Agron MEMO/ Ali Dino Bej-figurë e ndritur e Çamërisë

    554
    Sigal

     Patriot, atdhetar dhe një nga intelektualët çamë me aktivitet të gjerë

     Kur miku im, Pirro Naçi, i cili punon dhe jeton në shtetin grek, më nisi një shkrim për një nga figurat e panjohura të derisotme të Çamërisë, Ali Dino Bej, kurioziteti më shtyri të mësoja diçka më shumë për këtë figurë të shquar, një nga themeluesit dhe president i parë i Shoqatës së Karikaturistëve grek në fillim shekullin e kaluar dhe një personalitet i shquar i artit dhe politikës në Greqi. Shfletova enciklopedinë e Çamërisë, një vëllim voluminoz, ku fisi Dino i Prevezës zë një vend të fuqishëm e të spikatur në këtë enciklopedi, por posaçërisht për Ali Dino Bej thuhet: Dino-Ali-Ekrembej Rasih Zejnel-Abedin (1891-1938),  “Mjeshtër i karikaturës”. U lind në Stamboll. I madhi i vëllezërve. Në vitet 1915 dhe 1917 zgjidhet deputet në Vulinë (parlament) e shtetit grek. Në vitet 1918-1920 me emrin Gazali Dino bashkë nënshkroi disa ankesa dhe përkujtesa dërguar Konferencës së paqes në Paris… Për disa vjet ishte punësuar nga trusti i madh kinematografik rus në Moskë. Studiuesi Ferid Hudhri në vitin 1979 në gazetën “Drita” nënvizon se: “Mund të themi se në historinë e artit tonë ato vite është piktori më i rëndësishëm që është marrë me karikaturë”… Në të përmuajshmen “Përpjekja shqiptare”, nr. 18-24, dhjetor 1938, faqe 426-427 thuhet se edhe pse punoi në Athinë, vepra e Ali Dinos është e mbushur me motive shqiptare, madje, diku-diku me frymëzime dhe përfytyrime thjeshtë shqiptare.

    VLERËSIMET

    Vepra e Dinos çmohet dhe nderohet. Ja çfarë shkruan studiuesi Pirro Naçi: “Duke kthyer sytë nga historia, shpeshherë ndodhesh përballë disa të papriturave. Ato të lënë gjurmë në ndjesi dhe kujtesë dhe pa dashur të futin thellë në vite, në ngjarje apo figura të cilat koha ndoshta i ka mbuluar me pluhurin e harresës. Në kohët e sotme historia ka mundësi më shumë se ç’do shkencë tjetër, për të na njohur me të vërtetën  dhe me të kaluarën. Ajo na pajis me ato dije dhe njohuri të nevojshme për të ecur përpara, në drejtime të reja, duke kapërcyer me sukses çdo vështirësi dhe na hap dritare të qarta për të ardhmen. Studimi i historisë në përgjithësi kryen funksione edhe në edukimin e njerëzve me frymën e respektit për të tjerët. Me këto postulate apo përkufizime në mendjen time për historinë, nisa rrugëtimin për t’u njohur me një nga figurat e shquara të artit dhe politikës greke të viteve ‘20-‘30 të shekullit të kaluar, vend në të cilin u lind, u rrit, zhvilloi veprimtarinë e vet artistike dhe shoqërore deri në fund të jetës së tij, më 1938”. Akademiku dhe kritiku i artit Zaharia Papantoniu shkruante për Ali Dinon: “Ai ishte shqiptar që përveç theksit, të gjitha cilësitë e tjera i kishte vetëm ndërkombëtare… Një figurë që sa më shumë e njeh dhe e studion, aq më shumë njihesh mirë me të”…

    ARKIVAT

    Në arkivat zyrtare shkruhet: “Ndoshta përpara dy apo tre dekadash emri i Ali Dino Bej në Shqipëri nuk ishte pothuaj i njohur. Por edhe diku ku më kishte kapur syri një libër enciklopedik i 12 viteve të shkuara, figura e tij jepej e cunguar dhe jo e plotë. Duke u marrë me skicën në shtypin lokal dhe atë kombëtar grek, fillova të njihesha edhe me historikun e sajë. Vazhdova të kërkoja për të dhe konstatova se pothuaj asgjë nuk ishte e njohur, ose shumë pak për jetën e tij. Duke zbritur në thellësi të gazetarisë greke të viteve të pas luftës së parë botërore, u përballa me një ‘minierë’ të pa shfrytëzuar edhe sot për figurën e tij”.  Por le të ndalemi dhe të shikojmë se kush ishte Ali Dino Bej: Ai u lind në Prevezë më 1890 dhe vdiq në Athinë më 1938. Ishte skicograf, karikaturist dhe politikan, pasardhës i një nga familjet më të mëdha çame, asaj Dino. Gjyshi i tij, Abedin Dino ishte zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme , guvernator dhe vali i 12 ishujve të Greqisë nën sundimin e Abdul Hamitit. Për vëllanë e tij, poeti i madh Jashar Qemal ka thënë se ishte Arif Dinua që më shtiu në rrugën e letërsisë. Një tjetër vëllai tij , Abedini, ishte piktor me karrierë të madhe në Francë. Ali Dino Bej studioi shkenca politike në Sorbonë dhe në vazhdim punoi si karikaturist në shumë gazeta të kohës në Athinë. Ai ishte president i shoqatës së karikaturistëve dhe një nga nismëtarët për themelimin e sajë… Në moshën 25 vjeç iu fut politikës me koalicionin e opozitës, me politikanët Gunari, Theotoku dhe Rali. Ai u zgjodh dy herë deputet, më 1915 dhe në 1917. Më vonë zbriti edhe në formacione të tjera politike, por nuk mundi të kishte rezultate. Madje ishte nga të parët që krijoi dhe zbriti në zgjedhje me parti çame, por rezultatet nuk ishin të mjaftueshme. Puna në politikë nuk i solli kënaqësi.

    STUDJUESIT PËR ALIUN

    Kostas Mitropulos, një nga karikaturistët më të mëdhenj të shtypit grek. “Për të gjithë ne karikaturistët, ai ishte një mit, një figurë enigmatike… Alekos Lidorikis-gazetar, shkrimtar dhe dramaturg (1907-1988): “Ishte mik i babait tim, mik i të gjithë njerëzve të letërsisë dhe artit, i dashuri i botës artistike të Athinës…i përbërë me edukatë dhe elegancë në dispozicion të humorit…shpërndante lumturi”. Selest Polihronidi-piktore(1904-1985):”Të gjithë që e njohëm, që u kënaqëm me talentin e tij, me mirësinë e tij, do të na lejë mbresa të thella në kujtesën tone”. Pavlos Paleologos, gazetar dhe shkrimtar (1895-1984):  “Meditoj se sa forcë tërheqëse kishte një mysliman i Prevezës, që me personalitetin e tij kishte pushtuar gjithë Athinën, si një faktor social…”…