Afatet për fillimin dhe mbarimin e këstit të dytë për ish të përndjekurit

    397
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Lekë Hajdari, përgjegjësi i Sektorit të Pagesave për ish të Dënuarit Politikë

    Këtë vit do të përfundojë shpërndarja e lekëve për këstin e dytë për personat që janë gjallë dhe fill pas këtij do të fillojë shpërndarja e lekëve për kategoritë e personave që nuk jetojnë. Një fakt të tillë e bën të ditur për gazetën “Telegraf”, Lekë Hajdari, përgjegjësi i Sektorit të Pagesave për ish të dënuarit politikë. Sipas tij, një problem shqetësues mbetet shtimi i dosjeve me mangësi.

    -Zoti Hajdari, mund të na thoni më konkretisht diçka më shumë në lidhje me dokumentet që duhet për këstin e dytë, pasi Ministria e Financave ka nxjerrë një njoftim në lidhje me këto dokumente?

    -Po, njoftimi është nxjerrë nëpërmes nesh si sektor, normalisht është nxjerrë me vendim të eprorëve tanë. Ky njoftim ka të bëjë me dy kategori të dënuarish që marrin këstin e dytë. Kategoria e parë është për personat që jetojnë pra kanë bërë burg vetë dhe janë gjallë. Për këtë kategori kërkohet një certifikatë lindjeje e lëshuar pas datës 23 mars 2012. Ideja e kësaj certifikate ka të bëjë me të qënit gjallë të personit, për arsye që ne mos të dërgojmë para në destinacionin e gabuar dhe të bllokohet leku. Në të gjitha rastet e tjera kur personat nuk janë gjallë atëherë pasardhësit e tyre duhet të kenë aktin e trashëgimisë për të marrë lekët në të kundërt nëse nuk e kanë atëherë nuk do të mund të tërheqin paratë. Pra njoftimi i bërë publik ka të bëjë vetëm për rastet që personi ka marrë paratë e këstit të parë dhe më pas mund të ketë ndërruar jetë atëherë pasardhësit e tyre duhet të dërgojnë aktin e trashëgimisë. Ndërsa personat e tjerë që janë gjallë atëherë nuk ka asnjë ndryshim për sjelljen e dokumenteve.

    -Kur mbaron kësti i dytë për personat që janë gjallë dhe kur fillon dhënia e këstit të dytë për kategoritë e tjera?

    -Kësti i dytë për personat që janë gjallë do të mbyllet brenda këtij viti shpresojmë. Pastaj fillimi i këstit të dytë për personat që nuk jetojnë do të bëhet fill pa përfundimit të këstit të dytë për personat që janë gjallë dhe më pas do të bëhet edhe për kategoritë e tjera, por kjo do të bëhet me miratimin e eprorëve tanë.

    -Çfarë po bëhet me dosjet me mangësi, pasi herë pas here keni bërë apel që të dërgohen dosjet me dokumente të plota?

    -Po për fat të keq vazhdojnë që të na vijnë dosje me mangësi. Edhe pse e kam përsëritur disa herë sërish rritet numri i tyre. Por unë gjej rastin që të theksoj edhe njëherë që të interesuarit duhet të dorëzojnë më saktësi dokumentet që janë shënuar në listën e dokumenteve. Po ashtu po e përsërit që duhet të vendosin edhe një numër telefoni për të kontaktuar unë me to për shkak të mungesës së dokumenteve.

    -Një vendim i Këshillit të Ministrave parashikon përftimin më të shpejtë të kësteve të dëmshpërblimit për ata ish të dënuar të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda. A e kanë marrë realisht dëmshpërblimin këto kategori?

    -Sipas një vendimi të fundit të Këshillit të Ministrave, për shlyerjen e këstit të dytë të dëmshpërblimit, do të ndiqet radha e shlyerjes së këstit të parë, me përjashtim të ish të dënuarve mbi 65 vjeç, apo familjarëve që përfitojnë shpërblimin, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda. Pas këtij vendimi kërkuam që Ministria e Financave dhe ajo e Shëndetësisë të përcaktonin teknikisht, cilët do të konsideroheshin me këtë status. Përcaktohen dy kategori. Në të parën përfshihen ish të dënuarit që kanë paaftësi të plotë pune. Dhe këtu më duhet të nënvizoj se nuk bëhet fjalë për pensionistët, por për ata që konsiderohen si plotësisht të paaftë nga pikëpamja shëndetësore. Përcaktimi për këtë kategori bëhet vetëm nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë. Kategoria e dytë është ajo ku përfshihen ish të dënuarit që vuajnë nga sëmundje e ashtuquajtura malinje. Autoritetin për t’i njohur këtë status ish të dënuarve e kanë katër institucione shëndetësore shqiptare, të cilat janë qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, Spitali Universitar i Sëmundjeve të Mushkërive Shefqet Ndroqi, Spitali Universitar Obstetrik. Gjinekologjik “Mbretëresha Xheraldinë” dhe Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”.