Agim Shehu/ Fjalë të urta

    345
    Sigal

    -Kur u afrohet dashuria, vajzat i mbulon shkëlqimi. Të kujtojnë lulet që bëhen më të bukura, kur u afrohen bletët.

    -Femrat e hijshme shpesh janë të paparashikueshme: nga hëna kanë dhe fuqinë e saj: tundin detet duke krijuar batica e zbatica që përmbytin brigjet.

    -Disa femra i ngjajnë tokës arabe: aspak tërheqëse sipër, tepër të pasura në thellësi.

    -Dashuria në ikje i ngjan muzgut: s’kuptohet sa është ditë e sa është natë!

    -Femra që pret me sy nga qielli fejesën do të donte që meteori t’i binte në gisht si gur unaze.

    -Gratë e ndershme i ngjajnë gjethes së arrës me aromë të mirë, por të shkurtër. Atë e kanë vetëm për bashkëshortin që e mban në dorë.

    -Femrat tek të ngulin sytë duke përtypur me ankth çamçakëz, nuk kërcënojnë se do të të “hanë”, por ndoshta njoftojnë se kanë dëshirë “të hahen”!

    -Në njohjen e njerëzve gruaja me nuhatje ia kalon burrit me logjikë.

    -Në këshillat mbi moralin më shumë e ngrënë zërin ato të cilat presin rastin ta shkelin moralin.

    -Femra i ngjan hurmës: piqet shpejt e “mbaron” shpejt; mashkulli i ngjan ftoit: piqet vonë e mban gjatë.

    -Disa vajza përplasin ritmikisht takat në trotuar, për inat të atyre që s’ua kthejnë sytë.

    -A është besnike e Krishtit “Europa”, kur në Shtëpitë Publike femrat gdhijnë natën pa këmishë, e ditën venë “të lahen” në kishë!?

    -Gruaja me seksmbrojtje (prezervativë) nën kryq, a është më e mirë se gruaja me shami në kokë!?

    -Në konakët përdhesë me baltë shpesh “mbijnë” vajza me bukuri Venere që ecin thjeshtë udhëve dhe me ndonjë hall shtëpie.

    -Shqiptarja në të kaluarën çmonte burrin i cili pranë shtratit donte një orë të zhvishej e dy orë të vishej! Fëmija që lindte qe “i mbështjellë” për çdo stinë me takëmet e argjendta të tij.

    -Bashkëshortëve që duhen njëlloj gjithë jetën, nga rrezatimi i gjatë që i bëjnë njeri tjetrit në halle e gëzime shumë tipare në fytyrë u marrin ngjashmëri “vëllazërie”.