Akademik Xhevat Lloshi/Në hullinë e fjalorëve të shqipes me greqishten

766
Sigal

ESSE/ Pas Pavarësisë, orientimi i një pjese të intelektualëve shqiptarë drejt kulturës greke shkoi duke rënë

 Fillimet e leksikografisë së shqipes

Është e natyrshme që në fillimet e leksikografisë së shqipes janë shfaqur fjalorët dygjuhësh me latinishten dhe greqishten, domethënë me dy gjuhët, që përfaqësonin dy kulturat e mëdha të Europës prej kohëve të antikitetit. Frang Bardhi bëri një vepërz latinisht-shqip, kurse T. Kavalioti një fjalorth greqisht-arumanisht-shqip më 1770. Kam shkruar tashmë dy herë hollësisht për këtë të fundit (më 1997 dhe më 2006) dhe për libërthin e Dhanil Voskopojarit të vitit 1802, prandaj nuk do t’i përmend këtu. Gjithsesi, me afër 1200 fjalët e tij Kavalioti është në fillimet e ballkanologjisë, ndërsa puna e tij bën pjesë në orientimin për ta kthyer fytyrën drejt kulturës greke. Edhe më e dukshme bëhet kjo te Dhanil Voskopojari, që u bënte haptas thirrje shqiptarëve të bëheshin helenë dhe të braktisnin gjuhën e zakonet e tyre, të cilat vijonin të shiheshin si “barbare” edhe pas më shumë se dy mijëvjeçarësh në vlerësimin e një adhuruesi të përulur përpara shkëlqimit të kulturës së lashtë greke.

Ka edhe një vazhdë dorëshkrimesh të mbetura pa u botuar, që sigurisht kanë interes historik për kohën e tyre, por nuk kanë luajtur rol për bashkëkohësit ose nuk kanë ndikuar në rrjedhën e shqipes së shkruar. Vjen i pari dorëshkrimi i Kostë Beratit, i cili me sa duket ka marrë një pjesë fjalësh greqisht-shqip nga Kavalioti dhe e ka plotësuar më tej. Në Arkivin Qendror të Shtetit ruhet prej mjekut Jani Vaja një dorëshkrim tjetër latinisht-greqisht-shqip, ku tashmë pjesa shqipe prej rreth 1000 fjalësh është me shkronja latine, sepse i përket vitit 1860.

 Dorëshkrimi i Marko Boçarit

Nuk është fjalor dorëshkrimi i Marko Boçarit i vitit 1809. Ai është një përpjekje e konsullit francez, Fransua Pukëvilit, për të mbledhur lëndë leksikore shqipe te familja e njohur e Boçarëve në Korfuz. Përsëri kjo dëshmi ka interes për historinë e leksikut të shqipes, por nuk ka pasur ndonjë rol praktik, sepse dorëshkrimin e mori me vete Pukëvili, e dorëzoi në Bibliotekën Kombëtare në Paris dhe vetëm shumë vjet më vonë u gjet dhe është ribotuar disa herë; sidomos me vlerë është botimi i bërë nga Titos Johalasi më 1980. Një dorëshkrim të gjerë prej 1200 faqesh greqisht-shqip pati lënë Panajot Kupitori. Duke dashur të tregonte se edhe shqipja ka një pasuri të ngjashme me greqishten, ai ka sajuar një numër të madh neologjizmash, madje duke përfshirë edhe në pjesën e fjalëve greke mjaft gjëra, që edhe për greqishten nuk ishin njësi të zakonshme të gjuhës. Tashmë lënda e tij mund të shihet në botimin e bërë nga Niko Stylosi më 2011, por pa qëndrim kritik shkencor.

Pavarësisht nga natyra e ndryshme e dorëshkrimit të Kupitorit kundrejt fjalësit të botuar nga Thimi Mitkoja te “Bleta shqiptare” dhe Fjalorit të gjuhës shqipe të K. Kristoforidhit, që mbeti dorëshkrim afër dyzet vjet, është i përbashkët qëndrimi ndaj greqishtes si mjet për të mbështetur shqipen, domethënë një qasje e kundërt me atë të Kavaliotit dhe Dhanilit, por pa u larguar nga vlerësimi i lartë i greqishtes, i lidhur me shkëlqimin e saj të dikurshëm. Dhori Qirjazi në Selanik është duke përgatitur botimin e dorëshkrimit të Fjalorit shqip-greqisht të Mitkos, i cili pa dyshim do të jetë një pasurim i vlefshëm i leksikografisë sonë.

