Agron Fico, profesori që u mësoi shqip kinezëve dhe amerikanëve

1441
Nga Engjell Serjani
Sigal


Profesor Agron Ficos i akordohet titulli akademik “Doctor honoris Causa” nga Universiteti “Eqrem Çabej” i Gjirokastrës.

Universiteti i Gjirokastrës “Eqrem Çabej” i ka akorduar titullin e lartë akademik “Doctor honoris Causa” studiuesit me eksperiencë 50 vjeçare në fushën e shkencave albanologjike Prof. dr Agron Fico. Me propozim të një grupi profesorësh të këtij universiteti; Prof. dr. Gëzim Sala, Prof. dr. Gëzim Rredhi, Prof. as. dr. Merita Gjokutaj, Prof. as. dr. Spiridhulla Poçi dhe Prof. as. dr. Jaho Cana, me miratim të Senatit Akademik titulli “Doctor Honoris Causa” për albanologun Argon Fico u akordua me motivacionin; “Intelektual me veprimtari kërkimore-shkencore e universitare mbi 50-vjeçare; me ndihmesa të njohura në disa disiplina të shkencës kombëtare shqiptare; që, me ngulmim profesional, vullnet dhe pasion të përhershëm dhe me vështrime bashkëkohore, ka shënuar prurje dhe arritje shkencore të vlerësuara ndër vite, veçmas në etnokulturë dhe folklor”. Rektori i këtij universiteti Prof. Dr Bektash Mema, gjatë ceremonisë tha se, “Universiteti që mban emrin e albanologut dhe gjuhëtarit të shquar, Eqrem Çabej e konsideron privilegj të nderojë me këtë titull të lartë akademik Prof. dr. Agron Ficon, i cili për afro 50 vjet kontribuoi si studiues, dhe hulumtues i trashëgimisë etnokulturore të popullit, si një nga themeluesit e Institutit të Folklorit në vitin 1958, si një gjuhëtar që mundësoi mësimin e shqipes dhjetëra të huajve, që kontribuoi si gazetar, diplomat dhe pedagog”
Studimet e Profesor Agron Ficos përbëjnë një pasuri dhe një pikë referimi për të gjithë komunitetin shkencor shqiptar në fushën e gjuhësisë, etnokulturës shqiptare, kërkimeve për Eposin Shqiptar. Profesor Fico është një nga personalitetet më të spikatura të botës shkencore shqiptare, i cili prej disa dekadash ka dhënë e vazhdon të japë kontributin e vet të vyer në fushën e albanologjisë. Falë punës së tij profesionale, vullnetit, pasionit të vazhdueshëm, këmbënguljes dhe vizioneve bashkëkohore, ai ka arritur të realizojë prurje shkencore të rëndësishme ndër vite, kryesisht në studimin dhe interpretimin e etnokulturës, folklorit, gjuhësisë etj. Puna e këtij albanologu dhe studiuesi të palodhur është e lidhur ngushtë për disa dhjetëvjeçarë me disa fusha kërkimi e studimi si etnofolklori, traditat, kultura popullore, gjeneza e popullit shqiptar, gjuhësia, arti dhe kultura shqiptare, përhapja dhe vendi i tyre në botë.
Prof. dr. Agron Fico ka lindur më 10 Maj 1934 në qytetin e Gjirokastrës, ku mbaroi gjimnazin “Asim Zeneli”, me medalje ari, si dhe më pas kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, me rezultatin “Shkëlqyeshëm”. Prej disa kohësh ai gëzon titullin “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”. Ai është shtetas amerikan dhe jeton në Nju Jork e Tiranë.
Vlen të theksohet se me punën dhe këmbënguljen e tij të vazhdueshme, pasionin dhe përkushtimin e gjuhëtarit, Agron Fico ia doli të hap dy katedra të gjuhës shqipe jashtë Shqipërisë: në kryeqytetin kinez, Pekin, (1961-1965) dhe në Miçigan – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (1996-2000). Diplomati Agron Fico njihet edhe si themeluesi i emisionit shqip të Radio Pekinit. Ai është eksperti i rrallë, krijues dhe hartues metodash, me anë të cilave u mundësoi për afro 40 vjet mësimin e shqipes dhjetëra të huajve: gazetarë, studiues, diplomatë, pedagogë e gjer tek qeveritarë. Ai është folkloristi dhe studiuesi i njohur i etnokulturës, që e nisi udhën me ekipin themelues të Institutit të Folklorit, 1958. Ai hyri në auditorët e të parit Universitet shqiptar si profesor dhe si i pari Sekretar Shkencor i Institutit të Gjuhës dhe Historisë, 1958-1962; Sekretar Shkencor i Institutit të Folklorit (1966-72); lektor i Folkloristikës në Akademinë e Arteve. Ka marrë pjesë si anëtar i jurive, në shumicën e Festivaleve Folklorike Kombëtare në Gjirokastër dhe Berat, ka qenë President nderi i “Aulona Interfolk Festival ” 2013, dhe anëtar i jurive ndërkombëtare të folklorit si në Minsk, Moldavi, etj.
