Agron Kaja/ Ish-ushtarakët nuk janë “votë paradhënie” nga shkrimet “qaramane”!

    436
    Ka disa ditë që në shtypin tonë periodik po lexojmë shpesh qëndrime e komente për dritëhijet shpërfillëse të ish-ushtarakëve, të fokusuara më shumë sa i përket anës financiare të tyre. Duke qenë kjo pjesë e shoqërisë shqiptare si një nga shtresat e popullsisë më të lëna në harresë në 23 vitet e demokracisë shqiptare, natyrisht që do të bëhet edhe objekt i ndonjë momenti të tillë. Kjo është normale, por kur kjo lëvizje ndodh vetëm kur ka fushata elektorale, ajo nuk është efikase në mënyrë të dyfishtë, kryesisht për ish-ushtarakët. Nuk mund ta quaj të tillë intervistën e Drejtoreshës së Përfitimeve në ISSH, e cila deklaronte midis të tjerave se nga strukturat e këtij institucioni në katër vitet e fundit janë rillogaritur rreth 17 mijë pensione suplementare dhe të parakohshme të ish-ushtarakëve, në zbatim të Ligjit Nr.10142 datë 15.05.2009, i ndryshuar. Por, edhe ky është një lajm teknik i lançuar shpesh nga të tjerë punonjës në atë institucion, dhe për kohën kur shkruhen dhe për mënyrat e format se si e trajtojnë objektin e shkrimeve në ditë fushatash, këto reshta gazetash vetëm sa e fryjnë pluhurin mbi dosjet e ish-ushtarakëve, e njëherësh i bëjnë politikanët edhe më të hallakatur në premtimet e tyre të pa mbajtura. 
    Nëse i referohemi realitetit që nga viti 1992 kur u aplikua reforma e parë në Ushtrinë Shqiptare dhe deri në ditët e sotme që për trajtimin e tyre ka një Status të Ushtarakut, ish-ushtarakët kanë qenë vetëm objekt i premtimeve nga e gjithë politika e kësaj periudhe, njëherësh edhe objekt i përdorur për vota në favorin e tyre politik. Nëse do të kthehemi në retrospektivën e kujtesës, duhen gazeta të tëra për të treguar se çfarë brutaliteti është treguar nga qeveritë me shtresën e ish-ushtarakëve, por, nëse do të themi se çfarë duhet bërë sot 23 vite më pas, kjo është detyra më fisnike në respekt të kësaj shtrese të përvuajtur të qytetarisë shqiptare ndër vite. Parë kështu, në këtë opinion do të doja një mirëkuptim nga të gjithë ata ish-ushtarakë historikisht të trajtuar keq nga arsye të ndryshme të politikave në Shqipërinë e pas viteve ’90-të, e cila edhe në këtë periudhë zgjedhore është duke u nënvleftësuar. Mirëkuptimi im kërkon të thotë troç se personaliteti i ish-ushtarakut nuk është i vlefshëm vetëm për fushata elektorale, se ish-ushtarakët duhet të jenë më të kthjellët në realizimin e kërkesave e të drejtave të tyre të mbrojtura me ligj. Nuk janë fushatat elektorale e vetmja kohë për të gjetur zbatueshmërinë e kërkesave legjitime, sepse në si shqiptarë tashmë jemi ngopur nga premtimet në fushata elektorale, njëherësh po vuajmë respektimin e tyre minimal. Dhe si për ta përforcuar këtë mendim, edhe këto ditë që fushata elektorale për zgjedhjet e 21 qershorit është në pikun e saj, ende në programet elektorale të kandidatëve për kryetarë bashkie nuk ka gjetur vendin e saj dhe në asnjë podium nuk është folur prej tyre se çfarë mund të bëhet nga qeverisjet vendore për këtë shtresë pas zgjedhjeve. Madje duke u fokusuar kryesisht në Tiranë ku banon, ku jeton e zhvillon aktivitetin familjar më shumë se 70% e këtyre ish-ushtarakëve, nuk është folur se çfarë politikash do të ndiqen, ndoshta vetëm për punësimin dhe për pensionet e tyre, për ato pensione qesharake që qeveria e kaluar i bastardoi me një prapavijë politike të pacipë. Ai, famëkeqi Akti Normativ datë 10.11.2010 që u zbatua pesë vite më radhë, e degjeneroi financiarisht dhe moralisht shtresën e ish-ushtarakëve duke ja hequr atyre padrejtësisht bukën e gojës që për vite e vite e kishin merituar në stërvitje, në male e fusha, në ditë të ftohta e të nxehta, në alarme e gatishmëri luftarake, vetëm në respekt të mbrojtjes së Atdheut. 
