Agim Toro: Tendenca për seleksionime në shpërndarjen e fondit, shkak i pushimit tim nga puna

    452
    Sigal

    Flet Agim Toro, ish zv/drejtor i AKP-së: Kryeministri i Shqipërisë urdhëroi lirimin tim nga detyra

    Deri në momentin që z.Agim Toro, ish zv/drejtor i përgjithshëm i AKKP-së, ka qenë në marrëdhënie pune, numri i përgjigjeve të ardhura nga administrata shtetërore si të drejta për kompensim ishte rreth 100, ndërkohë që AKKP-ja kishte dërguar 160 subjektet, e vendosura të parat në radhë sipas përcaktimit të Këshillit të Ministrave, për verifikim. Sipas Toros, vlera që duhej të përfitonin 100 subjektet, të verifikuara tashmë, i kalonte 600 milion lekët, ndërkohë që fondi për kompensim është vetëm 300 milion dhe për të, kjo procedurë quhej e mbyllur. Ndërsa fondi duhej shpërndarë që në 20 nëntor. Por, siç tregon Toro në një intervistë për “Telegraf”, drejtoresha e re ka vendosur ta rrisë këtë numër duke e çuar në 360. “Këto shtesa tregojnë një lloj tendence të mos respektohet data, muaji dhe viti i vendimmarrjes te numri i vendimit, por të kalohet në seleksionime, ndoshta jo të drejta, artificiale për t’ia arritur qëllimit për të marrë kompensim, ndoshta ato subjekte që duan x-i dhe y-i dhe vë në dyshim praktikën që po ndiqet. Mund të jetë dhe kjo arsyeja e pushimit tim, se unë u bëra pengesë, duke thënë që ky numër është plotësisht i mjaftueshëm”, shprehet Toro.

    Z. Toro a mund të më thoni, si zv/Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, se pse u shty shpërndarja e kompensimit për pronarët?

    Po, po vetëm me një korrigjim, ish nëndrejtori i AKPP-së, sepse para dy-tre ditësh mua më njoftuan zyrtarisht pa asnjë paralajmërim, pa asnjë paranjoftim, pa asnjë diskutim dhe pa më vënë në dukje asnjë të metë, lirimin tim nga detyra. Kryeministri i Shqipërisë, me një urdhër, vendosi që unë të lirohesha nga detyra. U përpoqa në maksimum që të marr informacionin e duhur se cilat ishin shkaqet e lirimit, por, absolutisht, asnjë person duke filluar nga Drejtorja e Përgjithshëm, apo persona të tjerë që duhej të kishin dijeni dhe që duhej të bënin propozimet përkatëse, nuk kishin asnjë lloj informacioni se pse ndodhi lirimi im nga detyra. Gjatë periudhës që unë kam qenë nëndrejtor i përgjithshëm i AKPP-së i kisha vënë vetes detyra që të zbatoja me korrektësi ligjin, të vija gjithë eksperiencën time 20 vjeçare për zgjidhjen e problemit, në mënyrë që subjektet e shpronësuara, që përfitonin nga ligji 9235, të gjenin një derë të hapur, ku të sqaroheshin dhe të ndihmoheshin për të përfituar ato të drejta që u jep ligji. Mendoj, që gjatë kësaj periudhe 7 mujore, detyrën time e kam kryer më së miri, pasi në asnjë rast, asnjëherë, nuk më është bërë asnjë këshillim, vërejtje për mangësi në punën apo detyrën që kam pasur të ngarkuar dhe që janë realizuar, që përkundrazi kanë qenë më të mëdha dhe më të gjera sesa detyra zyrtare që isha ngarkuar. Njëkohësisht, nuk do të mohoja dhe përpjekjet maksimale të ndihmoja Drejtoreshën e Përgjithshme të AKPP-së me të gjithë eksperiencën time, me studime, me ligje, me të dhëna statistikore dhe  të dhëna të tjera që nuk i dispononte Agjencia e Pronave, por ne si shoqatë kemi realizuar gjatë këtyre 20 vjetëve në luftën tonë për kthimin e së drejtës së pronësisë pronarëve të ligjshëm të vendit tonë. Pavarësisht nga këto, lirimin nga detyra unë e vlerësoj si veprim arbitrar, plotësisht të padrejtë që zyrtarisht mbyll atë urë komunikimi që është vendosur midis shoqatës dhe administratës shtetërore, të ngarkuar për këtë gjë, që tregon një mosvullnet të qartë, ndoshta politik, meqenëse në frymën apo filozofinë e të qenit ne jemi të djathtë, sepse mbrojmë të drejtën e pronës, por gjithmonë në kuadër të zbatimit me korrektësi dhe me saktësi të ligjit, sepse jemi qytetarë dhe intelektualë të kulturuar dhe çdo gjë e kërkojmë sipas ligjit, apo dhe të ndryshojmë ligjin për të arritur qëllimin e caktuar. Kjo lloj marrëdhënie nuk kërkohet nga qeveria, duke menduar që ajo mund ta zgjidhë vetë këtë problem, por praktika 20 vjeçare ka treguar që qeveritë në Republikën e Shqipërisë nuk kanë qenë për një zgjidhje sipas standardit të Konventës Europiane të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, nuk kanë qenë për një zgjidhje sipas Kushtetutës sonë, por kanë dhënë gjithmonë një zgjidhje politike, që, realisht, nuk ka çuar në zgjidhje të problemit. Fakt është që Gjykata e Strasburgut ka ndëshkuar dhe po ndëshkon shtetin shqiptar me dhjetëra vendime të saj, duke favorizuar haptazi të drejtën që kanë pronarët për sa i përket të drejtës së pronësisë dhe unë mund të them një fakt, që brenda dhjetorit të këtij viti, 20 vendime të kësaj gjykate do të bëhen publike. Nuk janë bërë publike nga Gjykata, duke kërkuar që shteti shqiptar të gjejë zgjidhje të brendshme. Para një viti u dha një vendim pilot i Gjykatës së Strasburgut, ku këshillonte shtetin shqiptar për zgjidhjen e problemit, ku këshillonte se cilat masa duhet të merrte në mënyrë që të ruajë edhe transparencën, edhe si rezultat i këtij vendimi, ndoshta, isha dhe unë në atë post. Njëkohësisht, i thoshte Shqipërisë se çfarë rruge duhej të zgjidhte për problemin e pronës, por mesa konstatova unë, kohët e fundit qeveria shqiptare në vend që të zgjeronte Agjencinë e Kthimit dhe  Kompensimit të Pronave, ashtu siç rekomandonte Gjykata e Strasburgut, përkundrazi, kërkoi që të shkurtoheshin njerëzit dhe AKP të kthehej në një administratë fiktive, e paaftë për të realizuar detyrat që i ka vënë ligji dhe këtë gjë unë e kundërshtova dhe ka mundësi që të jetë dhe një nga shkaqet e lirimit tim nga puna. Unë akoma dhe sot nuk i di shkaqet, nuk m’i ka thënë njeri, por ka pak rëndësi për mua, se unë si individ jam i moshuar, në kuptimin e moshës, jam 62 vjeç dhe qenia apo mosqenia ime në punë si individ nuk ka ndonjë pasojë direkte në marrëdhëniet e mia për jetën, por fakti që unë nuk jam më pjesë e kësaj strukture do të thotë që ndihma ime apo e shoqatës nuk kërkohet më. Dhe këtu është një risk, një risk politik. Kryeministri e di vetë, sepse kështu më është thënë, që askush nga administrata nuk i di arsyet e largimit tim. Mund të jetë edhe një shkak tjetër, që ka të bëjë me shpërndarjen e një fondi prej 300 milionësh që do të ndodhë pas dy javësh.

