjet tyre nuk ka probleme të natyrës çfarë janë shumica e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nuk zgjidhen lehtë dhe që nuk zgjidhen shpejt.

-Mendoni se Kosova ka fituar apo është dëmtuar me këtë marrëveshje, mbasi që për Hashim Thaçin ka vlerësime të ndryshme, prej kombëtari deri te tradhtari.

-Jam shumë i sigurt se të gjithë ata që po e kritikojnë Hashim Thaçin për këtë marrëveshje, duke përfshirë këtu edhe ata që i lejojnë vetës ta quajnë tradhtar, po të ishin  protagonisti kryesor shqiptar në ato bisedime, do të bënin atë që e ka bërë Hashim Thaçi: do të bënin atë që e ka bërë HashimThaçi dhe do të ishin shumë të kënaqur me veten e tyre. I lejoj vetes të them, madje, se në bisedimet Prishtinë-Beograd të Brukselit ata, kritikët e Hashim Thaçit, do të ishin më pak të suksesshëm se ai në ato bisedime.

-Pse thoni kështu, zoti Qosja? Cilat janë arsyet që ju nxisin të keni këto mendimi.

-Kur flasim për këto bisedime dhe kur bëjmë vlerësimin e marrëveshjes që kanë sjellë ato, ne do të duhej ta kemi të qartë: e para, se ato janë bisedime që kanë kërkuar SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, se janë organizuar prej tyre dhe se janë udhëhequr prej tyre dhe, e dyta, se ai që i kërkon, ai që i organizon dhe ai që i udhëheq bisedimet mes dy palëve, në këtë mes dy shteteve, ai më pak a më shumë e përcakton edhe marrëveshjen që ato sjellin, domethënë e përcakton edhe përfundimin e tyre. Meqenëse kryeministri i sotëm i Kosovës, Hashim Thaçi, është politikani kosovar më i pranuar dhe më i çmuar prej faktorëve ndërkombëtarë, para së gjithash prej SHBA-ve dhe prej Bashkimit Evropian, është e vetëkuptueshme se, objektivisht, në bisedimet e tilla, në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, ai mund të bëjë më së shumti për shtetin, që përfaqëson, për popullin që përfaqëson, çka objektivisht nuk do të mund ta bënin kritikët e tij e, sidomos, jo etiketuesit e tij negativë.

-Duke u nisur nga gjendja faktike në terren, veçmas në veri, a ka pasur mundësi Kosova të përfitojë më shumë nga kjo marrëveshje? Në të vërtetë , si e vlerësoni ju këtë marrëveshje të arritur në bisedimet e Brukselit?

-Sipas mendimit tim, marrëveshja e arritur në bisedimet e Brukselit ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, për ne ka dy të mira dhe një të keqe. Të mirat janë: e para, Serbia më në fund detyrohet të tërhiqet edhe prej asaj pjese të Kosovës, të Veriut të Kosovës, që në njëfarë mënyre e mbante nën pushtetin e saj, do të thotë nën pushtimin e saj edhe pas luftës sonë çlirimtare dhe me tërheqjen e saj bëhet e mundshme shtrirja e sovranitetit tonë edhe në atë pjesë të Kosovës; dhe, e dyta, serbët e Veriut të Kosovës, si dhe serbët e tjerë të Kosovës, në pikëpamje politike dhe juridike do të organizohen, do të sillen, do të veprojnë, domethënë do të jetojnë në pajtim me Kushtetutën dhe me ligjet e shtetit të Kosovës – si të gjithë qytetarët e Kosovës. Këto dy pika të marrëveshjes, që i quajta të mira, në të vërtetë janë dy të arritura të mëdha për ne të marrëveshjes së Brukselit. E keqja, ndërkaq, është: në bisedimet e Brukselit serbëve të Veriut u janë njohur disa organizime dhe kompetenca ligjore, që me gjuhën kushtetuese-juridike quhen autonomi, të cilën disa analistë të jashtëm evropianë dhe amerikanë po e quajnë autonomi e lartë, kurse disa të tjerë autonomi e zakonshme. Një çështje etnike a kombëtare quhet e madhe kur është e përfaqësuar prej shumë pjesëtarësh të saj. Çështja e Kosovës ishte një çështje e madhe në Serbi dhe në ish-Jugosllavi për shkak se përfaqësohej prej shumë, shumë pjesëtarësh, në vitet para luftës prej më tepër se një milion e pesëqind mijë pjesëtarësh. Autonomia e tyre pas Luftës së Dytë Botërore vinte duke u shtuar qoftë edhe pse vinte duke u shtuar numri i tyre, kurse mëvetësimi i tyre, çlirimi i tyre, i arritur në vitin 1999 do të gëzojë përkrahjen e faktorëve kryesorë ndërkombëtarë – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian sa për shkak të luftës që kishin bërë aq edhe për shkak të numrit të tyre të madh. Numri i serbëve të Veriut është i vogël, tepër i pamjaftueshëm për t’iu njohur farë autonomie, prandaj edhe këmbëngulja shumë e vendosur e Beogradit për autonominë e tyre realisht nuk mund të jetë e bindshme, në asnjë pikëpamje. Nuk mund të them se këmbëngulja e Beogradit për t’u siguruar autonomi serbëve të Veriut të Kosovës kushtëzohet prej brengosjes që mund të ketë Serbia për sigurinë e tyre. Jo, këmbëngulja e Serbisë për t’u siguruar autonomi serbëve të Veriut të Kosovës kushtëzohet prej interesave të saj gjeostrategjike! Për këtë arsye edhe mund të thuhet se autonomia e serbëve, pavarësisht sa i vogël është numri i tyre, nuk mund të mos shikohet si Kalë i Trojës në Kosovë.

