Agim Halluni:Presidenti Mesiç më tha: Këtu ngjitesh lehtë, por zbret me vështirësi

    425
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet ish -drejtori i Parkut Arkeologjik të Shkodrës, ekonomisti Agim Halluni

    Parku Arkeologjik i Shkodrës ka nevojë për fonde.

    Muzeu i Kalasë ka dy struktura paralele, Bashkinë dhe Drejtorinë e Parkut. Ne me punën  tonë, me fondet tona nxorëm në dritë 8 sterra të burgut dhe burgun e saj. Në këtë park, me pak punë, turizmi do të katërfishohet. Kështu shprehet ish Drejtori Parkut Arkeologjik të Shkodrës, ekonomisti Agim Halluni

     Kur është formuar Parku Arkeologjik i Shkodrës dhe kur keni qenë Drejtor i Këtij Parku?

     Me vendim  të Këshillit të Ministrave në vitin 2000 u formua një strukturë e re duke pasur parasysh eksperiencat e vendeve më të zhvilluara, turizmin e këtyre vendeve u formuan 6 parqe Arkeologjike në Shqipëri, ku midis tyre ishte dhe Parku Arkeologjik i Shkodrës me qendër kalanë Rozafa. Kjo kala  2400 -vjeçare nuk ishte vetëm kjo objekt i Parkut Arkeologjik, por ishte dhe pjesa  arkeologjike përreth kalasë,  ku aty janë bërë shumë pak gërmime. Pra, objektet e tjera arkeologjike, shtrihen deri në rrëzë të malit të kalasë Rozafa.

     Çfarë objektesh të tjera ka përreth?

    Po ja që nga lumi Drin deri tek ura e vjetër e Bahçallëkut, në sajë të gërmimeve, apo të zhytjeve të palombarëve, kanë gjetur rrënoja të ndërtimeve të vjetra. Flitet se qyteti i vjetër i Shkodrës, nuk shtrihet, ku ka qenë sot, por shtrihej rreth e qark kalasë. N.q.s do të bëhen gërmime arkeologjike serioze me siguri që do të dalin objekte të rëndësishme. Por  kjo strukturë e re me 6 Parqe Arkeologjikë u formua për të menaxhuar turizmin në këto zona, pasi janë zona turistike.

     Si e menaxhuat ju turizmin në Parkun Arkeologjik të Shkodrës?

    Në fillimet  e saj kur ende kjo kala ishte në varësi të Monumenteve të Kulturës, ky institucion, kishte shumë  objekte dhe nuk i kushtonte shumë rëndësi kalasë së Rozafës. Duke dalë strukturë me vete, Drejtori me vete, me personel me vete, me ekonomi me vete menaxhimi u bë më i mirë. Kur unë  isha drejtor ne kishim formuar një staf të vogël por mjaft të përkushtuar në punë. Ne ndryshuam komplet pamjen e kalasë.

     P.sh çfarë pune bëtë?

    Së pari e gjetëm kalanë me ferra dhe shkurre, të cilat i pastruam brenda tre ditësh. Pastrime radikale në sipërfaqe, por sidomos në objektet që ishin për turistë. Konkretisht kalaja ka tetë sterra, ose tetë puse. Të cilët nuk ishin funksionalë. Ishin mbushur me dhe’ dhe me ferra. Aty nuk dukej gjurmë sterre.  P.sh furnizuesit e sterrave me ujë kishin një shekull pa u pastruar. Nuk kishte gjurmë kanalesh apo ulluqesh furnizues. Në ato kanale mblidhej uji i shiut për të mbushur sterrat. Ato dolën në dritë. Kështu sterrat filluan të mbushen me ujë. Në kohë të luftërave, ky ujë përdorej si ujë i pijshëm sepse mblidhej direkt nga shiu.  Ne këtë ujë nëpërmjet pompave e thithëm dhe sollëm një cisternë që mbushej nga ky ujë. Me këtë ujë ne ndërtuam dy banjo për turistët apo vizitorët vendas. Më parë nuk kishte banjo dhe ato ishin të domosdoshme, pasi të vizitosh kalanë duhen tre orë. Më parë ishte bërë gjithë kalaja, banjë publike.

     Kush ishte interesante tjetër gjatë pastrimit?

    Ishte burgu i kalasë. Një burg që vërtet të çudit. E pastruam sidomos nga dherat e mbledhur dhe pamë dhoma burgu me arkitekturë të veçantë. P.sh i burgosuri aty kishte VvC, kishte vendin ku lahej, kishte vendin e ndenjes. Këto të gjitha në vitin 2006. Atëherë kishim disa fonde të vogla nga shteti, por ne shfrytëzuam fondet e mbledhura vetë nga shitjet e biletave. Biletat i shisnim 1 mijë lekë dhe gjatë një viti ne kemi mbledhur 23 milionë lekë të vjetra vetëm nga biletat. Pra ishte një menaxhim i mirë.

