Afrim Bakaj: Prodhimi dhe tregu në kontroll të plotë. Synojmë sigurinë ushqimore si në vendet e BE

    491
    Sigal

    Flet Afrim Bakaj, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit

     Vetë fakti, që ushqimi i popullatës në krejt procesin prodhues, tregtues e konsumues në terren është një nga sektorët më delikat, përbën ndjeshmëri të madhe, diktuese për t’u angazhuar pa asnjë tolerancë. Aktualisht, Shqipëria ka prodhim dhe treg produktesh të larmishme vendase e importi me shtrirje të madhe, tashmë të zgjeruar dhe strukturuar përshtat interesave të tregut dhe konsumatorit. Ky zgjerim prodhimi, tregu e konsumi masiv i produkteve me bazë prodhimi natyral e të industrializuara, lidhur me cilësinë dhe sigurinë e tij, menaxhohet nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU), strukturë kjo funksionale si shërbim, me “hartë” veprimi në krejt vendin, kontrolluese deri në pikat hyrëse të import-eksportit të produkteve ushqimore dhe lëndëve të para të prodhimit të tyre. Cili ka qenë deri 1 vit më parë, “profili” real i AKU-së? Cila është veprimtaria konkrete e këtij shërbimi publik? A ka platforma e punës së AKU-së shqiptare, qasje profesionale dhe sjellje institucionale me modelin europian të kontrollit ushqimor prodhim-treg-konsum të vendeve të BE-së? Lidhur me këto e të tjera pyetje, flet për gazetën “Telegraf” zoti Afrim Bakaj, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU).

     Zoti Bakaj, në prodhimin dhe tregun ushqimor, AKU kishte krijuar profilin e një “xhelati” që godiste, edhe abuzivisht. Po tani, a mund të quhet i tillë?

     AKU është një shërbim kontrollues e menaxhues i prodhimit, tregut dhe konsumit ushqimor. U krijua si domosdoshmëri për të garantuar produkte të sigurta, për vetë faktin që sektori i ushqimit u zgjerua dhe detyrimisht kërkonte kontroll për të ndalur abuzuesit. Edhe pse u krijua si shërbim i tillë me natyrë shërbimesh sociale, fatkeqësisht, u përdor si “xhelat” abuziv ndaj prodhuesve e tregtarëve, duke vepruar si “taksidar” zyrtar dhe pirat prej ish-drejtuesve dhe inspektorëve të AKU-së nga qendra në bazë. Një vit më parë, kur jam ngarkuar të drejtoja këtë shërbim, nuk e nisa detyrën nga zyra, por nga terreni. Kam kontaktuar abuzime të tilla gjatë kontaktit që vendosa me prodhimin dhe tregun. Këtu e nisa punën, sepse këtu ishte pika e dobët: Mos kontrolli që paguhej me ryshfete në xhepat e inspektorëve dhe me pasoja në shëndetin e popullatës, madje, edhe me rrezik për jetën. Çfarë bëra? Krijova një ekip “verifikues” në terren, lidhur me veprimtarinë e inspektorëve të AKU-së. Kët ekip e mbikëqyrja vetë në çdo rreth. Verifikova dokumentarisht gjithë veprimtarinë e punonjësve të AKU-së. Ballafaqova denoncimet dhe testimet e prodhuesve e të tregtarëve, në raport me raportimet shkresore të inspektorëve të zonave. Mbi bazën e këtij “bilanci” faktik nga terreni, ndërtova platformën time të punës me tri objeksione bazë: Kontroll, rikontroll, monitorim brenda AKU-së. Dolën shumë probleme, që vërtetonin plotësisht atë që përjetonte prodhuesi dhe tregu, që shërbimi i AKU-së ishte tjetërsuar në një “xhelat” antiligjor, që godiste, jo për të përmirësuar punët në sektorin e ushqimit, por presiononte dhe toleronte abuzimet me ushqimin për të mbushur xhepat, ndërkohë që mbusheshin dosje me falsitete në sigurinë ushqimore dhe gjoja rregullsinë e zbatimit të ligjit ushqimor. Madje, punët kishin arritur deri aty, saqë inspektorët e AKU-së, ose “taksidarët” shkonin për kontroll në prodhim e treg, edhe me veshje plazhistësh në verë dhe me veshje e sjellje “banditësh” në dimër. Kjo situatë nuk ekziston më.

      Çdo institucion ka një bilanc, a mund të na flisni për disa nga punët tuaja?

