“Agimi i Artë”:Dëbojini të gjithë shqiptarët nga puna

    510
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Kryetari i Shoqatës së emigrantëve shqiptarë “Shqipëria”  në Athinë, Ilirjan Dhima: Janë kthyer mbi 100 mijë emigrantë

    Kriza greke ka ndikuar shumë tek emigrantët shqiptarë. Brenda një viti janë rreth 50 mijë emigrantë shqiptarë, të cilët s’kanë asnjë shpresë punësimi në atdhe. Dhe më keq akoma kthimi i tyre ka bërë që fëmijët të humbin dhe një vit mësimor. Përpos sa më lart prapë fëmijët e kanë vështirë të fillojnë mësimet në auditorët shqiptare, për shkak të gjuhës dhe mënyrës tjetër të sistemit arsimor në Shqipëri. Por më e keqja është sepse Partia neonaziste “Agimi i Artë” në mënyrë të tërthortë u bën presion pronarëve të mos punësojnë emigrantë shqiptarë, apo të heqin nga puna emigrantët shqiptarë. Shoqata “Shqipëria” është një ndër shoqatat më aktive që ndjek me vëmendje këto zhvillime. Sipas Kryetarit të saj, z.Ilirjan Dhima, emigrantët ndodhen në mes dy zjarreve, presionit të “Agimit të Artë” dhe papunësisë. Kjo shoqatë donte të legalizohej me emrin “Iliria”, por autoritete nuk e pranuan. Iliria diku i prekte këto autoritet për vetë shtrirjen e saj gjeografike në lashtësi.

      Kur është krijuar shoqata “Shqipëria”?

    Kjo shoqatë është krijuar në Nea Peramos, në pjesën Perëndimore, që sot quhet Bashkia “Megara” në Athinë. Është një shoqatë që ka një aktivitet katër vjeçar pas votimeve, por me një kohë veprimtarie pesë-vjeçare, para se të legalizoheshim.  Pra, nga 19 Qershori i vitit 2008,  e mbrapa është një shoqatë ligjore.

     Cilat janë aktivitetet që keni kryer?

    Në bazë të statusit, ne i shërbejmë komunitetit të emigrantëve në Bashkinë, ku punojmë dhe jetojmë, të drejtat shoqërore, kulturore,   etj… Ato që bëjmë në mënyrë shumë të organizuar çdo vit janë festat tona kombëtare që nuk neglizhojmë kurrë. Por puna jonë konsiston në mënyrë permanente sidomos në ndihmat që i japim emigrantëve të ndryshëm në raste fatkeqësish, në raste sëmundjesh, por dhe në mësimin e gjuhës shqipe. Këto ndihma jepen nga kuotat e shoqatës, por edhe nga ndihma e biznesit të emigrantëve që gjithmonë na janë gjendur pranë që i  kemi anëtar të shoqatës.

     Nuk ju nxorën pengesa autoritet greke që e emërtuat shoqatën “Shqipëria” ?

     Kur dërguam  dokumentet për legalizim, ne i nisëm me emrin “Iliria” , por me këtë emër nuk na e dhanë. Si duket i trembte ky emër. U befasuam, pastaj vendosëm ta quajmë “Shqipëria” që për ne është shumë më domethënës. Për çudi, nuk patëm reagime.  Sot jemi më të kënaqur  me këtë emërtim.

     Ku konsiston puna juaj në drejtim të njerëzve në nevojë?

    Ne kontaktojmë vazhdimisht me komunitetin tonë dhe të gjithë pjesëtarët e shoqatës kanë njohje në të gjithë zonën. Kjo bën që të evidentojmë problemet. P.sh kemi familje që nuk përballojnë shpenzimet, pasi kanë shumë nevojë, apo fëmijë që kanë nevojë për kurse, por nuk kanë mundësi ekonomike, të gjithë këtë kategori ne e trajtojmë vazhdimisht. P.sh, ne kemi hapur kurse të gjuhës shqipe, ku Ministria e Jashtme nëpërmjet Drejtorisë së Diasporës ka një program me 46 orë për mësimin e gjuhës, dhe ne kemi një degë brenda shoqatës që është dega e arsimit. Kemi dy shkolla në ishullin e Salaminës, një në Megara, në  Selanik, po hapim  në Mandra dhe në një qytet tjetër. Pra, këto janë nisma të shoqatës sonë.

     Ku zhvillohen këto kurse të gjuhës shqipe?

    Këto shkolla zhvillohen në shkollat greke që na i jep Bashkia në ditë të caktuara. Për këtë ne kemi mësuesit tanë që japin mësim. Të gjithë këta mësues kanë mbaruar arsimin e lartë në Shqipëri dhe shumica kanë qenë mësues. Bashkitë na kanë përkrahur në kërkesat tona mandej, të jemi të sinqertë na kanë dhënë dhe ndihma për familjet në nevojë.

     A ka një unitet mes shoqatave shqiptare?