Së fundi, ndeshen fjalortha si shtojca të librave, ku dalin fjalë që kanë nevojë për t’u kuptuar drejt në ballafaqim me fjalët e greqishtes. Pas Mitkos, këtë e kemi te “Libri i shërbesave të shenjta” të Fan Nolit më 1909 dhe te “Mallkimi i shkronjave shqipe” i P. N. Luarasit më 1911. Kjo është praktikë e zakonshme edhe në librat mësimorë për greqishten, e sidomos në të gjitha studimet e çmueshme dialektore për arvanitasit, të bëra prej disa gjuhëtarësh të huaj, si dhe për huazimet e ndërsjella.

 Pas pavarësisë së Shqipërisë

Pas pavarësisë së Shqipërisë orientimi i një pjese të intelektualëve shqiptarë drejt kulturës greke shkoi duke rënë dhe sidomos pati një ndërgjegjësim, se nuk mund të identifikohej greqishtja e sotme me greqishten klasike. Në këtë mënyrë hyjmë në një etapë tjetër, kur greqishtja thjesht renditet krahas gjuhëve të tjera të huaja dhe ka nevojë për fjalorë njësoj si edhe për çdo gjuhë tjetër të huaj. I pari fjalor i tillë është botuar nga Koço Tasi në Athinë më 1928 me 272 faqe. Edhe shqipja nisi të shihej nga Greqia si një ndër gjuhët e huaja. Këtë e dëshmon Fjalori shqip-greqisht i botuar nga Nikolaos Tsetes në Athinë më 1959 me 235 fjalë, por nuk kam pasur rastin ta shqyrtoj së afërmi.

Me mbarimin e  Luftës II Botërore ndodhi një ndryshim rrënjësor. Pas dy shekujsh të përhapjes intensive të shkollave greke në trevat shqiptare, me qëllim helenizimin kulturor të shqiptarëve, tashmë shkollat në gjuhën greke do të qeveriseshin nga Shqipëria. Dhe këto do të ishin shkolla jo për nxënësit shqiptarë, por për minoritarët grekë, të cilët do të mësonin edhe gjuhën shqipe. Për këto rrethana të reja u botua Fjalori shqip-greqisht i Niko Gjinit nga Shtëpia Botuese e Librit Shkollor më 1971 prej 550 faqesh. Është e vërtetë, që fjalori u kritikua për mjaft të meta, por autori e përmirësoi punën dhe bëri një botim të ri më 1993 nga Universiteti i Janinës me 1100 faqe. I kësaj natyre është edhe Fjalori shqip-greqisht i Vasil Partalit, botuar më 1986 në Gjirokastër. Ndonëse përmban rreth 5000 fjalë, është një punë mjaft e mirë, sepse autori kishte mbaruar degën e gjuhës ruse dhe e njihte mirë leksikografinë e re.

 Një etapë e re

Një etapë e re u hap pas vitit 1991, sërish për shkaqe madhore jashtëgjuhësore. Në fillim Greqia u bë drejtimi kryesor i mërgimit të shqiptarëve për arsye ekonomike. Këta qindra mijëra njerëz kishin nevojë për fjalorë që t’u përgjigjeshin kërkesave të jetës së tyre dhe nuk njihnin asgjë nga gjendja gjuhësore e Greqisë dhe aq më pak nga e kaluara e kësaj gjuhe. Mund të them se kështu nisi edhe vërshimi i fjalorëve të shqipes me këtë gjuhë. I pari fjalor i tillë është një vepër e vogël prej 200 faqesh Fjalor shqip-greqisht me autorë Kristofor Noçkën dhe Spiro Filon, i botuar më 1993, i cili shënon se është me shkronja latine, pra pikërisht për emigrantët që as alfabetin e greqishtes nuk e njihnin në fillim.

