Agim Toro:“Orikumas, toka nuk ju takon juve, ajo është e pronarëve të ligjshëm”

    491
    Sigal

    Intervistë/Agim Toro: Banorët e Orikumit dhe ata që i mbështesin, kërkojnë anarshinë

    Toka në Orikum, që ngre në protesta të herëpashershme banorët e vendit, nuk është ndarë me ligjin 7503, por është tokë në përdorim nga fermerët e ish-Ndërmarrjeve Bujqësore të zonës. Këtë gjë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf”, Agim Toro, nëndrejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sipas Toros, këta protestues nuk janë dhe s’kanë për të qenë ndonjëherë pronarë të këtyre tokave, pasi ajo tokë u përket pronarëve të vërtetë. Toro tregon se mund të ketë mbivendosje pronarësh nga Agjencia e Kthimit të Pronave, për arsye që ai i shtjellon gjatë intervistës, por nuk ka mbivendosje me ligjin 7501. Toro akuzon drejtpërsëdrejti, nëpërmjet “Telegraf”, Kryetarin e Bashkisë Orikum për korrupsion. Ndërsa për premtimet elektorale në drejtim të tokave të Orikumit, numri 2 i Agjencisë së Pronave, i komenton si utopi.

    Z. Toro, besoj se jeni të informuar përsa i përket protestave të Orikumit, ç’mund të na thoni, si e keni parë ju nga afër këtë problem?

    Ky problem nuk është i ri, nuk është i këtyre ditëve, po ka 2 a 3 vjet që ka filluar dhe qëndrimet janë të sakta, të drejta dhe ligjore.

    Ç’kuptoni me këtë?

    Në bazë të Ligjit 7501, toka në bregdet nuk ndahet, toka në bregdet ndahet me Ligjin 8053 që është ligji për tokat e Ndërmarrjeve Bujqësore dhe të zonave turistike. Në bazë të ligjit 8053 tokat që u dhanë, në frymën e Ligjit 7501, nuk u dhanë në pronësi, u dhanë në përdorim dhe asnjëherë, këta banorë nuk kanë pasur titull pronësie, apo një akt të përfitimit të pronësisë sipas Ligjit 7501. Nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë, pra nuk janë pronarë. Në qoftë se shteti moralisht u detyrohet qytetarëve të vet, me banim në komuna apo në bashki të themi, që t’i ndihmonte, për shkak të prapambetjes së tyre ekonomike, tu dha toka në përdorim, në vitin 1991, ‘92 apo ‘93, kjo nuk do të thotë që kjo tokë të merret prej tyre. Pra shteti ua dha atyre për t’i përdorur për qëllime bujqësore, për të përmirësuar nivelin e tyre të jetesës deri në vitin kur ka dalë vendimi i Komisionit të Pronave, që ia ktheu tokën pronarit. Pra kemi dy momente; asnjëherë ata nuk kanë qenë dhe nuk janë pronarë me titull pronësie dhe kemi një moment tjetër, që këtë kategori tokash që nuk është në pronësi, por është e lirë, Ligji i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave ia kthen pronarëve të vjetër që shteti ia kishte marrë padrejtësisht. Pra Agjencia apo Komisioni i Pronave ia ka kthyer pronarit dhe pronari ka titull pronësie. Pra  është e gabuar ajo që përhapet nëpërmjet medias, qoftë dhe nga Kryetari i Bashkisë së Orikumit që këtu ka një mbivendosje dhe Komisioni i Kthimit të Pronave ka vepruar gabim.

    Faktikisht, kryetari i Bashkisë së Orikumit, Gëzim Capo, ka akuzuar drejtpërsëdrejti Agjencinë e Kthimit të Pronave, duke u shprehur se “në Orikum, në rastin më të mirë kemi dy pronarë të ligjshëm”.