-E shihni të vështirë zbatimin e kësaj marrëveshje në praktikë?

-Ne do të duhej të mendojmë për zbatimin e kësaj marrëveshje në të sotmen dhe në të ardhmen. Nuk guxojmë të harrojmë se kjo është marrëveshje e bërë me nxënësit më ekstremë të Millosheviçit e të Sheshelit – Daçiqin e Vuçiqin!

-Zoti Qosja, si i vlerësoni zhvillimet e fundit në Kosovë, meqenëse përveç procesit gjyqësor që po mbahet ndaj Fatmir Limajt dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij, së fundi EULEX-i po i ngarkon me akuza edhe ish-komandantin e UÇK-së Sylejman Selimi, ish-komandantin e Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, dhe disa ish-ushtarë të UÇK-së?

-Zhvillimet e fundit në Kosovë, të karakterizuara prej sjelljeve politike dhe gjoja juridike të EULEX-it, e, para EULEX-it të sjelljeve të UNMIK-ut, ndaj komandantëve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarëve të tyre janë shumë revoltuese dhe shumë dëshpëruese. Ndaj komandantëve të UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, shumë gjatë është ushtruar terror i vërtetë prej UNIMIK-ut dhe EULEX-it. Dhe, në fund që të dy janë liruar të pafajshëm, kurse as UNMIK-u, as EULEX-i nuk e kanë quajtur të nevojshme të japin kurrfarë llogarie pse ngrenë akuzë kundër të pafajshmëve, madje as të kërkojnë falje për gabimin e vet. Tani 14 vjet pas luftës EULEX-i ka vendosur që t’ia nënshtrojë terrorit dy komandantë të tjerë, shumë të popullarizuar të UÇK-së, Sylejman Selimin dhe Sami Lushtakun! A është e mundshme kjo?

-Akademik Qosja, pse po ndodhin këto akuza dhe arrestime ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së?

-E them plotësisht i bindur se në radhët e EULEX-it ka proserbë, të ardhur si proserbë në Kosovë apo të bërë proserbë mbas ardhjes në Kosovës. Nuk mund ta quaj jurist të paanshëm, jurist objektiv, në të vërtetë nuk mund të mos e quaj proserb kryeprokurorin e EULEX-it, Mauricio Salustron. Atij, natyrisht, nuk i shkruan në ballë se është proserb, por akuzat e tij kundër komandantëve të UÇK-së, me përmbajtjen e tyre tragjikomike, dëshmojnë se me to ai do të donte t’i bënte qejfin dikujt. Kujt? Natyrisht Serbisë! Po nuk është vetëm përcaktimi i tij proserb shkaku i vetëm që e shtyn kryeprokurorin Mauricio Salustro të ngre ato akuza tragjikomike që ai po ngre kundër komandanteve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Ndër faktorët ndërkombëtarë, europianë (edhe rusë natyrisht) ka individë, grupe, institucione të ndryshme që kanë bërë, dhe bëjnë, përpjekje të krijojnë një simetrizëm ndërmjet luftës agresive, pushtuese të Serbisë në Kosovë dhe luftës çlirimtare të shqiptarëve. Nuk ka dyshim se ky simetrizëm është i paramenduar si mjet i politikës së tyre, në të vërtetë si mjeti arsyetues i pragmatizmit të tyre politik. Nuk duan ta dinë këto grupe e institucione se për herë të parë në historinë e Evropës pjesëtarët e luftës mbrojtëse po akuzohen për krime lufte! Mendja historike dhe juridike nuk lejon që ata të cilët mbrojnë familjet e veta, shtëpitë e veta, ekzistimin e vet para shfarosjes, çka, siç e dimë, synonte regjimi i Millosheviçit të arrinte në Kosovë, të trajtohen si ata që kanë ardhur t’i shfarosin!

