Agron HILA/ Idriz Sulli dhe kanuni i tij

    545
    Sigal

    Gjeneza e kanunit dhe takimeve për t’i dhënë fund fenomenit të gjakmarrjes dhe hakmarrjes

    Në ndryshim nga kanunet dhe zakonikët e tjerë të njohur në historinë e vendit tonë, tek të cilët spikat një rreptësi mizore në zbatimin e nyjeve (neneve) të tyre, shartet e Idriz Sullit dallohen për maturi dhe sens tepër human në të kuptuarit e çështjeve të shtruara për zgjidhje. Për shartet e Idriz Sullit, prej kohësh kanë hedhur mendime e kanë botuar trajtesa mjaft studiues të shkencave historike e juridike, por këtu vlen të përmendet Profesor Doktor Ismet Elezi dhe studimet e tij me tepër vlera shkencore. Kështu, në librin e tij studimor, “E drejta zakonore e Labërisë në planin krahasues”, vërteton këtë fakt tepër të rëndësishëm: “Shartet e Idriz Sullit pasqyronin ndryshimet që kishin ndodhur e po ndodhnin në marrëdhëniet në prodhim, kur, krahas atyre që ishin sunduese, po zhvilloheshin edhe marrëdhëniet kapitaliste… Kjo normë e re në të drejtat zakonore kishte anën e vet pozitive, sepse lejonte pjesëmarrjen e gruas në punë, që shënonte objektivisht një hap përpara drejt çlirimit nga shtypja dhe pabarazia me burrin”. Po cilat, pra, ishin shartet e Idriz Sullit? Pjesa më e rëndësishme dhe më e madhe e tyre, e radhitur sipas forcës vepruese, përbën në vetvete një kanun, i cili, jo pak herë, nga studiues të mirëfilltë shkencorë, është cilësuar si “Kanuni i Idriz Sullit”. Shartet, këta rregullatorë të jetës së banorëve të trevave jugore të vendit, u sanksionuan kryesisht në dy kuvende vendimmarrëse, të udhëhequra nga ideatori i tyre, Idriz Sulli. Këta kuvende ishin Kuvendi i Senicës, rreth vitit 1770 dhe Kuvendi i Taroninës, afër Zhulatit, ose, siç është cilësuar ndryshe nga rrëfimtarët ndër breza dhe këngët, “Kuvendi i Rrapit të Agait” pranë një burimi të ftohtë, rreth vitit 1775. Më konkretisht, ja kuintenca e nyjeve (neneve) të këtij rregullatori jetësor, i cili zuri fill përgjatë shekullit të 18-të, përmes përpjekjeve të mëdha të njerëzve përparimtarë të asaj kohe:

    -Bashkim e vëllazërim pa dallim krahine e feje;

    -Ndalimi i gjakësive dhe i hasmërive dhe zëvendësimi i tyre me sanksione të tjera jo gjakësore, ekonomike e morale;

    -Ndëshkimi në shkallën më të lartë i agjenteve dhe i spiunëve të pushtuesve të huaj;

    -Sanksione ndëshkimore me karakter ekonomik për vjedhjet dhe bastisjet;

    Nyje e veçantë për rregullimin e jetës së brendshme të fshatrave e krahinave, veçanërisht ne drejtim te marrëdhënieve të ndërsjella shoqërore e miqësore. Rregullsi mbi lidhjet e krushqive dhe martesave, jo vetëm mbi bazën e kamjes dhe të sërës, por dhe mbi atë të fisnikërisë, mençurisë, urtësisë dhe te aftësive fizike të pretendentëve për bashkëshorte

    – E drejta e zgjidhjes martesore (divorceve) dhe detyrimet morale dhe ekonomike, veçanërisht për gruan e ndarë;

    – Sanksione të veçanta për detyrimet e personave përgjegjës për dëmet ekonomike të shkaktuara, vetjake apo kolektive qofshin, si dhe shkallëzim, masa zhdëmtuese;

    – Detyrimet e çdo familjeje, fisi, fshati e krahine për nxjerrjen në luftë kundër pushtuesve te një luftëtari në çdo derë;

    -E drejta për mbajtjen e armës dhe përdorimi i saj vetëm për punë të dobishme mbrojtëse;

    – Detyrimi moral, ekonomik e ruajtës i objekteve të kulteve fetare, si dhe e drejta për pelegrinazh në t,o brenda rregullave të shërbimeve klerikale;

    Këto e të tjera rregullsi ligjvënëse me karakter masiv, me nyje e nën nyje të shumtë të natyrës së thjeshtë për zbatim konkret, përbëjnë “Shartet e Idriz Sullit”, i cili erdhi i paprekur deri në ditët tona përmes një rreptësie të habitshme ekzekutive nga vetë banorët e trevave, që nga Lumi i Vlorës e deri në Çamëri, të interesuar gjer në vetëmohim për materializimin e tyre në mbroth të përparimit të kohës.