    Që faktikisht u shty, sepse ka qenë për t’u shpërndarë në 20 nëntor…

    Ka qenë, por atëherë e kishte një arsye. Në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave konkretisht në muajin gusht aplikuan rreth 1100 subjekte për të përfituar nga fondi i kompensimit prej 300 milionësh. Në bazë të eksperiencës dhe praktikave të viteve të shkuara rezulton se numri i përfituesve nga ky fond nuk i kalonte të 50 vetët, sepse aq është shifra. Për këtë arsye, në kuptimin e veprimeve administrative të mëtejshme, për të vazhduar procedurën u vendos që të fillonte procesi i verifikimit me pushtetin vendor, me zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për 160 subjektet e para që ishin të vendosura të parat në radhë sipas përcaktimit të Këshillit të Ministrave dhe të parat në radhë ishin subjektet që kishin numrin, datën, muajin dhe vitin e vendimit më të hershëm, pra të parat ishin vendimet e vitit ‘93, ‘94 e kështu me radhë. Pra, në bazë të praktikës ose regjistrimit që ishin hartuar për këtë qëllim, këto 158 vendimet i përkisnin vitit ‘93 dhe ’94, nuk i kalonte vendimet e ’95-s. U krijua një situatë, për mendimin tim, e padrejtë që a dalin këta 160 për të plotësuar, apo nuk dalin dhe drejtoresha vendosi që të rrisë këtë numër nga 160 në 260 dhe mesa unë kam dijeni, dje janë shtuar dhe 100 të tjerë. Këto shtesa tregojnë një lloj tendence të mos respektohet data, muaji dhe viti i vendimmarrjes te numri i vendimit, por të kalohet në seleksionime, ndoshta jo të drejta, artificiale për t’ia arritur qëllimit për të marrë kompensim, ndoshta ato subjekte që duan x-i dhe y-i dhe vë në dyshim praktikën që po ndiqet. Mund të jetë dhe kjo arsyeja e pushimit tim, se unë u bëra pengesë, duke thënë që ky numër është plotësisht i mjaftueshëm. Sipas të dhënave që kam unë, deri në momentin që kam qenë në marrëdhënie pune, numri i përgjigjeve që kanë ardhur nga administrata shtetërore dhe që janë kthyer për të drejta janë rreth 100, vlera që duhej të përfitonin i kalonte të 600 milion lekët, pra dyfishin e mundësive që kemi ne dhe me këtë aspekt procedura quhej e përfunduar dhe brenda datës 20 këto para do të ndaheshin. Meqenëse u bënë këto shtesa dhe në bazë të Kodit të Procedurës Administrative, është e drejtë e Drejtorit të Përgjithshëm që të shtyjë afatin për një kohë tjetër u vendos me mirëkuptim, duke më përfshirë dhe mua, që ky afat të shtyhej dhe një muaj në bazë të Kodit të Procedurës Administrative, pra deri më 20 dhjetor. A do jetë e mundur që të realizohet apo jo kjo gjë, në kuptimin praktik, unë do të thoja po, por faktikisht se çfarë do ndodhë, t’ia lemë kohës.

    Faktikisht për këta emra të rinj që janë shtuar ku do gjendet fondi, ndërkohë që ju thatë për 100 vetë nuk dilte fondi, ku do të gjenden këto lekë?

    Prandaj të them, që unë kam dyshimet e mia si do të veprojë administrata. T’ia lemë kohës. Unë uroj që të jem unë i gabuar në këto dyshime, por duhet të respektohen ato kritere dhe ato rregulla që janë vendosur në akte të Këshillit të Ministrave dhe jo nga vullneti i x-t apo i y-it.