Akademik Bardhyl Golemi/ Mësime që duhen nxjerrë nga disa paradokse të Reformës në Akademinë e Shkencave

    527
    Sigal

    Për Akademinë e Shkencave duhet menduar seriozisht, veçanërisht kryesia, e cila me angazhime dhe mendime të reja, ka detyrimin që ta nxjerri atë nga ngërçi që e ka kapluar

    1.Një parashtresë e shkurtër e problemit

    Më parë na duket e nevojshme të shprehim besimin se në programin e Qeverisë së re, edhe pse nuk kemi gjetur shprehje eksplicite për organizimin dhe drejtimin e shkencës, ajo si  komponente e rëndësishme e zhvillimit, do të ketë mbështetje të gjithanshme, mbi nivelet e deritanishme. Nuk ka si të jetë ndryshe! Është koha që punët të bëhen sa më mirë, aq më tepër kur flitet për shkencën, për Akademinë, në suazën e një Rilindjeje, që pa asnjë dyshim ato duhet t’i ketë si pjesë përbërëse themelore. Është një fakt i njohur se, Akademia e Shkencave edhe në kushte të reja të pasreformimit, ka bërë përpjekje për rezultate, edhe pse ato jo gjithnjë janë ndjerë. Ato janë paraqitur në shkrime dhe aktivitete të ndryshme nga drejtues të vetë Akademisë, pa zënë pozitën e nihilistit, ato aq sa janë, i përshëndesim pa hyrë në analizën e tyre, sepse nuk është as detyra, as vendi dhe as kompetenca jonë, jeta edhe me rrjedhën natyrale të saj ka prurje të kufizuara për shkencën, por zhvillimi ka pretendime shumë të mëdha ndaj saj, ndaj ajo duhet të mbështetet më mirë. Zgjedhjet e bëra së fundi në Akademi për kryesinë e re brenda kryesisë së vjetër (!) duken në thelb si një  “rokadë mbrojtëse”. Ato edhe pse nga ana formale duken të rregullta, kanë lenë një shije jo të mirë. Për Akademinë e Shkencave duhet menduar seriozisht, veçanërisht kryesia, e cila me angazhime dhe mendime të reja, ka detyrimin që ta nxjerri atë nga ngërçi që e ka kapluar. Le ta shpresojmë një gjë të tillë!

    2. Konsiderata të përgjithshme dhe paradokse

    Një vështrim i shpejtë, panoramik dhe retrospektiv i problemit, na jep mundësinë të vëmë në dukje disa konsiderata  dhe paradokse.

    -Kujtojmë se prereforma në Akademinë e Shkencave, në nivelin e konsideratave të saj, anonçoi pretendime, vlera dhe përparësi të shumta, por “filozofia” e reformës në përgjithësi ishte e papërpunuar mirë, ajo në mjaft raste kishte referenca të mbështetura mbi slogane kompilative dhe libreske të huazuara nga literatura e huaj dhe pa asnjë referencë nga përvoja e Akademisë ekzistuese; në mjaft raste të tjera kishte etiketime, denigrime, baltosje të punës e të njerëzve. Kjo ishte pjesa më e papëlqyeshme e saj! Ajo nuk shtroi detyrën e forcimit, e të mbështetjes së gjithanshme të Akademisë, që të ngrihej në vendin e merituar të një Akademie, por u udhëhoq nga paragjykime të hershme të një mendimi dhe qëndrimi të padrejtë, të kalçifikuar prej vitesh, me një nihilizëm të papërmbajtshëm për Akademinë që mund të lexohej edhe si «Akademifobi».

    3. Prologu i reformës, konsiderata dhe paradokse të para

    Reforma e ndërmarrë u konceptua dhe u implementua në nivelet më të larta politike e shtetërore, nga zoti Berisha, Rusmaili, Tafaj etj., dhe për rrjedhojë prologu i saj kishte ngjyrime të theksuara politike. Ajo ishte një trysni e rëndë për Akademinë e Shkencave, që e futi mendimin në brazdën ekstraakademike si zgjidhje të detyruar, në një kohë që në krahun tjetër, është folur gjatë për lirinë Akademike. Pra që këtej burojnë mjaft paradokse të reformës.

