Agim Toro: Pronat më të mira janë marrë me korrupsion

    482
    Sigal

    Flet Agim Toro, ish zv/drejtor i AKP-së: Mungon vullneti politik për zgjidhjen e pronësisë

    Sa hektarë truall janë kompensuar deri më sot nga AKKP-ja, kaosi në legjislacionin për pronat, mungesa e vullnetit të politikës për zgjidhjen e titullit të pronësisë, zgjidhja e problemit të pronësisë nga shoqata “Pronësi me Drejtësi”, dëmi në kurriz të pronarëve nga Ligji famëkeq 7501 dhe nga legalizimet falas janë çështjet kryesore që trajtohen në pjesën e dytë të intervistës, dhënë gazetës “Telegraf”, me z. Agim Toro, ish zv/drejtor i përgjithshëm i AKKP-së.

    Deri më tani, sa pronarë janë kompensuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave?

    Numri i pronarëve të kompensuar nuk ka të bëjë me një shifër, por me një sipërfaqe. AKP ka detyrimin, apo më saktë shteti shqiptar ka detyrimin të kompensojë rreth 55 mijë apo 56 mijë të sipërfaqes së tokës bujqësore, rreth 8 mijë ha troje, nuk e kam shumë të qartë të sipërfaqes pyje-kullotë, por është një shifër shumë e madhe detyrimi për kompensimin, që mund të mos jetë kompensim financiar, por mund të jetë kompensim fizik, proces i cili nuk ka filluar akoma për mosakordim dhe mosnxjerrjen e akteve për mënyrën e shpërndarjes së kompensimit fizik. Në këtë aspekt, unë nuk mund të marr përsipër dhe të them sesi do ta realizojë, por po të vazhdojë  me këtë formë dhe me këto norma, pra vetëm me 300 milion në vit, kur sasia e kompensimit deri tani nuk i kalonte 100 ha, atëherë ku jemi përpara 8 mijë ha të trojeve, sepse deri tani është dhënë kompensimi vetëm për trojet. Shifrat janë kolosale. Dhe unë kam qenë dhe jam i mendimit se ka nevoja urgjente që të ndryshohet Ligji i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në mënyrë që të kalojë në kthimin fizik dhe jo në kompensimin e pronave. Nuk është kompensimi që e zgjidh problemin, është kthimi fizik që e zgjidh problemin. Të mos harrojmë që në Gjykatën e Strasburgut janë qindra çështje, të cilat sipas vendimit pilot do të gjykohen në grup, në mënyrë që të punohet për të fituar të drejtat e tyre, sepse u bënë 20 vjet që politika, mbase të dyja krahët e politikës nuk kanë qenë të afta që të gjejnë atë zgjidhje që kanë menduar se është e drejtë. Kështu që në këtë këndvështrim jemi shumë e shumë mbrapa.

    Ndërsa shoqata “Pronësi me Drejtësi”, pjesë e së cilës jeni dhe ju, ka një draft, projektligj për zgjidhjen e problemit të pronësisë…

    Sigurisht, shoqata “Pronësi me Drejtësi” është një shoqatë, në radhë të parë, qytetare, me njerëz që kanë vlera dhe me aftësitë e tyre intelektuale kanë bërë studime projekte dhe projektligje të cilat ia ka paraqitur Parlamentit Shqiptar. Në vitin 2004, kur u miratua Ligji për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave u krijua një tryezë teknike nga OSBE-ja, ku u parashtruan të dyja projektligjet; ajo e shoqatës dhe ajo e qeverisë. Forca e kartonit në Kuvendin e Shqipërisë bëri që të miratohet projektligji i qeverisë ku dhe sot, gati 10 vjet nga miratimi i këtij ligji, u vërtetuan parashikimet e shoqatës sonë që  nuk do të arrinte të zgjidhte problemin. Sipas atij ligji, viti 2014 ishte afati i fundit që çështja e pronësisë do të merrte fund. Fakti që nuk mori fund, tregoi dy elementë; e para, që ligji ishte i paaftë ta zgjidhte problemin dhe e dyta, vullnetet politike të Parlamentit Shqiptar bënë dhe ndërhyrje të tilla në ligj, duke shtyrë afatet, duke bërë ndryshimet në ligj të cilat çuan në një mosekzekutim, ose mosrealizim të detyrës që i ka dhënë ligji shtetit shqiptar.

    Do të thotë që ju jeni të bindur që projektligji, që ju e keni dhënë si shoqatë, e zgjidh përfundimisht çështjen e pronës?

