Agron TUFA*/ Një varr për Xhuzepe Terruzin

    412
    Sigal

    1. Komunizmi poshtëroi nderin dhe etikën tradicionale shqiptare

    Krimet e komunizmit në Shqipëri përbëjnë një kapitull të pahapur, ndonëse për to është folur në këto 20 vjet pas rënies së diktaturës, kryesisht nëpërmjet kujtimeve fragmentare të atyre që kanë mbijetuar nga pesha e dhunës. Është folur në mediume të ndryshme në mënyra të ndryshme me tone minimizuese e përkeqësuese, por gjithmonë, duke ndjekur sipërfaqen e sheshtë të gazetave dhe ekraneve, derisa perceptimi për komunizmin si e keqe njerëzore, shoqërore e kombëtare është reduktuar në një lloj ekzotike, pa e pasur konkretësinë e duhur e as koordinatën e saktë. Me përballjen e përvojës sonë nën diktaturën komuniste, si një shumë e hidhur e se Keqes, nuk ka pasur as strategji, as vullnet e as një marrëveshje shoqërore. Rëndom, sa herë fitet për aspekte të caktuara te persekutimit komunist në media, problemit i bihet nga dera e pasme. Ndërkohë pritej që të përballeshim ndryshe ndershmërisht, të përcaktonim e të zbardhnim gjeografinë e krimit, për të kuptuar përmasat e gjithanshme të masakrës rrënimit e tjetërsimit, thyerjen e madhe e të pariparueshme që ka ndodhur në kodin e brendshëm të nderit e dinjitetit njerëzor. Saga  e pikëllueshme e familjes së Aldo Terruzit është një apel për të medituar mbi fatin e qytetarëve të huaj, shpesh tepër dashamirës ndaj popullit tonë, që e patën njehsuar fatin e tyre dhe te familjeve të tyre me fatin e shoqërisë shqiptare, të së cilës iu bashkangjitën dhe u munduan të kontribuojnë në gjirin e saj me përkushtim e sinqeritet. Ne edhe sot nuk jemi ende te vetëdijshëm për kontributin e madh, për dëshirën dhe dashurinë e këtyre të huajve, që dhanë gjithçka të mirë për modernizimin e shoqërisë shqiptare. Tragjeditë e tyre na rendojnë veçanërisht dhe na bëjnë të ndjejmë turp si shqiptarë, sepse pushteti komunist u soll me ta me të njëjtin absurditet me te njëjtën egërsi e pabesi, njëlloj si me shtetasit shqiptarë. Nëse mund të flasim me siguri për episode të pafundme të pabesisë dhe tradhtisë së pushtetit komunist ndaj shtetasve te tij faktet na detyrojnë të konstatojmë se të njëjtën praktikë ka ndjekur diktatura edhe për shtetasit e huaj. Verbëria dhe fanatizmi internacionalist i komunistëve shqiptarë nuk i kurseu as të parët, as të dytët. Ndërsa për të parët, shtetasit shqiptare, deri diku mund të kyçemi në një logjikë, gjithsesi të egër e te papranueshme, për shtetasit e huaj kjo egërsi e pabesi ishte jashtë çdo pritshmërie morale, një akt i turpshëm e fyes i përfytyrimeve tradicionale për paprekshmërinë e mikut. Praktika komuniste e dhunoi dhe në këtë pikë konstitucionin moral te shqiptarëve, duke i përfshirë pa dallim edhe ata brenda makinës grirëse të luftës së klasave, spiunazhit dhe sabotatorëve. Prandaj strategjia komuniste e hekatombës me të huajt rezulton një tjetër poshtërim që i bëhej nderit dhe etikes tradicionale shqiptare. Dhe të mendosh, se vetëm një vit para instalimit të diktaturës së Enver Hoxhës, këto virtyte tradicionale shqiptare kishin shënuar aktin unikal e të vetëm njerëzor në mbarë Evropën e pështjellë me muzikën funebre të përcjelljes së hebrenjve në krematoriume dhe dhomat naziste të gazit! Është po ky popull që dha shembullin e vetëm të mbrojtjes, fshehjes dhe shpëtimit të të gjithë hebrenjve të vet e te huaj, që erdhën në Shqipëri dhe është po ky popull, i cili pas një viti, nën thundrën e shtypjes gjakatare komuniste, jo vetëm nuk mundi të mbrojë asnjë të huaj, por as bijtë e vet. Është për të ardhur keq, që deri më sot nuk ekzistojnë statistika për numrin e të huajve që iu nënshtruan kalvarit të burgjeve, pushkatimeve, internimeve dhe formave të tjera të represionit. Megjithatë, nga disa lista të burgosurish dhe dënimesh, shihet se ky numër është shumë i madh. Ai fillon që me instalimin e pushtetit në vitin 1945 me gjyqe të montuara trashë dhe arrin kulmin me arrestimet dhe dënimet masive pas prishjes së marrëdhënieve me BS-në. Në rastin më të fundit, çnderimi i psikologjisë dhe etikës shqiptare mori formën më të neveritshme me arrestimin e grave të huaja, duke shënuar tragjedi të thekshme njerëzore familjare. Për logjikën e egër dhe primitive komuniste nuk ekzistonte as një lloj diferencimi shoqëror, profesional apo gjinor. Shefat e hetuesisë, siç do të dalin nga dëshmitë, urdhrat dhe botimet e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, përveç torturave dhe shantazhit mbi femrat, kanë kryer aktet më të turpshme e më mizore që fyen çdo shqiptar normal, siç është përdhunimi i planifikuar i tyre, si masë e thyerjes dërrmuese të çdo rezistence. Për këto aspekte të turpshme duhet folur haptazi, konkretisht dhe me fakte, nëse duhet të distancohemi nga krime të tilla që na rëndojnë në ndërgjegje. Gjithkujt që ka lexuar memuaret e shkrimtarit Petro Marko “Retë dhe gurët”, i kujtohet episodi mizor i vrasjes së gjeologut gjenial polak Stanislav Zuber. Petro Marko rrëfen me detaje të imëta, direkt nga qelia ku qëndron i varur krahësh, se si dha shpirt shkencëtari i madh me famë botërore nën shqelmat e tërbuara të torturonjësve të tij. Klika banditeske e dhunës shtetërore nuk njohu as cak, as normë. Dhe sjellja makabre ndaj të huajve, gjetja e eshtrave të tyre, ndriçimi i historive të tyre personale, është një detyrë që na takon ta përmbushim sot, për të nderuar kujtimin e tyre si viktimat më të pafajshme të diktaturës dhe nëpërmjet këtij akti, të shprehim ngushëllimin për ta, sikundërse edhe divorcin e pamëdyshtë me krimet e diktaturës, të cilat, sigurisht, s’kanë aspak lidhje me përfaqësimin e moralit dhe etikës sonë njerëzore.