    Për të qenë të konkret bashkimi i shoqatave, ka pas gjithmonë probleme. Ka një mungesë të madh të përfaqësimit  midis shoqatave. Shoqata jonë ka dy vjet që pas ndryshimit administrativ të Bashkive në Greqi ka ndërtuar dhe punën e saj për mënyrën e përfaqësimit. Kur themi përfaqësim kam parasysh që çdo shoqatë në Federatën e Shoqatave shqiptare të ketë zërin e saj, të ketë përfaqësuesit e saj, ndikimin e saj.  Ndryshimi administrativ në Greqi, bëri që të kemi ndryshime mes përfshirjes së komunitetit në Bashki të ndryshme nga ato të parat. Ky përfaqësim do bëhet në tre nivele.  Kryesorja për ne që nuk është vetëm sot por do të jetë në vijimësi, konverton që përfaqësimi të jetë nga baza në qendër.  D.m.th ne të kemi përfaqësues të shoqatave në Bashki, të kemi në  Qark  dhe një përfaqësim në qendër. Ku shoqata e qendrës do të jetë Federatë. Sepse nuk kanë  mundësi tjetër, pasi është fshehur një problem shumë i madh, ligjor, ku shoqata duhet të jetë e ligjëruar në Bashki apo në Bashkinë ngjitur me atë shoqatë. Pra, më parë ne mendonim se mund të veprohej kudo.  Pra ne si shoqatë kemi zonën tonë, ku jemi ngritur dhe mund të njihemi në Bashkinë  në krah, ngjitur.  Pra, shoqata jonë e “Megaras” ka fuqi vetëm në këtë zonë, apo në Bashkitë djathtas apo majtas saj. Kjo sipas statutit. Ne objektivat i kemi dy vjeçare dhe tashmë e dimë mirë detyrën, pasi përfaqësimi ynë tani është i ligjshëm dhe vetëm kështu mund të zgjidhim shumë probleme që na dalin çdo ditë.

     Po Federata e Shoqatave në Athinë a ju ka ftuar në takime?

    E them me dhimbje se ne nuk kemi pasur asnjë thirrje, apo kërkesë prej tyre. Kjo Federatë ka qenë e mbyllur dhe siç e pamë tani ishte vetëm shoqata “Vëllazërimi” që i dha impuls kësaj federate. Por pjesëmarrja në këtë federatë është e vështirë, pasi për ligjërim kërkon disa muaj, në bazë të ligjeve greke. Një Federatë për përfaqësim të emigrantëve shqiptarë në Greqi nuk mjafton. Mendoj se, sot shqiptarëve u duhet në çdo qark nga një federatë dhe në qendër një Konfederatë, që do të ketë brenda përfaqësues nga të gjitha federatat. Federata duhet të ketë një përfaqësim ligjor,  në Selanik apo në Athinë me zyra pikërisht në këto qytete. Ky është ligji grek.

     Tashmë po kthen shumë emigrantë, d.m.th kriza ka prekur më shumë emigrantët. Sa ndikon kjo krizë dhe cili është reagimi i “Agimit të Artë” ndaj emigrantëve shqiptarë?

     Pjesa më  e urtë, më e qetë, më e duruar, më solide, ajo që nuk ka sjellë asnjë problem as kur kanë qenë në Shqipëri, as tashmë që janë punëtor në Greqi, janë pjesa që po e prek më shumë kriza. Pikërisht kjo pjesë, që nuk bën allishverishe, por ka parë punën e saj, janë më të rrezikuarit dhe që po kthehen. Mund të them se janë mbi 100 mijë emigrantë që janë kthyer në atdhe dy vitet e fundit. Pra me gjithë familjet e tyre.

     Si bëhet përfaqësimi i emigrantëve në Greqi në parlamentin grek?

     Ah, këtu është një problem. Në Greqi ka emigrantë nga më shumë se 35 vende të botës. Gjithë ky komunitet  ka kryetarin e saj që njihet nga autoritet greke, pra është Kryetari i Komuniteti të Emigrantëve është nga Sudani. Një njeri i mirë dhe me nivel. Zyrat e kësaj shoqate janë në Qipsel në Athinë. Shkova dhe e takova. Më priti shumë mirë dhe më tha që bëtë shumë mirë që erdhët. Më tej vazhdoi se para katër ditësh “Agimi i Artë” i bënte presion që të mos përkrahte shqiptarët dhe në mënyrë indirekte përfaqësues të kësaj Partie u bëjnë presion të gjithë pronarëve të pushonin shqiptarët që janë në punë dhe të mos merrej për më tej asnjë shqiptarë në punë. Sipas tij, por edhe nga  të dhënat tona, kudo që shkojmë shumë pronarë grek tundin kokat dhe na thonë e kemi të vështirë t’ju marri në punë.

     Çfarë problemesh ka tani mes emigrantëve?

    Problemet nuk kanë të sosur,  Ky presion i “Agimit të Artë” e ka dhënë deri diku ndikimin. Shumë emigrantë po kthen në Shqipëri, po fëmijët humbin një vit mësimor. Pra ata kanë boshllëqe në mësime, plus papunësia e prindërve. Edhe nëse hapen vende pune, shqiptarët janë të fundit, pasi shumë pronarë kanë frikë t’i marrin. Dhe shtypi grek përparimtar hesht. Duket sikur ligjin e bën “Agimi i Artë”.