Përpos kësaj, nuk përjashtohet mundësia që akuzat e EULEX-it e më parë të UNMIK-ut ndaj komandantëve të UÇK-ës kanë edhe frymëzime të tjera, ta themi të brendshme, si fjala vjen: t’u bëhet shantazh partive të krijuara prej UÇK-së të disiplinohen ato dhe kuadrot e tyre politike ashtu edhe siç janë disiplinuar disa prej tyre, të ndikohet në rrjedhat politike në Kosovë, madje, tani, të ndikohet edhe në marrëveshjen mes Prishtinës e Beogradit dhe në mënyrat e zbatimit të saj. E të tjera.

-Sa besoni ju se UÇK-ja ka bërë krime, siç po akuzohet?

-Aaa, në këtë pyetje nuk mund të përgjigjem sigurtë e ta ruaj njëkohësisht edhe shpirtin tim prej mëkatit etik. E di, ndërkaq, se në historinë e njerëzimit nuk janë bërë luftëra më të mëdha a më të vogla në të cilat nuk janë bërë më shumë a më pak krime. Pa asnjë krim sikur nuk ka ndodhur as ndonjë luftë çlirimtare. Por e di, me siguri të plotë, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, se udhëheqja e saj ushtarake dhe civile, ka bërë çmos që ta ruajë UÇK-në prej krimeve, që pjesëtarët e saj të mos bëjnë krime. Dhe, ka bërë çmos që ta ruajë UÇK-në prej krimeve qoftë pse kjo udhëheqje përbëhej kryesisht prej intelektualëve që e dinin fort mirë çka nuk duhet të bëjnë, qoftë pse për ta ruajtur UÇK-në prej krimeve të tilla ishin të këshilluar edhe prej të tjerësh – edhe prej miqve të jashtëm. Për shkak se është ruajtur kaq shumë, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka ngjarë çka në të kaluarën nuk iu ka ngjarë pjesëtarëve të luftërave çlirimtare të popujve të tjerë: i ka ngjarë të tolerojë të ashtuquajturin armikun e brendshëm të luftës çlirimtare, që me sjelljet e tij, me politikën e tij, dhe, në përgjithësi, me veprimtarinë e tij e cenonte rëndë atë luftë çlirimtare!

-Kush ka interes që ta baltos luftën e UÇK-së?

-Po të kemi parasysh sjelljet ndaj UÇK-së të individëve, të grupeve, të institucioneve dhe të vendeve të ndryshme prej kohës së luftës e deri sot do të mund të thuhej se të interesuar që ta cenojnë, që ta zhvlerësojnë së paku me diçka UÇK-në ishin, dhe janë: Serbia para çdokujt tjetër, Maqedonia, Mali i Zi, pjesa serbe e Bosnjës, Rusia, Greqia, mandej disa individë si Dik Marti, disa grupe dhe disa parti proserbe në Evropë. Por, që t’i vejnë njolla politike e morale UÇK-së ishin dhe, si po shihet, vazhdojnë të jenë, sado tani me zë më të shterur, edhe disa parti e disa bashkëkombës tonë këtu, në Kosovë! Po njollat e gatuara në kuzhinën e tyre për t’i vënë në trupin e fuqishëm të UÇK-së i kemi parë kur e kur në disa gazeta të këtushme e kur e kur edhe i kemi dëgjuar në disa televizione e në disa tubime partiake.

-Si do të duhej të veprojnë në këtë rast institucionet e Kosovës, shoqëria civile dhe mediat për të mbrojtur vlerat e UÇK-së!