Më 1989 Odisea Dhimogjenisi botoi në Janinë një Fjalor greqisht-shqip me 274 faqe, pikërisht në atë që quhet format xhepi, siç u duhet të mërguarve, dhe e ka ribotuar më 1992. Në një fushë të vërtetë e ka shndërruar këtë drejtim leksikografik Konstantinos G. Papaphiles në Athinë me botuesin Mihali Sidhiri. Ai ka nxjerrë Fjalorin greqisht-shqip më 1997 në Athinë me 20 mijë fjalë dhe 489 faqe, ribotuar më 2004 në Athinë; pastaj shqip-greqisht me 940 faqe, si edhe greqisht-shqip e shqip-greqisht me 1207 faqe, Dialogë greqisht-shqip dhe shqip-greqisht, madje edhe një Gramatikë të shqipes. Për ta mbyllur me këtë paraqitje, po përmend edhe Fjalorin greqisht-shqip të Lavdimir Markut me rreth 40.000 fjalë prej 878 faqesh, botuar nga Infobotues.

Në këtë hulli doli më 2001 Fjalori greqisht shqip i Hysen Sinanit me shqiptim. Rreth 20.000 fjalë, me shpjegime, sinonime e frazeologji. Emra të përveçëm dhe gjeografikë. Tabela gramatikore. Shtëpia Botuese Artemida, 364 faqe. Ishte pa dyshim më i përpiktë dhe më praktik sesa paraardhësit e tij, ndonëse në të vërtetë shpjegime, sinonime dhe frazeologji, siç i njoftonte që në kopertinë, nuk i përmbante. Tirazhi ka qenë shumë i madh, por kjo nuk e pengoi autorin ta vijonte punën me këmbëngulje dhe ja tek kemi tashti, dhjetë vjet më pas një libër të ri:

 Fjalor i greqishtes së re, greqisht-shqip

Fjalor i greqishtes së re, greqisht-shqip. Bashkëkohor, frazeologjik, me sinonime dhe antonime. Shtëpia Botuese është Vvest Print dhe ka 730 faqe. Shoqërohet me një Shtojcë gramatikore të shkurtër. Vetë autori Hysen Sinanit shënon se e tejkalon punën e parë, sidomos sepse është mbështetur në vepra themelore të reja si për greqishten, ashtu edhe për shqipen, e sidomos në fjalorët e sotëm dygjuhësh. Heqja e shqiptimit të fjalëve greke dëshmon se nuk jemi më në hapat e parë të refugjatëve shqiptarë, por të njerëzve që dinë shumë më tepër dhe kanë nevoja më të ngritura. Mund të them se më në fund kemi një fjalor të mirëfilltë dygjuhësh, i cili u shërben jo thjesht nevojave të një njeriu për jetën e përditshme, por edhe një horizonti të tij më të gjerë, rrjedhimisht u drejtohet përdoruesve që nga studentët e fakulteteve e deri përkthyesve.

Nga një llogaritje e përafërt më del se përmban rreth 28.000 fjalë. Prej krahasimit me një fjalor të fundit, siç është Fjalori i greqishtes së re koine, të botuar nga Instituti i Studimeve të Greqishtes së Re në Universitetin Aristoteli të Selanikut më 1998 (1521 faqe), shoh se te H. Sinani nuk janë përfshirë mjaft fjalë të prejardhura, por duke qenë fjala që përmban temën themelore, ato mund të kuptohen me lehtësi. Në këtë vështrim, shifra e mësipërme nuk përfaqëson potencialin që përmban ky fjalor për t’u orientuar në greqishten e sotme. Po jap disa shembuj të fjalëve që nuk janë përfshirë. Meqë është alesi për blojën, bluarjen, nuk janë vënë  alesia,  alesma si të gjuhës popullore që kuptohen vetvetiu, e po ashtu: alestiri, alestikos, alestos, aletria. Madje më habit që H. Sinani ka aletrizo, Kupitori e kishte aletriazo, ndërsa nuk e ndesha në fjalorin e greqishtes. Po kështu, pasi është dhënë fjala për miellin alevri, kuptohen qartë kompozitat alevrviomihania, alevroviomihanos, alevromilos, alevropiia, alevrouhas, alevroma.

