Ahmet Saliaj*/Historia e Jashar Cakranit që “u martua” me lirinë e dha jetën për Shqipërinë

    62

    Më 13 mars 1943 një forcë italiane, prej mëse 1500 trupash, e komanduar nga koloneli Gurido Enriko, së bashku me bandën e kriminelit Isa Toska, marshonin në drejtim të fshatrave Luar, Siqes, Gjinoqar, Marglliç e Ruzhdie. Kishte ditë që në ato anë zhvilloheshin luftime nga “Çeta Plakë e Mallakastrës”, ajo e Skraparit dhe e Myzeqesë, të cilat kishin marrë nën kontroll gjithë rrugën Ballsh-Berat dhe i kishin detyruar italianët të tërhiqeshin në Fier. Për të rivendosur situatën, kolona fashiste po rrëshqiste natën si një gjarpër në terrin e zi. Forcat territoriale, nën drejtimin e Jashar Cakranit, goditën armikun në drejtim të fshatit Ruzhdie. Lufta u ndez shumë e ashpër. Jashari drejtonte e luftonte, duke u dhënë kurajo shokëve. Në një moment kritik, formacioni partizan rrezikohej të binte në rrethim. Jashari sulmoi me granata dore, u hodh në pozicionet armike, i rrëmbeu mitrolozin ushtarit fashist të vrarë dhe vazhdoi sulmin përpara. Shokët shkuan pas tij, armiku u tërhoq, por luftimet po zhvilloheshin të ashpra në të dy krahët ku luftonin çeta e Dervish Hekalit dhe ajo e Zylyftar Veleshnjës. Armiku vuri në veprim artilerinë e rëndë. Në këto çaste Jashari shkëputi kontaktin me armikun duke zënë pozicione më të favorshme. Luftimet rifilluan me ashpërsi edhe më të madhe, kur në krah u shfaqën edhe dy autoblinda. U krijua një situatë shumë e vështirë. Jashari u ngrit në këmbë dhe me thirrjen “para partizanë” u vërsul me guxim mbi fashistët, duke hapur zjarr me mitraloz, por fishekët iu mbaruan. Hodhi granatën e fundit dhe pastaj nxori thikën me të cilën goditi për vdekje një oficer fashist. Në këtë moment, një plumb e goditi dhe ai ra dëshmor për të mbetur i pavdekshëm. Ai ra atje, në Ruzhdie, në një kodër me ullinj, me besimin në fitore, për lirinë e Shqipërisë.

    Kush ishte Jashar Cakrani dhe kontributi që dha për lirinë

    Ai lindi në Cakran të Mallakastrës, më 1911, në një familje me tradita atdhetare-liridashëse. Gjyshi, babai dhe dy xhaxhallarët e tij kishin mbështetur dhe financuar qeverinë e Vlorës, të kryesuar nga Ismail Qemali. Xhaxhai Haredini. ishte pjesëmarrës në kongresin e Lushnjës më 1920, anëtar i qeverisë që doli nga ky kongres dhe i shtabit të mbrojtjes. Jashari ishte me studime në Brindisi të Italisë, por u përjashtua nga shkolla për veprimtari anti-fashiste. Ndërkohë, ai ishte edhe anti-zogist. Ishte pjesëtar aktiv i “organizatës së fshehtë anti-zogiste”, e cila organizoi Kryengritjen e Fierit më 1935, së bashku me Zenel Hekalin, Mustafa Kaçaçin, Hekuran Manekun, Namik Cakranin, Dervish Hekalin, etj.. Jashari ishte në grupin e atentatorëve për eliminimin fizik të gjeneralit Gjilardi në Fier, atentat që shënoi fillimin e parakohshëm të kryengritjes. Shkurt : Jashar Cakrani ishte ndër të rinjtë revolucionarë të asaj kohe, i formuar me ideale patriotike e progresiste. Pas dështimit të kryengritjes së Fierit, fillimisht, u dënua me vdekje, pastaj me burgim të përjetshëm. Në burg u njoh me Asim Vokshin e shumë revolucionarë të tjerë. Kur Shqipëria u pushtua nga fashizmi, Jashar Cakrani, i bënte thirrje rinisë dhe popullit: “Blini sa më shumë armë se do të na duhen për luftë kundër pushtuesit”! U njoh, rastësisht me Memo Meton, i cili në atë kohë punonte në Levan të Fierit. Ata u bënë shokë idealesh për luftë kundër fashizmit dhe lirinë e popullit. Duke rënë në kontakt me shokët Myzafer Trebeshina, Rauf Nallbani, Llazi Suku e Myqerem Fuga, u informua për krijimin e PKSH-së dhe u njoh me programin e saj, të cilin e përqafoi plotësisht, ashtu sikurse u solidarizua edhe me vendimet e Konferencës së Pezës të 16 shtatorit të vitit 1942. Dhe jo vetëm me fjalë…Jashari, filloi konkretisht nga organizimi, duke krijuar çetën territoriale nacionaliste të fshatit Cakran e duke ia nisur luftën armikut fashist italian dhe bashkëpunëtorëve të tij Isa Toska e Halil Alia. Mësuesi dëshmor dhe poet Jani Dode shkruan : “Jashar Cakrani u martua” me lirinë dhe dha jetën për Shqipërinë ! Ndërsa në proklamatën e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, me rastin e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm, që shënon edhe krijimin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare ndër të tjera thuhej se: “Figura të larta si: Qemal Stafa, Perlat Rexhepi, Vojo Kushi, Jashar Cakrani, etj., do të mbeten të pavdekshëm në shpirtin e popullit shqiptar, do të shkruhen me shkronja zjarri të pashuar në historinë e Shqipërisë. Emrat e tyre që sot frymëzojnë tërë një komb, do të gjëmojnë si një kushtrim i madh për liri e për popullin në kohët e nesërme…” ! Për Jashar Cakranin populli thuri këngë, poetët shkruan vargje, të cilat kur i lexojmë apo i dëgjojmë, na emocionojnë thellë në shpirt edhe sot pas 70 vjetësh nga dita e rënies dhe do të vazhdojnë të emocionojnë e frymëzojnë edhe brezat e ardhshëm.

    Kryetar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, njësia 7, Tiranë