    Mbivendosja e pronave për shkak të Agjencisë është një problem tjetër. Me ligjin 7501 nuk ka asnjë mbivendosje. Kryetari i Bashkisë Orikum gënjen dhe unë po e akuzoj publikisht dhe hapur nëpërmjet medias tuaj, dhe i them: Më nxirr një akt pronësie me ligjin 7501! Nuk është ndarë kurrë toka me ligjin 7501 në Orikum dhe s’ka për t’u ndarë kurrë me këtë ligj, sepse tani është në pronësi private. Dhe nuk mund të ndërhyhet që të shpronësohet pronari për shkak të disa qytetarëve. Unë shtroj një pyetje tjetër: Në qoftë se qytetarët pretendojnë se e kanë marrë me ligjin 7501, e kanë mbjellë ndonjëherë atë tokë? Në qoftë se e kanë mbjellë, a kanë paguar ndonjë taksë qoftë dhe 10 qindarka taksë të tokës? Nuk kanë paguar, nuk kanë paguar për arsyen e thjeshtë, sepse nuk kanë qenë pronarë të tokës, taksat vendosen mbi pronarin, nuk vendosen mbi përdoruesin. Këta mund të paguanin qira në shtet, meqë shteti ua dha në përdorim, por shteti ua dha në përdorim pa qira atyre. Kështu që në këtë këndvështrim, ai kryetari i Bashkisë së Orikumit veçse gënjen dhe dezinformon publikun shqiptar. Dhe në këtë rast shtroj një pyetje tjetër: Nëse këta banorë të Orikumit duan të bëhen pronarë, përse e duan pronën, ta mbjellin si tokë bujqësore, apo ta mbjellin me pallate? Dhe përgjigjja është e thjeshtë: Ta mbjellin me pallate, sepse ato toka tashmë janë toka troje, nuk janë toka bujqësore, ka studime urbanistike të zhvillimit të tyre turistik dhe ata kanë interes. “Hajde se u bë deti kos” e të përfitojmë, por detin e kanë me kripë, nuk pihet ai ujë, është i pronarëve.

    Po mbivendosje pronash nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave a ka?

    Nëse ka mbivendosje, këto mbivendosje janë konflikte civile midis 2 vendimeve  të Agjencisë apo të Komisionit të Pronave që  nuk përjashtohen, mund të ketë dhe individë apo vendime të themi, të dhëna mbi bazën e dokumenteve të pasakta e të paqena, që janë probleme që i përkasin prokurorisë, që i përkasin gjykatave, që i përkasin konflikteve civile midis individëve që kanë këto vendime. Dhe këto zgjidhen prej gjykatave, pra asnjëherë në favor të atyre individëve që ngrihen dhe duan të marrin ato toka në bazë të Ligjit 7501. Ka perënduar koha e të dhënit falas nga subjekte të ndryshme. Dua të merrni parasysh dy momente kryesore; lexoni Rezolutën e Komisionit Evropian të 6 qershorit 2013, që u mblodh vetëm për çështjen e pronave në Shqipëri, lexoni vendimin pilot të 17 dhjetorit 2012, të Gjykatës së Strasburgut, të cilat në një farë forme kanë udhëzuar Shqipërinë që duhet të respektojë titullin e pronësisë sipas standardit të Kushtetutës Shqiptare dhe Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në qoftë se, ne duam të hyjmë në Europë, të respektojmë të drejtat e pronësisë që ka Europa. Në qoftë se, ne duam të bëjmë anarshinë, siç duan ata banorët, mos të hyjmë kurrë në Europë, atëherë politika të vendosë sipas qejfit. Sepse këtu në Shqipëri vendosja e politikave sipas interesave të çastit, në momente të caktuara, ka bërë këtë zallamahi mbi pronat dhe tani nuk dinë ku të vejnë, duke e futur Shqipërinë në borxhe gjigande që duhet t’i paguajë çdo taksapagues shqiptar. Banorët e Orikumit dhe Kryetari i tyre i Bashkisë duan ato prona dhe thonë që pronarëve të vërtetë t’u kthejmë paratë. Po kush do ua japë paratë? Ti dhe unë, apo gjithë populli shqiptar? Se politika e ka shumë kollaj të ngarkojë të gjithë popullatën që të paguajë këto borxhe gjigande dhe t’u bëjë favore grupeve të caktuara për interesa të caktuara. Jam i bindur që këto ka korrupsion, këtu bie era korrupsion.

    Kë akuzoni?

    Që nga kryetari i bashkisë. Për çfarë ligji është ligj, e drejta është e drejtë, të lexojë Kushtetutën, të lexojë Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Aty do mësojë se kush është e drejta dhe me kë është e drejta.