    2. Hakmarrja paranojake e Enver Hoxhës ndaj femrave

    Libri memuaristik “Brenga ime shqiptare” i inxhinierit italian Aldo Renato Terruzi, është dhe libri i parë i kolanës “Ad memorandum” të botimeve të Institutit me dorëshkrimet e memuareve, përsiatjeve, refleksioneve, ditarëve dhe epistolarëve që ngërthejnë kujtesën e përjetimeve të trishta e tragjike që përjetuan qytetarët shqiptare e të huaj në burgjet, kampet e internimit, format e dëbimit dhe persekutimeve të ndryshme përgjatë gjithë diktaturës së regjimit totalitar komunist nga viti 1944 deri në rënien e saj, me 1991. Duke përmbushur këtë detyrë qytetare të kujtesës dhe rikuptimësimit të përvojës sonë të përbashkët, të kaluar në diktaturë, Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, do të sjellë përmes kësaj kolane në vijim dëshmitë rrënqethëse, e njëkohësisht, të qëndresës dinjitoze përballë egërsisë shtazarake të hetuesive, oficerëve të Sigurimit, gjyqeve të montuara, pushkatimeve, vetëvrasjeve, burgut dhe formave të tjera të represionit, që synonin nënshtrimin, poshtërimin dhe thyerjen përfundimtare të karakterit të çdo kundërshtari të regjimit.

