Ahmet Saliaj*/ 70- vjetori i betejës së Margëlliçit, ku ranë në fushën e luftës 14 luftëtarë

    566
    Sigal

    Ranë për atdhe:Mustafa Matohiti, Meleq Gosnishti, Dino Kalenja, Lefer Talo, Damin Kora, Lutfi Tolari, Jarulla Papa, Ndreko Zhaka, Abedin Shkëmbi, Sabri Myslymi, Ibrahim Zeneli, e italiani Nikela Tareli

    Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare njeh shumë beteja të mëdha e të lavdishme, njëra prej tyre është ajo e kalasë së Margëlliçit, e cila u finalizua më 29 mars 1944. Kjo betejë është dhe mbetet e tillë sepse, ndoshta për herë të parë kemi të bëjmë me elementë të shumtë e të plotë të një lufte frontale. Në një vijë 20 kilometra gjatësi, që kapte nga Mali i Cakranit deri në kalanë e Margëlliçit, u grumbulluan batalionet e Grupit të Tretë të Mallakastrës dhe një batalion i Brigadës së Gjashtë sulmuese dhe u përballën për tri ditë dhe net me forca të shumta gjermano-balliste. Të dislokuara në pozicione luftarake, të mbuluara nga qendra dominuese zjarri, në këto tri ditë luftimesh u përdorën mjetet e motorizuara dhe artileria, u shfrytëzua terreni dhe koha, zbulimi dhe prita, mësymja dhe kundërmësymja; nga luftimet në distance u kalua në përleshje trup me trup. Beteja e Margëlliçit erdhi si rezultat logjik i veprimeve luftarake partizane në etapën e dytë të operacionit të dimrit 1943-1944. Në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit 1944, formacionet partizane të Grupit të Tretë Mallakastër të inkuadruar në tre batalione nisën mësymjen kundër forcave gjermano-balliste, të cilat kishin masakruar popullin dhe i kishin vënë zjarrin krahinës heroike dhe të pamposhtur të Mallakastrës. Gjatë 20 ditëve sulmi, partizanët i kishin çliruar njëri pas tjetrit të gjitha fshatrat dhe u vendosën në pozicione dhe pika dominuese nga mali i Cakranit në Kasnicë, Belishovë, në kodrat e Drenovës dhe Visokës. Përballë tyre, po në këtë gjatësi fronti, ndodheshin forcat gjermano-balliste. Sigurisht ata kishin supremacinë në forca dhe mjete; ata dispononin artileri, mjete të motorizuara dhe ndërlidhjeje, ishin të mbrojtura në transhe, fortifikata dhe garnizone, dispononin rezerva të mëdha ushtarake në qytet dhe në rrugën Fier-Vlorë, të mbrojtur nga disa reparte. Me gjithë këto, komanda gjermane, duke ndjerë rrezikun në mbështetje të forcave ekzistuese solli nga divizioni 297 edhe një batalion të motorizuar të regjimentit 524T. Në ndihmë të kësaj force u mblodhën dhe mobilizuan gjithçka kishin mbetur nga ballistët e çetave dorëzeza dhe xhandarmërisë civile të Kadri dhe Kujtim Cakranit dhe Besim Belishova reaksionarëve dhe kriminelëve të tjerë që kishin shpëtuar pa u eliminuar nga operacioni i dimrit. Më 27 mars forcat gjermane, nga Qafa e Rrerësit, filluan të mbulonin me një zjarr të dendur artilerie përgjatë të gjithë vijës së frontit ku ishin forcat partizane. Predha të rënda rrihnin Kodrat e Kasnicës, Belishovës, Drenovës; ato, duke goditur përgjatë lumit të Gjanicës në të dy krahët, arrinin të binin deri në Lapulec, Dukas dhe Ballsh. Komanda e Grupit të Tretë mundi të fusë një grup zbulimi në prapavijat e armikut nën komandën e trimit