-Besoj se shumica e shqiptarëve e dinë se Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Francë kishte një lëvizje, që quhej atëherë, e do të quhet edhe në historinë e shkruar franceze, Lëvizja e Rezistencës. Kjo Lëvizje e Rezistencës udhëhiqej prej kolonelit, më vonë gjeneral De Golit, i cili gjatë do të qëndrojë jashtë Francës, kryesisht në Britaninë e Madhe. Lëvizja e Rezistencës e Francës së Madhe, e udhëhequr prej një njeriu mendjelartë, me virtyte të forta morale, nuk kishte shtrirje të madhe dhe nuk do të bëjë luftë të armatosur posaçërisht të madhe. Por, Lëvizja e Rezistencës ishte krenaria e Francës së atëhershme dhe krenaria e Francës së sotme. Institucionet shtetërore të Francës, figurat e mëdha intelektuale dhe morale franceze, nuk kanë lejuar kurrë që as me një fjalë, as me një shkrim, as me një veprim të cenohet dinjiteti i asaj Lëvizje, roli i saj në historinë madhështore të Francës. E si të lejojnë! Po ajo Lëvizje ia kishte rikthyer krenarinë, dinjitetin kombëtar Francës, që ia kishte cenuar keq, madje përbaltur, tradhtari Filip Peteni, duke iu nënshtruar pushtimit të Francës prej Gjermanisë.

 

-Mendoni sigurisht se edhe ne do të duhej të sillemi ashtu ndaj Ushtrisë sonë Çlirimtare?

Natyrisht, natyrisht.

Pse ne nuk e kemi mbrojtur kur duhej e si duhej UÇK-në prej atyre prej të cilëve mund të jenë frymëzuar apo vazhdojnë të frymëzohen denoncuesit dhe akuzuesit e saj të jashtëm, qoftë nga radhët e UNMIK-ut, qoftë nga radhët e EULEX-it: prej proserbëve të jashtëm dhe prej mendjeshkurtërve, mendjeligjve e zemërkëqijve tanë?

Pse ne nuk e kemi bërë të pacenueshme UÇK-së si Franca Lëvizjen e Rezistencës kur dihet se UÇK-ja jonë ka bërë për popullin shqiptarë të Kosovës, për lirinë, për pavarësinë, për dinjitetin e tij, për historinë e tij realisht më shumë sesa Lëvizja e Rezistencës për Francën dhe për francezët. Me krijimin e saj, me organizimin e saj, me luftën e saj kundër një armiku shumëfish më të fuqishëm, UÇK-ja ia ka kthyer popullit shqiptar të Kosovës nderin, dinjitetin, krenarinë që ia kishte cenuar, që ia kishte fundosur udhëheqja e LDK-së me politikën e saj fillim e mbarim të mjerueshme, çmobilizuese dhe ç’burrëruese, në të vërtetë kapitulluese.

Pse kemi lejuar ne që kundër disa individëve të UÇK-së, në të vërtetë kundër UÇK-së si tërësi të bëhet çka nuk do të duhej të bëhej e të mos bëhej çka do të duhej të bëhej? Pse kemi lejuar ne që disa mendime e deklarata botore të shqiptuara prej kundërshtarëve të përbetuar të UÇK-së, të bëhen opinion që e shqiptojnë shpesh protagonistët e çarshisë sonë?

Pse kemi lejuar dhe po vazhdojmë të lejojmë që organizatën e cila bënte politikën e nënshtrimit, të çmobilizimit, të ç’burrërimit të popullit shqiptar të Kosovës falsifikuesit e të vërtetave ta shquajnë si projektuese të pavarësisë së Kosovës dhe ndërtuese të shtetit të saj- çka është gënjeshtër agresive?

Nuk ka dyshim se sjelljet e disa individëve, disa grupeve dhe disa partive politike ndaj UÇK-së dhe ndaj disa drejtuesve të saj politikë e ushtarakë na ballafaqojnë me një varg pyetesh edhe sot.

-Zoti Qosja, a mund të na i thoni disa të dhëna që i dëshmojnë këto pohime?

-Të dhëna, mjerisht ka më shumë: të dhëna të ndryshme. Ja disa prej tyre.