    Memuaret e librit “Brenga ime shqiptare” të Aldo Renato Terruzit vjen në shqip menjëherë pas botimit të tij në italisht me 2011 nga shtëpia botuese “Besa” me titullin në origjinal “Ritorno al Paese delle Aquile” (Rikthim në Vendin e Shqiponjave”). Rrëfimi është i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe nga ana kompozicionale është ndërtuar mbi përvojën e udhëtimit Itali-Shqipëri të dy protagonistëve të rrëfimit, Aldos (autor i rrëfimit) dhe dajës së tij, Xhakomos, ish- portierit të famshëm të Kombëtares shqiptare të futbollit të vitit 1946, vit kur ky ekip kombëtar fitoi kupën e kampionatit ballkanik. Rrëfimi i z. Terruzi nuk është në stilin e njohur të zhanreve të udhëtimit, me qëllim përshkrimi të vendeve të panjohura. Të dy udhëtarët rikthehen pas 44 viteve në Shqipëri, në atë vend ku familja Terruzi kishte përjetuar sukseset nëpërmjet një pune këmbëngulëse e të ndershme, gëzimet familjare dhe respektin e dashurinë e vendasve për kontributin e tyre në këtë shoqëri. Udhëtimi është i mbushur kryesisht e paralelisht me rrëfimet e Xhakomos mbi sagën ballkanike të familjes së tij, deri në vendosjen e tyre në qytetet e ndryshme të Shqipërisë. Së këndejmi, ai është një udhëtim introspektiv, që gërmon mbi të shkuarën dhe identitetin e familjes së autorit deri në momentin kur fillon tragjedia. Zhvillimet politike me kontekstet e paparashikuara të Luftës së Dytë Botërore nuk e lëkundën këtë familje italiane, që shikonte punën e vet dhe harmoninë me vendasit. Në fakt, tragjedia zë fill me ardhjen e komunistëve të Enver Hoxhës në pushtet, me karakterin inatçor të diktatorit. Gjatë rrëfimit ne njihemi hollësisht me një fakt të diktatorit: adhurimin e tij për Aurelian, të ëmën e Aldos, e cila asokohe, në moshën 16 vjeçare, ishte një ndër bukuroshet më të spikatura të Gjirokastrës. Në kohë e forma të ndryshme, diktatori i kërkon dashurinë me këmbëngulje Aurelias së bukur, por merr në të gjitha rastet refuzim të prerë. Autori beson, dhe jo pa arsye, se arrestimi i të atit, Xhuzepes, ka qenë një hakmarrje personale e Hoxhës, për refuzimin e vazhdueshëm që kishte marrë nga ish e adhuruara, Aurelia, tashmë bashkëshorte e drejtorit të Bankës së Vlorës. Në fakt, nëse shqyrtohen rrethanat e jetës personale të diktatorëve, episode të tilla të ngjashme përbëjnë një sfond të pasur psikologjik, që shpjegojnë nga pikëpamja psiko-analitike mllefin dhe mizorinë shpaguese, aq më tepër po të kemi parasysh se Enver Hoxha të njëjtën egërsi si me Aurelian, në mos më fort, ka shfaqur edhe ndaj femrave të tjera të lavdishme që e kanë përbuzur dhe refuzuar. Mjafton të bashkangjisim këtu rastet e mirënjohura të shkrimtares Musine Kokalari dhe shkencëtares Sabiha Kasimati, ku njëra u dënua dhe i ngrysi ditët në internim, ndërsa tjetra u pushkatua pa gjyq në shkurtin e vitit 1951. Pa u zgjatur më në këtë patologji paranojake, shënojmë shkarazi se në ndryshim nga njerëzit me drejtpeshim të shëndetit mendor, që nuk e asgjësojnë objektin e dashurisë, hakmarrësi primitiv Enver Hoxha i likuidoi të gjitha femrat që kishin qenë objekte të adhurimit dashuror. Aurelias i ra për hise gjymtimi i familjes, si fillim. Ndryshe nga qytetarët e burgosur italianë, të vetmin bashkëshortin e saj, Xhuzepen, nuk e liruan, derisa ai vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1952. Një ndër pengjet dhe kryesisht qëllimi i udhëtimit të Aldo Renato Terruzit në Shqipëri, prej së cilës është larguar në moshën 4 vjeçare, është gjetja dhe kthimi në atdhe, pranë familjes, i eshtrave të të atit. Ai viziton burgun e Burrelit, ku bashkëvuajtës të të atit, Petrit Velaj dhe Engjëll Kokoshi (i cili e shoqëron), ia kanë përshkruar rrethanat e vdekjes së tij dhe vendin e varrimit ndanë qershizës së burgut, të njohur prej sa e sa rrëfimesh. Le të citojmë këtu një fragment nga biseda me Engjëll Kokoshin, për mënyrën se si i varrosnin të vdekurit në burgun e Burrelit “Ku varroseshin gjithë ato kufoma?” – “Gjithmonë në të njëjtin vend. Atje, pikërisht përballë dritareve të qelive mes dy rrethimeve, në mënyrë që të gjithë ta shihnin se ç’fund do të pësonin. Atje ka qenë një pemë qershie që në pranverë dukej se lulëzonte bash për ata që treteshin poshtë saj. Kufomat, cullake – rrobat dhe gjërat e tjera i ndanin mesvedi xhelatët – të mbështjellë me batanije i varrosnin në radhë, njërin ndanë tjetrit, pa emër dhe pa asnjë nishan”.