    Kuvendi i Senicës

    Ky tubim burrash me emra të dëgjuar të kohës, u quajt ndryshe edhe, “Palcimi (pajtimi) i Senicës”, ose “Besëlidhja e Senicës”. Ai u mbajt rreth vitit 1770 në Senicë, një fshat me popullsi autoktone të krishterë ortodoks, pjesë e rrethinës së Rrëzomës, në veri-perëndim të qytetit të Delvinës. Këtij kuvendi të madh, nga masa e popullit, iu vu edhe emri tjetër, “Palcimi i Senicës”, pasi, qëllimi kryesor i tij, ishte lënia një herë e përgjithmonë i gjaqeve e hasmërive, përçarjeve në emër të fesë nga të huajt, si dhe zëvendësimi i tyre me të tjera detyrime me karakter moral dhe material. Në periferi të fshatit Senicë, te shkëmbi i kishës që i thonë, në dy kamare të zgjedhura posaçërisht, u vunë për betimin e pjesëmarrësve, në njërën kamare Ungjilli, simbol i të krishterëve dhe në kamaren tjetër u vu Kurani, simboli i pjesëmarrësve myslimanë. Kjo gjetje ishte pjesë e mençurisë së burrit të urtë, Idriz Sulli, e cila do t’i sillte një mbarësi të padëgjuar atij kuvendi të lartë patriotik. Pasditja e së premtes e mbushi sheshin e Senicës me bujtësit e nderuar, pjesëmarrës të atij kuvendi historik. Ata ishin të shumtë, nga të gjitha rrethinat e kazatë e Jugut të vendit, që nga Lumi i Vlorës e deri në Çamëri. Dhe ja, ne po i zëmë të gjithë me radhë, siç na i sjellin edhe vargjet e këngës, kushtuar atij organizimi të pazakonshëm: Kristo Koka nga Vunoi, Jani Milo nga Himara, Spiro Gjika nga Qeparoi, Miho Gjini nga Piqerrasi, Qesko Hila nga Lukova, Hajdin Shehu nga Kalasa, Stefan Prifti nga Shënvasia, Kolë Mili dhe Jano Kumia nga Nivicë – Bubari, Dajkua i Lëkurësit, Bedo Hodo nga Borshi, Demir Dosti nga Kardhiqi, Kostë Prifti nga Senica, Toto Rusha nga Progonati, Idriz Sulli nga Zhulati, Osman Sina nga Tatzati, Sheh Sejkati nga Filati i Çamërisë, Dalani nga Konispoli, Kallapodhi i Delvinës, nga Smokthina e Vlorës, Zoto Mahmuti, Igumeni i Katerinës – Çamëri, Allajbeu i Navarricës, e mjaft të tjerë, të cilëve, kënga s’ua zë emrat në gojë. Në atë kuvend, me rëndësi të veçantë historike, u shtruan dhe u rrahën shumë anë e probleme që kërkonin zgjidhje të ngutshme, siç ishin: Ruajtja e tërësisë së trojeve e sinorëve prej sulmeve të herëpashershme të armiqve, ndërtimi i jetës dhe i punës jashtë rregullsisë së ligjeve perandorake turke, rregullimi i marrëdhënieve ndërfisnore mbi bazën e pleqësive e mençurive të lashta, e shumë e shumë të tjera të karakterit shoqëror. Por ajo që spikati me forcë historike në këtë kuvend vullnetarësh patriotë, ishte palcimi (pajtimi) ndërnjerëzor, jashtë zakoneve të egra e ndasive fetare. Njihet historikisht fenomeni mizor i gjakmarrjes në tërë Shqipërinë, që nga lashtësitë e deri në ditët tona kur po shkruhet ky jetëshkrim. Ishte një peng i rëndë marrja përsipër e shuarjes me rrënjë e degë e atij fenomeni gjakësor, shfarosës njerëzish, veçanërisht të gjinisë mashkullore. Gjenezat e gjakmarrjeve ishin të klasifikimeve të ndryshme, që nga ato me karakter ekonomik e shoqëror e deri tek ato të ndasive fetare, një konflikt tepër i vështirë, që, në shekuj kishte vënë përballë jo vetëm fise e fshatra, por edhe krahina të tëra, duke shkaktuar gjëma të mynxyrshme. Tragjizmi i këtyre gjakmarrjeve e kishte kaluar me kohë cakun e mbijetesës të meshkujve të mijëra e mijëra familjeve shqiptare. Prej shekujsh ai tragjizëm ishte kthyer në një akt ritual, duke fituar ndër njerëz një qytetari nderi të përgjakur. Rrallë familje kishin mbetur jashtë qerthullit të përgjakshëm të hakmarrjes e gjakmarrjes, të rralla ishin ato fshatra apo krahina, që nuk kishin nën dhe lagje të tëra njerëzore, të kositur prej mizorisë së gjakmarrjes. Dhe, më e keqja, një mendësi e tillë vrastare ishte çimentuar si një traditë burrërore. Koka e plakut të urtë, Idriz Sulli kishte kohë që po punonte për të ndaluar furinë e kësaj batërdie njerëzore, e cila bëhej në emër të një idhulence të rreme, të shenjtëruar pa meritë. Vetëm një idhulencë mbetej përjetësisht e pamort: Dhënia e jetës për mbrojtjen e trojeve amtare, të tjerat ishin pasojë e politikave të ndryshme përçarëse, bashkë me to, edhe ato fetare. Si ua bëri të ditura këto dukuri plaku i urtë njerëzve që e pasuan në Kuvendin e Senicës? Për këtë fakt, dokumente nuk disponojmë. Por ajo, që na e sjell të saktë vërtetësinë e atij akti historik me rëndësi kombëtare, është kënga e popullit, e cila ka ardhur e paprekur si një postulat dokumentar deri në ditët tona, “Jemi një gjak e një farë”: Dëgjuar a parë kini/ Në Senicë u bë malcimi/ Fshatra e kaza u mblodhë/ Pleqësitë e anës sonë… Te përrallet në lëndinë/ Flet Idrizi me të mirë: – Mbani vesh, o kapedanë/ Të mençur e pleq me radhë/ Të madhe ua bëj rixhanë/ Që të lidhim besë e fjalë/ Se të gjithë trimat u vranë/ Vritet shoqi me vëllanë/ Mbenë shkretë këto anë/ Bëhet qejfi hasmë tanë. Se s’jemi turq, as venecianë/ Jemi një gjak e njëfarë. Nga gojëdhënat na vjen kjo e vërtetë, se, pas “Palcimit të Senicës”, të gjithë pjesëmarrësit u betuan për zbatimin me korrektësi të atyre vendimeve të marra së bashku, duke vënë dorën e zemrës mbi Ungjillin e mbi Kuranin. Ky zbatim korrekt i atij vendimi të mençur e në mbroth të njerëzimit të këtyre trevave, ka ardhur i paprekur deri në ditët tona. Zakoni shfarosës i gjakmarrjes ia la vendin urtësisë dhe vëllazërimit ndërfetar.

