Agron KAJA/Pesë arsyet pse besova ASHE-në!

    395
    Sigal

    REAGIM/ “Mora guximin të them” se… si i përjetova 8 vitet e qeverisjes së djathtë

    Në mbi 30 vite që lexohem e dëgjohem në mediat e ndryshme shqiptare dhe në Europë si gazetar sportiv e si komentator në radio e televizion, asnjëherë nuk e kisha menduar se do të flisja një ditë për politikën, edhe pse për gati 6 vjet kam drejtuar një dege partie politike të djathtë. Dhe këtë herë nuk durova, por e bëra si Zhvejku, pasi “… morra guximin ta them se …” 23 qershori 2013 më “tradhtoi” gjithçka që e kisha ndërtuar për 22 vite demokraci në Shqipëri. Sepse kam besuar e shpresuar shumë tek ajo maxhorancë e djathtë gjatë këtyre viteve, por në hapësirën 8-vjeçare të dominimit të politikës shqiptare thuajse nuk e kam gjetur kurrkund votën time dhe kontributin tim. Kësisoj, kam të drejtën të them edhe arsyet sepse më 23 qershor 2013 zgjodha ASHE-në (Aleanca për Shqipërinë Europiane), si alternativën time në qendrën e votimit. Mosmirënjohja është virtyt i së keqes, aq më shumë tek kjo politikë pa moral, e në këtë këndvështrim po rrokullis disa nga bëmat që vranë shpresën e durimin për atë çka ishte kërkuar nëpërmjet votës.

    Së pari: Shpërfillja e punës së bërë

    Që në vitin 2005 kur e djathta shqiptare u rikthye në pushtet, si një ish-drejtues lokal i politikës së djathtë hyra në skedën e diskriminimit të personit tim nga drejtues të lartë partiakë e shtetërorë, të cilët nuk më thanë një fjalë të mirë për punën që kisha bërë, për vështirësitë që kishim kaluar me shumë bashkëpunëtorë. Madje, prej atyre politikanëve që kishim bashkëpunuar (mirë apo keq) dera na u mbyll, qoftë edhe për një qarje halli të komunitetit për të cilën ata u kishin dhënë votën e tyre, pa menduar për halle e probleme personalë. Kjo situatë që krijuan njerëzit e pangopur të pushtetit më ndërgjegjësoi të kuptoja se mashtrimi, korrupsioni e antivlerat nuk na donin më as edhe për “punëtor krahu” e jo më të respektonin kontributin e dhënë që në startin e demokracisë, e cila kësisoj do të mbetet gjithnjë e brishtë. Dhe, ndoshta kjo mbeti arsyeja e parë që këta “ustallarë” të politikës së djathtë larguan nga rruga e nisur në vitin 1991 shumë përkrahës e militantë të tyre, duke i lënë ata në mesin e një rruge të ngritur me mund e sakrifica, në mohim të plotë të vlerave. Kësisoj, era politike në Shqipëri gjatë kësaj maxhorance dukej se po frynte kundër saj dhe nisur nga arsyeja e parë, të mbetur në mesin e një elektorati gri, kjo erë i përplasi në kohën e duhur në alternativën më pranë tyre.

    Së dyti: Ngjarjet tragjike me vrasje

    Duke qenë se kjo maxhorancë e djathtë gjatë qeverisjes së saj në 8 vitet e fundit pati edhe drama tragjike me humbje jete të qytetarëve të saj, nuk mund të mendohej se duhej flirtuar politikisht me përfaqësues të një shteti që vret qytetarin e tij. Kujtoj këtu Gërdecin e famshëm dhe 21 janarin, të cilët për mënyrën se si u trajtuan, lanë pas frikën se raste të tilla mund të ndodhnin në çdo kohë, kur këta të pangopur me pushtetin do të ridemontonin municione si në Afrikë apo në Azi, ku njerëzit trajtohen si skllevër, apo për një ndërtesë të pushtuar në një protestë duhet që të bënin viktima. Si ish-ushtarak, në të dyja rastet e mësipërme them me siguri profesionale se ishte qeveria ajo që ka gabuar, por ata që duhej të përgjigjeshin për pasojat u rigraduan si ministra dhe u ribënë deputetë. Në këto dy raste u kap drejtësia, e njëherësh, u vra shpresa për më mirë. Nisur nga këto dy momente tragjike të historisë së Shqipërisë, a duhej besuar më tek kjo maxhorancë? Jo! Qetësia qytetare i braktisi dhe kjo ishte arsyeja e dytë, më e fortë se e para, që drejtoi 999 mijë qytetarë të votonin ASHE-në më 23 qershor.