Derisa Bernard Kushneri ishte kryeadministrator i Kosovës ishte bërë projekti për ngritjen e përmendores së Adem Jasharit në Prishtinë, por ngritjen e një përmendoreje të tillë nuk e lejuan pushtetarët e atëhershëm të Prishtinës! Asnjëri prej bashkëluftëtarëve të Adem Jasharit që po merrej me politikë, me përjashtim të Azem Sylës, dhe asnjëra prej partive të krijuara prej radhëve të UÇK-së, nuk do të bëjnë gjë që ta ndryshojnë këtë vendim cenues të zyrtarëve të kryeqytetit të Kosovës – përfaqësues të LDK-së.

Gjatë gjithë kohës së mbasluftës nxënësit e shkollave tona fillore, të mesme dhe të fakulteteve, historinë më të re të Kosovës do ta mësojnë prej tekstesh historike, në të cilat tri fjali politikisht dhe moralisht të mjera, thuheshin për UÇK-në, kurse pesë faqe glorifikuese, përplot gënjeshtra të zmadhuara, për “rolin çlirimtar” të atyre që ishin kundër UÇK-së dhe luftës së saj çlirimtare. Dhe, me vite asnjë parti e krijuar prej pjesëtarëve të UÇK-së e më vonë asnjë institucion shtetëror nuk do të bëjë gjë që ta ndryshojë këtë gjendje cenuese, fyese për luftën çlirimtare!

Në disa gazeta do të botohen jo rrallë shkrime, kurse në ndonjë televizion të Prishtinës e në ndonjë të Tiranës do të jepen emisione dhe “filma dokumentarë”, në të cilat UÇK-ja trajtohet ashtu si ishte trajtuar në tekstet e sipërthëna historike! Reagime ndaj këtyre shkrimeve dhe ndaj këtyre emisioneve a “filmave dokumentarë” nuk do të bëhen madje as prej partive të UÇK-së e as prej institucioneve shtetërore të Kosovës! Në ndonjë gazetë, këtu, në Prishtinë me vite pas Luftës janë botuar shkrime në të cilat fyheshin dhe kriminalizoheshin pjesëtarë të shquar të UÇK-së! Por as parti të krijuara prej pjesëtarëve të UÇK-së, as institucione shtetërore nuk do të bëjnë gjë që t’i përgënjeshtrojnë!

Para disa vitesh, përfaqësues politikë e shtetërorë të Shqipërisë mbajtën fjalë në institucione të Kosovës a u paraqitën në televizione të Kosovës, në të cilat krijues të shtetit të Kosovës e shpallën kë nuk është dhe i injoruan plotësisht ata që e çliruan dhe e bënë shtet Kosovën – UÇK-në dhe kryekomandantin e saj Adem Jasharin. Reagime ndaj këtyre falsifikimeve historike nuk pati prej atyre prej të cilëve doemos duhej të kishte – prej partive të UÇK-së a prej institucioneve shtetërore të Kosovës!

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, para dy vjetësh e botoi një, si e quajtën përpiluesit e saj, monografi, në të cilën për UÇK-në dhe për luftën e saj çlirimtare shkruhet pothuaj nënçmueshëm, pothuaj fyeshëm. Megjithëse prej disa lexuesve dhe profesionistëve u është tërhequr vërejtja për dëmin shkencor e kulturor që mund të bëjë ajo monografi e arnuar, diletante, institucionet shtetërore të Kosovës nuk bënë asgjë për kthimin e saj në përpunim apo, edhe më mirë, për ndalimin e saj. Institucionet shtetërore maqedone e ndaluan Enciklopedinë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë në të cilën u botuan zëra me të pavërteta e me paragjykime për shqiptarët, për prejardhjen dhe për historinë e tyre, kurse institucionet tona shtetërore treguan gatishmëri që ta financojnë përkthimin në anglisht të asaj monografie që komprometon shkencën tonë dhe kulturën tonë dhe fyen luftën çlirimtare të UÇK-së!

Autostrada e Kosovës, Rruga kombëtare e Kosovës, sot ka emrin e njeriut që ndër të parët ka ngritur zërin kundër UÇK-së dhe luftës së saj çlirimtare! Emrin e të njëjtit njeri do të ketë edhe sheshi më i madh e më solemn i Kosovës në Prishtinë. Emrin e po këtij njeriu do të ketë edhe Opera madhështore e Kosovës thuajse ai njeri ishte dirigjent, kompozitor, operist me lavdi botërore dhe thuajse Kosova nuk kishte as Lorenc Anton, as Rexhë Mullaj, as Mark Kaçinar, as as as…!

