Agim Toro: Qeveria nuk po reflekton për problemin e pronave, zgjidhja e vetme Gjykata e Strasburgut

    361
    Sigal

    INTERVISTA/Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Agim Toro flet për “Telegraf”

     Problemi i kthimit të pronave tek pronarët mbetet një problem që ende nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare. Ky është një problem mjaft shqetësues edhe për shoqatën e pronarëve, të cilët shprehen të pakënaqur me punën e bërë deri më tani nga qeveria. Në një intervistë për “Telegraf” sekretari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, është shprehur se puna e bërë nga qeveria për kthimin e pronave është zero. Sipas tij, dërgimi i çështjeve tek Gjykata e Strasburgut mbetet një alternativë e hapur, nëse qeveria nuk do të reflektojë.

     –Zoti Toro, sa të frytshëm e shikoni mbajtjen e konferencës me temë “Transparenca dhe Prona – E Drejtë e Detyrim Kushtetues”?

    -Kjo është një nisëm që i shërben të drejtës. Transparency International, është një institucion që përcakton nëse respektohen apo nuk respektohen të drejta te njeriut. Për mendimin tonë çështja e pronës është një problem madhor, sepse nuk kanë të bëjnë vetëm më çështjen e pronës, por kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e tërë shtetit. Në këtë këndvështrim kjo është një iniciativë shumë e mirë. E para është që a do ti shkojë ky zë faktorit ndërkombëtar dhe e dyta është që në përgatitjen e raportit nga Transparency International, gjëra do të thuhen siç janë dhe ne do të kemi një bashkëpunim më të mirë me këtë institucion. Nëse shteti shqiptar do të vazhdojë më këtë frymë atëherë pasojat do të jenë shumë të rënda, për shtetin shqiptar.

     -Nga të pranishmit u theksua që ligji 7501, ka krijuar shumë probleme, mund të na thoni diçka më konkrete në lidhje me problematikën e këtij ligji?

    -Ne e kemi theksuar edhe e theksojmë që ligji 7501 është në një ligj tërësisht komunist, pasi katër nenet e para të tij janë kopje të ligjit komunist për tokën. Nga ky ligj nuk presim asgjë pozitive, përkundrazi ishte po ky ligj që shkatërroi me vetëdije tërë sistemin e pronës në Shqipëri. Ligji 7501 nuk ka bazën e kritereve dhe të standardeve që ka tërë bota. Ky ligj ia fali tokën atij që nuk ishte pronar dhe kjo frymë e këtij ligji është zbatuar në tërë privatizimet në Shqipëri; ku dyqanet ju dhanë shitësve dhe ndërmarrjet ju dhanë punëtorëve dhe kjo ishte një shkatërrim i të drejtës së pronësisë. Pra, ligji quajtur 7501 ushqeu dhe ushqen korrupsionin ekonomik dhe politik.

     -Herë pas here qeveria ka deklaruar se po punon për zgjidhjen e problemit të pronarëve, si e vlerësoni punën e qeverisë?

    -Përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së pronarëve janë zero. Ato para që janë 35 milionë dollarë krahasuar me shumën e njëzet miliard eurove. I vetmi hap që është bërë është lirimi i shtëpive të tyre, pas njëzet vjetësh.

     -Dërgimi i çështjeve në Gjykatën e Strasburgut ka qenë një zgjidhje për pronarët, a do të jetë sërish ajo një rrugëzgjidhje?

    -Gjykata është me dyer të hapura. Ajo që për 18 muaj është ngrirë dhe nuk do të marrë më çështje të reja për shqyrtim ka të bëjë me faktin që të detyrojë shtetin shqiptar të respektojë Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Nëse për këto 18 muaj shteti shqiptar nuk do ta respektojë, atëherë pasojat di të jenë shumë të rënda. Deri tani asnjë person nuk është ndëshkuar për ligjin anti-pronar dhe asnjë person nuk është ndëshkuar për padrejtësitë që i kanë bërë pronarëve.