Autori është përpjekur sidomos të përfshijë fjalët e kohës sonë, për të cilat ndonjëherë nuk e ka gjetur të gatshëm përkthimin në fjalorët tanë dygjuhësh, duke sjellë në këtë mënyrë një ndihmesë për njohjen e leksikut aktiv të shqipes së sotme, pavarësisht nga përfshirja ose jo nëpër fjalorë. Më ka bërë përshtypje fjala ale-retour, që është një huazim prej frëngjishtes në greqishten, të cilën madje edhe në stacionet e trenit në Greqi nuk e kam ndeshur të shkruar, sepse përdoret një fjalë e gjuhës së folur epistrofi për biletat vajtje-ardhje.

Po sidomos ky fjalor ka përfshirë një pasuri të gjerë të thënieve dhe të shprehjeve, sepse të themi të drejtën, pikërisht këto i nevojiten më shumë si një njeriu të zakonshëm, ashtu edhe një përkthyesi. Për ta dëshmuar këtë po marr fjalën pigeno. Në vitin 2001 Hysen Sinani kishte vetëm kaq: shkoj; shkoj diku; shpie, dërgoj; kur e kapën, e dërguan në burg. Tashmë më 2012 kemi një përpunim të gjerë të fjalës si në fjalorët bashkëkohorë dygjuhësh dhe jepen këto përkthime shqip sipas radhës së kuptimeve: shkoj; shkoj në punë me autobus; mendja më shkoi tek e keqja; është koha për të ikur; ikën tashmë vitet e bukura! Ikën paratë, i humbi në bixhoz; si shkon shëndeti, shkolla? Ora jote shkon tre minuta prapa; shpie; të të shpie deri te stacioni? Shpie dikë në polici, në gjyq; shkoi për lesh dhe doli i qethur; desh vdiqa; nuk të shkojnë flokët e shkurtër; këpucët e zeza shkojnë me të gjitha rrobat; sa shkon (kushton) kjo xhaketë?; a nuk shkon të mbytet (të thyejë qafën).

Besoj se nuk ka nevojë të shtjellohen të gjitha imtësitë e tjera të punës leksikografike dhe shembujt e mësipërm mjaftojnë për të thënë diçka më të përgjithshme.

 Leksikografia bashkëkohore

Fjalori i ri i Hysen Sinanit është në nivelin e leksikografisë bashkëkohore. Ai është më i mirë si nivel shkencor kundrejt fjalorëve të tjerë të shqipes me greqishten dhe sidomos më i përpiktë, më i ngjeshur me lëndë, rrjedhimisht më i vlefshëm për përdoruesin e gjerë. Edhe si libër është shtypur për bukuri dhe mund të qëndrojë me dinjitet krahas fjalorëve për gjuhët e tjera. Madje autori na premton se nuk do të heqë dorë nga kjo punë dhe do ta vijojë pasurimin. Tashmë nuk ka dyshim se ai mund të shkojë drejt arritjeve më të mëdha, sepse me këtë botim e ka provuar që e ka jo vetëm këmbënguljen e durimin karakteristik të hartuesve të fjalorëve, por edhe horizontin e nivelin e nevojshëm për kësi sipërmarrjesh. Me këtë ai jep ndihmesë edhe për studimet e shumanshme në këtë fushë, sepse tashti po përgatiten breza të rinj kërkuesish, të cilët do të na japin prurje të reja për marrëdhëniet shqiptare-greke.

Për t’i dëshmuar këto të fundit, më lejoni të përmend dy gjëra, që duken mjaft larg njëra nga tjetra. Së pari, nga Lezha është përfshirë në internet një Fjalor shqip-greqisht dhe greqisht-shqip online me rreth 50 mijë fjalë dhe me mbi 200.000 ilustrime për t’i shërbyer përkthimit automatik. Ndërsa më 2007 Shoqëria Biblike  në Tiranë ka botuar një Fjalor greqisht-shqip të Dhiatës së re. Këto dy fakte tregojnë qartë, sesa e gjerë është kërkesa për fjalorë të mirë të shqipes me greqishten në ditët tona. Puna e Hysen Sinanit me vlerat e saj është një ndihmesë e mirëfilltë praktike dhe shkencore në këtë fushë dhe prandaj e urojmë për librin e ri dhe për suksese në të ardhmen.