    Kush ishte legjislatori popullor Idriz Sulli

    Idriz Sulli mendohet të ketë lindur aty, rreth viteve 1710 – 1715 në një familje të mesme të fshatit Zhulat, qendër e banuar në atë kohë me rreth 300 shtëpi. Familja e tij, jo fort e kamur ekonomikisht, njihet ndër breza për mençuri, fisnikëri e urtësi. Së bashku me shartet (ligjet) e tij, Idriz Sulli e ka zanafillën përgjatë shekullit të 18-të, kur vendi, prej qindra vjeçarësh, lëngonte nën sundimin otoman. Ky tribun popullor me cilësi të rralla të ndjenjës së përparimit shoqëror, u rrit në një kohë, kur njerëzit e asaj kohë, në Jug e në Veri, po thellonin më shumë se kurrë përpjekjet e të parëve të tyre për liri e pavarësi, në luftë kundër perandorisë së sulltanëve. Nga të dhënat e pakta që disponojmë, veçanërisht nga rrëfenjat popullore të përçuara brez pas brezi, na del, se Idriz Sulli ishte i shkolluar aq sa lejonte koha në shkollat turke. Shekulli i 18-të ishte qindvjeçari i luftërave të lirisë, jo vetëm në Shqipëri, por në tërë gadishullin tonë. Përmes kësaj rrjedhe luftërash e përpjekjesh, Idriz Sulli, më tepër se luftëtar, u shqua si legjislator popullor me një rezonancë të largët kohore. Veprimtaria ligjvënëse e këtij burri të shquar në fushën e jurispundencës, u cilësua dhe erdhi gjer në ditët tona me emërtimin e veçantë, “Shartet (ligjet) e Idriz Sullit”.