    Këtë sakrificë nuk e kanë konceptuar asnjëherë ligjvënësit e politikbërësit tanë, ku kjo politikë e zezë e tyre qartazi reflektoi një urrejtje, një mënyrën për të cilën me të drejtë si shpërblim nuk morri votat e besimit në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 edhe nga shtresa e ish-ushtarakëve. Prandaj nuk duket si e sinqertë, nuk konceptohet si logjike dhe e besueshme që në këtë situatë para zgjedhore të zgjohen nga letargjia e tyre drejtues të ndryshëm të shoqatave të ish-ushtarakëve, apo edhe punonjës të ISSH-së. Sepse ish-ushtarakët duhet të dëgjojnë, duhet të lexojnë e të bërtasin në çdo stacion mediatik shqiptar jo vetëm në ditë fushatash elektorale, jo vetëm për atë se çfarë nuk është bërë nga qeverisja e kaluar, por periodikisht e me forma demokratike edhe më të avancuara për korrigjimin e mangësive në kurriz të tyre. Ndoshta sot, qeveria që ka ikur më 23 qershor 2013 mund të ndjehet edhe komode kur dy vite pas rënies së saj e pickojnë për atë që nuk e bëri, kur harxhohen reshta gazetash për respektin e zi që ajo tregoi ligjërisht për ish-ushtarakët. Prandaj dy vite më pas ne nuk duhet të qajmë atë çka nuk e bënë ata, por gjykoj se më e arsyeshme është që të kërkohet respektimi i ligjeve që në krye të tyre materializohen në Statusin e Ushtarakut, të kërkohet shfuqizimi i atij Akti Normativ që pensionet e ish-ushtarakëve i bëri të barabartë me asistencat e të papunëve! Me një Status të degraduar në zbatueshmërinë e tij faktike, ish-ushtarakët sot duhet të jenë më të kthjellët e më kërkues ndaj çdo qeverie për vënien në funksion real ligjor të tij. 
    Edhe pse sot teorikisht ka një respekt ndryshe për ish-ushtarakët, praktikisht ky respekt bëhet zero në financat që edhe për ilaçe nuk janë të denja. Sot, të gjithë ish-ushtarakëve dhe familjeve të tyre u duhet që të mësojnë se si do të trajtohen ata nga ana financiare në këto kohë të vështira, kohë mes të cilave po gjejnë rritje vetëm pagat e pushtetarëve dhe të buxhetorëve, ndërsa ata gënjehen me ndonjë shkrim që nuk sqaron themeloren, teksa prek keqardhjen për të mbuluar të tashmen. Një apo dy shkrime në gazetë janë pak, jo vetëm në respekt të figurës së ish-ushtarakut, por edhe në respekt të Statusit që atë e bën një shtresë të veçantë në trajtimin financiar. Ish-ushtarakët shqiptarë nuk e meritojnë trajtimin me Aktin Normativ të 10 nëntorit 2010, një akt brutal që bëri mijëra prej tyre debitorë financiarë. Rillogaritja e pensioneve të tyre me formulën e re nuk mund të quhet punë e përfunduar për ta, ndaj duhet që pas kontributit qytetar në zgjedhjen e kandidatëve që kanë më afër synimeve të tyre, më 22 qershor t’u rikujtohet atyre se kontrata me ta është e hapur. Për këtë kontratë duhet të folur pas zgjedhjeve, sepse sot edhe ish-ushtarakët duhet të kontribuojnë me votë në spektrin politik ku e gjejnë më mirë veten e tyre. Shkrimet “qaramane” në këtë periudhë parazgjedhore u bëjnë punë ish-ëve që i diskriminuan financiarisht ish-ushtarakët!
    Sigal