     Nuk kemi arritur ende të përkryerën, por kemi arritur të vendosim atë që ka si primare veprimtaria e AKU-së: Kontrollin real mbi prodhimin dhe tregun ushqimor. Faktikisht, kemi një trend rritës, jo vetëm të numrit, por edhe të cilësisë së inspektimeve, gjë që ka çuar në një kontroll më rigoroz të tregut dhe garantimin e një niveli të kënaqshëm të sigurisë ushqimore në vend. Nëse do flasim me shifra, ju them në 1 vit që unë drejtoj AKU, janë inspektuar gjithsej 29 mijë e 858 subjekte. Ndërsa vetëm në periudhën e 6 muajve të parë të vitit 2014, janë inspektuar 19 mijë e 223 subjekte. Ky numër inspektimesh nuk është bërë për “bilanc”, por për të krijuar prezencën aktive dhe cilësore të kontrollit në treg, të veprimit ligj-zbatues ndaj abuzimit. Mund të them se në prodhimin dhe tregun ushqimor, kemi krijuar një bindje që duhet prodhuar me cilësi dhe siguri, që duhet tregtuar produkt me standarde e jo “vrasëse” për konsumatorin. Po përmend një fakt: Në kontrollet që kemi bërë në periudhën janar-gusht 2014, kemi patur 45% ulje të rasteve të abuzimeve të konstatuara në prodhim dhe ulje 70% të rasteve të abuzimit në treg, në krahasim me kontrollet e bëra në periudhën tetor-dhjetor 2013. Nuk ka dashur “shkencë’ arritja e këtij treguesi, por kryerje të detyrës me korrektesë dhe realizëm në kontroll, si dhe goditje pa asnjë të abuzimeve konform ligjit. Një nga metodat e përdorua që na ka dhënë sukses, ka qenë edhe bashkëpunimi bindës me prodhuesit dhe tregun, për të zbatuar ligjin jo si “dhunë”, por si shërbim sigurive ndaj konsumatorit. Se fundja, nuk bëhet fjalë për çimento, apo dërrasë të skaduar, por për ushqim që rrezikon jetën e popullatës. Në këtë aspekt, nuk duhet falur as vetja.

     Me cilin problem të “nxehtë”, nisi puna juaj kontrolluese?

     Nisëm me qendrën e Tiranës, tregun e Pazarit të Ri, një treg që nuk përfaqësonte asgjë më pak e as më shumë, por turpin e kryeqytetit, pasi në këtë treg kafshët thereshin e tregtoheshin në të njëjtin vend, mishi shitej në trotuare, në bagazhe makinash e karroca plehrash. Sot, kjo pamje nuk ekziston më. Në Tiranë, nuk ka më therje e shitje mishi në rrugë. E kemi vendosur standard, që kafshët theren në thertore të autorizuara e të kontrolluara në çdo pikëpamje si dhe kemi arritur deri sot, që në afro 85% të subjekteve, tregtimi i mishit dhe produkteve të tij kryhet brenda standardeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi, tamam si tregun e vendeve të BE-së.

    Ose, për shembull kemi ndërhyrë fuqishëm dhe pa asnjë tolerancë, në aksin rrugor Tiranë-Rinas, në aksin Tiranë-Fushë Krujë-Lezhë, ku është eliminuar pothuajse plotësisht (ka raste abuzimi) procesi i therjes së kafshëve dhe tregtimi i tyre në rrugë, madje edhe ata që kanë krijuar treg të mbyllur janë licencuar e mbahen nën kontroll veterinar dhe hijeno-sanitar. Ky standard u vendos në krejt vendin, deri në qytetet e vogla, ku ka 2-3 kasapë e shitës të vegjël. Tregu i mishit ka dalë nga natyra e tij primitive e 20 viteve të fundit.

     Ju flisni për kontrolle cilësore në prodhim dhe treg, a keni një bazë kontrollesh laboratorike?

     Nuk mund të flitet për kontrolle, pa patur laboratorë. Ka ikur koha e kontrollit “me sy” dhe “me dorë” e me firmosje dhe vulosje sigurive fiktive pa analiza. Çdo prodhim apo produkt i nënshtrohet analizave në prodhim dhe kontrollit të afateve të qëndrimit në treg. Nuk del asnjë prodhim pa certifikim. Nuk futet nga importi, asnjë prodhim ose produkt i gatshëm apo lëndësh të para për prodhime ushqimore, pa kaluar në kontroll laboratorik, pa u konfirmuar prej autoriteteve të vendit nisës të importit, certifikimi i tyre cilësor dhe i sigurisë. Laboratorët janë prioriteti ynë. AKU është duke punuar për një strategji konkrete në përmirësimin e performancës dhe eficencës së rrjetit laboratorik në Shqipëri. Për këtë zgjidhje, kemi mbështetjen e plotë të ministrisë së Bujqësisë e Ushqimit dhe personalisht të ministrit Edmond Panariti, i cili ndjek sistematikisht, edhe si ministër, edhe si konsumator, sigurinë ushqimore dhe veprimtarinë tonë kontrolluese si AKU në terren. Në bashkëpunim me Projektin “Konsolidimi i Sigurisë Ushqimore në Shqipëri-IPA 2009” është bërë një vlerësim real mbi situatën, për identifikimin e nevojave, përmirësimin në trajnime dhe metodika e praktika pune. Në kuadër të Programit “IPA 2010 për Shqipërinë”, më saktë “Projekti Fiche 09” për “Mbështetje për infrastrukturën e sigurisë ushqimore” me agjenci implementuese, të financuar nga Komuniteti Europian për ndërtimin dhe rehabilitimin e godinave të Drejtorive Rajonale të AKU-së (zyrat dhe laboratorët), do të bëhet i mundur përmirësimi i kushteve të punës. Sistemi i kontrollit ushqimor në Shqipëri po qaset me standardet e kontrollit të BE-së. Jemi në prag të finalizimit të modernizmit të këtij sistemi, të cilin në çdo fazë ecurie, po e monitoron direkt ministri Panariti në bashkëpunim me ekspertët e ushqimit të BE-së.

