Aeroporti i Brukselit rihapet pas sulmeve terroriste

443
Aeroporti i Brukselit u rihap të dielën me kontrolle të reja sigurie, 12 ditë pasi u sulmua nga kamikazët. Autoritetet e aeroportit të Zaventemit thanë se tre fluturime nga linjat ajrore të Brukselit do të nisen në mënyrë simbolike drejt destinacioneve evropiane. Në aeroportin Zaventem nuk ka kaluar as edhe një fluturim që prej sulmeve terroriste që u morën përsipër nga Shteti Islamik. Shefi ekzekutiv i aeroportit, Arnaud Feist, tha se që prej të dielës aeroporti është pjesërisht funksional. Megjithatë, ai shtoi se pret autorizimin zyrtar të nisjes së punës gjatë ditës. Tre fluturimet e para do të bëhen drejt qytetit portugez Faro, Athinës dhe Torinos. 
Pasagjerët mund të shkojnë në terminal me taksi apo makinë, pasi ende nuk ka nisur lëvizja e trenave apo autobusëve. Kontrolle të reja më të rrepta janë vendosur nga autoritetet, pasi policia kërcënoi me grevë tjetër nëse siguria nuk përmirësohej. Udhëtarëve i është kërkuar që të shkojnë në aeroport tre orë para nisjes. Një prej ndryshimeve të mëdha është se vetëm pasagjerët me dokumenta identifikuese dhe biletë do të lejohen të hyjnë në sallën e nisjeve dhe bagazhet e tyre do të kontrollohen që më herët. Pasi të hyjnë brenda, ata do të kalojnë edhe kontrollet e zakonshme.
Sigal