Për kujtim e zmadhim të të njëjtit njeri do të ngrihet edhe e ashtuquajtura Portë Triumfale në pikën më të lartë të Bregut të Diellit!

E ai njeri jo vetëm se ishte kundër UÇK-së dhe luftës së saj çlirimtare, po ishte edhe njeriu që kërkoi ndërprerjen e fushatës ushtarake të NATO-së ndaj objekteve dhe forcave ushtarake të Serbisë që po masakronin e po zhvendosnin popullin shqiptar prej Kosovës!

E ai njeri jo vetëm se kërkoi prej NATO-s të ndërpriste bombardimet mbi objektet dhe forcat ushtarake e policore të Serbisë në Kosovë, por, pas marrëveshjes me Millosheviçin në Beograd, i hyri formimit të qeverisë kuislinge në Kosovë!

Nuk ka fije dyshimi se me këtë antologji kushtimesh ndërtimore, arkitekturore, skulpturore, muzikore, urbanistike, artistike, kulturore, historike për njeriun, që e tradhtoi popullin shqiptar të Kosovës në kohën historike të këtij populli, fyhen: historia dhe e tanishmja e Kosovës dhe nënçmohen, zhvlerësohen, fyhen UÇK-ja, lufta e saj çlirimtare, dëshmorët e saj.

Por, gjithë këtë antologji kushtimesh pseudopolitike dhe pseudohistorike ende e shikojnë të heshtur veteranët e luftës, partitë e krijuara prej pjesëtarëve të UÇK-së, Vetëvendosja rrahagjokse për vlera kombëtare e historike, institucionet shtetërore të Kosovës sot të formuara prej pjesëtarëve të UÇK-së!

Përpos gjithë këtyre të dhënave, që tregojnë shumëçka, ne edhe sot mund të lexojmë në ndonjë gazetë të këtushme shkrime në të cilat është e përmbajtur dëshirë e madhe për ndëshkim të pjesëtarëve të UÇK-së!

Pse ndodh kështu? Ndodh kështu, duket, sepse kështu kanë vendosur ata që donin të disiplinojnë UÇK-në dhe politikanët e dalë prej radhëve të saj. Më në fund, ata deshën dhe ata vendosën që pushtetarët e ardhur prej radhëve të UÇK-së të pranojnë “përzemërt” për bashkëpunëtorë si deputetë, si ministra, si zëvendësministra, si zyrtarë e “specialistë” të niveleve të ndryshme pushtetore jo vetëm ish kuadro politike shqiptare të Serbisë të pas vitit 1981, por, kur e kur, edhe ish-kuadro shqiptarë të Stambolliçit e të Millosheviçit!

-Zoti Qosja, në Shqipëri ka filluar fushata parazgjedhore, sa po keni mundësi ta përcillni?

-Po e përcjell aq sa ma bëjnë të mundshme televizionet, në radhë të parë televizioni më i mirë e më objektiv shqiptar, televizioni Top Channel me kanalet dhe emisionet e tij të shumta, por edhe ndonjë televizion tjetër. Dhe, disa prej gazetave që botohen në Tiranë.

-Vlerësoni se ka ndryshime në fushatën e tanishme në krahasim me fushatat e mëparshme dhe në fushatat e partive të ndryshme.

-Ka disa ndryshime. Fushata e tanishme në krahasim me fushatat e përparshme, qoftë edhe me atë të para katër viteve, në përgjithësi është më e organizuar, më e pasionuar dhe më e sofistikuar. Pasionet e përmbajtura në të mund të nxisin sjellje të pakontrolluara sado trysnia e institucioneve ndërkombëtare, amerikane dhe evropiane, është e dukshme me qëllim që veprime të tilla të mos ndodhin. Shumë më parë se nga radhët e partive të tjera, shumë më parë se nga radhët e PS-së dhe të LSI-së, veprime të tilla mund të ndodhin nga radhët e të mobilizuarve të kryeministrit.

-Besoni se me bashkimin e të majtës, Berisha do të humbë pushtetin?

