Agim Lamaj:Ne dhe Irani jemi dy shtete që paguajmë taksë peshe për çdo ton mall

    435
    Sigal

    INTERVISTA/  Flet Agim Lamaj, shofer i një firme për intertransport në vendet europiane

    Dje në ambientet e Muzeut Kombëtar u zhvillua analiza vjetore e “ANALTIR’ shoqatë e shoferëve  profesionistë të kamionëve. Në këtë analizë, ku merrnin pjesë, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave z. Sajmir Loçi, Drejtoria e Tatim- Taksave dhe Drejtori i Portit të Durrësit. Në këtë analizë u bë një debat i ashpër mes shoferëve, përfaqësues të firmave të eksportit të mallrave kryesisht në Itali dhe vetë drejtuesve të kësaj shoqate.

     Ju bëtë një diskutim shumë të nxehtë në analizën e shoqatës e shoferëve profesionistë të kamionëve. Çfarë problemesh hasni ju si shoferë kamionësh në dogana?

    Problemi i parë është me doganat. Konkretisht në Doganën e Durrësit. Vjen me mall nga  Italia dhe subjekti që duhet të çosh mallin mund të jetë në Tiranë, mund të jetë në Berat, apo Vlorë.  Shteti ka një financë, një Ministri Finance dhe çdo gjë që vjelin doganat në thesin e tyre shkojnë. Tashti pse të mos ta zhdoganojnë mallin e subjektit në Durrës, në atë doganë, por të humbasin ditët duke shkuar gjetiu. Madje, duke shkuar larg edhe malli mund të prishet.

     Pse ku bëhet zhdoganimi nuk bëhet në Durrës?

    Po ta shpjegoj. Unë e kam mallin për Tiranë, unë mund ta zhdoganoj mallin dhe në Durrës, pra të derdh lekët si në Durrës apo në një doganë tjetër pasi lekët tona në një vend shkojnë. Në këtë rast shteti ka fitim se i shkojnë lekët një ditë më parë. Unë si transportues kam fitimet e mia, pasi fitoj në kohë dhe nuk sorollatem me ditë të tëra.

     Pse si ndodh në të vërtetë?

     Vjen në doganë në Durrës, bën zhdoganimin për Tiranë, të nesërmen zhdoganimi bëhet në Tiranë, pasi malli është për Tiranë. Kur i themi pse s’bëhet këtu, më thonë se ka plan për të realizuar dhe për zhdoganim Tirana. Unë mendoj se doganat nuk ecin me plan, se ai mall vjen si import dhe në çdo qytet të zhdoganohet lekët në Arkën e Shtetit do të venë.

    Po në Itali si bëhet zhdoganimi?

    Bëhet në vend, në portin ku zbret, në doganën e atij porti që zbret.

     Pra, n.q.s malli është i një firme në Berat, malli do të zhdoganohet në Berat?

    Po. Sepse ekziston mendimi dhe ideja që secila doganë të realizojë planin. Kjo nuk ka sens. Kjo mënyrë zhdoganimi na ka hapur shumë telashe, shumë probleme.

     Problem tjetër?

    Problem kaq i rëndësishëm është problemi me portin. Porti p.sh është bërë me gardhe dhe vetëm gardhe. Pra, në çdo hap gardhe, ku nuk mund të ecësh dot 100 metër me makinë, se ke postblloqe të ndryshme, që asnjë nuk i beson.

     Ç’do të thotë kjo gardhe, gardhe?

    Kjo do të thotë se sa hyn në tokë në Durrës has në 100 postblloqe. Postblloku i parë është policia. Regjistron targën e makinës, shikon poshtë e lart, ikën. Më tej, shkon tek dogana, e cila sa del në daljen e saj të regjistron targën mallin, etj…Sa del nga dogana ndesh në postbllokun e tretë që shikon çfarë të dojë, dokumentacion, makinë, e ku di unë…

    Po në Itali janë këto tre postblloqe?

    Jo o vëlla.  Bëje siç e ka bërë Italia. A do të hyjmë në Europë, t’i bëjmë dhe ne ligjet si ata. Dihet se kanë ecur para me ligje, me rregulla duke i thjeshtëzuar jo duke i rënduar. Italia e ka: Hyrje dhe dalje. Sa del në tokën italiane ka financën dhe policinë të dyja bashkë, të cilët janë shumë korrektë. Tek ne është rrumpallë, pasi të gjitha këto bëhen që të marrin diçka policët apo doganierët. Të fitojnë ata. Pra korrupsion. N.q.s Ministria e Financave vendos financier të aftë, të drejtë, s’ka pse të ketë gjithë këto postblloqe. Të gjithë sa vijnë në portin tonë u ikën tepeleku i kokës. Gjërat janë shumë të thjeshta, vjen makina, doganieri shikon faturat, mallin, sigurinë dhe jep lëvizjen. S’ka pse të ecim në kaq postblloqe.