     Po sot a ekziston kjo strukturë?

    Jo. Me kalimin e kohës u zbeh kjo strukturë,  ku kanë lënë vetëm dy punëtorë. Pra është shkurtuar personeli dhe nuk ka më atë efektivitet pastrimi dhe mirëmbajtje që kishte.

    Po pse janë bërë këto shkurtime?

    Se di. Di që janë shkurtuar dhe ka rënë turizmi. Vendimi i Këshillit të Ministrave përcaktonte se 90% e fondeve nga shteti dhe biletat do të shkonte për mirëmbajtje dhe ripërtëritje të  rregullimeve dhe të zbukurimeve. Nga të gjitha këto shteti merrte 10%. Sot thuhet se s’ka më investime madje, thuhet që në këto të ardhura shteti nuk lë më për Parkun, por i merr në buxhet të vet. Pra edhe të ardhurat nga turizmi edhe ato që akordonte shteti nuk i administron më Parku. Pra, shteti vjel gjithçka.

     Kush  nga objektet e riparuara ka pas më shumë rëndësi?

     Riparimi i disa mureve që ishin gati të rrëzoheshin dhe prishnin gjithçka të bukur nga ajo kala. Ishte i nderuari Valter Shtylla që bëri këtë ndërhyrje dhe muret u rregulluan.

    Valteri është arkelog një njeri i apasionuar që dhe pse pensionist na ka ndihmuar shumë për parkun.

     Po në regjimin komunist a ka pasur turist në kala dhe çfarë pune është bërë për mirëmbajtje?

     Në regjimin komunist është bërë vetëm një punë e mirë. Është një pjesë rruge me kalldrëm që nga hyrja dhe deri tek mezi i saj që lidhet me rrugën nacionale. Ajo rrugë për të ruajtur identitetin u bë ashtu me kalldrëm në vitin 1975… Kaq. Turistë nuk ka pasur. Monumentet e Kulturës kanë pas fonde dhe kujdestarin në atë regjim. Zakonisht kujdestar caktohej një person që e kishte afër objektin e Monumentit. Sot nuk ka kujdestari.

    Po sot a është bërë diçka për rrugën?

    Po është bërë një pjesë e rrugës nga rruga nacionale deri tek kalldrëmi. Kjo rrugë ka qenë e llahtarshme, e tmerrshme. Nuk mund të ngjiteshe. Deri aty është shtruar me asfalt. Në takimin e asfaltit me kalldrëmin është bërë një parking. Pra turistët deri aty tashmë vijnë me makinë. Më parë ajo pjesë rruge bëhej për 2 orë. Të gjithë  tmerroheshin kur mendonin se do të ngjisnin atë pjesë rruge. Kohët e fundit është bërë dhe ndriçimi i kalasë, sidomos natën duket bukur. Ishte një fondacion që e financoi.  Por këtu del një problem tjetër.

    Çfarë problemi?

    Po gjithë ai ndriçim do një sasi të konsiderueshme të fondit. Pra, do aq fonde sa mund të bëhen gjëra apo zbulime të reja në kala. Kështu që ndriçimi rrallë përdoret. Për këtë park duhet një studim kompleks.

    Çdo të thotë ky studim?

    Që aty të mund të futen njësi artizanale, tregtare. Kur kam qenë drejtor kam pasur rastin të shoqëroj tre Presidentë, Bamir Topin,  Shtipe Mesiç dhe  atë të Malit të Zi. Me Mesiç fola më gjatë. Ai më tha:- “Në çdo Kala është shumë vështirë të ngjitesh, kurse këtu është shumë vështirë të zbresësh”.  Pra pjesa e rrugës me gurë është bërë aq e lëmuar nga shirat dhe këmbët që i shkelin sa rrezik se rrëzohesh. Pra, duhet rregulluar kjo rrugë.

     Tradita

    Tashmë ka 6 vjet që bëhet Festa e Luleve çdo 6 maj. Pra këtu vijnë të gjithë fëmijët dhe tregtarët e luleve. Vijnë mijëra vizitorë. Mund të them se një vit ne premë 1600 bileta. Në këtë festë tani vazhdohet të bëhet e njëjta gjë. Është bërë traditë.

     Problem tjetër?

    Brenda në Kala është muzeu i Kalasë dhe Muzeu i qytetit. Kjo ka bërë që muzeu të jetë në varësi të Bashkisë. Kjo është paradoks, Muzeu duhet të jetë në varësi të kalasë. Kështu i bie që vizitori të presë dy bileta një për hyrje, një për muzeun. Pra dy struktura paralele.