    Gjatë këtyre viteve implementimi i saj konfirmoi mjaft prej rezervave fillestare të parashtruara, në mënyre të përsëritur me argumente, me insistim si në Mbledhje të Asamblesë ashtu dhe në diskutime e shkrime të posaçme e të shumta të problemeve. Veprimi akademik ishte mjaft i fuqishëm, por pa asnjë rezultat. Për fat të keq, kjo i dha jetë filozofisë së gabuar «Mos fol atje ku nuk të dëgjojnë», që në heshtje shpesh herë karakterizoi kohën, për rrjedhojë mendimi i servirur, mbeti i pandryshuar në nivelin e konceptimit fillestar ekstraakademik, në një ngërç të vërtetë. Ai u shoqëruar nga mjaft paradokse të rëndësishme. Le të përmendim disa prej tyre:

    -Akademia e Shkencave, u paragjykua “fort” se nuk ishte e përshtatshme për vendin, se kishte mjaft të meta e dobësi etj. Pa polemizuar për të metat që ajo realisht kishte, duke i pranuar si të mirëqena, detyra duhet të shtrohej në forcimin e saj në të gjitha planet dhe jo në amputizimin e saj tepër të rëndë, në invalidizimin e saj shkencor, praktikisht ne reduktimin e funksioneve dhe vlerave te saj. Ky ishte paradoksi i parë nga ku buruan dhe shumë të tjerë.

    -Ajo u etiketua politikisht rëndshëm si një Akademi e modelit “sovjetik” edhe pse themeluesit e saj ishin me kulturë dhe formim perëndimor edhe pse shumë të tjerë vazhduan arsimimin në vendet perëndimore. Ky ishte trajtimi më paradoksal. Nga ana tjetër, dihet që shkenca ruse gjatë viteve ka qenë në nivele të larta dhe ka bërë emër. Nuk do të ishte keq, po qe se ne do të kishim një nivel qoftë edhe të ulët të saj.

    4. Paradokse të tjera.

    Reforma në shkencë nuk u ngrit në nivelin e një reforme të vërtetë, në përmbajtje, në cilësi, në prodhim, në shtrirje, në seriozitet etj., ajo mbeti në nivelin e një reforme kryesisht  administrative të pastër. Rezultat i menjëhershëm i saj: institute dhe sektorë u suprimuan, u reduktuan në numër, disa u kthyen departamente, u transferuan institutet ekzistuese, të gjitha u shkëputën nga Akademia, disa u atashuan në Universitet me logjiken se kështu automatikisht shkenca do të integrohej me mësimin.

    Dihet se këtë problem e zgjidh pedagogu i kualifikuar, në mënyrë krejtësisht të natyrshme me punën e tij në auditor dhe jo masat administrative të problemit. Kjo është tepër elementare për ta kuptuar. Mirëpo ky ishte argumenti themelor dhe parimor, që nga Akademia e shkencave u hoqën disa institute dhe që i kaluan Shkollës së Lartë.

    Akademisë ju hoqën të 14 institutet dhe qendrat studimore, pra thuajse ju hoq funksioni prodhues i shkencës, ju hoq palca e kolonës së saj vertebrale. Asaj iu dha funksioni honorifik ndërkohë që prodhimi shkencor në sasi dhe në cilësi nuk mund të përligjte cilësimin honorifik. Ky “mantel” honorifik, nuk mbështillte një akademi të vërtetë.

    Sot,  Akademia e shkencave nënkupton në mënyrë solemne Asamblenë e saj që mblidhet rrallë, kryesinë, seksionet që duhet të menaxhojnë prodhimin shkencor tepër të reduktuar të tyre dhe të anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve, të organizojnë aktivitete të reduktuara shkencore dhe honorifike, nënkupton administratën e saj tepër të kufizuar etj., bile me mbështetje financiare, të papërfillshme jo vetëm tani kur problemet e krizës ekonomike kanë reflektimin e tyre por edhe më herët. Kemi të bëjmë me një Akademi jashtë funksioneve dhe të rolit të saj dhe po të lihet në këtë gjendje nuk duhet të çuditemi nga ndonjë mendim ekstrem për ta eliminuar atë në vend që të mendohet për rivitalizimin e saj. Kjo do të ishte çudia e madhe shqiptare! Zyrtarisht u tha dhe u shkrua se reformimi administrativ do të përvijohej me reformimin edhe në të gjitha planet e tjera, gjë që nuk u bë dhe praktikisht reforma mbeti në mes të rrugës.