    3. Pengjet e të gjallëve

    Që nga viti 1993, qytetari italian Aldo Renato Terruzi, i lindur në Shqipëri, rikthehet herë pas here në “atdheun e tij të dytë”, me të cilin e mban të lidhur një peng që e ka munduar dhe e mundon gjatë gjithë jetës: gjetja e eshtrave të të atit. Këtu ka miq që e duan, e presin, e vlerësojnë, por për gjënë më të çmueshme, më të shtrenjtë, me themelore në jetën e tij – gjetjen e eshtrave të babait, të vdekur në burgun komunist të Burrelit – askush deri më tash nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë. E trishtueshme është se vendi, sipas kujtesës së bashkëvuajtësve të të atit, është, në njëfarë mënyre i përcaktuar. Megjithatë, koha që ka kaluar i ka fshirë shenjat: qershiza si pikë referimi nuk është më. Gërmimet që janë bërë, kanë dalë pa rezultat. Qarkullojnë fjalë sikur dikur, aty ku janë varrosur të vdekurit në burg, kanë futur një ekskavator që ka rrafshuar a zhvendosur gjithçka. Ka të tjerë që thonë se gërmimet duhen bërë në një tjetër krah të territorit të brendshëm a të jashtëm të burgut. Në përgjithësi, gjetja e eshtrave të të pushkatuarve nga diktatura apo të të dënuarve që vdiqën në burgjet e saj, është një problem ende i pazgjidhur. Ai përbën, si gjatë, si pas rënies së diktaturës, pengun më torturues të të gjallëve, të cilët, pa asnjë shenjë, pas asnjë varr simbolik, janë privuar edhe nga ceremonia e thjeshtë e vendosjes së një qiriu të ndezur apo e një tufe lulesh mbi varret e të dashurve të tyre, të rrëmbyer dhunshëm nga gjiri i familjes. Me këtë peng rron sot edhe Aldo Renato Terruzi. Shteti diktatorial nuk ka lënë as shenja, as lista, as procesverbale. Së paku arkivat për këto raste, deri më tash, janë memece. Është e habitshme që instrumentet e kontrollit të diktaturës kanë qenë në mënyrën më cinike përllogaritës në çdo gjë; mund të gjesh procesverbale për humbjen apo dëmtimin edhe të sendeve të vockla, çikërrimave, deri edhe tek dëmtimi i parcelave nga bagëtitë… por është e habitshme se si nuk është lënë asnjë copë pusullë për pushkatimin e njerëzve! Megjithatë, në rastin konkret, do të kishte qenë e mundur të bëhej maksimumi, duke kërkuar e gërmuar, pa përjashtim, çdo centimetër të territorit. Ekziston një strukturë shtetërore që quhet task force, e cila, me sa di unë, ka një fond buxhetor për kërkimet dhe ekzguminimin e të pushkatuarve. Do të kishte qenë e drejtë, që qeveritë e Shqipërisë ta merrnin seriozisht këtë mision moral e paqtues, të gjetjes dhe identifikimit të eshtrave për ato viktima të pafajshme, që diktatura komuniste përveçse i vrau, i la dhe pa varr, duke u lënë një brengë të pashlyeshme në shpirt mijëra familjeve shqiptare dhe të huaja. Gjithçka kërkon prej nesh sot qytetari italian Aldo Renato Terruzi, mik i yni, është një varr për Xhuzepe Terruzin, që e la të birin në moshë të miturisë me kujtesën e fundit të episodeve të komunikimit mes tyre përmes katrorëve të hekurave të burgut. Është një brengë që e shoqëron përherë në udhëtimet e tij nga Roma në Shqipëri. Është një brengë e pangushëllim, por edhe shpresa se ndoshta një ditë eshtrat e të atit do të gjenden, dhe i biri do të lehtësohet, duke i patur ato në varret a urnën familjare, përbri të cilëve, herët a vonë, do të shtrihet gjithkush prej nesh, në paqen e përjetshme.