    Sigurisht dhe në bazën e projektligjit tonë kanë qenë disa këmbë të fuqishme, ku do të mbështetej. Në radhë të parë në kthimin fizik të pronës. Edhe Ligji famëkeq i 7501-t ka një nen, ku thuhet që ai që nuk e punon tokën për një vit i merret, në të gjithë botën ai që nuk paguan taksa, i sekuestrohet pasuria. Deri më sot, asnjë nga subjektet, që ka përfituar nga Ligji 7501, nuk e ka paguar taksën, akoma vetëm 50 % e tokës punohet, që do të thotë se ka shumë për të bërë në zbatimin e Ligjit famëkeq 7501, se ne jemi dhe kemi qenë kundër këtij ligji. E dyta, po flitet dhe është e vërtetë që ka shumë korrupsion me pronat. Kanë përfituar persona që nuk kanë pasur të drejtë të përfitonin prona, me dokumenta të falsifikuara, në rrugë korruptive etj etj. Nuk ka akoma asnjë instrument të shtetit shqiptar për të ndëshkuar këtë korrupsion me pronat, me korrupsion janë marrë pronat më të mira, por ka një rezervë shumë të madhe përsa i përket realizimit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Sistemi gjyqësor i Republikës së Shqipërisë ka mbajtur një qëndrim pro politikës dhe mos themi edhe korruptive, sepse tani po vërtetohet plotësisht dhe kjo pjesa e korruptives së gjyqësorit, duke mos u mbështetur as në Kushtetutë, as në Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Fakti, që pronarët shqiptarë i humbasin gjyqet në Shqipëri dhe vetëm kur venë në Gjykatën e Strasburgut fitojnë, tregon që sistemi i drejtësisë shqiptare është jashtë linjave kushtetuese dhe jashtë linjave të Konventës Europiane të Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut, në të cilën Shqipëria ka firmosur, është pjesë dhe ligjet ndërkombëtare kanë epërsi nga ligjet e vendit tonë. Fakti që ne jemi jashtë Europës sot, për mosrealizim të standardeve, standardi kryesor i parealizuar është mungesa e respektimit të titujve të pronësisë. Fakti që investimet e huaja janë kaq të varfra, tregon se nuk mund të vihet dhe të investohet në një tokë pa zot e të tjera, të tjera analiza të pafundme që mund të bëjmë. Çështja e pronave i ka kaluar përmasat e shoqatës sonë dhe është një çështje e tryezës së çdo familje shqiptare, është një çështje e tryezës së çdo grupi interesi, apo intelektualësh shqiptarë që e shikojnë realisht dhe e prekin që Shqipëria ka ngecur në vend. Kemi 20 vjet në demokraci dhe akoma s’jemi kandidatë për të hyrë në Europë, ndërkohë që të gjithë vendet e tjera të Europës Lindore që ishin shumë mbrapa në fillimet e viteve ‘90 me reformat, sot janë anëtarë të Komunitetit Europian, por ata respektuan pronën. Ky është ndryshimi gjigand mes nesh dhe atyre. Në qoftë se këtu tek ne janë 8-9 institucione që japin tituj pronësie, të gjithë veprojnë sipas qejfit vet, sipas ligjit të vet, sepse të drejtat atyre u janë dhënë me ligj, por përfundimisht rezultati është që pronarët, që kanë të drejtë, nuk fitojnë.

    Pra, ju thoni që kemi dhe një kaos të legjislativit për pronat?

    Që kërkojnë ndërhyrje urgjente në legjislativ, është e padiskutueshme, për mendimin tim. Hajde, të mblidhen në tryeza ekspertët, ne jemi të gatshëm të ndihmojmë, kemi projektligjin tonë, e kemi të gatshëm, e kemi përpunuar, përpunojmë, jemi të hapur, nuk jemi kokëfortë në zgjidhjet tona, por të krijojmë tryezat e punës, ku secila palë të mbrojë teknikisht të drejtën.

    Deri tani asnjë kërkesë të tillë?

    Jo, përkundrazi, unë, që isha pjesë e sistemit, u largova. Nuk po them për veten time, por dua të them se u largua grupi i interesit, kaq mund të them, që tregon që nuk është vullneti për të vazhduar zgjidhjen e këtij problemi, për të ecur në rrugë të mbarë.

    Pronarët, të penalizuar nga Ligji famëkeq 7501 dhe legalizimi falas

    Nuk diskutohen favoret e dhëna atyre që kanë përfituar prona në mënyrë të ligjshme, po vazhdojnë të jenë edhe në forma të tjera. Do të marrin tapitë, kush ka marrë toka nga Ligji 7501, do të legalizohen pa para etj., etj.. Po të hapësh vendimin pilot kundër Shqipërisë, në një pikë të tij, thotë se është e pakuptimtë të ndodhë legalizimi, nëse ai që legalizohet nuk paguan koston e legalizimit. Dhe kostot e legalizimit nuk janë vetëm toka, por edhe urbanizimi, ujësjellësi, kanalizimet dhe të gjitha ato që kërkojnë ata, sepse ata erdhën për një jetë normale, kështu që në këtë aspekt është detyra e shtetit t’ia plotësojë atyre. Por këto bien në kurriz të pronarëve shqiptarë, në kurriz të të gjithë popullsisë shqiptare që do të investojë ata që pa paguar erdhën si  zaptues. Zaptuan toka, ndërtuan vila dhe tani qeveria shqiptare duhet t’i krijojë atyre dhe kushte, t’i paguajë dhe tokën. Këto janë absurditete të demokracisë shqiptare.