Agim SHEHU/ Mosmirënjohja, arkivol i virtyteve…

    471
    Sigal

    -Karakteri i njeriut shkëlqen me shumë në vuajtje, ashtu si diamante në të prerat.

    -Perëndia të na ruaj mendjen se zverkun e thyejmë vetë.

    -Vjedhja dhe mashtrimi janë të pandara, siç janë të pandara djegia dhe era e keqe te hudhra.

    -Mendja e vogël me zemër të madhe është fatkeqësi për të zotin, mendja e madhe me zemër të vogël-fatkeqësi për të tjerët.

    -Kur tjetri të jep dorën, lexoje tek sytë, nëse te dora ka zemrën apo thikën.

    -Nëse lumturia është vlerë fisnikërie, fatkeqësia është provë karakteri.

    -Nëse tjetrin e ka zënë gjarpri, mos e qorto pse ka shëmtuar pak fytyrën.

    -Mos i mbajmë mëri njeriut pse nuk na bën një të mirë, por pse na bëri një të keqe. Atë që të bën një njeri, nuk ta bën asnjë qeveri.

    -Kur njeriu punët i bën keq, puna më e mirë e tij është që të mos bëj asnjë punë.

    -Mendjemadhësia është si një balonë: Sa më shumë fryhet, prej të zotit, aq më lehtë çahet me një majë gjilpëre.

    -Njeriu i mirë as nuk ka, as nuk i mbarohen. I ngjanë sylarit të krojeve: Ujët ua zgjat bujarisht të tjerëve përpara, e s’ kujtohet t’ua kthejë dhe mureve të tij pas për tu larë dhe vetë.

    -Shpifësi i ngjanë shkrepëses, e ndez zjarrin dhe vetë nuk merr pjesë më tej në vazhdimin e zjarrit.

    -Po mësove mirë se çfarë nuk duhet bërë, ke mësuar saktë se ç’ duhet bërë.

    -Vuajtja më e madhe nuk është kur nuk të ndihmon njeri, po kur s’të dëgjon njeri.

    -Çdo e keqe pas vetes, ka dhe një të keqe më të madhe. Sigurohu nga e dyta, pastaj vazhdo merru më tej me të parën.

    -Kallami se mbanë fijen e fasules rreth vetes nëse kjo s’i serviloset.

    -Mosmirënjohja është arkivoli i të gjitha virtyteve.

    -Gabimet e njeriut, shpesh janë të rrethanave. Fshehja e përsëritja e tyre janë të njeriut.