    *Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

    Mirakaj:Shteti shqiptar i ka borxh ish të përndjekurve

    Vijon nga numri i datës 15 nëntor

    Largimi nga puna i ish të përndjekurve është një problem që e ka shqetësuar së tepërmi z. Simon Mirakaj. Sa ishte në krye të Institutit ai ka bërë shumë përpjekje dhe takime me qeveritarët e rinj në kuadër të kësaj. Sipas tij, të gjithë ish të përndjekurit që kanë dhënë kontributin e tyre në administratën shtetërore, i plotësojnë të gjitha kriteret që do një pozicion i tillë pune. Mirakaj kërkon me ngulm integrimin e ish të përndjekurve dhe kjo sipas tij, nuk bëhet me largime nga puna.

    Largimet nga puna patën një ecuri problematike, a pati rikthime në punë?

    Absolutisht nuk kemi rikthim të këtyre njerëzve që kanë dalë në listë- pritjeje. Më kujtohen, se edhe në institutin që kam drejtuar unë më kanë ardhur mjaft njerëz dhe më kanë thënë që janë larguar nga puna, megjithëse, kanë qenë siç ju thashë me fakultete, me mastera, me gjuhë të huaja, pra me të gjithë ato kritere që kërkon koha. Atëherë, duke parë gjithë këtë aspekt negativ them që largimi nga puna ka qenë për motive politike dhe unë i thashë si Kryetarit të Kuvendit, si ministrit të Drejtësisë se ndaj shtresës së ish të përndjekurve politikë shteti shqiptar ka borxh, kushdo që të jetë. Por duke qenë se ne i përkasim spektrit të Djathtë në mentalitet, në origjinë, në trashëgimi e në të gjitha, kjo nuk do të thotë që edhe e Majta nuk ka përgjegjësi. Atëherë, them që shtresës së ish të përndjekurve shteti shqiptar i ka borxh dhe nuk mund të trumbetosh me të madhe që do ta integrojmë këtë shtresë dhe rezultati qenka largimi nga puna. Integrimi bëhet duke i dhënë mundësinë të përndjekurve sipas aftësive që kanë. Dëmshpërblimi është tjetër.

    Po gruaja italiane e Xhuzepes është gjallë?