     Problem tjetër?

    Problem kaq i madh mbetet dhe peshorja. Unë vij me mall nga Berati. Në doganën e qytetit, unë vij me dokumente të rregullta, ku malli është vulosur. Vij në Durrës për të shkuar të Itali. Sa vjen  në Durrës patjetër do hysh prapë në peshore dhe pse s’ka dy orë që malli është peshuar në Doganën e Beratit. Ajo doganë që ka lëshuar doganë peshoreje është përgjegjëse, pasi çdo gjë është e vulosur.  Pra, shteti kontrollon shtetin. N.q.s kamioni ka mushama të çara, n.q.s vula është hequr atëherq po. Pra le të bëhet një kontroll fizik i jashtëm, por jo që të bëhet peshorja nga e para. Por e keqja është këtu, n.q.s shoferi i jep 50 euro atij të peshores atëherë ky e lejon pa fletë peshoreje. Kjo bëhet për korrupsion. D.m.th n.q.s kontrollohen të gjithë kamionët që vijnë nga Berati në Portin e Durrësit, jo të gjithë kamionët janë peshuar. Pra ata që kanë dhënë lekët s’janë peshuar. Në peshore nuk futen të gjithë, në peshore futen ata, të cilët shikohen dyshime në kontrollin fizik të kamionit, çarje, grisje, mushamaje etj.. Pastaj pesha lëviz, sepse malli humbet në peshë, apo karburanti mund të peshojë 100 kg më pak apo më shumë, apo një gomë e çarë. Ka dy lloj peshoresh.

     Si ta kuptojmë këtë?

    Pra peshohet për sondazh, kur mendon se mund të ketë abuzime, apo kontrabandë, apo me lotari kur i bie “x” apo “y” kamioni të peshohet për kontroll. Kur s’je në rregull ka gjoba sipas mallit, sasisë, cilësisë. Pra, kontrolli bëhet kur ka këto defekte apo në raste dyshimi. Pra, ka dy mënyra verifikimi, me sondazhe dhe me kontrolle.

    Po tek ne si bëhet?

    Vetëm me kontrolle. Pra kontrollohet çdo kamion, pavarësisht se mund të ketë dokumentacion të rregullt. Në Itali bëhet vetëm me sondazhe me lotari. Vetëm me kontrolle të ikën mendja e kokës. Vetëm për zhdoganim do aq ditë sa për udhëtim. Pra, jo të gjitha mjetet kontrollohen, por me sondazhe. Por them dhe këtë që peshoret janë të pasakta. Mbase i prishin vetë, mbase ashtu janë, po ato s’janë të kontrolluara, pasi malli që vjen nga Italia është i mirëpeshuar, kur vjen këtu del tepër dhe fillon gjoba, ose do paguash nën dorë. Pra çdo gjë bëhet për të marrë lekë.

     U fol dhe për kushtet e trageteve?

    Po. Shumë e drejtë. Ne paguajmë biletën për një vend të mirë, ndërsa akomodimi i tyre është shumë i keq. Janë tragete shumë të vjetër që Italia nuk i mban në qarkullim veçse për në Shqipëri. Dhoma pa kushte higjieno-sanitare, si ato të fillimit të emigracionit. Qeveria jonë duhet të bëj kontrolle për cilësinë e shërbimit, për cilësinë e gatimit, për çmimin e biletave. Ministria e Transporteve as e çan kokën fare. Firmat private italiane e kanë gjetur “minierë ari” Shqipërinë. Pra, çmimet e biletave çohen sipas qejfit, kushtet higjieno-sanitare lihen në mëshirë të fatit, pra nuk do t’ja dijë për ne, por anon nga pala italiane, së cilës i ka dhënë licencën. Tek ne, qarkullojnë fjalë se ministria merr “gjobën” e vetë në këto firma. Në këto tragete na ka ndihmuar fati që s’jemi mbytur, apo si s’jemi sëmurur nga era e keqe që mbajnë.

     Po për taksën e peshës si qëndron puna?

    Taksë-peshe paguajnë vetëm kamionët shqiptarë dhe ata iranianë. Pra, ne shkojmë në Itali dhe kemi 20 ton mall, për çdo ton do paguajmë 10.3 euro. N.q.s është një kamion maqedonas me të njëjtin tip kamioni, do paguaj vetëm 10.3 euro. Pra ne paguajmë 20 herë më shumë. Kjo është problem i qeverisë shqiptare. Pra n.q.s ata paguajnë për kamion 10.3 euro (më parë ka qenë 9.3 euro), ne paguajmë 10- fish. Kështu e ka lidhur kontratën shteti shqiptar. Ky problem është bërë prezent, por siç duket shteti apo Ministria përkatëse është bërë palë dhe merr atë pjesën e saj. Ne kështu na intereson që të marrim një kamion maqedonas.