    Po për kërkesat e “Kuvendit të Dukatit”, çfarë mund të më thoni?

    Po, për “Kuvendin e Dukatit”, unë si Nëndrejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ju them që ligji është përcaktuar saktë. Për të përfituar një pronë nëpërmjet dokumentacionit të pronësisë së vjetër, pra që të jesh objekt i Ligjit 9235, duhej të ishte bërë një kërkesë në Agjencinë e Kthimit të Pronave, ka një set dokumentesh që paraqiten dhe Agjencia merr një vendim, nëse i kthehet apo nuk i kthehet prona. Nëse nuk e kanë ndërmarrë këtë hap, të paraqesin dokumentet, edhe banorët e Dukatit nuk mund ta marrin pronën, prona nuk është çështje deklarative, është çështje dokumentare në radhë të parë dhe unë vazhdoj të këmbëngul që ata janë të ftuar sipas rregullit dhe ligjit, megjithëse thashë, që janë të vonuar, duhet të rivendosen në afat tashti, që të vijnë dhe të paraqesin kërkesat e tyre. Unë, të paktën, në komunikimet personale që kam pasur me të gjithë qytetarët e Shqipërisë, duke përfshirë dhe të Dukatit, dhe të bregut të detit, u kam thënë që domosdoshmërisht duhet hapur një dosje. Pra shteti shqiptar e ka zgjidhur kthimin dhe kompensimin e pronave nëpërmjet një procedimi administrativ dhe për këtë është ngarkuar Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Të respektohet rregulli, të respektohet ligji, të respektohet praktika e dokumentacioneve, që janë në aktet e zbatimit të ligjit, në mënyrë që të fitohet një pronë, rrugë tjetër nuk ka.

    Legalizimi falas, utopi, fatura financiare në kurriz të taksapaguesve shqiptarë

     I shihni të zbatueshme premtimet elektorale?

    Politika shqiptare gjatë periudhës së fushatës së zgjedhjeve dërgoi dy mesazhe, për mendimin tim; në radhë të parë kërkonte të merrte sa më shumë vota duke bërë premtime deri diku në ajër, ishte rasti i faljeve, fal, fal, fal, që është jashtë konceptit të ekonomisë së tregut; dhe mendimi i dytë është që të gjithë kryetarët e partive politike që u futën në garë për të qenë pjesë e Parlamentit Shqiptar kanë kuptuar një gjë, që çështja e pronave është një çështje kryesore e tavolinës së ardhshme të Parlamentit Shqiptar. Sepse kemi vendime të Gjykatës së Strasburgut, që janë qindra, kemi Rezolutë të Komisionit Europian, kemi një nga 12 kriteret që i kanë vënë Shqipërisë për të fituar statusin e vendit kandidat, në  Këshillin e Europës, që unë uroj që ta marrim, që edhe politika të kuptojë më mirë, se me marrjen e vendit kandidat, ekspertë të Europës do të vijnë në Shqipëri për të parë zbatimin e ligjit. Është defekt i politikës shqiptare që jep premtime pa doganë dhe kur vjen puna për t’i mbajtur, heziton pastaj. Unë besoj se Parlamenti i ardhshëm do të merret shumë gjatë, shumë gjerë me pronën, sepse është një nga problemet që nuk mund të mbulohet më. Prona nuk është çështje e pronarëve, është çështje e të drejtës, çështje e gjithë zhvillimit ekonomik të vendit, është çështje e standardit, është çështje që ne i përkasim Europës, nuk i përkasim Lindjes.

    Çfarë do të thotë për ju “legalizim falas”?

    Legalizim falas është një utopi. Është një shkelje e të drejtave të njeriut, unë mund të përmend këtu vendimin e fundit të Gjykatës së Strasburgut, ku drejtpërsëdrejti i kërkon Qeverisë Shqiptare, që ata që kërkojnë të legalizohen, duhet të paguajnë me çmimin e tregut.

    Kush e paguan faturën financiare të legalizimeve falas?

    Gjithë taksapaguesit shqiptar, unë nuk di që politika të jetë veçuar nga taksapaguesit shqiptar dhe  të paguajë më shumë apo më pak, unë nuk di, deri më sot, që shtresa të popullsisë të jenë veçuar nga pagimi i taksave.