    Jo, zonja ka vdekur. Ishte i biri që bëri promovimin e librit dhe historia, sipas tij, është se kjo familje jetonte në Gjirokastër. Xhuzepe Terruzit në atë kohë ishte nëndrejtor në bankën  e Gjirokastrës, bashkë me një tjetër familje italiane që kishte këtë vajzë. Kjo vajzë ishte e bukur e moshës rreth 15 -16 vjeç. Po në Gjirokastër jetonte dhe Enver Hoxha, i cili kishte simpati për këtë vajzë, kjo kishte antipati për ‘të dhe martohet me italianin. Gjithmonë duke iu referuar librit “Brenga ime shqiptare”, treguar nga i biri i Xhuzepes, shpjegon se Enver Hoxha për t’u hakmarrë, i burgos të shoqin, i cili vdiq në burgun e Burrelit.

    Pjesëmarrja e z.Simon Mirakaj, ish-kreut të Institutit të të Përndjekurve Politikë, në promovimin e librit “Brenga ime shqiptare”, të Aldo Renato Terruzit

    Mirakaj: Edhe Shekspiri do i kishte zili tragjeditë e ish-të përndjekurve. Jepini një varr Xhuzepe Terruzit!

    Ledjana Saliu

    Pjesëmarrja e z.Simon Mirakaj, ish-kreut të Institutit të të Përndjekurve Politikë, në promovimin e librit “Brenga ime shqiptare” të Aldo Renato Terruzit në Romë, përbën dhe spunton për të trajtuar një histori të veçantë sonte për lexuesin e “Telegraf”.  “Në Shqipëri ka tragjedi nga më të ndryshmet. Në disa takime, shpesh them, që nëse do të ishte gjallë Shekspiri do t’i kishte lakmi këto tragjedi që kanë ndodhur padrejtësisht në vendin tonë”, shprehet z. Mirakaj për “Telegraf”. Ai vijon më tej duke na treguar se, ndër shumë tragjedi është dhe ajo e italianit, Xhuzepe Terruzit, i cili ka punuar në Vlorë si drejtor banke dhe me ardhjen e komunizmit në ’46-n arrestohet. Ai detyrohet të ndahet nga gruaja dhe djali një vjeç. Pas dënimit përfundon në burgun e Burrelit dhe në ’52-shin vdes. I biri, me rënien e komunizmit, kthehet në Shqipëri në kërkim të eshtrave të babait duke marrë informacione të ndryshme nga bashkëvuajtësit e të atit, si z. Petrit Velaj, Engjëll Kokoshi që nuk jeton më, por ende nuk i është dhënë mundësia për të gjetur eshtrat e babait vet. Gjatë kërkimit, duke pyetur, duke marrë informacione nga të burgosurit që kanë jetuar në burgun e Burrelit nuk ka arritur ende që të gjejë eshtrat e të atit. Ndërsa i biri i Xhuzepes ende shpreson. Fundja, shpresa vdes e fundit… “Edhe ne do të japim kontributin aq sa kemi mundësi, për gjetjen e eshtrave të njeriut të shtrenjtë, që e la jetim ende foshnje. Tragjedia te këta njerëz është, sepse përveç eliminimit fizik, iu mohojnë edhe të drejtën e varrit”, shprehet Mirakaj. Megjithatë, njeriu gjen forca dhe kapet te dashuria e munguar padrejtësisht, te malli dhe te kujtimet pasi vetëm këto nuk vdesin kurrë dhe të mbushin boshllëkun e shpirtit.  Edhe djali i Xhuzepes, për të gjetur një farë ngushëllimi në vetvete ka shkruar një libër për historinë e të atit dhe e ka titulluar  “Brenga ime shqiptare”. Z. Mirakaj mori një ftesë dhe në 11 nëntor shkoi në Romë për promovimin e këtij libri, ku morën pjesë ambasadori ynë z. Neritan Ceka, ish -ambasadori italian në Shqipëri, z. Mario Bova, gazetarë të ndryshëm, intelektualë edhe shqiptarë që jetojnë në Romë. “Promovimi kaloi shumë mirë, megjithatë kemi shpresën që një ditë të gjejmë eshtrat e babait të Xhuzepes, që të prehen në atdheun e tij në Itali”, përfundon z. Mirakaj.