     Na duket e rëndësishme të vëmë në dukje se:

    Implementimi i saj nuk u ndoq me kujdes e përparësi nga specialistë, nga autorët e reformës, në një proces aktiv dhe me një shtrirje kohore të gjatë. Implementimi administrativ i saj u quajt përmbyllje e reformës, ndërsa këtu duhej të fillonte faza tjetër shumë e rëndësishme e  reformës, procesi i «lidhjes së kundërt, i iteracionit të zgjidhjeve, i retroaksionit apo feedback-ut» siç e quajnë ndryshe dhe që është pjesë përbërëse e vetë reformës. Goditja e parë nuk bie asnjëherë në shenjë, duhen goditje të tjera të mbikëqyrura, të  korrigjuara për të arritur në shenjë. Autorët e reformës mbetën të kënaqur në mënyre të parakohshme vetëm me realizimin administrativ të saj. Tjetër paradoks! 

    Edhe pse në mjediset e Akademisë mendimi ishte thuajse unanim, edhe pse në favor të saj u shprehen edhe ekspertë të disa akademive të huaja, ai u fut në brazdën e paragjykuar prej kohesh, Akademia u shpërbë. Ky ishte paradoksi dhe dëmtimi më i madh i saj.

    Grupi i punës i aktivizuar për t’i dhenë formë dhe mbështetje problemit, me një përbërje jashtë akademike, që nuk kishte punuar në akademi, me kontribute tepër modeste në shkencë, që realisht drejtohej nga figura të larta politike e injoroji tërësisht mendimin e akademisë, shkrimet e shumta të anëtarëve te saj, apo sugjerimet e ekspertëve të huaj dhe i dha jetë paragjykimeve; i lexoi ato jo me syzet e veta, por me syzet e të tjerëve, me syzet partiake ndaj pati deformime dhe pasoja. Ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte.

    Sot, Akademia e Shkencave ka një konceptim jashtë realitetit, është një institucion shkencor  pa institute shkencore, pa njerëz që merren me shkencë dhe që prodhojnë shkencë, pa mjete financiare, me hapësira tepër të kufizuara të kërkimit dhe veprimit shkencor, me një rol praktikisht të papërfillshëm në detyrat e veçanta që duhet të ketë një Akademi e Shkencave në shkallë kombëtare etj!

    Dikur në Akademinë e parë ka patur kritika të drejta se, shkencat natyrore e teknike, tepër të rëndësishme për prodhimin, nuk ishin në vendin e duhur. Tani ato jo vetëm nuk përfshihen në Akademi, por edhe në institutet përkatëse  që mendohet se duhet të ushtrojnë veprimtarinë e tyre ka një tërësi heterogjene dhe anemike me ndikime të papërfillshme në jetën e vendit. Në rastin më të mire ato janë vetëm «siluetat e instituteve të dikurshme». Dikur përfshirja e tyre në Akademi, nxiste mendimin dhe shembullin akademik për angazhime dhe kontribute.

    Puna e sotme e Akademisë, e kufizuar në projekte të veçanta fitimprurëse, me natyre menaxheriale, në botime relativisht të pakta etj. nuk e përligj si duhet një Akademi të Shkencave. Asaj i duhet edhe një shtytje tepër e vogël që ajo të asfiksohet tërësisht. Kemi shumë shpresa se kjo nuk do të ndodhi dhe Akademia e Shkencave do të rivitalizohet shpejt dhe ndjeshëm. Ky është urimi dhe dëshira e shumë shqiptarëve, njerëzve të arsimit dhe të shkencës. Është një postulat i njohur që gjerat ngrihen në këmbë me zor dhe prishen me lehtësinë më të madhe. Kjo ndodhi edhe me Akademinë e Shkencave, e cila duhet ndihmuar për të dalë sa më shpejt nga reanimacioni që po kalon. Le të shpresojmë se gjërat do të bëhen më mire.