Shefit Fetiu. Ky grup, duke kaluar nëpër fshatrat e zonës së Roskovecit, dhe të Patosit, mundi të lidhet me celulat dhe njësitet guerile të Fierit dhe të fushës, duke formuar kështu një ide të qartë jo vetëm për vendosjen dhe sasinë e përgjithshme të forcave armike, por deri edhe në hollësi për pozicionet, fortifikimin, dhe mjetet që dispononte ai. Duke njohur këtë situatë, shtabi partizan i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër dërgoi në ndihmë të Grupit të Tretë, Batalionin “Naim Frashëri” të Brigadës së 6 S të udhëhequr nga bilbili i Labërisë Mustafa Matohiti. Ky batalion me shpejtësi u nis nga Buzi i Tepelenës, kaloi qafën e Kiçokut, Gllavë, Osmënzezë, Ngraçan, dhe u pozicionua në krahun e djathtë të Gjanicës në drejtim të kalasë së Marglliçit. Duke njohur vështirësitë e terrenit dhe forcën armike të dislokuar në kala, komanda e Grupit të Tretë nisi në ndihmë të batalionit “Naim Frashëri” një njësit prej 40 partizanësh nën komandën e Qemal Klosit. Ashtu siç pritej, pas goditjeve me artileri, forcat gjermano- balliste u hodhën në veprime luftarake tokësore. Në momentet e para ato mundën të fitonin terren duke kapur disa pozicione dhe pika dominuese në pyllin e Kasnicës dhe në kodrat në drejtim të Dukasit dhe të Patosit. Në këto luftime u plagos edhe komandanti trim dhe patriot i grupit të tretë Qamil Hamzo. Goditja e përqendruar gjermane qe e egër dhe e fuqishme. Momente shumë të vështira kaloi edhe batalioni i dytë në kodrat e Kasnicës që udhëhiqej nga komisari Dino Kalenja,por edhe krahu i djathtë i tij, ku komandante zv/komandanti i grupit, trimi kosovar Halit Kaçanolli, nuk e pati të lehtë. Vetëm qëndresa, trimëria, heroizmi dhe shpirti i atyre djemve partizanë, bëri të mundur që të mos liheshin pozicionet, që vija e frontit të mbetej aty ku ishte vendosur që në fillim. Ndërkaq edhe dita e luftës po ngrysej. Dielli ishte duke u ulur pas kodrave të Cakranit dhe ashtu i madh dhe i kuq po binte në det. Lufta kishte pushuar. Në pyjet që vishnin kodrat, përrenjtë, shkëmbinjtë e thepisur ra nata e errët. Vetëm rojet dhe patrullat mbulonin në qetësinë e asaj nate të errët dhe të ftohtë marsi heshtjen e atij gjumi të partizanëve, rraskapitur në ato ditë të përgjakura lufte. Të nesërmen, më 28 mars, vazhduan luftime më të ashpra, sulme dhe kundërsulme të njëpasnjëshme; pozicionet dhe pikat dominuese herë binin në dorë të armikut herë rimerreshin nga partizanët. Vija e rregullt e frontit kishte pësuar çarje dhe shpërbërje. Atë mbrëmje komanda e Grupit të Tretë u mblodh dhe përcaktoi detyra të reja dhe konkrete për çdo batalion dhe njësi partizane. 29 Marsi ishte dita përfundimtare që do të vendoste gjithçka. Duhej të kalohej nga gjendja e pritjes në një sulm të përgjithshëm e të fuqishëm. Edhe sot e kësaj dite veteranët kujtojnë fjalën e zjarrtë të komisarit Dino Kalenja në shtab dhe përpara batalionit, “Ismail Klosi”. Dino ishte poet, poet i lindur, dhe aty, në vijën e frontit, në zjarrin e luftës, oratoria e tij ngrinte moralin partizan, ndriçonte qëllimin e luftës, ndizte zemrat dhe besimin në fitoren e sigurt të popullit mbi fashizmin e egër