-Mendoj se Shqipërisë shumë, jashtëzakonshëm shumë, i duhet ndërrimi i pushtetit, që politikanë e analistë në Tiranë po e quajnë rotacion. Dhe, mendoj kështu jo vetëm për shkak të gjuhës së urrejtjes, gjuhës fyese, gjuhës konflikt nxitëse të kryeministrit; dhe mendoj kështu jo vetëm pse kryeministri i Shqipërisë i ka bashkuar, në të vërtetë i ka mbledhur në një, në të vërtetë i ka uzurpuar të tri pushtetet; dhe mendoj kështu jo vetëm pse mandatet e ish- kryetarit dhe tani kryeministrit të Shqipërisë janë të shënuara me disa tragjedi që e bëjnë politikisht dhe juridikisht përgjegjës; dhe mendoj kështu jo vetëm pse ai në vazhdimësi, me mashtrime e me gënjeshtra, e manipulon dhe fyen vetëdijen e qytetarëve shqiptarë; dhe mendoj kështu jo vetëm pse Partinë Demokratike të Shqipërisë e ka bërë parti private; dhe mendoj kështu jo vetëm pse në gjuhën e tij, në sjelljet e tij, në pushtetin e tij, në mendësinë e tij nuk ka asgjë bashkëkohore, evropiane. Mendoj kështu, para së gjithash, për shkak se e ashtuquajtura politikë e tij ekonomike është politikë e pa rend, e pa sistem, e pa strategji, e pa logjikë – politikë e improvizimeve, që do ta çojë Shqipërinë në katastrofë ekonomike! E keni vërejtur besoj se në çka e mbështet ai fushatën? E mbështet në rrugët. Kudo e kurdo flet për rrugët, të shpeshtën e herëve duke tre-katërfishuar kilometrat e tyre! E mbështet në pranimin në NATO thuajse ai është i merituar për pranimin e Shqipërisë në NATO e jo NATO-ja që për arsye politike, strategjike e të tjera iu ka dashur Shqipëria. E mbështet në heqjen e vizave dhe në integrimet evropiane thuajse ato janë varur a varen prej tij. E mbështet në heqjen e vizave të qytetarëve të Shqipërisë nga ana e SHBA-ve thuajse ato viza do të hiqen për të gjallë të tij? E mbështet në supergënjeshtrën: do të bëjmë gjithçka për…!

Sot edhe politikanët më varfër të arsimuar e dinë se një shtet është i fortë, i përparuar jo në qoftë se e ka ushtrinë dhe policinë e madhe, por në qoftë se ka ekonomi të zhvilluar dhe punësim të madh. Sot edhe politikanë pa ndonjë kulturë të veçantë e dinë se qëllimi më i rëndësishëm, qëllimi i qëllimeve zhvillimore të një shteti është: PUNËSIMI I NJERËZVE. E kryeministri i Shqipërisë pothuajse nuk ka me çka tjetër t’u dalë parasysh votuesve shqiptarë përpos me rrugët. Rrugë! Rrugë! Rrugë! Dhe me rrena! Rrena! Rrena! Rrena! Rrena të pambarimta! E me çka tjetër t’u dalë? Me çka tjetër t’u dalë kur politika e tij ekonomike e ka lënë Shqipërinë pa ekonomi të vërtetë, e ka shtuar pabarazinë midis njerëzve duke e shtuar edhe numrin e të varfërve.

Jam thellësisht i bindur se gjithë këtë gjendje dëshpëruese do ta ndryshojnë ata që fushatën po e bëjnë me programin RILINDJE. Natyrisht në qoftë se i fitojnë zgjedhjet që meritojnë t’i fitojnë, që është në interesin e përtashëm dhe në interesin historik të Shqipërisë e të Kosovës që t’i fitojnë këto zgjedhje.

-Akademik Qosja, në opinion është krijuar bindja se ju për arsye personale nuk tregoni mirëkuptim për Berishën. Është i vërtetë ky konstatim apo cila është e vërteta që ju dhe Berisha nuk keni raporte të mira?

-Si mund të kenë raporte të mira një despot, dhunëtar e gënjeshtar me gjuhën dhe dhunëtar e mesjetar me veprimtarinë e tij politike, dhe një intelektual që jetën dhe veprat shkencore, letrare e publicistike ia ka kushtuar Lirisë: lirisë së mendimit, lirisë së fjalës, lirisë kombëtare. Dhe, natyrisht të Drejtës.

Intervistoi: Burim Etemaj                                       

Epoka e Re, Prishtinë 2013