Në punën dhe përpjekjet e palodhura të Profesor Agron Ficos këtij njeriu me interesa të gjera e të shumanshme nuk mund të lihet pa u përmendur përfaqësimi i tij në lidhje me shkencën dhe kulturën shqiptare në një varg konferencash shkencore, kombëtare dhe ndërkombëtare si, në SHBA, Kinë, Greqi, Rumani, Turqi dhe në mënyrë të veçantë në vitin 2000 në Finlandë në Kongresin e VI-të botëror për çështje të post-komunizmit në Evropë, e gjetkë.
Profesor Agron Fico është i pari studiues që zbuloi pas një pune këmbëngulëse dhe plot pasion në bibliotekën e Harvardit (në Mars 1996) dhe e bëri të njohur fondin e Epikës Heroike shqiptare, mbledhur më 1937 në Shqipërinë e Veriut nga shkencëtari amerikan Albert B. Lordi, themelues i teorisë moderne në lidhje me letërsinë gojore.
Në karrierën e Prof. dr. Agron Ficos nuk mund të lëmë pa përmendur disa tituj nderi : “Çmimi i Republikës” në Shqipëri, dhe çmimi më i lartë universitar kinez për arritje akademike; si dhe përfshirjen mes profesorëve më të shquar universitarë amerikanë, me “Who’s Who Among American’s Teachers, 2000”. Më 1972 u bë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë; Nën Kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve, Nju Jork, nga viti 2004; dhe anëtar/ kryeredaktor në revista studimore-akademike si “Studime Filologjike”, “Pedagogu i ri”, “Dituria”, etj. Për kontributet e tij si studiues, shkencëtar dhe intelektual Prof. Ficos i janë akorduar një sërë titujsh nderi, ndër të cilët do të cilësoja këtu çmimin më të lartë universitar kinez për arritje akademike si dhe përfshirjen mes profesorëve universitarë amerikanë. Një pjesë të jetës së vetë ia ka dedikuar “ndërkombëtarizimit” dhe mësimit të gjuhës shqipe në botë. Po ashtu, ka dhënë një ndihmesë të çmuar në funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri, si dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për mbarëvajtjen e punës dhe veprimtarisë së përgjithshme kërkimore, shkencore e akademike për vendin tonë.
Bibliografia e botimeve të profesor Ficos është mjaft e pasur dhe e larmishme mes të cilave mund të përmendim disa: si librat “Profesor në tre kontinente”, SHBA 2004; “Diaspora e Rilindur”, Tiranë 2006; “Rilindja e Shqipërisë Etnike”, Tiranë 2009, “Beautiful America – Mozaik shkrimesh”, Tiranë 2014; “Zbulimi i Eposit shqiptar në Harvard”-Albert B. Lord” Tiranë 2016. Ndërkohë që në këtë kontribut të tij përfshihen edhe shumë botime shkollore dhe universitare, mes të cilave: Gjuha Shqipe(metodë për studentët amerikanë), Unë flas Shqip (metodë e gjuhës shqipe për të huaj), Metodë e Gjuhës Shqipe (tekst për studentët kinezë) katër vëllime, 1962-1965, Metodë e Gjuhës Shqipe (tekst për specialistët kinezë), 1963, Historia e Shqipërisë(tekst për studentët amerikanë, anglisht), 1997, etj si dhe një mori studimesh, kumtesa, studime shkencore, dorëshkrime dhe studime të pabotuara, artikuj problemorë, ese, etj.
Titullin akademik “Doctor honoris Causa” akorduar nga Senati i Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës e kanë marrë edhe dy personalitete të shkencës, Profesor Stavrullaqis i Universitetit të Janinës dhe albanologu arbëresh Prof. dr Francesko Altimari.