     5. Një konsideratë udhërrëfyese e Akademisë

    Akademia e shkencave nuk mund të qëndrojë në periferi të drejtimit shkencor e të shkencës në shkallë kombëtare. Ajo duhet ta ketë këtë detyrë parësore dhe të bashkërenduar me të gjitha institucionet e tjera arsimore dhe shkencore ashtu siç bëhet edhe në vende të tjera. Drejtimi shkencor i shkencës, si drejtimi më i vështirë, mbetet kurdoherë drejtimi kryesor i Akademisë. Këtë detyrë mund ta kryejë një Akademi prodhuese e shkencës dhe jo një akademi e deklaruar Honorifike, aq më tepër kur bëhet fjalë për dimensione kombëtare, për të përpunuar politikat shkencore, strategjitë edhe jashtë akademisë. Të bëjmë që Akademia e Shkencave të ngrihet në këtë nivel.

    Akademia, si institucion shkencor i kualifikuar, mbështetet kurdoherë në një infrastrukturë adekuate, në institute dhe organizma shkencore të afta, staf akademik tepër të kualifikuar, në një mbështetje të mirë financiare, në një politikë shkencore kombëtare adekuate dhe mbi të gjitha në një mbështetje të fuqishme nga ana e shtetit. Të gjitha këto në Akademinë e vërtetë dhe jo në atë të sotme, duhet të përbejnë palcën e kolonës së saj vertebrale. E lenë kështu siç është ajo do të karakterizohet nga një degradim i mëtejshëm i saj dhe do të përligjte ndonjë mendim të gabuar për ta zëvendësuar atë me ekuivalentë të tjerë. Ky do te ishte gabim edhe më i rëndë. Pa i siguruar të gjitha këto, Akademia, nuk mund të punojë e përparojë, të mbajmë mirë parasysh që ajo është një transformator i fuqishëm që vlerat njerëzore dhe materiale i transformon në kontribute të shquara shkencore. Këto kanë munguar në mënyrë të ndjeshme. “Nëse hyrja është e papërfillshme, kështu do të ishte dhe dalja”. Ky është thelbi i çdo reforme, ndryshimet strukturore kanë peshë dytësore. Të bëjmë që Akademia e Shkencave bashkë me Universitetin e Tiranes e atë Politeknik të kthehen në institucione pilot për shkencën shqiptare e arsimin e lartë, në modele të vërteta që të frymëzojnë zhvillimin

    6. Një epilog i munguar!

    Reforma nuk pati epilogun e saj, si pjesë përbërëse themelore dhe të përgjegjshme të saj. Nuk u bënë konkluzionet e argumentuara për ndikimin pozitiv të pritshëm të saj në prodhimtarinë dhe cilësinë shkencore, në krahasim me të kaluarën, të certifikuara dhe të konfirmuar jo me retorika e slogane, por faktikisht si bilanc real i punës. Pse organizimi i ri i Akademisë ishte më efektiv dhe më produktiv? (të krahasuar në të gjitha zërat një për një). Kjo duhet të ishte dhe duhet të jetë objekt i analizave të veçanta që të vërtetohej zyrtarisht efektiviteti i reformës. Kjo nuk u bë. Ky ishte paradoksi tjetër. Pra siç shihet reforma ishte e paplotë, me  mangësi konceptuale administrative, materiale, financiare dhe njerëzore, në rastin më të mirë  ishte një eksperiment që na dha një konkluzion të rëndësishëm që vlen edhe për fusha të tjera, si nuk duhen bërë reforma të tilla; ajo nuk do të lërë gjurmë po qe se nuk do të ketë një retroaksin, një përmirësim. Të përmirësosh një reformë nuk mund të etiketohet si «antireformë». Paraprakisht mendojmë se zgjidhja, “pra formatimi i ri” duhet të kërkohet si një alternativë ndërmjet dy zgjidhjeve, “Akademisë së parë dhe Akademisë se dyte”, që përbëjnë dy ekstremet e problemit dhe më pas të ketë mbështetje dhe korrigjime të tjera.