    Së treti: Diskriminimi për ish-ushtarakët

    Si pjesë e një shtrese të vuajtur në rininë e saj e më gjerë (nën kapele dhe mbi këpucë), ish-ushtarakët nga kjo politikë e djathtë janë ndjerë më shumë se sa të fyer, më shumë se sa të diskriminuar nga politikat e saj. Duke e quajtur padrejtësisht këtë shtresë të nderuar si kontingjent të së majtës, udhëheqja e djathtë 8-vjeçare hapi një luftë të re klasash si të kohës së diktaturës, diskriminoi e mohoi vlerat personale dhe kombëtare të asaj ushtrie që shërbeu me nder e sakrifica, duke i mohuar edhe statusin e ish-ushtarakut. Janë me dhjetëra, në mos me qindra ata ish-ushtarakë të nderuar që për ta përfituar këtë të drejtë kushtetuese kanë vite zvarriten nëpër dyert e gjykatave, ku duhet thënë se kanë gjetur diçka që u takon, por jo të tërën. Dhe këtë e bëri një politikë anti-shqiptare, e cila ngatërroi jaranin me kurbanin! Sa konkrete mbetet kjo shprehje, këtë le ta thonë kolegët ish-ushtarakë, të cilëve u bëj apel për durim se së shpejti do të ndjehen si evropianë në të drejtat e tyre kushtetuese.

    Së katërti: Gënjeshtrat për rrugën Lushnjë-Berat

    E bëj shpesh këtë rrugë (Lushnjë-Berat e anasjelltas) për arsye familjare, për arsye pune dhe si ish-banor i qytetit të Beratit, por kur udhëtoj me mjetin tim personal në një rrugë si në xhungël, e nga ana tjetër shikoj e dëgjoj të flitet për rrugë të tjera rurale të ngritura këtu e atje, jo vetëm revoltohem, por them se është pak të protestoj me këto radhë. Nga ky këndvështrim, them se është pak që ta ndëshkosh me votë një mashtrim elektoral që iu bë kësaj rruge në dy-tre muajt e fundit, e cila tashmë ka mbetur e braktisur nga gurët e çaklli që ju hodh si për të zënë sytë (për të marrë votat). Këtë Berati nuk e meritonte dhe nuk e hëngri rëngën banale, sepse  kjo rrugë që të çon tek një pjesë e UNESKO-s shqiptare, tek një qytet nga më të vjetrit në Shqipëri, u la nga qeverisja në ikje në nivelet e Afganistanit pas bombardimeve (… mos e beso po deshe). Është Berati i majtë në mentalitetin e tij politik? Sot them se ka të drejtë të jetë i tillë, sepse vetë shkelmimi nga e djathta që nga Fier Shegani e deri në Kombinat, e ka detyruar të bëhet i tillë. Cila është fatura e dëmit që ka shkaktuar kjo rrugë, këtë e ka ndjerë qytetari beratas dhe ai skraparlli, e ka ndjerë shumë turizmi që ofron kjo krahinë, papunësia që kjo rrugë ka kallur në pamjen e saj, pse jo edhe e ardhmja që në atë asfalt gropa-gropa shikonte të djathtën shqiptare. Kjo është një arsye e fortë që Berati e mundi 6 me 2 të djathtën më 23 qershor dhe që mua më tërhoqi veshin për ta parë realitetin më ftohtë e pa frymëzimin e viteve të shkuara.

    Së pesti: Punësimi dhe strehimi në zi

    Lëvizja e lirë në shtetet demokratike është normale, por kur në kryeqytet vërshojnë njerëz që pretendojnë të flenë ende nëpër kasolle e të bëjnë punë të rëndomta, vetëm që të jenë numërorë të kutive të votimit, këto nuk janë standardet ku duhet të aderojmë. Këto standarde u shkelën kudo, që nga administratat shtetërore e deri tek ato lokale, me pjesëmarrjen e njerëzve të paformuar si qytetarë, mendo pastaj që këta të jenë qytetarë evropianë. E këta njerëz që drejtuan në 8 vite këto administrata (qore para kompjuterit e shurdhë në gjuhët e huaja) nuk mund të mendonin për punësimin e të rinjve, për punësimin e forcave e potencialeve të afta për punë, por për militantizëm. Më 23 qershor e  panë se ku i çoi ky militantizëm…! Natyrisht që kjo politikë demografike nuk mund të mendonte kësisoj edhe për strehimin, një pikë delikate e jetës së mijëra e mijëra qytetarëve shqiptarë. “Të pa strehë, të papunë e të pa shpresë”, kjo mund të ishte logoja që duhej të fokusohej ndaj një qeverisje serioze, nisur nga të dhënat tronditëse që Shqipëria shënoi në 8 vitet e fundit. Të na rrojë puna private, të na rrojnë emigrantët që kemi nëpër Evropë e Botë, se me politikat e punësimit që pamë kohët e fundit, 50% e shqiptarëve në Shqipëri do të shisnin fara luledielli e gështenja të pjekura (nëse do të ketë vende të lira).

    Thënë thjesht dhe çiltër e pa retorika boshe, këto janë brengat e 8 viteve të shkuara, se nëse do të flasësh për një keqqeverisje, ka shumë e shumë elementë të tjerë që e zhveshin lakuriqësinë e saj, me shumë korrupsion e pak punë, me shumë mashtrime e pak realitete pozitive në shërbim të komuniteteve, në shërbim të taksapaguesve shqiptarë. Shëndetësia, arsimi, rendi e korrupsioni do të jenë sfidat e tjera për të cilat më 23 qershor u votua se do të ndryshojnë. Dhe këto duhet të jenë arsyet që një qytetar i përgjegjshëm të ndahet nga e kaluara.