Ahmet Lepenica dhe Epopeja e 20-s

    406
    Sigal

    Mbi monografinë kushtuar komandantit të Përgjithshëm të Luftës së Vlorës

    Këto ditë doli në qarkullim libri “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës”. Libri është shkruar nga studiuesi I palodhur Enver Memishaj-Lepenica dhe përfshin një numër të konsiderueshëm dokumentesh të kohës mbi jetën dhe veprimtarinë e njërit prej njerëzve më të shquar të Labërisë që gjithë jetën ia kushtoi luftërave për liri e pavarësi të Shqipërisë. Personazhe të tillë të fuqishëm si ai i Ahmet Lepenicës kanë qenë pak të njohur sidomos gjatë periudhës së diktaturës. Megjithatë populli i krahinës së Vlorës nuk reshturi së ngrituri këngë për bijtë e vet që luftuan për Liri e Pavarësi. Ai do të këndonte: Kush e prishi Italinë/Osmëni me dy Qazimë/Bimbash Ahmet Efendinë. Janë vetëm tre vargje ku jepet një epope e tërë që të trondit: Që Italia u mund (u prish,) që prijësit e asaj lufte ishin Osmën Haxhiu, Qazim Kokoshi, Qazim Koculi dhe natyrisht oficeri i lartë (Bimbash) major Ahmet Lepenica. Pas përmbysjes së diktaturës mundësitë për studimin e figurave historike pak të njohura më parë u bë më e madhe. Tashmë në dispozicion të studiuesve u vu gjithë arkivi me dokumentet historike shqiptare dhe të huaja. Por ende janë të pakët ata që “guxojnë” e i futen atij deti të pafundmë të arkivave thjesht për të nxjerrë në dritë të vërtetën e një ngjarjeje apo jetës së një njeriu. E them këtë sepse kjo lodhje e stërmundim d.m.th të rrëmosh në arkiva për vite me radhë nuk sjell kurrfarë përfitimi material  madje shpesh paratë  për botimin paguhen nga xhepi i autorit. Kjo ka të bëjë ama me dashurinë e tij ( të autorëve) për figura të tilla që nuk duhen harruar, ka të bëjë me dashurinë për të vërtetën, me dashurinë për historinë e popullit shqiptar dhe më thjesht me dashurinë dhe respektin për vendlindjen dhe atdheun. Nuk janë terma të tepërta nuk është mbivlerësim. Ata që merren me punë të tilla e dinë që pasi je rropatur me vite të tëra në gjurmimin e gjetjen e dokumenteve, në sistemonin e rregullimin e tyre dhe në fund ke në dorë një libër në dorëshkrim, është shumë e trishtueshme të vraposh ( kjo është pjesa më e vështirë) sa andej këndej për të “lypur” të holla që libri të shohë dritën e botimit. Gjithsesi libri e pati fatin të dalë në qarkullim bashkë me falënderimet ndaj dhuruesve që me sa duket nga numri i madh i tyre janë rrogëtarë ose pensionistë si autori i librit. Në libër autori ndalet në jetën e heroit të tij Ahmet Lepenica, nga fëminija, gjatë shërbimit ushtarak në ushtrinë turke, si bashkëluftëtar i Qemal Ataturkut, veprimtarinë e tij para dhe pas shpalljen së Pavarësisë në Vlorë, pjesëmarrjen në Luftën e Vlorës, në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjes, luftën e tij për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, marrëdhëniet me qeverinë e Nolit, deri sa mbylli sytë atje në Lepenicën e dashur. Faqe pas faqeje shikojmë si rritet figura luftëtarit dhe atdhetarit të madh Ahmet Lepenica. Mendoj që një kulmet e veprimtarisë së tij është epopeja legjendare e Luftës së Vlorës të cilën autori, na i përshkruan me hollësi duke e mbështetur në dokumentet e shumta të kohës. Ahmet Lepenica do të caktohej nga Komiteti i Mbrojtjes së Vlorës “…si Kumandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare, duke u pështetur në burrërinë dhe në atdhetarësinë tuaj. Ngarkohe me këtë barrë shumë të shenjtë dhe të rëndë…” Ahmet Lepeneca. Më vonë do ta shohim si Shef të Shtabit të Trupave Kombëtare dhe Komandant të Gjindarmërisë, gjithmonë të angazhuar në atë luftë të shenjtë deri në mbarimin e saj. Në librin e Enver Memishajt, shikojmë dhe një sërë komandantësh, luftëtarësh e udhëheqësish kryesisht lebër, që drejtuan atë luftë heroike me një nga fuqitë ushtarake më të mëdha të kohës ose si thuhet në këngë “Me një mbret dyzet milionë”. Autori zbërthen me pjekuri e bën një analizë të hollë për atë luftë titanike dhe me të drejtë del në përfundimin: “Patriotët që bënë Kongresin e Lushnjës dhe luftën e Vlorës rishpallën edhe një herë Pavarësinë Kombëtare dhe bënë të mundur që më 17 dhjetor 1920, Lidhja e Kombeve ta njihte Shqipërinë me kufijtë që ka sot.” Ahmet Lepenica  Nëse nuk do të zhvillohej ajo luftë e madhe, e pakrahasueshme dhe e papërsëritshme nga mënyra dhe koha që u zhvillua, Shqipëria ndoshta nuk do të ishte kjo që kemi sot por gjysma e saj por edhe mund tu ishte dhuruar andej-këndej italianëve, grekëve e serbëve. Në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë, libri është një dhuratë e çmuar për kombin shqiptar, jo vetëm se na njeh me një nga heronjtë dhe udhëheqësit kryesorë të asaj lufte, por edhe pse tregon shpirtin e pamposhtur e patriot të shqiptarit, tregon se historia e popullit tonë është një histori plot luftëra, përpjekje, sakrifica e therori për atdheun e dashur. Dy muaj para njëqind vjetorit të shpalljes së pavarësisë me gjithë mëtimet e çuditshme që vihen re tek-tuk për t’i zhvendosur kremtimet dhe heronjtë sipër Tiranës, akti i Shpalljes së Pavarësisë dhe lufta e shenjtë e Vlorës e vitit 1920, me gjithë heronjtë e tyre, vijnë natyrshëm pa bujë, me një shkëlqim diellor ngahera më të fortë për të na treguar se kjo Shqipëri u bë me penë e pushkë nga bijtë e bijat e shqiptarëve nga çdo cep e vatër ku ata jetonin. Libri i Enver Memishajt është një monografi serioze e shkruar plot dashuri, sinqeritet për heroin Ahmet Lepenica, dhe rrok një faqe të lavdishme të historisë së trevës së Labërisë e më gjerë. Për ta mbyllur do të përmendja fjalët e historianit të njohur vlonjat, Prof. Dok. Bardhosh Gaçe. Ai vlerëson: “Me pasurinë e dokumenteve, provave dhe fakteve, Ahmet Lepenica, portretizohet e jepet si një apostull i shqiptarizmës, i mbuluar nga mjegulla e kohës padrejtësisht…. Dhe monumentin që prisnim për Ahmet Lepenicën ia ngriti Enver Memishaj me këtë libër.”