AFP: Pesë fakte intriguese për Kosovën

613
Kosova, që kremton 10 vjetorin e pavarësisë të shtunën, ka një flamur që pak njerëz e respektojnë, katër kode telefonike ndërkombëtare dhe një heroinë të xhudos.
AFP sjell pesë gjëra për t’u ditur për shtetin më të ri evropian.
– ‘Peshqir’ në vend të flamurit –
Flamuri i Kosovës ngërthen në vete formën e territorit të saj me gjashtë yje të verdhë, për gjashtë grupet e saj kryesore etnike, në një prapavijë të kaltër.
Me përqeshje, ai quhet peshqir nga pjesëtarë të shumicës shqiptare, që besojnë se është miratuar kryesisht për të kënaqur patronët Perëndimorë, transmeton Koha.net.
Flamuri që valon në mbarë Kosovën është ai i Shqipërisë fqinje – një shqiponjë e zezë dykrenare në një prapavijë të kuqe.
Edhe flamuri amerikan, me yje dhe vija, është i dukshëm, që i dedikohet mbështetjes së fuqishme të Washingtonit për betejën e Kosovës për pavarësi nga Serbia.
Ndërsa, në zonat që janë të banuara me shumicë serbe në Kosovë, “peshqiri” rrallë haset dhe në vend të tij dominon flamuri i Serbisë.
– Katër kode telefonike –
Si pasojë e kundërshtimit të pavarësisë nga ana e Serbisë, Kosova ka tre kode telefonike: të Serbisë +381 për linjën tokësore plus të Monakos +377 dhe të Sllovenisë +386 për telefoninë mobile, transmeton Koha.net.
Kosovës i është ndarë kodi telefonik +383 pas arritjes së marrëveshjes me Beogradin. Ky kod tashmë ka nisur të përdoret në aplikacionin e famshëm të komunikimeve Viber dhe pritet të jetë plotësisht funksional më vonë gjatë vitit.
– Ikona e xhudos –
Kosova e mposhti vëllanë e saj të madh, Shqipërinë, për medalje Olimpike gjatë paraqitjes së parë të vendit në këto Lojëra, në Rio më 2016, kur heroina kombëtare Majlinda Kelmendi mori të artën në xhudo.
Kosova shfrytëzon sportin si mjet diplomatik dhe u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar më 2014 edhe përkundër pakënaqësisë së Serbisë.
Kosova e prezantoi me krenari skiatorin Albin Tahiri, të vetmin atlet në paradën e javës së kaluar në Pyeongchang dhe sportistin e parë në një Olimpiadë Dimërore, transmeton Koha.net.
– Diaspora e fuqishme –
Kosova ka rreth 1.8 milionë banorë por edhe rreth 700,000 shqiptarë të Kosovës vlerësohet se jetojnë jashtë, kryesisht në Gjermani e Zvicër.
Diaspora, që ka ministrinë e vetë, dërgoi rreth 620 milionë euro në Kosovë në 10 muajt e parë të vitit 2017, duke u bërë kështu një kontribuues i madh në funksionalitetin e shtetit, së bashku me ndihmën ndërkombëtare.
– Katedralja e mirënjohjes –
Rreth 95 për qind e shqiptarëve të Kosovës janë myslimanë, por një prej katedraleve më të mëdha katolike gjendet në qendër të Prishtinës, transmeton Koha.net.
Kjo katedrale, që i dedikohet Shën Nën Terezës, një shqiptare nga prejardhja, është simbol i mirënjohjes ndaj perëndimit që përkrahu pavarësinë.
Sigal