Akademiku Jorgo Bulo:”Projektligji për mbrojtjen e gjuhës ka 8 vjet që fle në sirtarët e Kuvendit”

    412
    Sigal

    INTERVISTA/  Flet gjuhëtari, akademiku Jorgo Bulo: “Ne u kemi borxh shqiptarëve veprën e Drejtshqiptimit!”

    Sot në përditshmërinë tonë shihet se, gjuha e bukur shqipe deformohet në forma nga më të ndryshmet. Në mediume, foltore të ndryshme, përdoren më shumë fjalë të huaja se fjalë shqipe, ashtu sikundër në shumë raste, në shkresat zyrtare nga administrata shtetërorë, gjuha nuk është e unifikuar  dhe një shkresë zyrtare e nisur nga Ministri të ndryshme kanë si në formë dhe në përmbajtje deformime jo vetëm të gjuhës që bëhen sipas qejfit, por në mënyrën më të përçudnuar eliminohet përdorimi i “ë”-së.  Megjithëse ekzistojnë të gjitha librat për mënyrën e përdorimit të gjuhës, nga drejtues të administratës, nuk merret për bazë asnjë literaturë gjuhësie, por secili ministër apo Ministri, i nis shkresat zyrtare sipas qejfit të vetë. Për më tej edhe në tekstet shkollore ka pasur gabime të pafalshme, që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin gjuhësor të fëmijëve. Një problem jo i vogël është dhe përdorimi i gjuhës zyrtare nga shtëpitë botuese. Shumë herë edhe në këto institucione të përdorimit masiv të drejtshkrimit të gjuhës nuk ka një version zyrtar të përdorimit të gjuhës letrare, pa krahinizma…

     A ka ndonjë borxh shkenca gjuhësore ndaj shqiptarëve?

      Shkenca  gjuhësore ka një detyrim të paplotësuar ndaj kulturës  të drejtshqiptimit të shqipes. E ka plotësuar pothuajse të gjithë korpusin e veprave normative, duke botuar, “Fjalorin Normativ”, “Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe”,  “Rregullat e pikësimit”,  ka mbetur pa u plotësuar vepra për “Drejtshqiptimin”.  Është një detyrë e gjuhësisë që ta plotësojë dhe këtë boshllëk,  zbrazëti dhe ai si të thuash, do të përbëjë normën e detyrueshme, për të gjithë folësit e radiove dhe të televizioneve. Kjo s’do të thotë që folësit  tanë të radiove dhe të televizioneve, të mos respektojnë sot një normë  drejtshqiptimore, që pak apo shumë është e konsoliduar. Por ky nuk është faji vetëm i folësve, por dhe i redaktorëve që përgatisin lajmet, apo gazetarëve.

     Përse deri tanimë nuk është përgatitur teksti (vepra) e “Drejtshqiptimit”?

     Kjo ka disa  arsye objektive. Së pari, ka pasur një radhë në punët e instituteve të Gjuhësisë dhe të Letërsisë që janë marrë me këtë problem. Tashmë ka disa vjet që ky institut për shkak të ndryshimeve që janë bërë i ka mundësitë e pakta për të realizuar  këtë vepër.

     Cili është problemi kryesor i mosrealizimit të kësaj vepre, është ana financiare, apo kohore?

     Mund të them edhe për arsye financiare, por më kryesorja është që mungon kuadri. Pra, nuk ka një kuadër të mjaftueshëm në këtë Institut që të realizojnë këtë vepër që do shumë kohë, studim, shfletim, etj..  Janë bërë ndryshime të tilla që e kanë rrëgjuar shumë numrin e punonjësve në këtë Institut, apo të ekipeve që punojnë atje dhe kështu që, kjo mungesë kuadri, i krijon vështirësi Institutit për të punuar në mënyrë sistematike  dhe për  ta realizuar këtë vepër, që sipas mendimit tim, është një detyrë emergjente e së ardhshmes. Këtë e theksoj për vetë rëndësinë që ka kjo vepër në përditshmërinë tonë.  Mungesa e Drejtshqiptimit është një vepër që sjell disa mangësi, por jo që të deformohet gjuha pa të drejtë apo të justifikohet çdokush për deformime të rënda.

     Po shtëpitë botuese, a i vënë në përdorim, pavarësisht mungesës së veprës së “Drejtshqiptimit”, këto rregulla të drejtshqiptimit, për vetë rëndësinë që kanë, pasi ushqejnë tregun me libra pra dhe me këto mangësi nis nuk i zbatojnë, apo veprojnë të pavarura në drejtshqiptimin e fjalëve?

