Agron KAJA/Kryebashkiakët e përdhosin, topkëmba për mëshirë

520
Sigal

Dy raste dhune nga dy të zgjedhur lokalë, seritë në vazhdim të telenovelave meskine

“Nga Gramshi në Kavajë”, ky ishte emisioni sportiv që u vetprodhua si i tillë në fundjavën tonë futbollistike. Në fakt, ka vite që në futbollin shqiptar është bërë e modës të ketë poste politike të cilët abuzojnë me pushtetin e tyre, duke marrë timonin edhe në sport, më saktë në futboll. Në 10-vjeçarin e fundit, ky abuzim është atashuar si fenomen i dhunës në shkallët e stadiumeve dhe në fushën e lojës, duke u bërë një plagë që nuk po i shqitet futbollit, edhe pse nga faktorët e kësaj loje popullore predikohet se gjithçka prej tyre është në zbatim të detyrimeve që ata kanë për skuadrat respektive. Në fakt, nuk ka qenë dhe nuk është kështu, teksa kujtojmë si fillim në këto radhë se në këtë hark kohor, dhuna është prodhuar më shumë nga tribunat VIP. Kështu ka ndodhur në Laç e Pogradec, në Peqin, në Pukë dhe Tepelenë, me një kulm në Burrel ku zyrtari i FSHF-së Sulejman Mema u godit rëndë në korridoret e stadiumit në rrezik për jetën. Ndërkohë që këtë javë vijmë në një model bashkie, ku kryebashkiakët bëhen protagonistë të kësaj dhune. Këta njerëz të zgjedhur nga populli që bëhen presidentë klubesh kur i financojnë nga arkat e bashkisë, sillen sikur ta kishin këtë klub futbolli një pronë personale që për ta mbajtur nën sqetull ata duhet të shkelin edhe ligjet e rregullat më elementare të mirësjelljes dhe futbollit i rrëmbejnë misionin e tij të vërtetë. Nuk ka se si të flasësh ndryshe, kur një kryebashkiak me dhimbsuri kaq të madhe për futbollin e qytetit të tij, bëhet “kapo” dhe kërkon të shtypë gjyqtarët me makinën e tij, pikërisht në fushën e lojës! Ndërsa në Kavajë, në një qytet me tradita kulturore e sportive, kryebashkiaku me sharm europian, futet në dhomën e zhveshjes së skuadrës kundërshtare duke kërcënuar me jetë trajnerin në krye të detyrës e zyrtarë të tjerë kundërshtarë. E kështu, ne shqiptarët e shekullit të 21-të që jemi duke ju lutur Evropës të na shtrojë në sofrën e saj, duket se po qeverisemi në xhungël, aty ku rregullat e ligjet i bëjnë dhe i zbatojnë kryetarët e fiseve. Ndoshta kështu ju duket atyre, sepse nga arkat e shtetit ata paguajnë futbollin e qytetit të tyre (shumë mirë bëjnë), por këtë pagesë ata e përkthejnë me uzurpim, me shkelje të çdo të drejte e të vlere që futbolli ka përtërirë në jetëgjatësinë e tij. Kësisoj, ky është handikapi që këta bashkiakë me dashje e uzurpojnë futbollin, ku drejtimi prej tyre shfaqet tërësisht politik dhe aspak sportiv. Me këto forma “alla ‘97”, këta le ta drejtojnë çdo klub e skuadër futbolli nga financat e tyre personale, pasi të kenë ikur nga detyra e kryebashkiakut dhe të mos përfundojnë me vila në Tiranë dhe në bregdet, ndërsa skuadrën e braktisin sikundër një lavire klientët e saj. Ky është një abuzim, por që në rastin e Ervis Rroshit është policia ajo që ka ndihmuar në dhunën që ai ka demonstruar ndaj trajnerit të Tiranës. Sepse është detyra e saj e mirëfilltë që të ruajë rendin e qetësinë publike në të gjitha ambientet e stadiumit, është detyra e saj që të mos lejojë njerëz me dhe pa kollare që të futin hundët aty ku nuk ju takon. Në Kavajë kjo polici ka dështuar profesionalisht, ndërkohë që është duke vepruar më shumë se politikisht në trajtimin që po i bën shkeljeve që Roshi bëri me sjelljen e tij ndaj trajnerit Dede. Ka edhe një faturë që futbolli do ta marrë mbi shpatullat e tij deri në fundin e sezonit. Ajo është fatura që po prodhon situata parazgjedhore e zgjedhjeve të 23 qershorit, që fatkeqësisht sillet pikërisht nga këtë bashkiakë e deputetë, të cilët kështu i bëjnë shërbimin më të mirë karrigeve të tyre. Futbollit i kanë bërë nënën! Kjo situatë duhet të ndryshojë.