Sot Prof. Xhevat Lloshi mbush 75 vjeç

Një nga personalitetet më të shquara të gjuhësisë shqiptare, Prof. Xhevat Lloshi sot ka ditëlindjen, mbush 75 vjeç. Profesor doktor Xhevat Lloshi është një nga gjuhëtarët më në zë të shkencës shqiptare të albanologjisë, i shquar në veçanti në fushën e leksikologjisë dhe të leksikografisë. Ai është diplomuar në degën e gjuhës dhe letërsisë ruse në Universitetin e Tiranës. Duke qenë i pasionuar pas gjuhëve të huaja,  ka përvetësuar disa gjuhë dhe sot ai flet e shkruan në gjuhët anglisht, italisht, rusisht, frëngjisht, serbisht. Kjo prirje nga gjuhët e çoi atë me detyrën e punonjësit shkencor  në Sektorin e Leksikografisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Akademia e Shkencave, Tiranë (1961-1980). Në këtë Sektor të leksikologjisë Xhevat  Lloshi punoi për hartimin e fjalorëve dhe për trashëgiminë arkivore të thesareve gjuhësore të shqipes. Zbulimi arkivor e drejtoi nga vepra e Kristoforidhit, për të cilin shkroi shumë artikuj e më pas botoi librin “Kristoforidhi përmes dokumentimit”, (2005), si dhe veprën “Rreth alfabetit të shqipes” (2008) etj. Interesimi për stilin e ka shtyrë të shkruajë shumë shkrime me karakter praktik e shkencor në shtypin letrar. Më 1977 botoi dhe librin “Gjuha, stili dhe redaktimi në shtyp”. Fusha kryesore studimore e Xhevat Lloshit mbeti leksikologjia e leksikografia: ka qenë bashkautor dhe redaktor i  “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” (1980) dhe i “Fjalorit frazeologjik ballkanik në pesë gjuhë” (1999). Më 1985 mori gradën doktor i shkencave me temën e disertacionit “Analiza stilistike e leksikut të shqipes”. Më 1998 mori titullin Drejtues kërkimesh. Si drejtor i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare në vitet  1982-1999, ka organizuar punën për “Fjalorin Enciklopedik shqiptar” (1985), ka qenë dhe redaktor përgjegjës i veprës. Pa treguar ndonjë zell të veçantë politik, në fillimet e pluralizmit politik mbështeti ndryshimet demokratike në vend. Në vitet 1992- 1996 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Një vend të veçantë në shqetësimet e  tij shkencore ka zënë dhe gjuha standarde shqipe, së cilës i ka kushtuar librat, “Mbështetje për gjuhën letrare” (1997) dhe “Si të shkruajmë shqip” (2010). Xhevat Lloshi edhe sot vazhdon të sjellë vit pas viti vepra me vlerë shkencore dhe të jetë përfaqësues i shkencës shqiptare albanologjike në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndër veprat e tij të fundit është dhe “Fjalori i emrave të bimëve dhe të kafshëve latinisht-shqip, shqip-latinisht” (2010). Ai është bashkautor e redaktor dhe i shumë veprave të tjera gjuhësore e leksikografike. Si përkthyes ka mbi 30 botime. Prof. Xhevat Lloshi është një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e rregullt të gazetës sonë. Shkrimet e tij në faqet e gazetës sonë janë pritur gjithnjë me interesim të veçantë për thellësinë e mendimit dhe argumentimin shkencor, sidomos ato që kanë të bëjnë me standardin e shqipes standarde dhe mbrojtjen e tij. Me këtë rast, redaksia e gazetës “Telegraf” në emër të lexuesve i uron Prof. Xhevatit jetë të gjatë dhe sa më të begatë në favor të shqipes!