     Thuhet, se pika e dobët janë kontrollet në pikat e importit (kufinj), a mendoni se ka probleme dhe çfarë po bëhet në këtë drejtim?

     Problem ka. Nëse do ta mohonim, nuk do të ishim realistë e, për rrjedhojë, nuk do të pretendonim se po bëjmë ndryshime. AKU me mbështetjen e Projektit të BE-së, si dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Politikave të Sigurisë Ushqimore pranë Ministrisë së Bujqësisë ka realizuar disa përmirësime esenciale në bazën ligjore, lidhur me sigurinë ushqimore. Kjo ka krijuar bazë për konsolidim të procedurave të inspektimit në PIK (Pikat e Inspektimit Kufitar), procedurat e kontrolleve zyrtare të Operatorëve të Biznesit Ushqimor si dhe procedurat e marrjes së mostrave dhe të vlerësimit të rezultateve të analizave me qëllim rritjen e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit. Në funksion të këtij objeksioni, AKU në kuadër të rritjes së kapaciteteve tekniko-profesionale, ka kërkuar nga qeveria “Rama” dhe është mbështetur menjëherë prej saj, për të realizuar trajnimet e stafit brenda dhe jashtë vendit, të cilat janë organizuar nga TAIEX, EFSA, Projekti i BE-së (i atashuar pranë AKU), të cilat kanë rritur në mënyrë të ndjeshme jo vetëm cilësinë e inspektimeve, por dhe performancën e inspektorëve gjatë kontrolleve zyrtare. Një fakt: Vetëm gjatë periudhës Tetor 2013-Korrik 2014, janë kryer 23 module trajnimi, me të cilët janë trajnuar 571 punonjës të çdo pozicioni shërbimi kontrolli e drejtimi në AKU në krejt vendin. Kjo është bërë për herë të parë dhe është standard kualifikimi sipas standardeve të BE-së. Për këtë arsye, bazuar dhe në Urdhrin e Kryeministrit Nr. 119, datë 10.03.2014 “Për Miratimin e strukturës dhe të Organikës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”, në AKU është ngritur edhe Sektori i Koordinimit të Inspektorëve të Pikave të Inspektimit Kufitar.

    Bashkëpunimi

     Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka në filozofinë e tij, bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me të gjithë aktorët dhe faktorët që lidhen me sigurinë ushqimore në Shqipëri, duke shërbyer njëkohësisht edhe si pikë referimi, për çdo problem apo rrezik që ka të bëjë me sigurinë ushqimore. Në kuadër të bashkëpunimit, por edhe me qëllim evidentimin dhe zgjidhjen e problemeve që paraqesin Operatorët e Biznesit Ushqimor, AKU ka organizuar një sërë takimesh me shoqata të ndryshme të operatorëve të biznesit, si shoqata e Prodhuesve të Bukës, shoqata e Prodhuesve të Vajit të Ullirit, bulmetarëve, importuesit e kafshëve të gjalla, përfaqësues të importimit dhe tregtimit të inputeve bujqësore, restoranteve, bar-kafeve, fast-food-eve, pastiçerive, supermarketeve, minimarketeve, tregjeve të hapura të prodhimeve bujqësore etj..

    Drejtime monitorimi

     AKU ka tashmë një plan të qartë e të kompletuar monitorimi për Operatorët e Biznesit Ushqimor që importojnë, prodhojnë, përpunojnë produkte ushqimore me bazë mielli dhe nënprodukte të tij, ku kryesisht fokusi ka qenë tek furrat e bukës, duke patur parasysh që buka është ndër produktet ushqimore më të konsumueshme në vendin tonë.

    Në zbatim të këtij plani, janë realizuar 625 inspektime, janë analizuar 280 mostra për treguesit “hiri” dhe “luteni”. Ka plan monitorimi për Operatorët e Biznesit Ushqimor, të cilët prodhojnë, përpunojnë, tregtojnë dhe importojnë vaj ulliri. Në zbatim të këtij plani janë realizuar 258 kontrolle, ku janë analizuar 274 mostra, janë kryer 1223 inspektime dhe janë analizuar 3064 mostra në sektorin e prodhim-tregtimit të bulmetrave etj., sidomos në sezonin e verës.

    Bisedoi: Përparim Halili