dhe barbar. “Gjakun do ta derdhim, jetën do ta japim, por pa gjak s^ka fitore, s’ka liri.” Kështu ligjëronte Dino Kalenja. Shtabi dhe partizanët kishin vendosur. “Sulm mbi armikun”. Dhe kështu u veprua. Më 29 Mars armiku nisi sërish goditjet me artileri. Breshëria e predhave krijoi një perde tymi dhe flakë nga Margëlliçi në malin e Cakranit. Batalioni “Ismail Klosi” nisi lëvizjen avancuese drejt pozicioneve armike, papritur, ndeshën një kompani gjermane, e cila edhe ajo ishte afruar e maskuar nga pylli për t’i goditur në befasi partizanët. Partizanët u hodhën me bomba dore dhe me breshëri armësh mbi gjermanët, të cilët, për hir të së vërtetës duhet thënë se dinin të luftonin, të qëndronin dhe të kundërsulmonin. Dino Kalenja, më i avancuar dhe disi i shkëputur nga shokët u ndodh i rrethuar. Gjermanët u munduan ta zinin të gjallë, por më kot. Si mbaruan granatat, ai kositi me automatikun e tij, shtiu me revolver derisa iu mbaruan fishekët dhe së fundi nxori thikën dhe ia nguli në gjoks të parit gjerman që guxoi të kapej me të trup me trup. Në këtë moment një tjetër gjerman, siç thuhet, i shtrirë dhe i plagosur për vdekje, derdh mbi të një breshëri automatiku. Kështu këputet dhe bie si yll, për të mos u ngritur më komisari Dino Kalenja. Kur shokët e ngritën në krahë, ai vetëm sa mundi të thoshte “Të rrojë atdheu, të rrojë populli i lirë!” Mbas kësaj furia e sulmit partizan nuk kishte të ndalur. Ajo u kurorëzua me eliminimin dhe zmbrapsjen e gjermano-ballistëve në panik të plotë dhe humbje të rënda. Ndërkaq në krahun e djathtë të Gjanicës, luftimet më të ashpra u zhvilluan për marrjen e Kalasë së Marglliçit. Disa sulme ishin bërë mbi të, disa përleshje të përgjakshme mbi pozicionet armike por pa mundur ta shtinin plotësisht në dorë atë. Gjermanët ishin plotësisht të mbrojtur në fortifikata dhe me zjarr të përqendruar ata nuk lejonin afrimin në distancë të partizanëve. Gjermanët në ato momente nuk mund ta lejonin kalanë, pasi kjo do të thoshte të linin të gjithë Patosin, të rrezikonin rrugën Berat-Fier, e për më tepër kalimin Fier-Vlorë, kur rrezikohej bllokimi i forcave të shumta gjatë bregdetit jugor. Edhe pse lanë mbi 40 ushtarë të vrarë dhe shumë të plagosur, gjermanët nuk i dorëzuan pozicionet e mëparshme. Në pas ditën e 29 Marsit u mësua se në sulmet dhe luftimet partizane edhe humbjet tona ishin të konsiderueshme. 14 bij nënash kishin dhënë jetën në fushën e nderit, kishin falur rininë dhe gjakun e tyre të pastër për çlirimin e atdheut. Ranë për të mos vdekur kurrë: Mustafa Matohiti, Meleq Gosnishti, Dino Kalenja, Leçer Talo, Damin Kora, Lutfi Tolari, Jarulla Papa, Ndreko Zhaka, Abedin Shkëmbi, Sabri Myslymi, Ibrahim Zeneli, e midis tyre partizani italian Nikela Tareli, etj.. Në 70- vjetorin e kësaj beteje ne dhe brezat që vijnë e rriten mbas nesh,e kemi për detyrë të rikujtojmë me respekt ditën kur ranë katër heronj, gjakun e asaj lufte heroike çlirimtare dhe një buqetë me lule ta çojmë në lapidaret dhe përmendoret e ngritura për heronjtë dhe dëshmorët e saj.

     *Anëtari i kryesisë së Komitetit të Veteranëve të Tiranës, “Mësues i Merituar”, veteran i luftës