     Shtëpitë botuese, sigurisht që duhet të respektojnë normën drejtshkrimore, normën morfologjike, normën sintaksore, normën  leksikore, të cilat  natyrisht tashmë janë të stabilizuara, në aktet shkencore normative, që prej vitesh i ka botuar Instituti i Gjuhësisë dhe  Letërsisë.  Por ato nuk kanë të bëjnë me normat drejtshqiptimore, pasi kjo normë është detyrë e foltoreve publike, edhe e medies së folur, e personave publikë, e përdorimeve publike të shqipes, duke filluar që nga foltorja e Kuvendit  dhe gjer tek  Radiotelevizionet dhe të gjitha shfaqjet publike.

     Ju folët për foltoren e Kuvendit. Sipas shumë debateve dhe shkrimeve në media pikërisht deputetët dhe politikanët janë ata që i deformojnë më shumë fjalët dhe që përdorin shumë fjalë të huaja. Drejtshqiptimi i tyre vlen për të dëshiruar. Përse?

     Për mua janë disa arsye. Njëra nga këto arsye është se, vuajnë nga komplekse inferioriteti, kanë ndonjë mani për të përdorur shumë fjalë të huaja për tu dukur të kulturuara, apo bashkëkohorë dhe të tjerë nga mosnjohja e mirë e gjuhës shqipe, pakujdesia, mungesa e një kulture të mirëfilltë gjuhësore.  Po ashtu mos vlerësimi i përdorimit të një gjuhe të stabilizuar.  Rregullat dihen, veprat ekzistojnë, secili mund të njihet. Pra janë ato që përmenda më sipër.

     Problem po kaq i madh është dhe mospërdorimi i unifikuar i shkresave zyrtare nga administrata shtetërore. Çdo Ministri ka tipin e saj të përdorimit të shkresave, por që për më tej, është më e keqja e madhe, mospërdorimi i “ë”-së në shkresat zyrtare. Mendimi juaj?

     Kjo në mënyrë direkte është përgjegjësi e këtyre institucioneve, sepse  rregullat drejtshkrimore janë të qarta, mjafton të kihet mbi tavolinë Fjalori Drejtshkrimor, i Gjuhës  Shqipe, apo një fjalor normativ i shqipes, por mungon me sa duket një redaktor gjuhësor në këto Institucione dhe, mungon  edhe një ligj që t’i detyrojë këto institucione,  të  zbatojnë normën drejtshkrimore. Prej gati 8- vjetësh një Projektligj i propozuar nga  Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë fle  në sirtarët e Kuvendit, edhe nuk  miratohet. Ishte një projekt për  mbrojtjen e gjuhës shqipe, në bazë të së drejtës Kushtetuese, për  mbrojtjen e shqipes, pasi dihet se në Kushtetutë ka një ligj të veçantë, në bazë të të cilit shteti, është  i detyruar të mbrojë gjuhën shqipe në  të gjitha përdorimet e saj publike.

     Nga vjen kjo harresë e Kuvendit për një problem kaq madhor?

     Po si shumë gjëra të tjera të rëndësishme, edhe për këtë Projektligj, Kuvendi s’e ka vënë ujët në zjarr dhe pse këtu flitet për gjuhën, për një problem kaq madhor. Ne i kemi të gjitha rregullat të përcaktuara ndaj gjuhës, por problemi është që Institucionet, mediapërdorueset e shqipes,  nuk i respektojnë këto  rregulla, ndaj sipas mendimit tim, detyra kryesore e shoqërisë sonë, por në radhë të parë e shtetit, është zbatimi i normës drejtshkrimore. Zbatimi i asaj që quhet disiplina gjuhësore  e shtetit që do të thotë, zbatimi i normës në administratë në shkollë, në media, në përdorimet publike të shqipes.

     Edhe në drejtim të teksteve shkollore vitin e kaluar ka pasur debate për shumë gabime ortografike…

    Në radhë të parë duhet të ngulim këmbë në hartimin e teksteve shkollore me shumë kujdes. E theksoj këtë. Përdorimi i normës gjuhësore, drejtshkrimore nis pikërisht këtu. Është tejet e pafalshme që në tekstet shkollore  të mos jenë në përputhje të plotë me normën drejtshkrimore me kërkesat e një kulture të ngritur gjuhësore. Kjo nuk do asnjë koment.